Ateizmi ne KosoveGazeta Express bën të ditur rezultatet e një studimi të paraqitur  në një raport ndërkombëtar, sipas të cilit Kosova rezulton në rangun e vendeve me lirinë më të madhe ndaj ateistëve, duke kaluar edhe «vendin e lirisë» SHBA-të. Kosova radhitet në një kategori me Belgjikën, Holandën, Beninin, Nigerinë, Sierra Leonen, Xhamaikën, Uruguain, Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin etj. të cilat janë konsideruar si kategoria e vendeve me më shumë të drejta dhe liri për ateistët dhe njerëzit joreligjiozë, ndërkohë që SHBA-të rradhiten në një kategori më poshtë ku këto të drejta vlerësohen si të kënaqshme, ku futet edhe Shqipëria, Sllovenia, Franca, Maqedonia, Norvegjia etj. Studimi është kryer nga Unioni Ndërkombëtar për Humanizëm dhe Etikë (IHEU), i cili është një bashkim i mbi 120 organizatave ateiste, racionaliste, shekullare, të kulturës etike dhe të mendimit të lirë nga më shumë se 40 vende. Gazeta sqaron se, “për të matur gjendjen, raporti fokusohet në ligjet aktuale që diskriminojnë ose jo ateistët, humanistët dhe grupet tjera jo religjioze” dhe, për Kosovën, në raport thuhet se ajo “riafirmon të drejtën për liri të shprehjes, ndërgjegjes dhe të religjionit për të gjithë banorët pavarësisht bindjeve të tyre religjioze”.

Interesante është se ky vlerësim, të cilin e konsiderojmë realist përsa i përket target-grupit të interesuar (ateistëve), vjen në një kohë kur qytetarët që i përkasin besimit të shumicës dërrmuese, ndjehen të diskriminuar, të papërfaqësuar e madje të sulmuar nga institucionet shtetërore, mediat dhe shoqëria civile. Mediat sulmojnë çdo ditë fenë e tyre, politikanët bëjnë deklarata që, në mjaft raste, mund të konsiderohen armiqësore, ndërsa shoqëria civile nuk lë rast pa reaguar ndaj dukurive fetare që nuk i preferon, qoftë edhe kur ato ndodhin brenda hapësirës së garantuar nga ligji. Gjithashtu, zvarritja e lejes për ndërtimin e një objekti kulti, ndërsa besimtarët falen çdo të premte nëpër trotuarë, moslejimi i vajzave me shami të frekuentojnë shkollat publike, iniciativat për të kufizuar volumin e thirrjes së ezanit nga xhamitë, janë vetëm veprimet më të dukshme që atakojnë ushtrimin e lirë të fesë nga besimtarët. Në pjesën dërrmuese, muslimanët ndjehen të papërfaqësuar nga shteti i tyre, të cilin e shohin më shumë si njerkë.

Gjithçka evidenton paradoksalitetin e politikës shqiptare ndaj fesë, duke vendosur në pozitat e minoritetit maxhorancën dërrmuese religjinale. Duket se e vetmja fe e padëshiruar në Kosovë nga elitat sunduese në fushën e politikës, medias dhe shoqërisë civile është feja e popullit dhe për rrjedhojë, çdo fe, ideologji apo botkuptim që rivalizon të, është e mirëpritur. Natyrisht, vlerësojmë si të drejtë lirinë e ofruar ndaj çdo grupi fetar e çdo bindjeje besimi (përfshi këtu edhe ateistët), për shkak se liria e ndërgjegjes është pa dyshim themelore për ndërtimin e një shoqërie demorkratike, por nuk mund të mos shprehim keqardhjen kur vërejmë se këtë liri nuk e gëzon shumica dërrmuese muslimane, e cila përbën një komunitet historik e kombformues në trojet shqiptare.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *