Kangë për Perëndimin





SeminariN. Seitaj

“Çështja […] është ajo e liberalizmit dhe e pluralizmit. A do t’i përshtaten ata [myslimanët] agjendës sonë liberale? […] Por mund të pyesim gjithashtu: po ne vetë a do t’i përshtatemi liberalizmit tonë? […] Pra, kur bëjmë pyetjen se çfarë lloj demokratësh janë këta vallë, duhet të përgatitemi gjithashtu për t’u përgjigjur se ç’lloj demokratësh jemi ne”.

 J. L. Esposito

Islamic Threat: Myth or Reality?

Të hënën, më 2 dhjetor 2013, pranë Seminarit Metropolitan të qytetit të Torinos në Itali u zhvillua referati me temë L’islàm della porta accanto: Albania e Kosovo (Islami në bregun përbri: Shqipëria dhe Kosova), ne vijim të pesë reportazheve të mëparshme mbi islamin në Mesdhe, të promovuar nga qendra Federico Peirone, e atashuar pranë dioqezës së Torinos, në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Shqiptare. Në takim morën pjesë ambasadori Neritan Ceka, Klejdi Këlliçi, profesor i shkencave politike, Benko Gjata, drejtor i qendrës kulturore shqiptare në Torino, dhe në cilësinë e moderatorit gazetari Paolo Girola, ndërsa drejtori i qendrës F. Peirone, studiuesi  Don Augusto Negri, nuk mundi të ishte prezent për probleme me shëndetin.

Në këtë takim u prezantua dhe u shpërnda falas për të pranishmit një kërkim shkencor i zhvilluar in loco nga qendra Peirone, në lidhje mbi karakteristikat fetare dhe kulturore të shqiptarëve të hapësirës Shqipëri-Kosovë, të cilët në shumicë identifikohen me besimit islam.

Pas projektimit të dokumentarit 20 minutash,  përmbledhës të këtij studimi, fjala iu la relatorëve të ftuar, ku edhe pse pesha kryesore për mendimin tonë duhej t’i ishte dhënë studiuesit Këlliçi (që me integritet intelektual  u mundua të adresojë problematika reale)  dhe Girolas (në mungesë të Don Augusto Nerit), çuditërisht auditori u “pengmor” nga ambasadori Ceka, i cili gjatë gjithë kohës, mbi shinat historiografike të narrativës nacional-komuniste, këndoi litaninë tashmë të stërpërsëritur të Eseistikës së Rekonkuistës (Hatibi, 2005) – ndonëse me tone disi më të zbutura – mbi islamin shqiptar të “rakisë e jahnisë”. Kjo të kujton pak “leksionin” e R. Haradinajt të pak ditëve më parë: mbase klasa politike shqiptare mbron kompleksin e inferioritetit me këtë stil.

Ambasadori Ceka nuk hezitoi të ndërshkëmbente role dhe identitet kur vinte fjala për t’i dhënë rëndësi “tezave” të tija historike. Me tagrin e arkeologut (!) duhet të ishte më korrekte t’i prezantonte shqiptarët nën dritën e këtyre studimeve, me historinë që fillon para ardhjes së Krishtit e jo pas lindjes së Skënderbeut. Por kur del jashtë kompetencave dhe kërkon të interpretosh fakte sipas midesë së çastit, koherenca kurbon vetiu drejt mjegullës. Ndërsa në rolin e përfaqësuesit të shtetit – me vrullin integrues që na karakterizon – kulmoi me thënien e padëgjuar se asnjë shqiptar nuk shkon më në Turqi (mor po fare as, për tregti), të gjithë shkojnë buzagaz në Evropë! Edhe pse po vetë, i detyruar nga vështrimi skeptik i të pranishmëve në sallë, u detyrua të pranojë trendin e çuditshëm shqiptar në këtë periudhë jo mjaft të favorshme ekonomike që po kalon Evropa.

Duke mos harruar të përsërisë se është sojli dhe dhëndër i Migjenit – vdekjen tragjike nga  turbekulozi të të cilit, në sanatoriumin e Torre Pelice-s (afër Torinos), gati sa nuk e interpretoi si akt heroik pro evropian – ambasadori vazhdoi në citimin e vargjeve migjeniane tek Kangë për Perëndimin, duke profetizuar Shqipërinë, por vargjet nuk i solli dot të plota e për plotësim po i sjellim ne këtu:

Kanga e tij n’nji fe tjetër me tempuj tjerë e me meshë solemne,
Ku prej mëngjesit deri në mbramje shkrihen ndjesitë, trutë njerëzore
Në apoteozën e hekurit shpirtnat përshkohen në tymore
Të cilat me fërshëllimë i përqeshën zotit të vjetër edhe qiellit.
E me re tymit të dendun shkëlqimin ia vrasin diellit.

Në këto vargje gjithçka mund të kuptohet, por assesi aspiratat drejt një Evrope të Krishterë.  Fjala e gjatë e ambasadorit u mbyll me: “Verità! Albanesi sono europei”(Eureka!). E vërteta është se fjala e tij nuk pati lidhje fare me studimin e prezantuar nga qendra Peironi, e aq më pak përgjigjja mbi pyetjen që i drejtuam mbi prioritetet  e raportit të fundit të Këshillit të Evropës mbi kushtet të cilat Shqipëria duhet të përmbushë për marrjen e statusit kandidat, ku midis të tyre shëmbëllejnë respektimi i të drejtave të njeriut – kujtojmë diskriminimin ndaj vajzave me shami(problematikë të cilin ndër të tjera e përmendi edhe studjuesi Këlliçi) –, lufta ndaj korrupsionit dhe pavarësia e gjyqësorit, duke mos lënë mënjanë katastrofën ekonomike në të cilën ndodhemi e që prania e qindra-mijëra emigrantëve shqiptarë në Itali dhe gjetkë e dëshmon më së miri.

Habi na bëri edhe islamofobia e pajustifikuar e kryetarit të Qendrës Kulturore Shqiptare Benko Gjata, i cili shqetësimit për mungesën e infrastrukturës dhe mosfunksionimin e shtetit në zonat e thella (në Shqipëri e Kosovë) i vuri përballë rrezikun e aktivizmit prozelitik islamiko-vehabist: sipas tij ai mund të penetrojë aty ku nuk ka shtet, të prishi rendin dhe kohezionin social. Nuk e dimë se ku informohet Gjata, por nga kontrolli që mund t’i bëhet shtypit të ditës, madje edhe në internet, raste të tilla nuk kemi hasur. Përkundrazi, sipas një artikulli të studiuesit italian Mateo Albertini rezulton diçka tjetër:

Familjet myslimane, duke kërkuar ndihmë për problemet e tyre të ndryshme ekonomiko-sociale shpeshherë i kanë gjetur dyert e mbyllura në komunitetet islame të cilave i përkasin – disa prej tyre të akuzuara si “ekstremiste” dhe “ fundamentaliste” – duke u detyruar t’i shtrijnë dorën për ndihmë organizatave katolike. Nëpërmjet këtyre organizatave ata morën ndihmë dhe pranuan të konvertoheshin në Katolicizëm, sepse kjo fe arriti t’i përgjigjej nevojave të tyre jetike, duke filluar nga shëndeti e deri tek higjena dhe shkollimi.

Vëmendje nga organet shtetërore shqiptare, sipas Gjatës, kërkon edhe rritja e “frikshme” e xhematit të xhamisë tek Rruga e Kavajës, i cili nga një tufë pleqsh e çunakësh, gati e padukshme përtej mureve të larta rrethuese, në Tiranën e largët të vitit 1998, tani pas gati 15 vjetësh është shndërruar në një qendër vibrante të jetës së Tyre komunitare, dhe është njëzetfishuar në numër – Gjata jep edhe numrat 4,000-5,000. Madje Gjata e rendit tek problemi edhe vetratën e bollshme të xhamisë, që sipas tij i bën këta besimtarë më të dukshëm në sytë e kalimtarëve në rrugë. Mund të sugjerojmë se zgjidhja e maktheve të Gjatës duhet të jetë murimi i Tyre brenda territoreve të tyre: një geto myslimane – si ajo hebraike në Romën e dikurshme –, por në një vend ku kjo fe është traditë dhe me shumicë. Se në cilin perëndim edukohen këta përfaqësues, mbetet enigmatike. Kuptohet, në këtë mënyrë, përse në aktivitete të tilla nuk ftohet UAMI, organizata kryesore e shqiptarëve myslimanë në Itali: flitet për myslimanët, por nga pozitat e vizitorit të akuariumit.

Përderisa ky ligjërim problematik islamofob përsërit veten përmbi njëzet vjet, me kujtohet një përgjigje po aq e vjetër dhe njëkohësisht aktuale:

“Ndërsa është bërë modë kritika ndaj intolerancës “lindore e ballkanike” dhe gjuhës së urrejtjes në politikë, mendësive pronore dhe bajraktarizmit, në Shqipëri u bë zakon të flitet vetëm kështu për muslimanët, trashëgiminë e fenë e tyre, me gjuhën vulgare të “mllefit dhe krenarisë”, nga njerëz që e kanë kuptuar se fundja jetojnë në një provincë të humbur, ku mund të thuash e mund të bësh gjithçka,  para një populli të hutuar nga një mijë e sa halle të tjera, pa  u shqetësuar se mos t’i shkul njeri nga supi spaletat e oksiduara të oksidentit, liberalit, intelektualit […]. Kur, në fakt, fillimisht duhet thënë se këta njerëz, pozicionimi i tyre me “problemin musliman” i kthen automatikisht në disa kontradiktorë të emocionuar, njerëz që e tradhtojnë veten dhe fenë e Perëndimit të dashur sapo përmenden muslimanët e Shqipërisë. Nuk do të dëshironin t’i shihnin aty; po ta zbulonin sustën që i zhduk nga brigjet e Adriatikut, do ta kishin shtypur atë prej kohësh. E hapin zemrën dhe llastikun e tolerancës për të gjithë, përfshirë kafshët dhe pemët e ekologjisë një për një, e nuk u mbetet më vend për muslimanët. Revoltohen me “trajtimin antropologjik”, minoriteteve e fqinjëve tanë apo me fajësimin që këtyre u bëhet për gjithë të këqijat e Shqipërisë, por me lehtësi bëjnë vetë procedime të tilla me muslimanët vendas. Akuzojnë të tjerët si romantikë të infektuar nga librat e historisë kur flitet për nacionalizëm dhe kthim të Shqipërisë në trojet e lashta, por vetë e kanë thjeshtuar historinë në një simbolikë e mitologji ideologjike kur flasin për kthim masiv të shqiptarëve në fenë e lashtë. Më keq; e kanë kthyer mit-historinë e të kaluarës së largët në një hesap të hapur, në një akt-kuzë për njerëz të gjallë. Pluralistë në politikë dhe përjashtues në fe, progresistë me një shije tepër të djathtë, ateistë libertarë por edhe kryqëtarë, kundër-rrymë por në mainstream… Ku vallë u mbetet retorika e leksioneve që u japin arnautëve mbi vlerat perëndimore?” (Hatibi 2005:159-60)

Bëjmë me dije se ky shkrim nuk synon të shterojë gjithçka që u trajtua në atë convegno,  përndryshe do të tregoheshim të padrejtë në prezantimin e tablosë së përgjithshme. Si një parantezë të shkrimit në vazhdim, i cili do të përpiqet të trajtojë në mënyrë më të detajuar aspektet serioze dhe informuese të studimit  të qendrës Peirone, na duhet të falenderojmë studjuesin Klejdi Këlliçi dhe Don Augusto Negrin për objektivitetin e treguar në adresimin e problematikave reale e të mprehta, që nuk shqetësojnë më vetëm një grup a komunitet specifik, por të gjithëve. Probleme të cilat politika nuk duhet më t’i përdorë si kuaj të ngordhur betejash elektorale, por si objektiva për t’i dhënë zgjidhje.

 

Comments

  • uau, ky Gjata te habitka fare.
    Te mos flasim fare per Ceken se edhe ai e ka ndritur por c’mund te pritej prej tij duke ditur ne c’kohe eshte edukuar e si eshte brumosur…

  • Kompleks inferioriteti per te te ardhe turp. Nje tufe burrash me pozicione te rendesishme shteterore, fyejne fene e popullit te tyre ne nje vend te huaj me fe tjeter! Kjo eshte ordinere dhe jam i bindur qe vete italianeve u vjen per te vjelle. Vetem dinjitet nuk i japin kombit te tyre ne kete menyre.

  • “Duke mos harruar të përsërisë se është sojli dhe dhëndër i Migjenit – vdekjen tragjike nga turbekulozi të të cilit, në sanatoriumin e Torre Pelice-s (afër Torinos), gati sa nuk e interpretoi si akt heroik pro evropian ” – priceless 🙂

  • Probleme te tilla do te jene gjithmone prezente, derisa ne si popull te perballemi me te kaluaren tone komuniste dhe me trashegimine e saj ideologjike e politike.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *