“Ri-Lindja” e Mesme





Mabruk! Urime Popullit te EgjiptitErvin Hakorja

Paqëndrueshmëria politike e rajonit

Rajoni i Lindjes se Mesme po përjeton  eksperiencën më të hidhur historike përsa i përket zhvillimeve më të fundit politike, ekonomike, sociale dhe gjeopolitike, qysh nga periudha e skicimit të hartës politike të vetë rajonit pas  Luftës së Parë Botërore. Dhuna kaosi, destabiliteti, vala e gjerë e konflikteve të brendshme kundra regjimeve tiranike, apo edhe përshkallëzimi i retorikave boshe duket se janë kthyer në një normë e  tablo të trishtë universale përpos intensitetit dhe faktorëve kontekstualë që karakterizojnë secilin vend. E gjithë kjo situatë rrezikon të krijojë një vatër të gjërë konfliktualiteti  rajonal si në nivel vertikal në lidhje me regjimet ashtu edhe në atë horizontal mes grupimeve të ndryshme etnike dhe fetare.

Nga ana tjetër vetë faktorët dhe aktorët ndërkombëtarë duket se edhe kësaj here kanë arritur të ripozicionojnë interesat e tyre strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike me mjaft dinakëri dhe racionalitet. E gjithë kjo situatë ka prodhuar një gjendje apatie, plogështie dhe udhëkryqi në lidhje me fatet e vetë rajonit dhe ëndrrat e masave për një realitet shoqëror  të karakterizuar nga drejtësia, dinjiteti dhe prosperiteti. Tashmë hijet dhe mirazhet e dikurshme të regjimeve tiranike duket se po rikthehen dita ditës në skenën politike për të dominuar sërish fatet politike të secilit  vend të prekur nga vala e ashtuquajtur pjellë trilluese mediatike, “Pranverë Arabe”.

Le ta fillojmë me Sirinë e cila po gëlon nga masakrat dhe dergjet e mbytur në gjak nga  brutaliteti i regjimit tiranik të Beshar Al Asadit por së fundi edhe si pasojë e ekstremizmit të grupeve xhihadiste që kanë zbarkuar në vend. Hezitimi i ndërhyrjes ndërkombëtare si pasojë e interesave kontradiktore të sferave të influecës në lidhje me këtë vend por edhe me gjerë në rajon, i krijuan hapësirë regjimit tiranik të Asad të mbështetur nga mercenarët e Hezbollahut apo mbështetja logjistike me  armë nga  Irani e Rusia që ta thellonte më shumë bilancin e viktimave (sipas burimeve zyrtare më shumë se 150,000 të vdekur), pa marrë në konsideratë dëmet e pafundme ekonomike, psikologjike dhe urbane si pasoja e shkatërrimeve të sjella nga një konflikt i tejzgjatur civil. Nga ana tjetër marrëveshja e fundit diplomatike e arritur mes SHBA-ve dhe Rusisë për demontimin e tonelatave të armëve kimike të Sirisë, duket se më shumë i ka shërbyer shkrirjes së akujve diplomatike mes dy vendeve sesa vetë zgjidhjes përfundimtare të konfliktit.

Në vijim të kësaj edhe Libani i karakterizuar nga një balance e brishtë dhe problematike mes komuniteteve dhe sekteve fetare është shndërruar në një zgjatim të teatrit të luftës në Siri. Përkrahja e hapur e Hezbollahut ndaj regjimit familjar alevit të Asad ka çuar në përshkallëzimin e niveleve të  polarizimit dhe tensioneve sektare atje drejt caqeve të pazakonta. Nga ana tjetër nëse përplasjet sektare në Irak të nxitura nga politikat përndjekëse të kryeministrit shiit Al Maliki ndaj sunitëve, do të vijojnë të thellohen, situata rrezikon të bëhet edhe më e rrezikshme: pasi Iraku me pozicionin e tij strategjik mes Turqisë, Iranit dhe vendeve të pasura të Gjirit përbën një fuçi baruti që mund të ndezë të gjithë rajonin. Madje kohët e fundit shumë zëra në Irak po bëjnë thirrje për ndarjen e vendit në tre rajone mbi baza sektare dhe etnike, mes sunitëve, shiitëve dhe vetë atë kurd që tashmë gëzon një pavarësi substanciale.

Enigma egjiptiane

E njëjta panoramë e tensionuar por tashmë me një dimension thellësisht të ngritur mbi baza politike mes vetë regjimit ushtarak të shpurës së Mubarakut dhe Al Sisit  dhe koalicionit të gjerë popullor laik apo fetar kundra tij, po vihet re në Egjipt. Tashmë e gjithë bota dhe vetë aktorët  perëndimorë e kanë të qartë se institucioni i ushtrisë largoi një qeveri  të zgjedhur në mënyrë demokratike nga vota popullore dhe është prapë ky regjim që përpos delegjitimimit të Vëllazërisë Myslimane me vendim gjykate vijon të vrasë protestuesit, mbështetësit e Vëllazërisë apo të burgosë krerët e saj. Ushtria egjiptiane përpos krenarisë së fryrë populiste ka në pronësi të saj thesare të panumërta ekonomike që fshiheshin pas Presidencës dhe që i mbante larg syrit të masave me dekada të tëra, të cilat u rrezikuan haptazi me ardhjen e Vëllazërisë dhe Presidentit Mursi në pushtet. Investimi financiar amerikan ndaj  ushtrisë nënkuptonte kontroll real politik ndaj shtetit me potencialet më të mëdha të fuqisë në rajon, pasi kontrolli politik ndaj strukturave hierarkike të saj do të thotë kontroll dhe çmobilizim total ndaj hapave të mundshme të Egjiptit kundra politikave amerikane në rajon apo edhe ndaj aleatit më të ngushtë të saj, Izraelit.

Nga ana tjetër vetë Presidenti Mursi bëri çmos që duke nënshkruar marrëveshje ushtarake me Indinë, marrëveshje bërthamore me Rusinë, teknologjike me Kinën dhe Brazilin apo lëvrimin e  kredive bujqësore me Sudanin dhe vendet e tjera të Afrikës,të  kërkonte shkëputje nga sfera e influencës amerikane. Si rrjedhojë grushti i shtetit ishte pasojë e bashkimit të shumë palëve në të njëjtin qëllim: largimin e Vëllazërisë Myslimane nga pushteti por pa rënien e vetë shtetit. Kontribut real i kësaj strategjie si publik ashtu edhe i fshehur  erdhi edhe nga vendet e Gjirit apo edhe Arabia Saudite, familjet mbretërore të së cilëve u ndjenë të rrezikuar nga vala e Islamit politik.

Megjithatë kapitulli egjiptian dhe ndryshimi i pozitave të pushtetit mbetet sërish një kapitull i hapur dhe i ndikuar nga dy faktorë kyç: rezistenca e puçit nga faktori ndërkombëtar dhe ndikimi i krizës ekonomike. Përkundrejt tyre nëse prezenca e protestave popullore do të rezistojë dhe do të vijojë të shtohet në daljen në rrugë, situate do të priret të shkojë drejt një marrëveshjeje politike ose një gjakderdhjeje apo tensioni të vazhdueshëm që do ta përkeqësonte më tej situatën. Kjo u shpreh qartë edhe gjatë fjalimit të Presidentit legjitim Mursi, i cili gjatë farsës gjyqësore të ngritur kundra tij, u shpreh se nuk ka stabilitet të Egjiptit pa rikthimin e tij në pushtetin e deleguar nga vota e egjiptianëve.

Rilindja rajonale

Tërësia e këtyre konflikteve dëshmon qartë që përpos motivimeve për pushtet të brendshëm dhe balancat e dobëta mbi baza etnike dhe fetare, ndikimi i faktorit jashtëm në funksion të mbrojtjes së interesave mbetet konstant. Nga ana tjetër kufijtë modern të Lindjes së Mesme të konturuara nga marrëveshja Syces-Picot mbeten jopraktikë dhe nxitës të konflikteve të shumta. Gjithashtu këto barriera fizike kurrë nuk kanë mundur të gjenë legjitimitet në mendjet e popujve arabë. Tashmë duket qartë se marrëveshja apo truku Syces-Picot nuk po i reziston as shekullit të parë. Për pasojë e vetmja zgjidhje mbetet heqja e kufijve artificial të cilët kanë qenë katalizatorë për konflikte të përhershme dhe  që kanë asfiksuar shpirtin e gjallë të bashkëjetesës  që e ka karakterizuar këtë rajon gjatë Epokës së Artë. Në këtë rajon, qysh prej kohëve të lashta, kanë bashkëjetuar në paqe dhe harmoni katër popuj-arabët, turqit, persët dhe kurdët-në një territor të hapur social dhe ekonomik.

Për shekuj me radhë ky rajon ka qenë një njësi unike territoriale, ku tërësia e feve, sekteve, etnive, popujve, ideve dhe mallrave ka qenë në një dinamizëm lëvizjeje të lirë dhe respekti reciprok. Në vend të përkeqësimit dhe denigrimit drejt ndasive sektare dhe fragmentarizimeve etnike, rajoni duhet të krijojë një frymë stabiliteti duke ju rikthyer sërish projektit të natyrshëm integrues. Praktikisht kjo do të përbënte krijimin e një zone ekonomike të Lindjes së Mesme që do të përfshinte fillimisht  Egjiptin, Irakun, Jordaninë,Sirinë, Libanin dhe Palestinën (vendet e Levantit) dhe që më pas do të projektonte zgjerimin drejt Turqisë, Iranit dhe vendeve të Gadishullit Arabik. Kjo do të mund të krijonte lirinë e lëvizjes për njerëzit, mallrat dhe idetë. Vetëm ndërthurja dhe bashkërendimi i interesave ekonomike të vendeve të rajonit me njëri-tjetrin do ti jepte fund agjendave më natyrë  të përplasjeve etnike dhe sektare.

Historikisht zona gjeografike mes lumenjve të Tigrit dhe Eufratit e quajtur si gjysmëhëna pjellore për shkak të resurseve dhe begatisë karakterizuese, ka qenë bërthamë dhe djep civilizimesh. Tashmë për shkak të kohëve të vështira që po përjeton, ky territor nga Basra e deri në Bejrut është shndërruar në një hënë të muzgët të mbuluar nga gjaku dhe lotët, pasi ndasitë dhe konfliktet sektare nuk i njohin kufijtë fizikë skicuar nga disa mëndje djallëzore si parandalues. Rilindja e vërtetë e rajonit varet vetëm nga vullneti politik për ti ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në terren. Çelësi ndodhet në dorën e vetë rajonit, hapja e portës së mundësive dhe vizionit strategjik mbetet peng veçse i besimit dhe guximit për ta tentuar hapjen e saj. Në të kundërt, askush nuk do të përfitojë përveçse të gjithë do të jenë humbës.

 

Comments

  • Ky shkrim esht aq konfuz sa edhe vet situata ne rajonin ne fjal.
    Kufijt e sais pikos u vun pikerisht kur ne ummet u vendosen kritere te huaja per natyren islame,si kt kriteri juaj per levizje te lir te ideve-ide kjo nga me shkatrueset per unitetin islam I cili shkatrrim u kurorzu me kto kufij te imponuar nga kryqtatet europerendimor te cilet nuk tolerojn qe kjo status-kuo te nderrohet me klithje e shkrime.Ate do ta nderroj dhe po e nderron AL KAEDA,XHIHADI,i cili po vret si te huajt edhe te mbrendshmit pa dallim-dhe HILAFETI u jep fund ndasive fisnore,e etnike e jo integrimi ekonomik.

  • Kuptimi i “Xhihad” – sic e kemi mesuar ne libra fetare te thjeshte, nga ato qe duhet te lexoje dhe duhet te dije cdo musliman, eshte kaq i gjere dhe fisnik, saqe zor se e ndot ndonje alban apo albaner te tjere pas tij me keto percartje.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *