Kryqi

H. Omari

Që nga hapat e parë të shtetformimit ka pasur një mbivendosje identitare te elita shqiptare kishtare ose laiko-katolike, e cila ka vijuar e pandryshuar gjatë 101 viteve të shtetit tonë. Pandryshueshmëria duket paradoksale po të mendojmë se çdo komunitet tjetër, fetar ose jo, ka njohur ndryshimet e veta gjatë këtij shekulli, ndërsa i prezantuari si më liberali ka ngelur i palëvizshëm në të njëjtat gjurmë, madje më të njëjtat paradigma, si lokalizmi, dialekti, viktimizimi dhe njëkohësisht revanshi, elitarizmi, primordializmi, orientimi perëndimor, përplasja, llogorja etj.

Duke vëzhguar ligjërimin politik nga Fishta e këtej vërehet një fenomen i bazuar mbi kontradiktën që brumos së bashku nacionalizmin, i cili i jep përparësi identitetit shqiptar, republikanizmin e dominuar nga feja civile dhe katolicizmin e shprehur përmes vlerave të krishtera. Asgjë për t’u shqetësuar, të paktën deri në momentin që këto tre rrathë të përkatësisë identitare bashkëjetojnë të pavarur brenda individit ose një grupi social. Kur njëri prej tyre tenton të modelojë dy të tjerët, atëherë prishen ekuilibrat, dhe, për hir të së vërtetës historike, pjesa më e ndritur e ligjërimit politik katolik ka qenë e bazuar te krijimi i një institucioni shtetëror shqiptar ku shumica e banorëve të uniformizohen nën siglën qytetar, ndërsa pakica katolike të përfaqësohet si e tillë e jo si qytetare. Kjo nuk do të thotë aspak – siç ka pasur kritika të shpeshta e të padrejta – se ky ligjërim është apo ishte jonacionalist, por thjesht se, që në zanafillat e tij, ky ligjërim ka tentuar të krijojë një komunitet shqiptar, të drejtuar nga një shtet shqiptar, brenda të cilit katolikët të përfaqësohen në bazë të fesë.

Kush kërkon thellime enciklopedike mund të shfletojë Hyllin e Dritës për konfirmim, kurse unë dua të fokusohem te qëndrimet më të freskëta e deri te mesazhet subliminale apo indirekte të përçuara nga zërat e sotëm të atij ligjërimi. Do ta ndaja këtë dyzim në dy drejtime: në nivel politik/partiak dhe në nivel institucional/shtetëror.

Së pari, në politikë, mjeti i ligjërimit është partia, dhe realitetet demokristiane përbejnë formën më te njohur të ligjërimit politik të katolikëve në shek. XX. Te ne, si pothuajse çdo importim, edhe kjo formë është karikaturë perëndimore në strukturë dhe përmbajtje – dhe faji, të paktën në këtë rast, nuk është i Orientit –, për të mos thënë një shfaqje negative e vlerave pozitive të krishtërimit. Imagjinoni se Unioni demokristian shqiptar përfshin forca politike të koalicioneve të kundërta – një shenjë kjo e dominimit të pragmatizmit mbi etikën – dhe të udhëhequra nga personazhe si Nard Ndoka, Zef Bushati, Nikollë Lesi e Arben Frroku, që vetëm vlera nuk përçojnë. Si për ta konfirmuar alienizmin e vlerave mund të kujtojmë deklaratën e kryetarit Bushati se “mund të bashkohen në maxhorancë vetëm nëse kryeministri Rama i jep [atyre] një portofol ministror”.

Kjo është në kontradiktë të plotë me pretendimin që famullitari Meta citon nga Lazër Stani: “një angazhim i secilit prej nesh për t’i shndërruar vlerat kristiane […] në vlera të qenësishme të secilit qytetar shqiptar”. Ç’vlera të krishtera përçon kalimi në pozitë në këmbim të një portofoli? Faktikisht nuk është shumë interesante vlera e një bashkimi të tillë – pasi nuk ka ngelur katolicizmi shqiptar të prezantohet nga Ndoka, Lesi, Frroku e Bushati – se sa kjo frazë e Stanit, në të cilën përfshihen gjithë shqiptarët: për kujtesë, Stani është njëri nga shkrimtarët organizatorë dhe firmëtarë të peticionit kundër rishkrimit të historisë – kjo shkencë ka ngelur në duart e poetëve, gazetarëve e filozofëve (!). Në një vend laik shumëfetar qytetarët duhet të edukoheshin me vlera të qenësishme civile, përndryshe nuk do të kishte të sosur konkurrenca e vlerave fetare, por Stani – që nuk është shembull i një artikulimi kaq të sofistikuar, por thjesht ka kopjuar realitetin italian (të cilit nuk i ngjason aspak Shqipëria) dhe ligjërimin e para Luftës së Dytë Botërore – e shtrin krishtërimin vetjak tek masa qytetare, përfshi këtu çdo komunitet tjetër (shqiptar, ateist, laik, ortodoks, islam etj), ndërsa nga ana tjetër përfaqësimi politik mbetet i krishterë (në fakt katolik, sepse krishtërimi është dekorim konvencional). Pra, promovohen vlerat e krishtera – e deri këtu gjithçka në rregull – dhe tejkalohet veçantësia fetare-katolike për të hyrë në hapësirat e tjera sociale (të qenurit qytetar), por me pretendimin e modifikimit të tyre sipas vlerave të krishtera: thënë ndryshe, një lloj integralizmi që përpiqet ta transformoje të qenurit shqiptar sipas të qenurit katolik.

Kryqi3Teksa shtrihet te masa qytetare, ky ligjërim politik i pakicës nuk e toleron kompromisin me masën. Fillimisht pretendon të ndërtojë individin shqiptar sipas enës katolike, dhe dalldisja e disa mediave të krishtera kosovare apo vetë zbritja e klerit në llogoret intelektuale, ku duket qartë privatizimi abuziv i kulturës shqiptare, ashtu si opinioni mediatik i disa intelektualëve katërçipërisht katolikë të Shqipërisë, janë treguesit më të mirë. Pasi është krijuar ky komb individësh shqiptarë me vlera e kultur katolike, ndodh dyzimi: ligjërimi politik katolik kërkon jo më shkrirje brenda të qenurit qytetar shqiptar, por një përfaqësim politik specifik, me individë katolikë të cilëve u delegohet përfaqësimi institucional i komunitetit të tyre fetar brenda tërësisë qytetare shqiptare dhe shtetit të saj laik.

Një shembull domethënës mund ta vërejmë tek përfaqësuesi i ‘senatit demokristian’, Alfred Lela. Vitin e kaluar Lela botoi një artikull ku ankohej për harresën ndaj dom Nikollë Kaçorrit në parodinë nacionaliste të Berishës së 100 vjetorit. Një qytetar, për më tepër gazetar, i fokusuar të vlerat civile-qytetare do të kishte shtuar te shqetësimi i tij edhe harresën e kryetarit të parë të parlamentit shqiptar, Haxhi Vehbi Dibrës, atij që firmosja e Pavarësisë, ndryshe nga bashkëfirmëtari Kaçorri, i peshonte shumë më tepër sepse i kushtonte shkëputjen nga “kalifi” – për një prift është arritje fraktura me kalifin, siç mund të jetë për një hoxhë shkëputja nga autoriteti politik i papës. Mirëpo ky ligjërim është i gatshëm ta modelojë mbarëshoqërinë shqiptare me vlera katolike, e jo të përpiqet në mbrojtjen e vlerave qytetare – ku kryetari i parë i parlamentit shqiptar qëndron hijerëndë – sepse tenton ta dominojë identitetin shqiptar, qoftë edhe me hipokrizinë e laicitetit.

Së dyti, sa është e vërtetë se elita katolike shqiptare ka dhënë kontributin e saj në komb dhe shtetformimin tonë, aq i vërtetë është edhe vullneti për t’u përfaqësuar brenda kombit dhe shtetit me zëdhënësit përkatës, të cilët duhet të realizojnë interesat e tarafit e jo të popullit-kombit-masës qytetare. Ka filluar me dom Nikollë Kaçorrin, ka vijuar tragjikisht me Jozefina Topllin, e cila monopolizoi ligjërimin politik të qytetit kryesor të veriut, por ka pasur ideologë e mbështetës teorik, e disa kumbojnë vazhdimisht edhe në analiza intelektuale në pamje të parë indiferente. Për origjinën dhe për aktualitetin, mund të sjell në vëmendje artikullin e fundit te Romeo Gurakuqit. Me një shqipe herë standarde, herë dialektale e herë të personalizuar, historiani Gurakuqi, pas analizës së sistemit tonë institucional shtetëror, arrin në konkluzionin e nevojës së republikës gjysmëpresidenciale. Ndër të tjera, shpreh një qëndrim të vjetër, aq sa paraardhësi i tij L. Gurakuqi:

Formati i lartpërmendur [gjysmëpresidencial] hap rrugën edhe për emërimin e teknicienëve nga bashkësitë fetare minoritare, të harruara nën ombrellat partiake, madje edhe të përsekutuara në heshtjen e një shteti pa vetëdije, nga individët me paragjykime të trashëgueme nga e kaluemja. Rasti më tipik është goditja sistematike që po kryhet aktualisht ndaj qytetarëve të Shkodrës në administratën qendrore, veçanërisht në administratën e Parlamentit dhe në disa prej dikastereve kryesore. Ky është një zhvillim për t’u shënuar nga ndërkombëtarët para vendimit mbi dhënien e statusit Shqipërisë.

Mësojmë se pakicat fetare persekutohen politikisht nga maxhoranca e re – në një kohë që “Lleshi i kuq” i përket denjësisht asaj pakice – e kjo duhet t’i bëhet e ditur BE-së, por mësojmë gjithashtu se qytetarët e Shkodrës qenkan të persekutuar sepse të gjithë (qenkan) pjesëtar të asaj pakice. Nga njëra anë Gurakuqi kërkon të jetë shkodran, e nga ana tjetër katolik: krejtësisht normale kjo, deri në momentin që persekutimin e pretenduar të katolikëve ia vesh të gjithë shkodranëve. Por Gurakuqi del te ligjërimi i pandryshuar i tarafit, teksa kërkon përfaqësim vetëm për katolikët, brenda shtetit shqiptar, theksojmë shqiptar, megjithëse e maskon me përcaktimin “bashkësitë fetare minoritare” (shkurt, katolike). Kur është puna për të emocionuar lexuesin me frikëra persekutimesh përdor shkodranitetin, e në raste të tjera shqiptaritetin, ndërsa kur është puna për përfaqësi reduktohet tek grupimi i vet fetar.

E tërë analiza e sistemin tonë shtetëror vendoset nga Gurakuqi në funksion të interesave institucionale të një grupi specifik fetar: për ironi ai kritikon gjatë artikullit çdo shfaqje të klientelizmit dhe interesave të tarafeve (përdor pikërisht këtë term). Ka analogji të qarta me analizat historiko-kulturore të homologëve që synojnë nënshtrimin e traditës shqiptare nga i njëjti grup specifik fetar. Absurdja është se edhe duke i dhënë kombit vlera katolike, siç pretendon Stani dhe shkolla e katekizmit të tij kulturor, përsëri katolikët, sipas Gurakuqit, “senatorëve” e një mori zërash “senatorial”, kërkojnë të shkëputen politikisht dhe institucionalisht – se fetarisht është normale – si komunitet që ndërvepron përmes delegatëve të vet me shtetin e këtij kombi kulturalisht katolik. Kjo sepse nuk mjafton vlera katolike e kombit, dhe vetëm nëse ai do të ishte – ose do të jetë – i tillë atëherë Gurakuqi nuk do të kërkonte ishuj institucionalë fetar. Do të thotë se kombi dhe shteti, për këtë lloj ligjërimi, kanë ngelur entitete të përcaktuara nga feja tradicionale: Shqipëria e politikës katolike përbehet nga vlera fetare të mbivendosura ndaj atyre qytetare; Shteti shqiptar i mendimit politik katolik ndahet në një hapësirë të përbashkët dhe një hapësirë vetëm katolike. Me fjalë të tjera kemi dominim kulturor, përjashtim të tjetrit dhe pavarësi institucionale. Këta intelektualë synojnë Perëndimin me një ligjërim anakronik të fosilizuar në fillim të shek. XX, që të kujton sistemin e mileteve në Perandorinë Osmane, madje të para Tanzimatit. Ndonëse në një formë tjetër nga modeli i ‘Haxhi Qamilit’, përparësia e identitetit fetar mbi atë kombëtar dhe mbi institucionet shtetërore është më se e dukshme. Nisur nga këto mendësi, vështirë që shteti dhe kombi (shqiptar) të kenë vend për të gjithë qytetarët.

 

Comments

  • Analize shume, shume e mire. E vetmja gje qe le mangut autori eshte permendja e faktit tregues se kane munguar teresisht analizat per kete integralizem te krishterimit politik ne Shqiperi ne mediat e Tiranes.

  • Keto jane elementi me antishqiptar, ne ate forme qe ka shqiptaria, sepse nuk ka kuptim qe identitetin tone kombetar, te krijuar nga rilindesit, ta ngjyrosin me fene vetjake dhe pastaj te kerkojne lista te veçanta neper institucionet shqiptare/laike.

    Keshtu kane vepruar qe ne fillimet e shek. XX. Per keto arsye e kane kerkuar pavaresimin nga Porta e Larte, ne te kundert nuk do te kishin bere shtet me malet nga Dukagjini ne Mirdite.

    Ajo çka vertet nuk durohet eshte hipokrizia e laicitetit, e nacionalizmit, e vellazerimit, e principeve liberale, te cilave ua pretendojne atesine.

    Ne Kosove pastaj nderhyjne brutalisht fare. As nuk dua te imagjinoj se ç’mund te ndodhte nese do te ishin shumice!
    Jane padyshim elita me integraliste e shoqerise shqiptare: radikal ne çdo ligjerim dhe mesjetar ne mllef.

  • Ky eshte qendrimi me i fresket i Frrokut:

    Kristiandemokratët e përfaqësuar në Parlament nga deputeti Mark Frroku kanë kërkuar që të përfshihen në qeverisje. Ata I kanë caktuar Kryeministrit Edi Rama afat deri në janar për ti përfshirë në postet qeverisëse ndryshe do të ndryshojnë qëndrim ndaj tyre. Deputeti kristiandemokrat, Mark Frroku, ka deklaruar se fillimi i vitit që vjen është momenti i kësaj vendimmarrje të tillë, kjo edhe në bazë të premtimit të bërë para krijimit të koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit.

    “Jemi në rrugën e mbarë që në janar, që është shumë pak ditë, do ulemi në tryezë me to, unë e kuptoj sosjen e durimit e gjithsecilit prej jush dhe keni shumë të drejtë. Ne kemi dhënë tolerancën tonë dhe besoj se ashtu siç e kemi mirëkuptuar ne partinë e madhe dhe Kryeministrin, të na mirëkuptojnë edhe ata në janar dhe mbrapa. Kjo nuk do të thotë që ne gjithmonë do jemi të nënshtruar se çfarë thonë të mëdhenjtë, ne kemi fjalën tonë, veprat tona, mandatin tonë, të gjitha mundësitë tona intelektuale në gjithë Shqipërinë për tu përfaqësuar në çdo rang qeverisës”, tha ai për mediat.

    Deputeti kerkon te hyje ne qeveri, sepse keshtu e le mandatin e deputetit, i cili zevendesohet nga vellai i tij, qe njekohesisht eshte i akuzuar per vrasjen e nje komisari te policise se shtetit. Me kete levije i akuzuar merr imunitet politik dhe loja njihet…

    Ketyre u thone vlera etike.

  • Problemi eshte se sikur mos te kishin qene katoliket Shqiperia nuk do te kishte ekzsituar, sepse katoliket shqiptar kane formuar shtetin e sotem shqiptar. Nga katoliket kemi kulturen, letersia shqiptare, me ndonje perjashtim te vogel, eshte pothuajse krejtesisht katolike, nga Buziku deri tek Fishta. Po ashtu shteti. Nga Kongresi i Mnastirit, per te kaluar ne shpalljen e Pavarsise, deri tek Konferenca e Parisit, ishin katoliket faktoret kryesore. Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Nikolle Kacorri, Ndre Mjeda…keta ndertuan shtetin qe kemi ne sot. Sikur mos te kishin qene katoliket, Shqiperia nuk do te ekzistonte..ndoshta do te kishte qene me mire qe mos te ekzistonte, kete nuk e di, por faktet historike jane keto. Nese mendojme se, katoliket nuk i kalonin 10% te popullsise dhe bene me shume se te tjeret per Shqiperine, qene shumica ne eliten shqiptare, kjo tregon pozitivitetin e tyre per kombin. Ta mendojme vetem nje moment, sikur Shqiperise ti heqnim kontributin e katolikeve, ajo sot nuk do te kishte nje shtet, nuk do te kishte nje letresi, ndoshta nuk do te ekzistonte aspak.

    • Problemi, i dashur Drini, është se historia nuk behet me “sikur”, “nëse”, “ne qofte se”. Përkundër, çdo ligjërim i bazuar mbi deduksione te tilla është subjektiv.

      1. Letërsia shqiptare nuk mbaron me Fishtën, qe ti qëllimisht ke vendosur si limit per t’i dhënë kuptim asaj “sikur-es”. Sot njohim Buzukun si te parin autor i nje vepre, por shume mire mund te ketë te tjerë nga ortodoksia. Dhe tek Buzuku mund te ndertohen lidhje me artikullin e mesiperm. Pikërisht sepse Buzuku shkruajti ne shqip nje veper teresisht fetare per qellime ekskluzivisht doktrinale dhe aspak kombetare apo kulturore. Pastaj mund te ngremë supozime sa te duash, por realiteti është se Meshari mbetet vepër ngushtësisht e lidhur me katekizmin, qe ne gjuhen “ideologjike” quhet indoktrinim.
      Buzuku është i famshëm per datimin e tij, ndërsa letersia islame e bejtexhinjve nuk ka te krahasuar me pretendimet katekiste te Matranges, Bardhit e Budit. Dhe nëse letërsia eshte krijimtari e ndikuar nga emocionet, bejtexhinjte qendrojne komod ne ate fushe te kultures, dhe, te mos harrohet, qellimi i tyre nuk ishte propaganda fetare, ndryshe nga katoliket e letrave.
      Shtojmë këtu se vëllezërit Frasheri apo Kristoforidhi nuk e mësuar shqipen dhe letërsinë nga Buzuku e Bogdani, qe do te thotë se kultura shqiptare u zhvillua e pavarur nga veprimtaria fetarizuese e disa klerikëve katolike, qe, për ironi, meshat i zhvillonin ne latinisht.
      Tjetër çështje është se ti njeh vetëm Buzukun…dhe Fishtën.

      Përveç kësaj, do te theksoja se shtete nuk janë derivat i letërsisë. Bindja e kundert eshte vertet komike. Ja disa shembuj:
      italianet i kishin dhene botes ne shek. XIII-XVI shkrimtar e artiste gjeniale, por nuk krijuan shtet përveçse 60 vite para Ismail bej Vlores; letërsia japoneze nuk ka lenë gjurme te shënuara gjate shekujve paraardhës te Rilindjes, por 60 vite ndërtuan një superfuqi botërore; Skënderbeu nuk pati letërsi, e kjo nuk do te thotë se nuk ndërtoi shtet; Skocezet njohën një letërsi kombëtare shume dinamike, aq sa u mor si shembull nga një pjese e mire e Evropës, por nuk ndertuan shtet gjate atyre shekujve, kurse francezet qe nuk kishin një letërsi kombëtare te atyre niveleve kishin shtet prej shekujsh; nuk ishte letërsia ajo qe bashkoi Gjermaninë, por rrjedha logjike e një vullneti politik te pilotuar nga Prusia dhe te nxitur nga triumfi i saj (i doktrinës se Bismarkut) ne luftën Franko-Prusiane (1871).

      2. Tek shpallja e Pavaresise te këshilloj te informohesh me mire.
      Nga 83 firmetare, vetëm 2 ishin katolike, ndërkohë qe për te arritur atë 10% do te duheshin edhe minimumi 6 te tjerë.
      Qeveria e pare përmban keta dy katolike, qe është edhe një zgjedhje diplomatike e Ismail Qemalit e jo ndonjë pasion i 10%, pasi, siç sapo thash, vetëm dy delegate ishin katolike.

      3. Njohja qe ti tregon per Kongresin e Manastirit eshte gjithashtu e cunguar. Gurakuqi punoi shume per alfabetin latin. Kleri katolik nuk kishte si te mos e mbështeste. Por nuk është aspak e vërtetë qe pesha e intelektualeve te te gjitha grupeve fetare (përfshi protestantët)ishte indiferente. Natyrisht pati mosmarrëveshje dhe interesa me te forta. Te tilla ishin mosmarrëveshjet e Ndre Mjedës me jezuitet e tjere shqiptare, qe nuk moren pjese ne Kongres, ndersa Mjeda hyri ne konflikt te hapur me urdhrin. C’te themi, jezuitet ishin me pak shqiptare se katoliket e tjere? Interesa te forta, pertej nacionalizmit, kishte edhe krahu françeskan, me Fishtën ne krye, pasi ne te kundert nuk shpjegohet adhurimi i latinishtes si model. E te mos e banalizojme me repliken qe alfabeti do te zhvillonte vendin, se Italia katolike dhe perendimore, per nga zhvillimi renditet historikisht pas Japonise, le pastaj Kinën.

      4. Konferenca e Parisit ishte nje episod ku Shqiperia u perfshi ne menyre folkloristike dhe roli i katolikeve ne kete episod nuk ka fare peshe, ashtu si roli i çdo komuniteti fetar apo i shqiptareve ne teresi.
      5. Ke harruar edhe rolin e katolicizmit politik ne miqesimin me Italine fashiste dhe, per rrjedhoje, ne pushtimin e Shqiperise, qe Hylli i Drites, pikerisht ne kohen e Fishtes, e pershendet krahehapur. Kjo eshte sqaruar mire ne kete blog.

      6. Dihet qe forma institucionale e Shqiperise u perpunua nga Sami Frasheri. Mendohet se nje nga ideologet vijues te shqiparizmit te kete qene Shahin Kolonja, por, sidoqofte, asnje katolik, përveç romantizmit te osmanit Vaso Pasha apo Pashko Vasa, nuk perfaqeson nacionalizmin shqipar ne mënyrë me te plote se Hasan bej Prishtina.
      Nuk e di ku bazohesh kur pohon se katoliket themeluan shtetin shqiptar, porse kane qene ne ate perfaqesueshmerine e tyre klasike, me luhatje sipas periudhave.

      Ne perfundim,
      artikulli i mesiperm nuk eshte gare komparativizmi mes besimeve apo komuniteteve, por dhuron nje tablo te shfaqjes publike te ligjërimit politik katolik ne Shqipëri. Kjo ndryshon nga letërsia e Fishtës apo katekizmi i Buzukut. Me lart jane analizuar vetem disa qendrime politike, por nuk eshte habi qe edhe ti, si homologet e sipecituar, te tentosh percaktimin e autoresise se formimit te kombit dhe shtetit permes fese, duke perjashtuar cdo komunitet tjeter. Pikërisht këtë frymën tende, plot pasaktësi, spekulime dhe kërcime pindarike, nënvizon artikulli i mësipërm. Ne momentin qe ti i jep shtetit dhe kombit shqiptar autoresine katolike, nje llogorist tjeter, si Lazar Stani, i shton vlerat katolike e nje tjeter, si Romeo Gurakuqi, kërkon perfaqesin institucional. Le ta pranojme qe kombi dhe shteti shqiptar jane derivate te dinamizmit katolik, por kjo nuk nënkupton qe vlerat shqiptare, kombetare e shteterore, kane qene e duhet te jene katolike. Dhe çka eshte me e rendesishme, nese ky shtet eshte produkt katolik, ky komunitet duhet te ndjehet pjese e tij me shume se kushdo tjeter, e jo te kërkojë delegatet e vet. E kete nuk e them se Pavaresine e kane firmosur vetem dy, por se shteti shqiptar nuk është strukture miletesh.

    • Drini, ne fakt nuk ke pse e lexon fare shkrimin, mjaftohu te hapesh vetem linqet me ngjyre te kuqe te artikujve qe u referohet autori, dhe falendero autorin qe ka bere pune per te sistemuar nje diskurs shqetesues per te ardhmen e shtetit dhe kombit shqiptar, ndoshta dhe te teresise territoriale te republikes. Nese di te lexosh pa paragjykime, nuk ka nevoje fare te ndjekesh komentet e autorit te shkrimit, shih vetem artikujt te cileve u eshte referuar ai. Flasin vete ata.

      E dyta gje per te cilen duhet falenderuar autori eshte thyerja e heshtjes dhe denoncimi i rrezikut fondamentalist, rrezik para te cilit struken te tjeret.

      Une e falenderoj edhe per cilesine e analizes, po ti mjaftohu vetem me dy parametrat qe permenda me siper.

      Gjithe te mirat!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *