Dridhe Like me Konferencën Islamike





Selim_Muca_Ilir_MetaAnton Cara

BE-ja e përplasi sërish derën. Majtas e djathtas ka filluar sintaksa e gjetjes së fajtorit. Dhe gjithmonë fajin e ka tjetri, kurrë ne. Fillimisht u morën me Holandën, për të cilën krenohemi se furnizohet me hashashin e cilësisë së parë nga Republika e Lazaratit, megjithëse banorët e saj kanë pasaportë shqiptare. Pastaj iu vërsulën kancelares gjermane, të forcuar nga majmunizimi i sulmeve në stilin e klounit Berluskoni. Mbase është koincidencë që rivlerësimi i statusit është shtyrë në qershorin e ardhshëm, pikërisht kur do të zhvillohet edhe kampionati botëror i futbollit.

Kryetari i parlamentit tonë shkoi para ca ditësh për lobing, për t’i bindur evropianët që jemi virtuozë, të ndershëm, i duhemi Evropës dhe kemi bërë hapa të merituar. Ky zotëri është akuzuar për vjedhje me pamje (e jo me llafe), kur ishte numri dy i qeverisë Berisha-Meta e, megjithëse i zënë me presh në duar, ka dalë i pafajshëm, natyrisht. Nuk është për t’u habitur që sistemi i drejtësisë përbën një nga provimet ku kemi mbetur për vjeshtë përjetësisht gjatë tranzicionit tonë drejt BE-së.

Siç vërente një gazetë neveritshmërisht e politizuar, komisionerët mund të na kenë penalizuar për 21 janarin e famshëm, duke aluduar haptazi që fajin e mosmarrjes së statusit e ka shpura e Berishës dhe duke anashkaluar qëllimisht se preteksti i atij skandali dypalësh (politikisht: pozitë-opozitë) ishte “ambasadori” i sotshëm institucional Meta. Nëse 21 janari është problemi, nuk mund të dërgohej Meta në Perëndim për të lobuar. Nëse 21 janari është problem në vetvete, Meta nuk votohej si kryetar parlamenti nga ajo forcë politike që çdo ditë ulërin për ndëshkim e drejtësi. Ky duhej të ishte minimumi. Por, me sa duket, nuk kemi ndryshuar aspak nga politika bizantiniste, ndaj dhe na e përplasin derën surratit.

Paradoksale apo jo, politikanët tanë, që e kanë shpallur aderimin në BE si misionin final të kombit – sepse, fundja, justifikojnë vetë ekzistencën e tyre – janë njëkohësisht edhe arsyeja e pengesës. Por një fajtor duhet gjetur, dhe ja Eureka: Meta valëvit flamurin fetar, më i thjeshti, më përgjithësuesi, më i liri në treg, por edhe më banali e më i daluri boje njëkohësisht, që e zhvendos kryetarin e parlamentit nga njolla e live-korrupsionit tek një manipulim ordiner.

Meqenëse anëtarësimi në Konferencën Islamike përbën pengesën serioze – sipas analizës së Metës – çfarë bëri ky zotëri kur ishte kryeministër, zëvendës-kryeministër dhe ministër i jashtëm për ta çanëtarësuar Shqipërinë dhe për ta shpëtuar nga “kthetrat islamike”? E nëse nuk ka bërë asgjë dhe ka qenë i vetëdijshëm, siç edhe shprehet në intervistë, atëherë është dyfish fajtor. Tani, të paktën, i zotëron numrat për ta nxjerrë vendin nga ajo Konferencë dhe për t’i hapur udhë integrimit.

Por ka diçka komike këtu. Siç është theksuar kohë më parë edhe në këtë faqe, nga Ilir_Metakabllogramet mësohet se Ambasada amerikane në Shqipëri ka një qendrim tjetër për anëtarësimin e Shqipërisë në OKI:

Z. Besnik Mustafaj ka kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mendimin e ambasadores amerikane nëse Shqipëria duhej të largohej nga kjo organizatë, gjë për të cilën ambasadorja u përgjigj se, ndonëse anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare është vendim kombëtar, SHBA-ja e vlerëson si pozitiv faktin që OKI ka një anëtar të moderuar dhe të përgjegjshëm (Kabllogram 06TIRANA602).

Po kështu, Mustafaj, siç duket i shqetësuar nga ky anëtarësim, ka biseduar edhe me presidentin F. Miterand rreth çështjes. Sipas tij, presidenti Miterand ka thënë se anëtarësimi “do të jetë një vlerë e shtuar për ju kur të vini në Bashkimin Europian, e të bëheni pjesë e politikës së jashtme të përbashkët evropiane”. Mos vallë duhet të besojmë se vende si Gjermania dhe Britania e Madhe, të cilat nuk e kanë “haram” shaminë në institucionet publike, e as mësimin fetar në shkolla, skandalizohen nga anëtarësimi ynë në OKI? Po CEZ, për të cilin u shpreh Republika Çeke, është shoqatë arabe apo një problem i krijuar nga konkubinati Berisha-Meta? Po Italia, vendi më katolik i Evropës (natyrisht pas Kosovës), përse nuk kompleksohet nga anëtarësimi ynë në OKI?

Meta mund kalërojë me zotësi “kohën e zogjve”, por në nivel etik ka dështuar totalisht përballë Evropës. A. Merkel, D. Cameron dhe F. Hollande nuk janë zgjedhës shqiptarë preiferie që blihen me premtime punësimi në administratë apo me nga një foto letre të mbretit Gent (fabrikuar nga Banka e Shqipërisë), e as nuk emocionohen nga rrëfimet e Metës mbi altruizmin shqiptar ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur prototipi i pragmatizmit LSI përpiqet të nxjerrë ndonjë leverdi nga bujaria e paraardhësve tanë. Kjo nuk do të thotë se Meta nuk i kupton mangësitë të cilat nënvizon BE-ja, por thjesht nuk i riparon dot, sepse për ndryshe, si do të mund të ishte ai vetë në politikë? Si pjellë e një sistemi korruptiv, nuk ka se si një politikan të zhbëjë vetveten me dëshirë e vullnet, duke e ndryshuar sistemin. Ai vetë është aq i vetëdijshëm se nuk jemi të denjë për BE-në, sa për t’i mbushur mendjen europianëve për statusin dërgoi bijëzën e partisë Klajda Gjosha, e cila ndoshta është e vetmja ministre në botë që i drejtohet pronarëve të partisë së saj me “xhaxhi Likja” dhe “teta Moni”. E natyrisht, përderisa ç’të mbjellësh do të korrësh, të korrat e Klajdës si mëkëmbëse e shtetit shqiptar në këtë proces, këto mund të ishin: jo vetëm që nuk ia mbushëm mendjen Holandës, por na refuzuan edhe katër vende të tjerë, tre prej të cilave, vendet kryesore të BE-së.

Përtej cinizmit që na ofron realiteti duhet thënë se luajtja e kartës fetare për mohimin e statusit, është papërgjegjshmëria më e madhe që mund t’i bësh kombit tënd. Është për t’u përshëndetur qëndrimi i matur i Dom Gjergj Metës, i cili herë pas here tregon se di të mbajë profilin e një kleriku dinjitoz, duke shprehur keqardhjen që politikanë të tillë janë gati t’i fryjnë zjarrit të urrejtjes fetare, vetëm e vetëm që të dalin sadopak pa lagur nga dështimet e tyre.

 

Comments

  • Ja e zeme se e shitem fene e cdo gje shqiptare, vetem e vetem qe te na fusin ne BE, me cfare do te perfaqesohemi ne pastaj ne kete union ? Per te ardhur keq qe lideret tane jane si Mimoza llastica qe per te dale vete te pafajshem hedhin fajin tek bindjet fetare.

  • Roli i Fesë asht rolë i objektivitetit dhe jo i heshtjes. Sepse t’ja faturosh fesë dështimin politik do të thotë se Meta dhe Edvini janë integralista fetarë, që luejn me zjarrin e ndasive fetare në Shqipni. Deri dje BE ishte gati me ja dhanë statusin, por opozita socialiste ishte kundra dhe Shqipnia u ndëshkue nga projekti sllavë Edvin Rama. Ndërsa me ardhjen në pushtetë të Edvinit dihej se do të vazhdonte lobimin për Jo në BE. E vërteta asht kjo; Opozita e dhe PO-in, ndërsa Ndëshkimi nuk qendron te shumica islamike e Shqipnisë që vazhdon qysh me kohën e osmanve të shkeljes të drejtave elementare të bashkëdrejtimit qeveritar, presedencial,…..të shtetit shqiptar. E vërteta qendron të Imazhi anti-amerikan, anti-europian dhe antipopullor i Edvin Ramës me ish policat dhe sigurimsat e diktaturës që i risolli në pushtetë. Leni fenë në punën e tyne ju socialistë dhe Kërkoni falje për gjenocidin që ushtruet për afro 50 vjet veçanrisht mbi Klerin Katolik, që tash 22 vjet nuk denjoni ta bani!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *