Thaçi dhe Nobeli për paqe





Hashim_ThaciD. Dani

Lajmi i propozimit të Hashim Thaçit, Ivica Dačić dhe Katherine Ashton për çmimin Nobel të këtij viti duhet të ketë habitur edhe vetë kandidatët, aq më tepër kur kërkesa erdhi nga Kongresi amerikan. Për mua më shumë se habi, kjo katandisje e çmimit më ngjall ndjesinë e trishtimit dhe bindjen e zhvlerësimit të vetë vlerës së Nobelit, jo aq nga kandidatët se sa nga instrumentalizimi i çmimit, duke filluar nga propozuesit, ekzaltimi i imazhit të politikanëve e deri tek motivacioni relativ i paqes.

Të jemi të qartë, mes Kosovës dhe Serbisë lufta ka mbaruar në 1999. Tani Serbia po përpiqet, e me sa duket po ia arrin, të bashkojë arkipelagun serb brenda Republikës kosovare për t’i dhuruar autonomi e pastaj, kuptohet, një bashkim me “atdheun” serb. Ashton mban rolin arbitrues, teksa Thaçi aktron në pazarin e interesave. Ja, termi pazar i përshtatet më së miri situatës, por Nobel me motivacion pazari nuk ka, maksimumi, siç na dëshmon rasti, mund të shndërrohet vetë çmimi në një objekt me vlerë mediatike për imazhin publik të bartësit. E si çdo garniturë e imazhit publik, edhe Nobeli është elastik, i manipulueshëm, funksional dhe ndjek erërat e momentit.

Në Shqipëri, madje edhe në Kosovë, vit për vit i bëhet procesion statusit të kandidatit për Nobel të Ismail Kadaresë. Shkrimtari tashmë është shndërruar në totemin tragjik të raportit shqiptar me Nobelin. Kjo e Thaçit kaloi thuajse në heshtje totale, deri në atë pikë sa, sinqerisht, kur lexova lajmin, duke njohur nivelin e besueshmërisë së mediave shqiptare, e konsiderova fillimisht si ironi politike, mbase e ideuar nga Partia e Fortë. Aq më tepër kur krenohemi publikisht qoftë edhe me pamundësinë e Kadaresë për ta arritur çmimin apo kur rendisim në CV-në heroiko-kombëtare të Nënë Terezës çmimin e Nobelit për paqe. Por kësaj radhe edhe ne, të eturit për tituj të ekspozueshëm si medaljet e Gaddafit, të ngjashme me ato siglat e pakuptimta që i paraprijnë emrave të akademikëve tanë universitarë, hezituam t’i bashkëngjiteshim “suksesit” të Thaçit, sepse pa dyshim është ndër kandidatët më të pakandidueshëm për atë lloj çmimi dhe motivacioni.

Tek ky siklet për kandidatin shqiptar Thaçi – që teorikisht duhej të ishte ditë feste kombëtare në tentativë – fshihet banalizimi i çmimit Nobel, çka e bën atë jo thjesht një lojë fati, ku një intelektual symbyllur përzgjedh topat, e as vlerësim hyjnor i një komisioni etik. Banalizimi nuk qëndron ekskluzivisht tek personazhi Thaçi. Ai përforcohet nga motivacioni i statusit të kandidatëve (për paqe) dhe nga prania e dy “kolegëve” të tjerë. Dačić vlerësohet për paqen, ndërkohë politika e tij shfaqet sulmuese, agresive, në favor të serbëve dhe të ndarjes së Kosovës; Thaçi vlerësohet për paqe ndërkohë që është totalisht i pafuqishëm, i shantazhueshëm dhe po e nxjerr vendin në ankandin e interesave vetjake dhe të propozuesve të tij; baronesha Ashton meriton Olimpin botëror të paqes sepse kontrollon që kosovarët të mos dalin nga roli i pasivit.Cmimi_Nobel

Në fakt semantika e Nobelit për paqen është boshatisur nga momenti që Mahatma Gandhi nuk e mori kurrë, ndërsa, fjala bie, Henry Kissinger – Sekretar Shteti (1969-77) – e mori në vitin 1973. Vërtet lista e Nobelit për paqe ka brenda Martin Luther King, Dalai Lama etj, por bart presidentë që kanë luftuar për koloni, e të tjerë, sa për ndotje, si Muhamed A. Sadat apo bashkënobelisti Menachem Begin, ky i fundit lider (1948) i grupit paraushtarak Irgun gjatë shfarosjes së popullsisë në fshatin Dayr Yasin, duke mos lënë – për çrrënjosje të memories – as gurët e varrezave ekzistuese aty. Për ironi, një vit pas Sadat dhe Begin mori Nobelin për paqe Nënë Tereza, e propozuar nga jo më pak (dhe paradoksalisht) se Robert McNamara ose, ndër të tjera, Sekretari amerikan i Mbrojtjes (shqip: Ministri i mbrojtjes), që e filloi dhe e përfundoi karrierën e Sekretarit (1961-68) në Luftën vietnameze e në një sërë krizash ku paqja dhe të Drejtat e Njeriut ishin minimumi i nëpërkëmbjeve. Ky është vetëm një nga rastet e instrumentalizimit të motivacionit të Nobelit. Kujtojmë këtu çmimin akorduar për presidentin Barack Obama në 2009, që u komentua gjerësisht si një stimulim me peshë globale ndaj imazhit në rënie të lirë të SHBA-së nëpër botë, pasojë e politikave perandorake të paraardhësit G. W. Bush.

Thaçi e Daćič, dhe vetëm për vegjetimin e tyre politik, duhet të sikletosnin çdo komision propozues apo vlerësues me çmime paqeje: Daćič ka qenë zëdhënës i Slobodan Miloševič gjatë luftës në Kosovë, kohë kur iu ndalua hyrja në disa shtete të BE-së; kolegu Thaçi në atë kohë ishte zëdhënës i një organizate që Robert Gelbard, i dërguari amerikan, e cilësonte pa as më të voglin dyshim si terroriste. Kështu e ka filmi. Pjesë e tij ishte përfshirja e partisë së Kongresit Kombëtar Afrikan – e kryesuar nga lideri historik Nelson Mandela – në listën e organizatave terroriste gjatë presidencës së Ronald Reagan – dokumenti mban firmën e George Bush, atëherë zv.president –, ku qëndroi deri në vitin 2008, megjithëse tashmë kishin kaluar plot pesëmbëdhjetë vite nga koha kur Mandela kishte marrë Nobelin për paqe (1993). “Terrorist tipik” e quante edhe Margaret Thatcher. A mundet që një lider të vlerësohet me Nobelin për paqe, ndërsa partia e kryesuar nga ai të jetë organizatë terroriste? Po që zëdhënësi i një organizate të cilësuar si terroriste të marrë – të paktën të kandidohet – Nobelin për paqe? Sigurisht që po, dhe kjo nuk është drejtësia e gjykimit hyjnor/nobelist, se sa rezultat i një spektakli gjeopolitik që rehabiliton imazhin publik të personave, ngjarjeve dhe institucioneve. Natyrisht skenari relativizohet në varësi të interesave dhe jo të meritave.

Problemi është se shqiptarëve iu paraqitet nga elitat sikur Nobeli vendos fatet e tyre nëpër botë, sikur ai të jetë aparat vleramatës, mjet integrimi, tregues qytetërimi, çmim kombëtar e jo individual, sikur të jetë vlerësim real, i drejtë, i merituar, i ndërmarrë dhe i propozuar nga një komision i pagabueshëm dhe i paanshëm, i bartur nga individë të denjë, të ndriçuar dhe shembuj për njerëzimin, pra maksimumi i arritjeve kombëtare. Mënyra më e mirë për të legjitimuar ekzistencën e elitave të tilla është projektimi i shpëtimit kolektiv dhe i zgjidhjes së problemeve tek integrimi evropian, si dorëzim kolektiv i pashpresë, tek fajësimi i Tjetrit dhe i të shkuarës së afërt, duke ekzaltuar një epokë të largët e idilike – shpesh herë të sajuar – dhe duke u shitur qytetarëve vlera të pakuptimta – që vetë elitat populiste nuk i përvetësojnë – apo vlerësime të ndikuara nga interesi më shumë se nga vlerat.

Do të jetë Kosova më larg korrupsionit nëse Thaçi merr Nobelin? Do të jetojnë kosovarët më mirë? Do të mbrohen interesat e kosovarëve? Pikërisht (minimumi) interesat e kosovarëve janë venitur me cungimin e autoritetit të shtetit kosovar në komunat serbe nën drejtimin e negociatave për “paqe” të kandidatit nobelist Thaçi. Mbase Kosova duhet ndarë, por nuk ka kuptim që ndarja të prodhojë dhe të shpërblehet me Nobel paqeje e ky çmim teatral të shitet për vlerë kombëtare. Megjithëse pas lajmit të kandidaturës Thaçi deklaroi se merita është e qytetarëve të Kosovës, vështirë të besohet se shumica e tyre janë dakord me këtë formë paqësimi me Serbinë. Natyrisht, kandidatura e Nobelit për paqe është një anestezi e mirë kolektive në pranimin e skenarëve të negociatave, aq më tepër kur vjen si made in USA. Kjo nuk do të thotë që të mos i urojmë Thaçit suksese në këtë spektakël, aq më tepër kur, fundja, me ose pa çmimin, interesat serbe do të përmbushen, sepse e kundërta i kushton (akoma më) shumë investimit të protektorëve të Kosovës, shumë më tepër se një Nobel për paqe.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *