Rrethprerja_e_KrishtitA. Cara

Në muajin tetor u prezantua një “aktivitet” që nuk mori jehonën e shpresuar nga opinioni publik. Lajmi ishte interesant për shkak të parodizimit të mediave shqiptare dhe asaj politike që na shoqëron tragjikisht. Në fakt, për mënyrën e përcjelljes mediatike të këtij aktiviteti ka pasur një shkrim në këtë faqe, megjithëse të trajtuar shkurtimisht, pa u marrë me të gjithë ekspozenë e shtypit. Në një vështrim të shpejtë, Koha Ditore e raporton lajmin nën titullin, KE-ja miraton rezolutën: synetia dhunë ndaj fëmijëve, e po në të njëjtën frymë vijuan edhe Almakos dhe Balkanweb, ndërkohë që Zëri i referohet Gazetës Express. Nga ana tjetër, Mapo i shton kësaj edhe votën shqiptare në favor të rezolutës për dënimin e rrethprerjes, ndërsa K. Cukali shkonte më tej – ose, më saktë, më poshtë – duke pretenduar se rruga drejt Evropës kalon nga penisi, ndërkohë që portën e prapme e kemi hapur (madje shkallmuar) me kohë, me ligjet dhe qendrimet në mbrojtje të homoseksualitetit, duke evoluar deri tek diskutimet mbi krijimin e hapësirave për martesat gay. Madje Avokatit i Popullit (cili popull?!) arrin deri aty sa teorizon se mund të marrim çmim nderi në Ballkan, me vepra të tilla “heroike”, në një kohë kur Kroacia evropiane i ka ndaluar martesat me referendum.

Duke lexuar Expressin mësohej se rezoluta nuk ishte e detyrueshme. Sipas kësaj gazete rezoluta përfshinte edhe fenomene si tatuazhe e pirsing, por nuk shpjegonte më tej se cili ishte qëndrimi i i saj për to. I njëjti skenar vërehej edhe tek Koha Ditore, e cila, ndonëse ka në stafin e saj gazetarë si E. Robelli, që i nuhasin në ajër terroristët, trafikantët dhe UDB-istët, ja që i shpëton burimi i informacionit. Pohimi vijues është tejet i shpikur: “syneti, i cili konsiderohet si praktikë fetare tek myslimanët, por edhe tek çifutët, u ndalua përmes një rezolute të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) në fillim të tetorit”. Në fakt rezoluta nuk e ndalon aspak këtë praktikë. Kjo mund të lexohet fare thjesht tek faqja zyrtare e Asamblesë Parlamentare. Nëse gazetarët nuk dijnë të përdorin as google-in, çfarë mund të bëjnë më tej?!

rama-meta-berisha-213x320Kompleksi i integrimit

Deri këtu jemi në cirkun gazetaresk, i cili me gjithë joprofesionalizmin, vulgaritetin, stereotipitë që shfaq, zbehet krejtësisht përballë atij politik.Në parantezë duhet të sqarojmë se synetllëku ngjyroset me nuanca të reja tashmë, pasi Ilir Meta u justifikua se mosmarrja e statusit ishte për shkak të islamizimit tonë dhe nga politika filoislamike. Mirëpo qendrimi i Shqipërisë në këtë rezolutë u mbajt nga Oerd Bylykbashi, pikërisht nga një pinjoll i enturazhit Berisha, i cili votoi në favor të rezolutës, pra kundër synetllëkut (nëse marrim për bazë atë që mediat thonë për të). Bylykbashi votoi në përputhje me “vlerat evropiane”, i patrazuar nga përhapja e kësaj praktike në Shqipëri dhe aq më pak nga qendrimet e fesë së shumicës së këtij populli mbi këtë çështje, ndaj Meta nuk ka ç’të thotë mbi politikën e deritanishme.

Dhe paradoksalisht BE-ja përsëri na e refuzoi statusin, megjithëse po bëjmë gjithçka për t’i “fituar zemrën”: propozojmë martesa gay, kundërshtojmë synetllëkun, lartësojmë Nënë Terezën me të gjithë fuqinë e shpirtit, festojmë krishtlindjet edhe në institucionet laike të edukimit si shkolla, kopshte e çerdhe, pretendojmë autorësinë në shpikjen e rakisë për të treguar se nuk jemi fetarë, shkurtojmë minifundet e kemi shpikur edhe konceptin “islam shqiptar”, që në mjaft raste është një lloj “islami antimysliman”. E ndërsa ulim brekët për t’i treguar Evropës se jemi pjesë e saj, rezolutën kundër synetllëkut e kanë kundërshtuar, mes të tjerësh, edhe anëtarët spanjollë e britanikë – pikërisht të asaj Britanie që na refuzoi statusin – ndërkohë që kanë abstenuar vende si Franca, Zvicra, Portugalia, Hungaria apo zona baltike. Minimumi pjesa kryesore e këtyre vendeve janë më evropianë se ne, dhe askush nga këta përfaqësues apo shtete nuk ndjehet i orientalizuar apo i islamizuar për shkak të refuzimit të rezolutës.

Pra, jemi vend me shumicë myslimane dhe pjesë e Konferencës Islamike, por kur vjen puna tek mbrojtja e praktikave të fesë së shumicës së popullsisë ose, fundja, tek ruajtja e një minimumi dinjiteti, mohojmë çdo përkatësi dhe regjistrohemi si i vetmi vend anëtar i KE-së që nuk respekton vetveten. Sikur të mos mjaftonte, Bylykbashi është edhe krijesë politike e “islamikut” Berisha, pikërisht atij që mbahet si shkak për mosmarrjen e statusit.

Synetllëku politik

Si për ironi, synetllëku ka qenë fjala kyçe për të njollosur stereotipisht kundërshtarin gjatë debateve parlamentare për buxhetin. Më i zellshmi në këtë armatim verbal me municion orientalist ka qenë pikërisht Berisha, duke u shprehur për Ramën se është “i bërë synet politik”. Në mes të batareve eufemistike, tepër të pasura me terma si efendi, efendëm, çingie, në një kohë kur të dyja palët kanë kohë që e portretizojnë njëri-tjetrin si sulltan, mullah, kur mitingjet e tyre dekorohen me pankarta ku portretet respektive të dy liderëve karikaturohen me nga një çallmë damkosëse mbi krye, për të treguar përkatësinë qytetërimore antagoniste ku kundërshtari bën pjesë, fjala synetllëk duket më përfaqësuesja, jo vetëm në kategorizimin e llojit të diskursit të përdorur, por edhe të mendësisë që ai përfaqëson.

Interesante këtu është pikërisht mendësia patriarkale dhe iracionale e fshihet pas këtij zelli për të zënë anën perëndimore të barrikadës bipolare të ngritur virtualisht mes palëve. Atashimi i synetllëkut me potencialin seksual, shoqëruar me adhurimin për mashkullaritetin, i përgjigjet një mendësie e cila nuk përputhet me atë që pretendon bota e sotme e qytetëruar. Kjo mendësi ofron një konceptim sasior mbi aftësinë seksuale e politike, ku rrethprerja, si ndërhyrje në instrumentet seksuale – ndryshe nga ç’thotë mjekësia -, perceptohet si mangësi dhe, për pasojë, si kufizim i potencialit mashkullor. Sedra mashkullore, njësoj si në çdo mjedis urban periferik, ledhatohet nga potencialiteti mashkullor i shprehur në përmasat dhe pacënueshmërinë e “instrumentit të burrnisë“. “Ata që të bënë synet politik, ata të hoqën edhe forcën e fundit të burrit ty”, u shpreh Berisha me nënqeshjen e triumfatorit në buzë, duke e shijuar momentin pas goditjes së kundërshtarit aty ku nuk mban, në “burrninë” e tij.

Nëse i referohemi Z. Freud-it, duket se liderët politikë vuajnë nga “frika e tredhjes“, të cilën e përjetojnë fëmijët meshkuj në momentin kur zbulojnë se vajzat nuk kanë penis dhe se ekziston mundësia që edhe ata ta humbin avantazhin biologjik. Sipas Freud-it (në këtë fazë) djali ndjehet superior për penisin e tij, në dallim nga femra, e cila e percepton fizikun e vet si mungesë. Kjo bën që “frika e tredhjes” të jetë forca më e fuqishme lëvizëse dhe motivuese tek fëmija mashkull, duke dashur të ruajë benefitet e ofruara nga “objekti i çmuar”.

Kuptohet që politika shqiptare nuk ka arritur të shkojë më larg se stadi falik në zhvillimin e saj. Për pasojë, “frika e tredhjes” – e cila ndikon edhe në kompleksin e Edipit – mundëson që politika të jetë shtresa më antiperëndimore dhe njëkohësisht primitive e shoqërisë shqiptare. Babai perceptohet nga fëmija si “tredhësi” potencial dhe bindja ndaj tij kalon përmes frikës dhe urrejtjes drejt shndërrimit të figurës së tij në model. E meqë edhe orientalizmi si paradigmë e stereotipizon Perëndimin si mashkull (pra, si baba), ndërsa Lindjen si femër, me sa duket komplekset edipike të politikës shqiptare fshehin “orientalin” në formën më arkaike: këtu fshihet adhurimi vetmohues që klasa politike ka për Evropën si model i buruar nga mundësia e tredhjes prej saj. Kjo na shpjegon edhe përse nuk na pranojnë në Evropë! Mbase.

 

Comments

  • Kush flet per keto pune, Berisha, qe e hoqem zvarre, si dikure bronzin e Enverit. Nuk ka ç’ben tjeter kjo kadaver politike qe kuterbon, dhe merret me hallate.

  • Ore po KMSH-ja, e na falni qe e zume ne goje, i kerkoi shtetit sqarime se si ka votuar pro nje rezolute qe shkel te drejtat fetare ne Shqiperi? Do ndalohet prape me ligj si ne 67 synetlliku ne Shqiperi? Po s’ishin per keto pune perfaqsuesit e nje bashkesie, atehere per cfare jane?

  • KMSH-ja parimisht ekziston qe te rregulloje marredheniet midish shtetit dhe komunitetit me te madh fetar ne vend, por ne fakt lloji i marredhenies, per te cilen eshte ekziston, eshte ai i kontrollit te besimtareve prej shtetit, ne funksion te interesave te kunderta me ato te komunitetit, madje edhe per llogari te partive ne pushtet. KMSH eshte nje institucion i themeluar nga Ramiz Alia, per te kontrolluar muslimanet (jo per te vendosur marredhenie midis shtetit dhe nje komuniteti) dhe sot, falangat e ish-sigurimit te shtetit jane ende me ndikim.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *