Merita e integritetit





Shfrytezimi_i_GraveBrunilda Zadeja

Integriteti i gruas muslimane nuk vihet dot në dyshim nga asnjë fakt historik apo sociologjik, përveç rasteve të keqinterpretimit të Islamit nga ana e vetë muslimanëve. Imazhi negativ për “gruan muslimane” dhe mbulesën e saj, buron nga paragjykime dhe ideologji të mjegullta që nuk interesohen për një kritikë objektive, duke instrumentalizuar diskusin në funksion interesave të tyre pragmatike, egoiste e shpesh hileqare.

Hapi i parë i gënjeshtrës së madhe, se një femër e mbuluar nuk ia del dot të integrohet, të zhvillohet, apo se nuk mund t’i ofrojë dot diçka me vlerë shoqërisë, nis me dëshira të paqëllimta, jo të drejtëpërdrejta në mënyrë specifike kundrejt Islamit. Kjo gënjeshtër e ka zanafillën tek dëshmitë e hershme historike, atëherë kur femra konsiderohej pronë, objekt kënaqsie, e paaftë për të vendosur për veten, e paaftë për të mbajtur qëndrim kritik etj. Kjo do të thotë se kur bëhet fjalë për të zhbërë (në mënyrë tendencioze këtë herë) rëndësinë e gruas muslimane, në këtë kontekst për të cilin po flasim, terreni është gati, mjafton të mos jesh mashkull që integriteti yt të vihet në pikëpyetje.

Arena absurde ku rreket të zhvillohet njeriu, të shkakton ndjesi trishtimi sa herë që mendon për egërsinë e përjashtimit brenda llojit. Meqë i përkasim të njëjtit lloj, është shumë e natyrshme që sa herë që ndodh ky përjashtim ne të ndjehemi të zhgënjyer dhe të përçmuar. Në këtë kontekst të flasësh për integritetin e gruas muslimane nënkupton fillimisht menjëherë konstatimin e integritetit të vetë gruas në përgjithësi, pavarësisht kontekstit socio-kulturor apo parimeve vetjake sipas të cilave ajo ka zgjedhur të zhvillohet. Ky fakt vlen për të treguar se sa qesharak është paragjykimi i një femre jo muslimane kundrejt asaj muslimane.

Për ta shpjeguar më mirë këtë që sapo thamë na vijnë në ndihmë termat “integritet i brendshëm” (i vërtetë) dhe “integritet i jashtëm” (formal) si dy pjesë simetrike e një tërësie të vetme; ku i pari shërben si kusht, si hap i parë, ndërsa i dyti si rrjedhojë, tregues, dëshmues i të parit. Me fjalë të tjera femra muslimane është e integruar së brendshmi. Parimisht ajo i ka të sqaruara të gjitha psetë me veten. Problemi i saj është refuzimi kokëfortë i shoqërisë sonë “të hapur” (edhe kokëfortë edhe e hapur!!!) barrierat e të cilës janë të vendosura që ta bëjnë sa më të pavlerë ekzistencën e saj. Në të kundërt pjesa tjetër femërore është e integruar së jashtmi, sepse së brendshmi nuk ka se si të jetë, për sa kohë që ndjek parimin e pranimit të shfrytëzimit dhe jo plotësimit (si vlerë humane).

Shfrytëzimi si një shprehje jokorrekte njerëzore s’është gjë tjetër veçse kapërcim i një vlere pozitive në diçka tjetër (në rastin më të mirë drejt diçkaje të kotë, pa vlerë). Shndërrim për të cilin njerëzit kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm se po i marrin (vjedhin në fakt) diçka vetes për joveten, gjë që do të thotë se ky kapërcim që e shumëzon veten me zero ka ndodhur me marrëveshje dhe përfaqson mungesë zhvillimi e për pasojë, mungesë integriteti. Mjafton vetëm shfrytëzimi që integriteti të konsiderohet i pavërtetë.

Kështu, në mungesë të një sistemi kritik të integruar, askush nuk mund të hedhë dot poshtë se janë kuptimet religjioze dhe njerzit që i përfaqsojnë ata, të cilët më së pari hapin dyert e zhvillimit, jo sepse kështu na pëlqen të themi, por sepse besimtarët zhvillohen sipas një sistemi të pandryshueshëm (tërësia e ligjit hyjnor), ndërsa pjesa tjetër zhvillohet duke iu përshtatur sistemeve të shpikura prej njeriut, gjithnjë në ndryshim. Sigurisht problemi nuk qëndron tek përshtatja, por tek ajo që vjen më mbrapa, sugjerimi i një modeli si më i plotësuar se paraardhësi dhe vlerësimi i gabuar se vetëm përshtatja është zhvillim.

Pse koherenca në raport me veten dhe Pikën e Referimit (Zotin) nuk është zhvillim?

Pse të qëndruarit besnikë një filozofie që i shkon përshtat natyrës humane si psh e mira, shpirtërorja, e dlira etj., nuk është zhvillim?

Parimet nuk njohin kohë dhe s’ka se si të vjetërsohen. Që këtu është i pakuptimtë shnëdrrimi i një vlere në antivlerë në emër të së resë, të ndryshmes, integritetit. Me këtë s’bëjmë gjë tjetër vetëm se prodhojmë, madje edhe shpikim, formate të reja problemesh ndërkohë që s’kemi zgjidhur ende ato fillestaret. Dhe këto “shpikje” i quajmë integritet. Në këtë kontekst femra muslimane bashkë me vlerat që përfaqson është ajo që po e shuan vetë zjarrin përreth, i cili po djeg përpara syve tanë vlerat njerzore. Është aq e urtë puna që ajo bën sa del të jetë e panevojshme çdo fjalë që rreket të legjitimojë integritetin e saj.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *