Në Mbështetje të Erasmus





besimi-arsyeja-dhe-shpalljaPak ditë më parë, Shtëpia Botuese Erasmus njoftoi në këtë faqe botimin e librit të T.J. Winter (Abdul Hakim Murad), Besimi, Arsyeja dhe Shpallja. Erasmus dashamirësisht vlersoi dhe kontributin e faqes tonë në këtë projekt.

Më shumë se një vit më parë, një bashkëpuntor e mik i faqes tonë na kontaktoi me dëshirën që të dhuronte një shumë të hollash. Edhe pse e-zani.com ka një sërë projektesh që nuk mund të realizohen pikërisht nga mungesa e fondeve, vendosëm që këto të holla ti jepen Erasmus-it. Pse?

Kushdo që njeh aktivitetin e Erasmus-it është i njohur me faktin se pa staf, por vetëm me vullnetarë, pa buxhet, po vetëm me ndihmën modeste të dashamirësve, Erasmus u ka sjellë, jo vetëm muslimanëve, por gjithë komunitetit fetar një prurje të pasur literature fetare nga teologë muslimanë, të krishterë e hebrenj, falas dhe të aksesueshëm për gjithë publikun. Aktualisht, faqja www.erasmusi.org është ndër të paktat, për të mos thënë e vetmja faqe në Shqipëri, që ofron vërtet mendim shkencor, duke përmbushur kërkesat akademike në fushën që mbulon. Siç e kemi theksuar edhe në një shkrim të mëparshëm, qendra gjithashtu ka kryer deri më tani një monitorim të kujdesshëm dhe të hollësishëm të botimeve akademike kudo në botë, gjë që ka sjellë grumbullimin e një materiali mjaft i vlefshëm. Prej këtej, ajo ka seleksionuar një sërë materialesh tepër të rëndësishme në këtë fushë, duke hartuar një program voluminoz që shkon, të paktën në trefishin e punës së deritanishme, e cila i mbetet të ardhmes për t’iu ofruar publikut shqiptar.

Ata që e njohin më nga afër punën e Erasmus janë të njohur me faktin se Erasmus ka një kolonë botimesh të përgatitura, përkthyera e përpunuar nga vullnetarë profesionistë, por që nuk janë botuar për shkak të mungesës financiare.

Erasmus është produkt, si thamë, i punës së shumë vullnetarëve, por mbi të gjitha është vizioni i Rezart Bekës, studiues e autor që ka vite që i kontribuon studimit të fesë, dialogut ndërfetar dhe pasurimit të mendimit fetar në Shqipëri. Ai njihet, ndër të tjera, si autor i librit Halifullah: Njeriu si Mëkëmbës, ndërsa është gjithashtu një kontribues i vyer edhe në blogun tonë me një sërë artikujsh me qasje studimore për çështje me interes në zhvillimet fetare. Studimet e tij e kanë çuar sa në Kajro, në Universitetin Papnor në Romë e së fundmi në Katar duke bërë që Rezart Beka të jetë sot nga dijetarët e rinj më premtues në Shqipëri.

Ne besojmë tek projekti i Rezart Bekës e prandaj nuk nguruarm të ndihmojmë në këtë botim dhe shpresojmë që të tjerë do e shohin me vend të ndihmojnë e mbështesin Erasmus. Ne besojmë në projekte të ngritura e mbështetura organikisht nga brenda bashkësisë dhe nuk kemi besuar tek ndihma nga jashtë e prandaj jeta e projekteve si Erasmus do varet nga dedikimi komunitar për t’u dhënë jetë vizioneve të njerëzve si Rezart Beka dhe atyre vullnetarëve e miqve që e kanë mbështetur në punën e tij.

Së fundmi, përfitojmë nga rasti të falenderojmë dhuruesin anonim, mik i dashur e përherë mbështetës i punës tonë këtu. Lusim Zotin që kontributi i tij të pranohet si ajo sadaka e vazhdueshme pasi shpresojmë se prej botimeve si ky libër i Dr. Winter do përfitojnë shumë lexues për vite që vinë.

Comments

  • Shume mire e keni meduar dhe Ju pergezoj per kete qe keni bere.

    Nje sygjerim dashamires pse s’hapni nje numer llogarie ku secili qe ka deshiren mund te kontribuoj ne menyre te fshehte duke kerkuar kenaqesine e te madhit Zot.

    • Faleminderit. E kemi menduar shpesh dhe nuk kemi arritur ende ne gjetjen e nje menyre te realizueshme. Se shpejti do shpresonim se dhe kjo do behet.

      • Te gjithe te interesuarit per projektet e erasmusit dhe per ofrimin e ndihmes financiare mund te na kontaktojne ne adresen e emailit

        erasmus.al@gmail.com

        Ne kete menyre do te jemi te afte te ofrojme te gjitha shpjegimet e nevojshme.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *