vetevendosje_kuri_ahmetiEnis Sulstarova

Zgjedhjet vendore në Kosovë dhe rezultatet që prodhuan kanë ngjallur diskutime që e kapërcejnë dukshëm karakterin e tyre vendor. Me fjalë të tjera, ndërsa fushatat zgjedhore të partive ishin kryesisht dhe detyrimisht të përqendruara në problemet e administrimit të komunave, kësaj radhe fushata dhe rezultatet zgjedhore janë komentuar dukshëm përtej këtij këndvështrimi. Ndërsa është e zakonshme që zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, Kosovë dhe IRJM të komentohen gjerësisht në mediat e të tri vendeve (ç’është e vërteta më pak interesim tregohet për zgjedhjet në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës), këtë herë mediat në Shkup dhe Tiranë i kanë dhënë një jehonë shumë të madhe zgjedhjeve vendore të Kosovës. Për mendimin tim, tri ngjarje e kanë provokuar këtë interesim mbarëkombëtar: fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje! në Komunën e Prishtinës, përdorimi i zgjedhjeve vendore për konturimin e një “njësie politike” serbe brenda Kosovës dhe pjesëmarrja e Partisë së Fortë në fushatën zgjedhore. Le t’i shohim me radhë.

Shpendi kombëtar

Le të përfytyrojmë për çastin se çfarë do të ndodhte nëse zgjedhjet vendore do t’i fitonte Isa Mustafa. Sigurisht që fitorja e tij do të kishte rëndësi për Prishtinën me rrethina dhe për raportin e forcave politike në Kosovë, por zor se jehona e fitores do të dilte përtej kufijve të Kosovës. Madje mediat në Tiranë dhe Shkup më shumë do të komentonin humbjen e Shpend Ahmetit së bashku me faktin se Lëvizja Vetëvendosje! nuk arriti të dalë e para në asnjë komunë të Kosovës. Me gjasë ky subjekt politik së bashku me AAK-në do të quheshin humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve. Mirëpo fitorja e Shpend Ahmetit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë shënoi ngjarjen më të madhe kombëtare të këtyre zgjedhjeve: qytetarët në Prishtinë e festuan me hare dhe me flamurin kombëtar; atyre iu bashkëngjitën edhe shumë qytetarë që shkuan enkas nga Tirana, Shkupi, Tetova e Presheva; pa e marrë akoma detyrën e re, Shpend Ahmeti është shfaqur në ekranet televizive dhe në faqet e shtypit të Tiranës; nga sa mund të gjykojmë nga rrjetet sociale që përdoren më shumë nga moshat e mesme dhe sidomos të reja, fitorja është brohoritur gjerësisht nga shqiptarët kudo ku janë, si për diçka që e prisnin prej kohësh. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit në Prishtinë, analistët në Kosovë, Shkup e Tiranë, duke e nuhatur përmasën kombëtare të ngjarjes, nxituan ta komentonin: disa shkruan me entuziazëm se një erë e re po frynte nga Prishtina, ndërsa të tjerë me hidhësi përsëritën akuzat e njohura për “populizmin”, “radikalizmin”, “majtizmin” e Lëvizjes Vetëvendosje! Humbësit dhe mediat pranë tyre tentuan ta minimizojnë fitoren duke  hapur thashetheme për një lidhje të fshehtë të Lëvizjes Vetëvendosje! me PDK-në, apo se bëhet fjalë për fitoren individuale të Shpend Ahmetit dhe jo domosdoshmërisht edhe të lëvizjes politike ku ai militon.

Si shpjegohet ky interesim mbarëshqiptar? Përtej surprizës që një politikan i ri mposhti një nga ustallarët e politikës në Kosovë, mendoj se deri diku interesimi ka të bëjë me profilin kombëtar të Lëvizjes Vetëvendosje! Eshtë krijuar përshtypja se qytetarët e Kosovës e njohim më mirë politikën e Shqipërisë se sa qytetarët e Shqipërisë njohin atë të Kosovës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shqiptarët dhe politikën shqiptare në IRJM-së në raport me Shqipërinë. Përjashtim përbën vetëm Lëvizja Vetëvendosje!, veprimtaria e së cilës është ndjekur vazhdimisht dhe me interes të madh nga shqiptarët kudo ku janë. Parti dhe organizata që kanë për qëllim bashkimin kombëtar ka kudo në trevat etnike shqiptare, por ato janë thuajse të panjohura jashtë anëtarësisë dhe simpatizantëve të tyre, ndërkohë që vetëm Lëvizja Vetëvendosje! ia ka dalë mbanë që të formulojë një ligjërim bashkëkohor politik kombëtar të ndërthurur ngushtë me çështjet e nevojat ekonomike, kulturore e shoqërore të shqiptarëve. Artikulimi i konceptit politik të vetëvendosjes demokratike orientohet nga përfytyrimi i ardhmërisë së kombit shqiptar dhe jo vetëm i popullit të Kosovës. Prandaj fitorja në Prishtinë, sikurse edhe rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje! para disa viteve në zgjedhjet parlamentare, u pritën me interes në botën shqiptare.

Tashmë Lëvizja Vetëvendosje! e ka krijuar një publik kombëtar që e simpatizon dhe e përkrah, gjë që sigurisht nuk është e mjaftueshme, sepse që të flasim për një frymë të re vetëvendosëse që po përhapet në trevat shqiptare nevojitet një shndërrim masiv nga spektatorë të politikës (përfaqësuese) në aktivistë politikë. Shenja të veprimeve politike spontane të qytetarëve ka dhe ato janë shfaqur pothuajse në të njëjtën kohë me zgjedhjet vendore në Prishtinë. Tirana dhe qytetet kryesore të Shqipërisë për gati dy javë gjatë muajit nëntor përjetuan demonstrata të të rinjve kundër sjelljes në vend të armëve kimike nga Siria. Demonstruesit shpalosnin flamurin dhe simbolet kombëtare duke e lidhur identitetin kombëtar dhe mbrojtjen e jetës së shqiptarëve me ruajtjen e mjedisit dhe të atdheut nga ndotja. Me ta u solidarizuan qytetarë shqiptarë nga Prishtina, Shkupi dhe diaspora. Në IRJM vendosja tinëz e një përmendoreje të Stefan Dushanit në kryeqytet ka sosur durimin e shqiptarëve të atjeshëm me pasivitetin e partive politike. Një protestë spontane e detyroi qeverinë që ta mbrojë përmendoren duke e treguar se ajo është pjesë e projekti për ta zhdukur simbolikisht praninë shqiptare nga kryeqyteti. Rrahja fizike e nxënësve dhe studentëve shqiptarë në Shkup tashmë shoqërohet nga rrahjen simbolike të shqiptarëve ngaVisar_Arifaj hija e zgjatur e Stefan Dushanit. Shenjë zemërimi është dhe vendimi i politikanëve të Luginës për të ndërprerë “dialogun” me Beogradin.

Si në Tiranë, po ashtu edhe në Shkup këto janë shenja të humbjes së durimit dhe të zemërimit të qytetarëve. Shenja se shqiptarët nuk po mbajnë më dhe nuk po u besojnë më partive “tradicionale”. Në Shqipëri u desh paniku prej rrezikut të aksidenteve vdekjeprurëse që nuk do të kursenin asnjë që shqiptarët të dilnin në rrugë pa urdhër partiak e të përzinin politikanët nga protesta e tyre. Në Shkupin e panairit të kotësive prej bronzi, u desh vendosja e përmendores së një mbreti serb, të njohur për trajtimin e egër që u ka bërë shqiptarëve të mesjetës, që protestuesit të mos prisnin për reagimet e zakonshme dhe të vakëta të partive shqiptare. E megjithatë monumenti është sërish aty për të dëshmuar pafuqinë shqiptare. Këto reagime spontane nevojitet që të lidhen së bashku në një projekt politik. Kështu ka ndodhur në Kosovë kur protestat kundër bisedimeve të Vjenës me parullën “Jo negociata! Vetëvendosje!” dora-dorës formuan një koncept politik që tani është i përfaqësuar në Kuvend, do të udhëheqë Prishtinën dhe është i pranishëm edhe në komuna të tjera.

Serbia brenda Kosovës: ngjarje e paralajmëruar

Zgjedhjet vendore në Kosovë shënuan edhe një fitore për Serbinë. Kryetarët e porsazgjedhur të komunave serbe njëzëri shpallën se nuk e njohin sovranitetin e Republikës së Kosovës. Tashmë askush nuk e mohon legjitimitetin demokratik të përfaqësuesve serbë, as ndershmërinë e tyre para zgjedhësve, sepse fituesit kishin hyrë në zgjedhje me urdhër të Beogradit dhe pikërisht me programin e mospranimit të institucioneve republikane. “Çfarë do të mbjellësh, do të korrësh”, thotë populli dhe tani Kosova po mbjell frytet e Pakos Ahtisari plus të bisedimeve Thaçi-Daçiç. Pra, kemi disa komuna “serbe” brenda Kosovës, të krijuara në kuadër të procesit të decentralizimit nga vetë qeveria e Prishtinës, të organizuara në një shoqatë të komunave, kompetencat e së cilës po njohin veç zgjerim, në lidhje të drejtpërdrejtë politike dhe të financuara nga Beogradi. Fryte të tjera edhe më të hidhura do të japë vazhdimi i bisedimeve. Shpallja e autonomisë është në prag dhe pas gjithë kësaj Beogradi nuk e ka njohur Kosovën dhe e ka marrë statusin e vendit kandidat. Situata të tilla të mbrapshta ndodhin vetëm në Kosovë, ku politikës qeveritare i mungon mendimi dhe vullneti shtet-formues.

Kudo në Evropë, por edhe në botë, pakicat gëzojnë të drejta ligjore që ndryshojnë nga rasti në rast, por që gjithmonë e kanë një kufizim themelor: nuk vënë në dyshim sovranitetin e shtetit ku ndodhen. Vetëm në Kosovë, lejohen të marrin pjesë në zgjedhje forca politike që nuk e njohin shtetin, ndërsa shteti e njeh legjitimitetin e përfaqësuesve të tyre pas zgjedhjes. Eshtë e vërtetë se shqiptarët në kohën e lëvizjes paqësore të viteve 90 mbanin zgjedhje periodike, por Beogradi sistematikisht refuzonte t’i njihte ato, institucionet paralele dhe titullarët e tyre. Njohja e Kosovës nga Serbia nuk duhej kurrsesi në parim të ishte lidhur me pakicën serbe në Kosovë. Pakicat serbe në Kosovë së bashku me atë shqiptare në Luginë të Preshevës duhej të ishin objekt i marrëveshjeve reciproke të dy shteteve. Mirëpo, që të bëhej kjo nuk duhej pranuar statusi i pakica si “komunitete” shtet-formuese, sipas Pakos Ahtisari. Pra, një elitë shtet-formuese dhe jo vetëm makute pas pushtetit e pasurisë, duhej t’i kishte parashikuar këto ngjarje qysh në fillim, aq më tepër që u paralajmërua në kohë për zhvillimet e ardhshme. Siç e thotë saktë Albin Kurti, “Pas çdo serie negociatash po rritet përfaqësimi i serbëve në institucionet e Kosovës sepse këtë e do Serbia. Kështu ishte në Vjenë, kështu është edhe tash në Bruksel. Po rritet ‘diskriminimi pozitiv’ i cili është gjithnjë e më shumë diskriminim për shqiptarët e gjithnjë e më shpesh pozitivitet për Beogradin. Republika e Kosovës po degradohet në një asociacion të komunave ndërkaq asociacioni i komunave me shumicë serbe po avanson në një republikë serbe”. Një politikë ndryshe qeverisëse nevojitet urgjentisht, sepse nuk bëhet fjalë për të mohuar të drejtat e pakicave etnike në Kosovë, por për të penguar instrumentalizimin e tyre nga Serbia me qëllim minimin e  pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Visar_Arifaj1Politika informale

Në sferën publike shqiptare informalja ka dominuar mbi formalen, sepse ligjërimet politike për të mirën e përbashkët rëndom kanë fshehur interesat private të aktorëve. Institucionet publike janë konsideruar rëndom nga qeveritarët si hise për t’iu shpërndarë pasuesve në sistemin dominues klientelist. Edhe në opinionin publik është e përhapur ideja se informalja është baza e politikës, ndërsa formalja thjesht superstruktura që e fsheh thelbin e gjërave, si atëherë kur p.sh. një njoftim zyrtar për hapjen e konkursit një vend pune në administratë përmban karakteristikat e personit që është paracaktuar dhe që ndoshta ka kohë që ka filluar punën në atë pozicion. Informalja po shihet si normale dhe nuk pritet që zyrtari i zgjedhur të tregojë integritet duke iu përmbajtur rregullave formale, apo edhe premtimeve që ka bërë vetë në fushatën elektorale. Në një nga intervistat televizive që ka dhënë Shpend Ahmeti në një nga televizionet e Tiranës, gazetarja Ilva Tare e pyet si pa të keq se a do të shkojë vërtet me autobus në punë, a do ta zbatojë rigorozisht dhe për të gjithë ligjin për ndërtimet pa leje, a do të refuzojë t’i blejë me favore votat e kundërshtarëve në asamblenë komunale, a do të anulojë kontratat e paligjshme që ka lidhur komuna me të tretë, a do të jetë imun ndaj korrupsionit etj. Vetë formulimi i pyetjeve të tilla (sigurisht me një dozë të shtirë naiviteti) tregon se si perceptohet funksionimi real i institucioneve publike, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në trevat shqiptare.

Partia e Fortë gjatë fushatës zgjedhore pikërisht nxori në pah këtë dualitet, duke e eliminuar atë. Partia e Fortë dhe kryetari i saj, nuk u shtirën me një ligjërim formal dhe bënë publike ligjërimin informal, atë të interesave vetjake të politikanëve. Duke folur formalisht informalen, të pafolurën por të mirëditurën dhe të mirëkuptueshmen, Visar Arifaj dhe Partia e Fortë treguan integritet në zgjedhjet vendore. Himni i partisë është “Do të bëhemi milionerë” dhe kryetari “lexhendar” vazhdimisht deklaron se Partia e Fortë është te të gjitha partitë se edhe ai është për integrimin “indo-evropian” të Kosovës. Sipas mendimit të tij, “ligji nuk është obligim, por simbol” dhe se pushteti është më i rëndësishëm se sa shteti. Demokracia e brendshme në Partinë e Fortë është në maksimumin e mundshëm, sepse të gjithë anëtarët janë edhe nënkryetarë të partisë, si edhe përfitues të tenderëve publikë në rast fitoreje.

Pas zgjedhjes së tij në asamblenë komunale, Visar Arifaj shpalli se parapëlqen të ulet në radhën e fundit, jo vetëm për nostalgjinë e kohës së shkollës, por edhe për të qenë sa më larg gazetarëve dhe për të luajtur lojëra elektronike pa u pikasur. Në këtë mënyrë ai premton se këtë ligjërim “tepër serioz” do ta vazhdojë edhe gjatë ushtrimit të detyrës në asamble, duke vënë në lojë rregullat formale të institucionit dhe duke ekspozuar kuptimet e heshtura të funksionimit të pushtetit. Këtë satirë të qeverisjes mund ta quajmë edhe “karnavaleske”, sipas kuptimin që i jep këtij termi kritiku rus Mihael Bahtin. Pavarësisht efekteve kritikuese, kjo metodë ka kufizimet e veta dhe këtë Partia e Fortë do ta kuptojë shumë shpejt. Pikërisht në Prishtinë është votuar Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, prej të cilit pritet që ta eleminojë dualitetin formal-informal të funksionimit të komunës. Për ta arritur këtë ai do të ketë nevojë për përkrahjen sa më të gjerë qytetare ndaj grupimeve informale të interesave klienteliste. Asambleja e Prishtinës me gjasë do të jetë një nga arenat e dyluftimit dhe aty karnavaleskja e Visar Arifajt mund të përbëjë një pengesë pikërisht për mobilizimin qytetar për ndryshimin e qeverisjes. Ajo që dua të them është se karnavaleskja e ka efektin më të madh kur është bëhet pjesë e një kritike shoqërore të shëndoshë që ka një program alternativ për shërimin e sëmundjes publike. E vetme ajo nuk është asgjë më shumë se sa tallje me politikën si të tillë, duke u kthyer në një spektakël të këndshëm e të përkohshëm. Mirëpo,  siç e ka thënë një grek i lashtë dhe e kanë përsëritur shumë veta pas tij, njeriu është kafshë politike, duke kuptuar me këtë shprehje vetinë e njerëzve për t’u lidhur në bashkësi e për t’u bërë tok për arritjen e idealeve të njëjta. Politikës nuk mund t’i ikësh sado që të tallesh me të.

___________________________
nga Revista ‘Shenja’

Comments

  • Ajo qe po ndodh ne politiken e Kosoves eshte emancipuese per gjithe politiken shqiptare. Vete Vetevendosje eshte nje projekt emancipues. Radikalizmi i vertete i Vetevendosjes eshte common sense qe ofron qarte e paster. Ne te kundert, Partia e Forte mund dhe te jete nje projekt i rrezikshem sepse ka kufinj gjer ne c’pike do kthesh politiken ne bufonate kur eshte se efektet politike ne jeten e qytetareve s’jane aspak komike. Zhvleftesimi totalizues i politikes qe ben Partia e Forte kam frike se i sherben skepticizmit politik te qytetareve ne nje kohe kur Vetevendosje jep me shume arsye se kurre per pjesmarje aktive te qytetarit ne politike.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *