Saimir-Tahiri-640x340

 

Kundërshtimi i kandidaturës së Ermir Gjinishit për ambasador në Arabinë Saudite nga deputeti Ben Blushi është motivuar për shkeljen e laicitetit. Sipas Blushit, Gjinishi kishte mbrojtur mbajtjen e shamisë në shkollat publike. Meqenëse zbulojmë tek Blushi një mbështetës të përpjekjeve tona për respektin e laicitetit të shtetit shqiptar, shpresojmë se deputeti do të angazhohet me po kaq vrull në heqjen e ‘gruas me shami’ nga sheshi në hyrje të aeroportit të Rinasit, e kështu me radhë nga të gjitha institucionet publike, duke mos harruar edhe ditën e festës kombëtare të 19 tetorit apo simbolet fetare nëpër lartësitë gjeografike të atdheut tonë laik. Sipas Blushit kush mendon se lejimi i vajzave me shami nuk e cënon laicitetin në të vërtetë ka shkelur laicitetin, e për pasojë nuk e meriton të jetë pjesë e shërbimit diplomatik.

Blushi e bashkëndan këtë çmim me Arta Daden, e cila, si për t’u treguar disi më tolerante, i doli “në mbrojtje” Gjinishit, duke i kërkuar të mbante qendrime ndryshme pas marrjes së detyrës së re, pasi, sipas saj, ai tani nuk përfaqëson më Komunitetin Musliman por Shtetin Shqiptar. Sipas Dades Gjinishi duhet të lerë mënjanë fenë e tij (të paktën një pjesë të saj) dhe të harrojë bindjet e veta, për të qenë në përputhje me atë që ajo mendon se është detyra e një diplomati. Shyqyr Zotit që shteti nuk është edhe i de-racizuar sepse, në rastin e ndonjë kandidati me ngjyrë, Dade do t’i kërkonte mënjanimin e ngjyrës për të qenë ambasador.

Vendin e dytë e zë Nënkryetari i Parlamentit Ilir Meta, për shpirtmadhësinë e jashtëzakonshme që po tregon në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, duke falur të gjithë armiqtë e tij, megjithë fjalët e thëna në adresë të tij, e me gjithë faktin që u ngritën me huj, gurë e zjarr, të shkatërronin shtetin vetëm nga indinjata kundër tij. Sidoqoftë,  gjatë një bisede të gjatë në Opinion Meta nuk gjen asnjë fjalë reaguese ndaj gjithë kësaj urrejtjeje kundër tij, por përkundrazi, dënon ashpër reagimin e atëhershëm të shtetit ndaj protestuesve. “Vrasja e katër njerëzve në 21 janar është e pafalshme dhe e dënueshme, aq me teper kur ata nuk kanë qenë duke sulmuar” – u shpreh ai. Madje të tillë pacifizëm shfaq edhe ndaj njeriut që orkestroi të gjithë protestën e dhunshme kundër tij, Edi Ramës. Pyetjes së Fevziut se “a mendoni se ka gisht Rama ne manipulimin e videos suaj me z. Prifti?”, Meta iu përgjigj se “kjo nuk është një çështje që më preokupon, e rëndësishme është të mos krijojmë konflikte të kota”. Duket se ka bërë një kapërcim pindarik marramendës drejt një gandizmi të skajshëm, ndryshe nga dy vjet më parë kur gjuha e tij ishte krejt tjetër, mbase nga efekti i dietës e cila e ka përafruar me Gandin: në fakt ka ndryshuar tërësisht edhe tonin e zërit; vizionet gjithashtu i ka mesianike, nga tregtimi i ëndrrës evropiane; këngë (lutje-lavde) i këndohen; militantët-ithtarë i shpërblen me parajsën e administratës (tonë) publike.

Ndërkohë, kryetari ka shpjeguar edhe misterin e bllokut, emblema e protestës së 21 janarit: “Dorëzo Bllokun”. Pyetjes së ardhur nga facebooku nëse e ka ende atë bllok, Meta iu përgjigj se “çdo intelektual sot e mban një bllok me vete”! Me këto ritme rrugëton i sigurt drej lavdisë hyjnore, por ka vetëm një problem: më shumë se me Krishtin, si pasojë e karrierës – natyrisht të përceptuar se defteri i videos u shpall film vizatimor – afrohet me dy bashkëvujatësit e tij në momentet e fundit.

Në vendin e parë ndrit ylli i ministrit Saimir Tahiri. Së fundmi u shpreh se problemi i Lazaratit do të zgjidhet fillimisht duke ndërgjegjësuar vetë banorët që të mos e mbjellin bimën famëkeqe. Ndër të tjera, ministri kujdeset që kjo çështje, fillimisht të mos prishë imazhin e këtij fshati dhe të mos i japë atij një nam të keq. Me sa duket këto 10-15 vjetët e fundit ka filluar të cënohet emri i mirë i fshatit nga disa raste sporadike të kultivimit të hashashit, por ministri angazhohet që kjo të mos ndodhë. Gjithçka bëhet në mirëkuptim të plotë midis banorëve dhe shtetit dhe kjo do të thotë se shteti ka autoritet t’u mbushë mendjen banorëve të heqin dorë, se problem i shqiptarëve është imazhi i Lazaratit e jo shteti që nuk kontrollon dot territorin e tij, aq më tepër se shtetarët e sotëm kanë ardhur në pushtet me euforinë e rilindjes së rendit. Mbase gjetjen e ka në dorë lideri nga Skrapari, qe mund ta shndërrojë hashashin në bimë rakie? Me raki e kemi të sigurt edhe gjetjen e rrënjëve evropiane.

Comments

  • ndërsa është shkelje e rëndë e laicitetit të thuash ato që ka thënë gjinishi, shteti ynë laik nuk cënohet fare, për shembull, nga aktiviteti i dendur kriminal i treçerekut të anëtarëve të partisë së Blushit. Laicitetit ia merr të keqen aktiviteti kriminal i disa prej mafiozëve më të mëdhenj të ballkanit, si Tom Doshi, Paulin Sterkaj, Gramoz Ruçi, vetëm për të përmendur disa. Nuk ka pastaj asnjë paradoks tek fakti që çelësat e shtetit tonë laik i ka të varura në qafë një pionier i laicitetit si Lir Meta me shoqërinë aksionere LSI dhe shareholders-at e saj në gjithë republikën e më gjerë. Bar do hamë, vetëm laicitetin mos na e prekni aman…

  • Dhe të kuptohemi drejt, laiciteti ka qenë në duar të sigurta këto tetë vjet, me në krye aleksandrin e madh të tolerancës fetare, SH.T.Z. Berisha. I kanë marrë të keqen laicitetit ato 2-300 milion eurot e vjedhura te rruga e kombit laik. Si dhe, mund të betohemi për kokë të plakës që edhe të vrarët edhe vrasësit e 21 janarit kanë qenë të gjithë pro laicitetit dhe laikë të bindur. Nuk kemi prova për demontuesit dhe të vrarët e Gërdecit, po 5 lek po të kisha do vija bast që edhe ata që vdiqën, edhe ata që i çuan për të vdekur, edhe ata që akuzohen e nuk u dënuan në gjyq, edhe gjyqtarët dhe avokatit, kanë qenë të gjithë laikë dhe laicistë. Urra për laikun e madh Fatmir Mediu! Mos u gënjeni nga posterat në autostradë. Edhe Mediu thellë në zemër është laik. Si dhe, të na rrojnë gjithë kriminelët e sigurimit dhe nënstrukturave të tij, që mund të kenë qenë vrasës, torturues, spiunë etj, po ishin të gjithë laikë, kokë më kokë. Laiciteti është mbi të gjitha. Më i rëndësishëm se drejtësia, njerzillëku e të gjitha me radhë. Vetëm një gjë ia kalon laicitetit: integrimi evropian. Rroftë integrimi evropian!

  • Ore, po tani do e legalizojne hashashin keshtu qe Lazarati sdo kete probleme. Po mbi te gjithe freshistet ne orgjite e tyre nuk do ta quajne me me nofken: te pime caj jeshil! Por do i thone sic e ka edhe emrin….

  • Qeveria me siguri ka ne plan te ndjeke idene e Partise se Forte qe hashashi te lejohet e madje te stimulohet per t’u perhapur sa me shume, sepse keshtu populli do jete i lumtur e mbi te gjitha, nuk do ta caje koken per punet e qeverise.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *