Rojtarët e laicitetit





ben-blushi_1Loela Xhafa

Përpara dy vitesh Komisioni i atëhershëm i Arsimit, i kryesuar nga znj. Valentina Leskaj, kishte thirrur përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend për të dhënë mendimin e tyre rreth futjes së mësimit fetar në shkolla. Nga ekrani televiziv dëgjuam vetëm kundërshtimin e menjëhershëm të zonjës Leskaj për çështjen në fjalë, dukë mëtuar se mbronte një kategori moshe të paaftë për të marrë vendime autonome, ndonëse nuk dihej se nga çfarë e mbronte. Pas dy vjetësh Komisioni i Arsimit i ndërroi fytyrat e përfaqësimit dhe meqenëse do të “rilindnim”, kujtuam se fytyrat e vjetra, ose xhaketat e vjetra, siç me të drejtë i ka quajtur kryesocialisti kryeministër, z.Rama, do të zëvendësoheshin; por jo,  na u shfaqën në një tjetër komision, atë të jashtëm, të rilindur si s’ka më nga zgjedhjet e 23 qershorit.

Kësaj rradhe çështja ishte tek emërimi i z. Ermir Gjinishi si ambasador i Shqipërisë në Arabinë Saudite. Këtu nuk kishim të bënim me ndonjë grupmoshë për t’u mbrojtur, por çështja ishte shumë më serioze. Emërimi i z. Gjinishi si ambasador rrezikuakësh laicitetin e shtetit, siç u shpreh z. Ben Blushi. Aq shumë e kishte rrezikuar z. Gjinishi laicitetin sa kishte kërkuar atë që s’mund të kërkohej, “futjen e ferexhesë në arsimin shqiptar”. Madje znj. Arta Dade ka shkuar më tej, duke i kërkuar  z. Gjinishi shkëputjen e fesë nga vetja me rastin e detyrës së re. Të këtillë mbrojtje të laicitetit e dëgjon vetëm nga këto anët tona! Nuk e dimë nëse duhet të sqarojmë znj. Dade se laicitet nuk është baraz me ateizëm dhe se të besosh në Zot nuk të pengon fare të kryesh detyrat shtetërore, siç nuk pengon, fjala vjen, Presidentin e Gjermanisë Gauck të ushtrojë me sukses detyrën e tij, edhe pse ka studiuar për teologji dhe e ka ushtruar teologjinë. Nëse ka ndonjë pengesë tjetër në terren konspirativ këtu nuk e ndihmojmë dot, meqenëse jetojmë në një vend ku feja islame është akoma e ligjshme.

Ndërsa z. Blushi mund të jetë hutuar kaq shumë nga rilindja saqë, si njeri i kultivuar, sidomos në çështjet e fesë islame (kujtoni librin e tij “Të jetosh në ishull”), e ka harruar se i gjithë komuniteti i besimtarëve muslimanë, e sigurisht dhe z. Gjinishi, nuk kanë kërkuar “futjen e ferexhesë në arsimin shqiptar”, por zbatimin e Kushtetutës në lidhje me të drejtën e ushtrimit dhe praktikimit të fesë të besimtarëve muslimanë. Konkretisht, të drejtën e besimtareve femra. Sidomos në kushtet kur qeveria e re e dalë nga partia e z.Blushi po ngjirret nëpër televizione për përdëllimin që ka në lidhje me ndihmën në arsimim, punësim, mosdhunimin fizik apo psikologjik të grave e vajzave, “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. E kotë të shtojmë këtu se ky togfjalëshi i fundit na ndjell kujtime shumë të hidhura.

Sa për parimet e laicitetit që z. Blushi i mvesh z.Gjinishi, ai duhet ta dijë gjithashtu se, pavarësisht librit të tij, shqiptarët janë shkëputur nga ishulli komunist që në vitin 1990, për të kuptuar se si e zbatojnë dhe c’kuptojnë me laicitet vendet perëndimore, ku po kërkojmë dëshpërimisht të hyjmë. Madje një diskutim i tillë duket cinik, kur ke parasysh se në praktikë shkelen parimet e laicitetit në cdo instancë, institucion e administratë shtetërore, por kjo nuk shqetëson askënd. Përkundrazi, marshojnë të patrazuar në çdo tekst shkollor të çdo niveli.

Do t’i luteshim zotërinjve të maxhorancës të marrin mundimin e madh dhe të denoncojnë çdo shkelje të laicitetit në shkolla apo institucione të tjera, si për të na demostruar realisht seriozitetin me të cilin i qasen kësaj çështjeje kaq jetike dhe madhore për fatet e vendit tonë.

Po ashtu do të kisha edhe një lutje tjetër jo vetëm për z.Blushi, por edhe për komisionarë të tjerë, që të bëjnë kujdes me termat. Se, fjala vjen, ferexhe është një fjalë kaq e vjetëruar, saqë nuk përputhet me asnjë realitet dhe, mbi të gjitha, në këto kohë kur kërkohet pastrimi i gjuhës shqipe nga barbarizmat e çdo lloji, le ta bëjnë të parët duke e zëvendësuar me: shami. Aq më tepër që ferexheja dhe shamia nuk janë sinonime dhe z. Gjinishi pati folur në mënyrë specifike për shaminë, por tek ne sajimi është bërë sport kombëtar dhe institucional.

 

Comments

  • Promovimi i laicitetit (jo i ateizmit) ka të bëjë me natyrën neutrale të shtetit, Kushtetutës dhe ligjeve të një vendi, si dhe me ngritjen e një sistemi të veçantë dhe jodiskriminues vlerash. Laiciteti është një koncept që tregon mungesën e angazhimit fetar në çështjet e qeverisjes, si dhe mungesën e përfshirjes së qeverisë në çështjet fetare. Mirëpo në vendin tonë në emër të laicizmit të keqkuptuar dhe të barazuar me ateizmin, ka ndodhur që nëpërmjet disa rregulloreve të shkollave (prevalon subjektivizmi i rregullores mbi Kushtetutën) të nisë një “kryqëzatë” antishkollim, duke përjashtuar anëtarët e besimit islam që të ushtrojnë të drejtën e arsimimit. Fundamentalizmi ateist (i vetëquajtur laik) me një gur ka goditur dy të drejta të individit që kanë të bëjnë me të drejtën e besimit dhe të edukimit, por këto veprime antikushtetuese janë justifikuar me “luftën laike” ndaj “ferexheve dhe të festeve” që do të na sjellë përparimin sipas oksidentit. Mohimi i të drejtës kushtetuese të edukimit dhe njëkohësisht përdhosja e së të drejtës së besimit me pretekstin se disa vajza janë veshur “më shumë seç duhet” për të përmbushur kriterin e laicitetit është i turpshëm dhe qesharak. Për fat të keq në këtë grackë intolerance me ose pa dashje kanë rënë shpesh edhe individë “të rëndësishëm” dhe më të drejta “më të barabarta” se të tjerët. Së fundmi, z.Blushi, i cili ka edhe guximin të sulmojë ata që nuk ndajnë të njëjtin mendim me të, ka nxjerrë një pretendim të çuditshëm mbi emërimin e një ambasadori (emërim që nuk na intereson aspak). Blushi e legjitimoi qëndrimin e tij kundër emërimit të z. Ermir Gjinishi, si ambasador i Shqipërisë në Arabinë Saudite, pasi ai nuk mund të toleronte qëndrimin e këtij të fundit pro “ferexheve” në arsimin publik. Në një kohë kur për vende si Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Anglia “ferexheja” nuk lë askënd jashtë dyerve të shkollave publike, as profesorët dhe as studentët dhe ky rregull nuk rrezikon “islamizimin” apo “fetarizimin” e shkollave publike, në Shqipëri kjo e drejtë e individit është e papranueshme për inkuizicionin modern “laik”. Për ironi të fatit, në Shqipërinë me shumicë myslimane (referuar censusit të fundit) “laiciteti” i shtetit të bën gjëmën, të lë pa shkollë. A ka gjë më të dhunshme se ky qëndrim? Na rroftë bashkëjetesa fetare! Në kuadër të pretekstit të pretenduar kundër emërimit dua të sjell në vëmendjen e Blushit se pjesëmarrja në Parlament e patriotit të madh, Fan Stilian Noli, (prift ortodoks) dhe më pas qëndrimi në krye të qeverisë së një vendi të vogël me shumicë myslimane, jo vetëm që nuk ka rrezikuar laicitetin e shtetit shqiptar por ka qenë, në këndvështrimin tim, pjesëmarrja në politikë më e vlefshme në historinë e Shqipërisë. Fatkeqësia e kombit tonë është se nuk kemi më politikanë të kalibrit të atij kolosi të letrave dhe të politikës, patriot dhe rilindës i vërtetë, i cili mund të “cenonte” laicitetin e shtetit tonë, sipas mendimit të tipit “Blushi” dhe të inkuizicionit laik

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *