Një shoqëri drejt çmendurisë





E. MërtiriSkene_krimi

Ende pa u larguar atmosfera e vitit të ri, një breshëri krimesh nga më monstruozet mbushën rubrikat informative. Duket se realiteti vazhdon të godasë hidhur jetët tona me ritmin e vet moskokëçarës, në pavarësi nga eventet shoqërore. Plumbi i gazetave i nxiu faqet e para me kronikë të zezë, e cila raportonte për dhjetëra të vrarë, shumica prej të cilëve në rrethana dramatike, deri në çmenduri. Ndoshta boshatisja e vëmendjes nga politika në ditët e para të vitit nxjerr më shumë në pah realitetin e vërtetë, ose ndoshta është çmenduria festive që ka rritur gjaknxehtësinë tonë mesdhetare, duke na intensifikuar instiktet vrasëse. Gjithsesi, mund të vërejmë, jo vetëm rritje të kriminalitetit nga viti në vit, por edhe krijimin e precendentëve për kalimin drejt formave me natyrë sociale e psikologjike të krimit. Kriminaliteti po fillon gjithnjë e më shumë të marrë natyrë psikologjike, duke shkuar drejt monstruozitetit e krimit depresiv.

Brenda dhjetë ditëve të para të vitit, një djalë vret xhaxhain, një tjetër babanë, një nënë rrihet brutalisht nga i biri dhe i shoqi për pak minuta vonesë nga puna, ndërsa në shenjë çnderimi i qethin flokët, një i çmendur zbraz një karikator automatiku mbi të dashurën dhe të shoqin e saj, si dhe dy të afërm të tyre – burrë e grua – në sy të fëmijëve, një vajzë 13 vjeçare denoncon të atin, se e ka përdhunuar duke e kërcënuar me thikë buke, ndërsa në Bulqizë gjendet trupi i pa jetë i një foshnjeje të braktisur… Të gjitha këto pa llogaritur marshin monoton të vrasjeve «normale» të përditshme të krimit ordiner për motive të dobëta, hakmarrjeje, borxhesh, femrash apo banditizmi.

Jetojmë në një shoqëri të çmendur, që e ka humbur fillin. Krimi ka filluar të sofistikohet e natyralizohet brenda nesh duke evoluar tashmë drejt formave gjithnjë e më psikopatike. Gjatë vitit që kaloi dëgjuam për krime brenda familjes me mjete nga më makabret, prerje koke, goditje me sëpatë, vrasje me gur, gjymtim të viktimës, etj. Krimi është bërë epsh, duke u strehuar tek kafsha që fshihet në thellësi të qenies sonë. Në një shoqëri depresive, të zhveshur nga vlerat dhe të rënduar nga problemet, duket se krimi po shndërrohet gradualisht në pjesë qenësore të portretit tonë. Kjo do të thotë se, në këto kushte, jemi të gjithë të shpërfytyruar dhe potencialisht vrasës. Nëse shumë prej nesh nuk i kanë lyer ende duart dhe nuk e kanë konsumuar ende instiktin që shoqëria e kultivon masivisht, kjo vjen se duhet të kenë një karakter të fortë, në mos për shkak të mungesës së rrethanave të duhura. Në gjendje «normale» agresiviteti është bërë tipar i natyrshëm i sjelljes sonë.

Potencialisht kriminelë

Teksa apertura kronikale e këtij viti përskuqet nga dramaticiteti i jetës së përditshme, preludi i vitit të kaluar na solli një histori që përsëritet herë pas here tek të rinjtë shqiptarë, madje kësaj rradhe në «vatrën e dijes dhe edukimit», siç presupozohet teorikisht të jetë shkolla. Një zënkë banale midis dy adoleshentëve, e nisur nga një fyerje, u përshkallëzua deri sa u kthye në një tragjedi, ku njëri prej tyre zbraz mbi tjetrin një breshëri automatiku në mënyrë spektakolare, në mes të shkollës. Të gjithë të njohurit e adoleshentit u shprehën të habitur për ngjarjen, të cilën nuk e prisnin prej autorit. Siç u tha prej tyre, ai kish qenë, veç të tjerash, një nxënës i mirë dhe përgjithësisht korrekt, ndërsa rridhte gjithashtu nga një familje e mirë. Por kjo nuk do të thotë asgjë. Shoqëria ku jetojmë nuk imunizon askënd për të qenë subjekt i krimit. Jetojmë të rrethuar nga agresiviteti dhe në këto kushte, ndjeshmëria, kthjelltësia, racionaliteti, nuk mund të mbahen lehtësisht në ekuilibër.Pearl_Jam,_Jeremy

Problemi qëndron tek pyetja se kush shqetësohet për këtë? Në realitet askush nuk duket t’i marrë seriozisht problemet. Të gjithë janë të zënë me hesapet e tyre dhe nuk shohim asnjë organizim serioz për të bërë ekzaminimet e duhura. Aktivitete, nisma qeveritare, retorikë shoqatash, konsumohen herë-herë, sa për të justifikuar praninë e secilit në detyrë, por askujt nuk duket se i plas për çfarë ndodh jashtë pragut të shtëpisë së tij.

E ndoshta pikërisht, edhe vetë kjo indiferencë, është pjesë e shkaqeve apo simptomave të kësaj socio e psiko-patologjikë kolektive që na ka mbërthyer, duke na bërë të natyralizohemi me problemet. Moderniteti e ka këtë problem, shkatërron mekanizmat mbrojtës të jetës sociale nëpërmjet individualizmit dhe vetmisë shoqërore. Vetëm se në Shqipëri, moderniteti ka vërshuar me një furi të papërmbajtshme, i shartuar edhe me mbetjet totalitare të 50 viteve komunizëm. Aspekti më vunerabël në këto kushte, ai që shkatërrohet i pari dhe i hap rrugën çdo sëmundjeje, është ndjeshmëria shoqërore. Duke mos ndjerë më pas dhembjen, askush nuk shkon tek mjeku. Sidoqoftë, e pranojmë apo jo, shoqëria ku jetojmë po merr gjithnjë e më shumë pamjen e një monstre që kafshon vazhdimisht vetveten.

Moderniteti vrasës

Probleme të tilla shfaqen edhe në vendet e zhvilluara. Sidomos në SHBA, ngjarjet me të rinj që rrëmbejnë  armën dhe i vërsulen shkollave duke vrarë këdo që i del përpara, janë shndërruar tashmë në fenomen. Psikologët dhe sociologët e shikojnë këtë si problem të edukimit, mungesën e kushteve normale gjatë rritjes… Në thelb të të gjithave qendron shkatërrimi i familjes, frenetizmi i jetës, ankthi dhe pasiguria e botës moderne, shoqëruar nga atomizimi shoqëror dhe vetmia e individit.

Modernizimi i jetës shoqërore në Shqipëri ka sjellë me vete edhe këto dukuri, aq më tepër kur shqiptarët e kanë përvetësuar perëndimizimin në variantin e tij më problematik, në imitimin dhe përvetësimin e manierave të botës së konsumit dhe fare pak në vlerat kulturore e zhvillimore. Shto këtu edhe zvetënimin e vlerave, defunksionalizimin e normave shoqërore tradicionale (pasojë e industrisë utopike të njeriut të ri të materializmit dialektik), dhe agresivitetin e një tranzicioni tepër të rënduar, shoqëria shqiptare duket shumë herë më e ekspozuar ndaj shpërthimeve të tilla.

Problemet sociale kanë qenë në qendër të vëmendjes së shqetësimeve perëndimore, të paktën që prej gjysmës së dytë të shekullit që kaloi. Studimet sociologjike u angazhuan në matjen, studimin, analizën dhe mbajtjen në kontroll të fenomeneve të tilla. Revolucioni social solli me vete erozion të jashtëzakonshëm të isntitucioneve themelore të shoqërisë. Studiuesit, mediat por edhe artistët kanë prodhuar një material të pasur të trajtimit të këtyre fenomeneve. Vrasësi më i madh i lumturisë së njerëzve sot në vendet e zhvilluara është mjedisi i pashëndetshëm psiko-social. Kjo duket drama më e rëndë e njeriut modern, i aftë të vëzhgojë e eksplorojë kozmosin, por i paaftë të mbajë në kontroll, fiqirin.

Jeremy_Pearl_JamNuk ka veshë për Jereminë

Në janar të vitit 1991 një djalë nga Teksasi, i quajtur Jeremy, kryen një akt spektakolar vetvrasjeje përpara klasës gjatë një ore mësimi. Shokët e shkollës e përshkruanin atë si një djalë të urtë e të qetë, por ja që befas ai shpërthen në një akt shokues. Djali vjen në shkollë me pak vonesë dhe mësuesja e dërgon të marrë nga zyra e shkollës një letër pranimi (sipas rregullave). Ai del nga klasa dhe rikthehet pas pak minutash me një revolver, afrohet krejt i qetë përpara dërrasës së zezë dhe, pasi i thotë mësueses se e kish sjellë atë që i kërkoi, vendos tytën e pistoletës në gojë duke tërhequr këmbëzën. Eshtë i kuptueshëm tmerri i përjetuar nga të pranishmit, por pikërisht kjo ishte dhe ajo çfarë viktima kërkonte. Akti i tij ishte një hakmarrje ndaj shokëve, të cilët mesa duket, nuk janë sjellë sipas pritshmërive të tij. Në fakt, ky akt tronditi shumë më tepër sesa shokët e tij të klasës: tronditi të gjithë Amerikën.

Ngjarja la mbresë tek Eddie Vedder, solist i grupit Pearl Jam, një nga grupet më të mira të muzikës grunge. Ai shkroi një këngë të titulluar «Jeremy», e cila përpiqet të bëhet jehona e zërit të djaloshit. Kënga synon të trondisë ndërgjegjen shoqërore përballë viktimizimit që i bën njeriut.

Në tekstin e këngës thuhet se femija u rrit pa vëmendjen dhe dashurinë e mjaftueshme të prindërve, dhe kjo e bëri atë të tërhiqet në vetvete, të krijojë botën e vet duke mbetur mosbesues ndaj mjedisit përreth. Autori ndjehet i shokuar nga gjesti i adoleshentit, një fëmije, «në dukje një dështak i padëmshëm», por që mundi të lëshonte një luan, duke e goditur befasisht. Refreni përsërit pa rreshtur të njëjtin varg: «Jeremy foli sot në klasë». Ai tregoi dramën që zjen në vetminë e shumë njerëzve, në dukje të qetë e të padëmshëm, por që vlon përbrenda duke rrezikuar të shpërthejë. Ai tregon se në fakt, dështaku i vërtetë është shoqëria, e paaftë të ndërtojë një mjedis të shëndetshëm.

Edhe ne kemi jeremitë tanë në këtë cep të botës, por zërin e tyre nuk e dëgjon askush. Kjo shoqëri nuk ka mekanizmat e duhur as të shqetësohet seriozisht për këto fenomene. Jeta këtu kushton shumë më lirë ndaj s’e çan njeri kokën për çfarë ndodh. Ajo është e tulatur në interesat e vockëla të njerëzve të vegjël që kollandrisin punët e këtij vendi. Edhe nëse do të kishim Pearl Jam-ët tanë askush nuk do t’ua vinte veshin. Populli do aheng dhe nuk e çan kokën për art që godet problematikën tonë. Jeremitë shqiptarë përcjellin vetëm kuriozitet kronikash dhe asnjë mesazh. Zëri i tyre nuk mbërrin dot deri në veshët e njerëzve të shurdhuar nga etja për pasuri, ndërsa krimi ka depërtuar lehtësisht në lëkurën tonë.

________________________________
Revista “Shenja”

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *