Ndreca, ambasador i urrejtjes fetare





ardian-ndrecaH. Omari

Këto ditë, ndërmjet frymëmarrjeve informative pas zhurmës së tritolit dhe krimit që kanë delegjitimuar propagandën e maxhorancës politike, mësuam disa debate interesante rreth kandidaturave për ambasadorë të Shqipërisë. Teksa emri i Ermir Gjinishit u lakua nga Ben Blushi si kandidaturë që shkel laicitetin, për shkak se është përpjekur të mbrojë liritë fetare, emri i Ardian Ndrecës i dha atmosferë diskutimeve, por në një prizëm tjetër. Kastriot Islami pohoi se Ndreca e ka quajtur Bujar Nishanin ‘ulok’, ndërsa Blushi shpalosi problemin e gjuhës standarde, duke qenë se Ndreca ka bërë karrierë me përdorimin e asaj që rrethi i tij e tregton për gegërishte. 

E ku tjetër veçse në Vatikan mund të kandidohej Ndreca? Atëherë kur të gjithë shqiptarët kalonin detin për një copë bukë, Ndreca e ndonjë tjetër katapultoheshin në universitetet e Vatikanit. Normalisht që Ndreca do të rikthehej, si investim, kuptohet, me integrimin në politikën e shtetit tonë laik: dhe investimi është serioz dhe largpamës, siç e dëshmoi zhurma dhe riciklimi i gjeneral Lleshit.  

Prej kohësh Ndreca “duhet” të ketë rënë në sytë e opozitës si kritik i Berishës, me cinizmin e tij, tipik i një personi që zjen nga revanshi dhe etja për pushtet tarafi fetar. Ai i qëndisi gradualisht Berishës poturet e orientalit islamik, i cili mbante peng integrimin tonë në rrënjët evropiane. Ishte mënyra më e mirë për të pështyrë në sahanin nga i cili rrethi i Ndrecës ka përfituar pushtet politik gjatë 23 viteve të pluralizmit: Berisha islamik është anestezia më e përshtatshme për të nënshkruar kontrata pushtetesh me ish-komunistët e ricikluar si PS & derivate. Për shembull, ai heshti përballë gjunjëzimit të Edi Ramës ndaj “orientalit”, “islamikut”, “neo-otomanit” (etiketat janë nga më të preferuarat e Ndrecës, kur ka shkrime për Berishën) Erdogan. 

Një idealist, siç shfaqet Ndreca në kritikën e tij publicistike, do ta kishte të pamundur të pajtohej me kontratë nga kjo kastë politike, nga pinjollët e komunizmit, aq të anatemuar nga kryeredaktori i Hylli i Dritës, nga oligarkitë ekonomike që po e shpien vendin drejt plutokracisë. Dhe lista e llumit politik mund të vazhdojë në pafundësi. Mirëpo rrethi i Ndrecës nuk interesohet për idealizëm partiak, e as për erozionin e shtetit shqiptar nga politika me të cilën profesori hyn në kompromis, sepse ideali i tij është llogorja fetare.  

Zelli me të cilin Ndreca mbron elementin katolik të kombit përballë heshtjes në drejtimet e tjera fetare, mllefi ndaj elementeve kulturore shqiptare me karakter oriental/osman/islam, raporti agresiv e maksimumi hipokrit me fenë e shumicës së shqiptarëve, konflikti me institucionet e shtetit shqiptar, ligjërimi plot urrejtje dhe denigrues ndaj mendimit ndryshe, madje edhe ndaj mendimit profesionist, tendenca për të monopolizuar fushat e opinionit publik si një mendësi totalitare, karakterizojnë shfaqjen publike të kandidatit për ambasador në Vatikan.

Si mundet të përfaqësojë shtetin shqiptar dhe çfarë dobie mund të sjellë një person që presidentin e republikës sonë e denigron në forma dhe drejtime të ndryshme? Ndreca e quante presidentin Nishani “nji ish-nënoficer që në vitin 1991 ishte tregue i gatshëm me mbrojtë me gjak bustin e Enver Hoxhës në ambjentet e shkollës “Skënderbej”, që duhej zëvendësuar me “nji njeri të palidhun si me kulisat e regjimit komunist”. Mbase është e vërtetë kjo bëmë e Nishanit të ri, por sot i Papërlyeri Ndreca propozohet për emërim nga ajo maxhorancë që risolli portretin e Enver Hoxhës në festat kombëtare, e cila ka brenda ish-ministra – dhe jo thjesht ish-oficerë – që kanë vrarë njerëz në protestat e 2 prillit në Shkodrën e Ndrecës.

Ndreca irritohej “me emnimin e pretendentit të fronit, i cili mban edhe titullin “princ” si këshilltar të Republikës”. Një apori, vërtetë. Mirëpo vetë kritiku është aporik në inkoherencën e vet. Ç’duhet të themi ne që ditën e lumturimit të Nënë Terezës e kemi shpallur festë zyrtare kombëtare, të një shteti laik? Po kur një denigrues i presidentit zgjidhet ambasador? Po kur një moralist kritikon presidentin për ish-komunist ndërsa vetë propozohet nga ish-komunistët dhe pret firmën për punësim nga ish-komunisti? Një republikan që indinjohet për princin ndërsa është kultivuar dhe merr rrogën në shtetin më teokratik dhe absolutist të botës moderne, në të cilin aspiron të jetë edhe ambasador, është apori me nota komike.

Për të ilustruar mënyrën se si Ndreca i gjykon situatat ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare nuk po shkoj larg. Ndërtimin e katedrales në Prishtinë e justifikon me pretendimin: “A u harrue përkrahja politike dhe ushtarake që pati ky popull e fakti se vetëm falë kësaj përkrahje sot Kosova po shkon drejt pamvarsisë!”. Grushtin ushtarak në Egjipt, qindra viktimat, shkeljen e votës së lirë, e parimeve të demokracisë, i vlerëson përmes fjalisë: “para pak ditësh forcat e armatosuna egjiptiane, që janë nji ndër pjesët ma të emancipueme të atij shteti e arrestuen Morsin dhe po përpiqen me e çue vendin drejt zgjedhjesh të reja demokratike”. Kjo sepse shqetësimi i Ndrecës janë kisha, shamia në Kosovë dhe Maqedoni, feja në tërësi, në të funksion të së cilës ai vendos kombin, shtetin dhe bashkësinë qytetare.

Këtu dalim tek misioni i investimit Ndreca. Për arabishten, si pjesë e liturgjisë islame, Ndreca mendon se është rrezik kombëtar: “vetë lutjet në arabisht janë tregues i nji unjisimi shpirtnor me nji botë që gjithnji e ma tepër po shkatrron indin e shqiptarizmës”. Megjithëse me këto lutje, një turmë masive dhe e pashkolluar arriti përsëri ta ruante gjuhën shqipe nëpër shekuj.  

Gjuha arabe e ezanit merr të njëjtin përjashtim: “asht vështirë me besue se ndokush mund ta kuptojë atë gjuhë”. Kuptohet se ezani duhet të përhapet në shqip ose në latinishten e Ndrecës, e pse jo, të mos përhapet fare: “ma tej xhamia me minare të bardhë prej ku qysh në nadje heret nis ajo që shkrimtari Paolo Rumiz e ka quejtë “lufta akustike” e Ballkanit. Ushtria e decibelëve me uniformë arabe çan ajrin e randë ende pa lind drita”. Bindja e Ndrecës është se vetëm kisha katolike dhe katolicizmi mbrojnë kombin shqiptar: “Prania e Kishës katolike qe themelore përgjatë shekujve për mos me lejue as sllavizimin dhe as turqizimin e asaj treve [zona e Tuzit], tue u ba kështu faktor në ruejtjen e përkatsisë etnike e fetare. Sidomos françeskanët nuk i lanë asnji çast vetëm malsorët e veriut të Shqipnisë, tue ua zbutë zemrat dhe tue mbajtë të gjallë frymën kombtare”.

Mendimi i tij për fenë islame është se ajo prodhoi komunizmin shqiptar, ndryshe nuk shpjegohet dhuna e këtij hibridi komunist ndaj klerit katolik. Do të thotë se Islami është motori i persekutimit komunist sepse është në vetvete anti-katolik: “che il comunismo albanese sia stato di matrice islamica lo dimostra l’accanimento speciale nei confronti della Chiesa cattolica e dei suoi membri”.

A mundet një person i tillë të përfaqësojë të gjithë shqiptarët? Vërtet shkon në Vatikan, por përfaqëson shtetin tonë dhe ne si qytetarë. Më shumë se shkelje e laicitetit si rezultat i avokatisë së pakursyer ndaj Kishës, siç do të vërente një Blush vërtet i merakosur nga ruajtja e laicitetit, kandidatura e Ndrecës është ofendim për myslimanët shqiptarë, për shkak të njëanshmërisë së theksuar, konfliktit me fenë e shumicës së qytetarëve, nëpërkëmbjes së parimeve laike të shtetit shqiptar, gjuhës së urrejtjes, mllefit shekullor që gjarpëron në mendje të këtij soji. Por vjen si ofendim edhe për etikën civile, sepse një Ndrecë ambasador është tregues i dështimit të frymës laike në këtë vend, i mundësisë së çdo lloj ligjërimi agresiv për t’u veshur me pushtet shtetëror. Pastaj kërkojmë fajtorët tek degjenerimi i shoqërisë shqiptare drejt agresivitetit. Kur urrejtja shpërblehet me shërbime diplomatike, tritoli duket fishekzjarr.

Sidoqoftë, me ose pa Ndrecën ambasador, ligjërimi politik i katolicizmit në Shqipëri nuk duhet të ankohet për mospërfaqësim, nëpërkëmbje e sajesa të ngjashme. Ashtu siç nuk ka, përherë e më shumë, asnjë justifikim miti i anti-komunizmit të rrethit të kandidatit Ndreca. Thjesht ka qenë dhe mbetet çështje interesash: në momentin që ato përmbushen, firmoset kontrata e bashkëpunimit dhe derri bëhet dajë. Për ironi, Ndrecën e ndan nga posti vetëm firma e atij që ai me patos e cilësonte si personi i cili në krye të Republikës lëngon i trumhasun prej ngjarjeve të fundit, figura ma kote që ka ba ndonjiherë hije n’atë vend: Bujar Nishani […], njeri pa merita dhe pa cilsina të veçanta”. Ai pra që akoma “nuk ka ba publike kartelën e tij mjeksore, tue i msheh shqiptarëve entitetin dhe llojin e problemeve fizike që ka”.

Comments

  • Shpresoj ky shkrim te lexohet nga Presidenti Nishani dhe vendim-marresit e tjere sepse perfaqeson nje objeksion shume me vend ndaj kandidatures se Ndreces si ambasador.

  • Ftoj lexuesit te kontaktojne ndihmesit e Presidentit Nishani, z. Ilir Marleka (imarleka@president.al)dhe z. Leonard Kastrati (lkastrati@president.al) e te shprehin kundershtimin rreth kandidimit te z. Ndreca si ambasador i yni ne Vatikan, apo kudo qofte.
    Ose nese dikush mund ta gjeje adresen direkte te Nishanit le ta nise ketu.

  • E-zani eshte i vetmi medium qe ofroi qasjen e duhur pse Ndreca nuk mund te perfaqesoje shtetin shqiptar ne nje mision diplomatik. Diskutuesit ne komisionin parlamentar u moren me gjera pa pike rendesie. Fatkeqesisht Ben Blushi, edhe kur eshte ne anen e duhur, eshte per arsye te gabuara. Objeksionet e tij ndaj Ndreces ishin qesharake: nuk mund te behet ambasador sepse shkruan ne gegenisht. Nuk do te kishte ndonje ndryshim te madh sikur ti kish thene se nuk i pelqen modeli i flokeve te tij.
    Kurse Ezani eshte i vetmi qe ka rrokur thelbin e vertete te problemit. Ndreca eshte nje militant fetar agresiv, qe promovon gjuhen e urrejtjes dhe konlfiktualitetit. Kaq eshte e mjaftueshme per te mos perfaqesuar shtetin shqiptar ne asnje mision.

  • Nje shkrim per t’u pershendetur e vleresuar si ne kohe ashtu edhe ne hapesire. Ne kohen e duhur, pasi sapo eshte bere publike nisma kryeministrore per te ndertuar nje muze nderfetar, te tolerances dhe mirekuptimit. Mos valle prof.Ndrecen e ka ne vendin e hudhres se muzeut?

    A.Ndreca eshte sak sic e deshmon H.Omari: Ambasadori i urrejtjes fetare.

    II- E ja qe nuk mjaftohet me kaq kaloresi me kam(b)ë kibernetike, A.Ndreca Ai rezulton edhe anti-Pape.

    Ja se si shprehet Papa aktual:“Dashamiresia ndaj besimtareve te vertete te Islamit duhet te na bejne te shmangim pergjithesimet urrejtese, ngaqe Islami i vertete dhe interpretimi I duhur i Kuranit i kundervihen çdo lloj dhune”.

    http://www.huffingtonpost.es/2013/11/26/papa-iglesia-aduana_n_4342652.html

    III- Madje prof.Ndreca rezulton edhe anti-Krisht sipas kendveshtrimit te te krishtereve. Ja se si shprehet Papa Francisko per kete takem doganieresh:

    “Objekti i kultit nuk eshte dogane…shpesh famullitarët sillen si ‘kontrolloret e fese’ dhe jo si ‘lehtesues’ te saj. Jezusi krijoi shtate sakramentet dhe me kete lloj qendrimi, krijohet nje i tetë: sakramenti i doganes pastorale!”

    http://www.telesurtv.net/articulos/2013/05/25/papa-francisco-llamo-a-la-iglesia-a-tener-sus-puertas-abiertas-6139.html

    Ndoshta zotnise Ndreca do t’i shkonte per shtat qe italishtja e kreut te krishtereve te mos kumbonte keshtu:

    “Specialmente tra cristiani e musulmani, siamo chiamati a rispettare la religione dell’altro, i suoi insegnamenti, simboli e valori”…

    http://www.tradizione.biz/cattolicesimo/303-lettera-aperta-a-papa-francesco-sul-suo-messaggio-ai-musulmani-per-la-fine-del-ramadan

    Keisoj, z.Ndreca i ‘sakramentit te tete’ bie ndesh me nismen kryeministrore, bie ndesh me Papen, bie ndesh me Jezusin….pa permendur edhe cinizmin e tij jonjerezor: “ulokun president”.

    C’duhet valle me tej per nje ambasador ne tentative?!!

    Edhe nje here pergezime per shkrimin me gjuhe te kulluar dhe te drejtpeshuar te H.Omarit.

  • Ne Itali Kisha dhe strukturat paralele kane nje fjalor te admirueshem persa i takon respektit fetar te ndersjelle, te vlerave njerezore si elemente bashkuese dhe shqetesuese per te gjithe. Eshte rezultat i nje reflektimi te gjate dhe shumedimensional.

    Ne trevat shqiptare çdo bashkesi raportohet me tjetrin pa e mposhtuar dot agresivitetin dhe ndjenjen e superioritetit. Feja eshte ndare nga politika dhe Kisha katolike ka pasur nje merite te veçante ne kete drejtim. Mirepo shpesh here ligjerimi i disa zerave te afert me te kete institucion, ku renditet Ndreca, nuk e kane konsoliduar ne praktike laicitetin dhe marredhenien kontraktuale me bashkesite e tjera fetare. Kategoria e Ndreces e shpreh anakronizmin permes tentatives se mohimit te kontributit te perbashket te bashkesive fetare ne sistemin e vlerave, kultures dhe forminin e shtetit dhe kombit shqiptar. Mekanizmi i tyre monopolizimi i identitetit shqiptar dhe perpjekja per te ndertuar kamare perfaqesimi politik dhe institucional nga maja e Olimpit. Ndryshe quhet vjedhje e identitetit dhe eshte nje menyre e maskuar per te shkelur laicitetin dhe harmonine.
    Akuzat e kategorise se Ndreces ndaj islamit dhe myslimaneve jane te renda. Arroganca, cinizmi, zhvleresimi, jane valvolat e shperthimit te nje agresiviteti te akumuluar ne kohe, qe eshte kthyer ne revansh.

    Per t’iu rikthyer ligjerimit te Papes aktual, ndjej keqardhje qe asnjeri nga kleriket apo laiket ne sherbim te fese, si puna e Ndreces, nuk distancohet prej ketyre metodave, qendrimeve, veprimeve dhe mendesive. Nuk eshte se ata nuk jane publike. Kjo me le te kuptoj se realiteti shqipar ne syte e Romes eshte nje geto gjysme-autonome ku lejohet ekzistenca e mllefit. Fundja Ndreca punon ne institucione kishtare prane dritareve te Papes aktual, e nuk duket aq i larget per t’u vezhguar. Por, fatkeqesisht aktiviteti i tij eshte pjese e nje standardi te dyfishte qe vjen nga larg, ashtu si gjuha e Ndreces (minos gjuhen standarde çdo dite, por e perdor kur ma do interesi), si kritika e tij (President “ulok”, por me puneson etj).

    Mua do te me pelqente qe ai te pranohej nga presidenti Nishani. Te pakten do te kemi nje shembull tjeter te dokumentuar te erozonit te atyre vlerave qe propagandon Ndreca. Dhe paradoksalisht do te ishte zhvleresimi me i mire per Ndrecen, sepse nuk ka baza teorike e morale per te mbeshtetur arrogancen. Ku? Si? Tani qe ish-komunistet e bene ambasador, si do t’i kritikoje isha-t e tjere? Nuk ka me tagrin e mbrojtesit te etikes. Ciles? Asaj fetare? Keto qenkan vlerat fetare? Te ciles pra? Te etikes qytetare? Aman, nese fjalori me sharje e urrejtje eshte qytetari dhe nese qytetari eshte t’i perulesh atij qe ke vjellur vrer per vite me radhe e qe e ke akuzuar per paaftesi, mashtrim, shkelje te ligjit etj, me mire te flasim per zogkurvizëm. E ketu Ndreca ka ardhur ne vendin e duhur.

    Si thote ajo shprehja: rruget e Zotit jane pambarim. Por ne me zogjte tane kemi sfiduar infinitin, le pastaj popujt e tjere. Ketu qendron fatkeqesia me e madhe e ketij vendi. Ne rastin konkret tek kategoria qe shitet per motor emancipues, mesianik dhe kombetar.

  • Nji shkrim kot, si thojme nga Shkodra” Futja p… e grij sallatë sa t’ kaloje edhe kjo nate. Shkrimi asht nji urrejtje fetare qe mundohet me u msheh permes fjaleve a shkrimeve qe prof. Ndreca ka ba per Presidentin, per Berishen, per kedo. Kur shkrimet jane realiste, s’ka inate. Realitetin duhet ta shohim ne sy. Ardian Ndreca asht nji intelektual bashkekohore, pa kurrfare urrejtjesh fetare, se rrjedh nga nji familje e shendoshe qytetare shkodrane. Vertete i lindun e rritun nen hijen e Pallatit te Sportit i kthyem ne vitet e komunizmit nga Kisha e Shen Shtjefnit, po jo inatcor. Ai vazhdoi me botue revisten ” HYLLI i Drites” organ i kulturor e fetar i Franceskaneve botue qysh 1933 me drejtor te madhin At Fishta. Perfaqeimi i Shqipnise nga Ardian Ndreca si ambasador, do t’ishte nji nder i madh jo vetem per katoliket qe i do, por edhe i kritikon neper shkrime te ndryshme, po edhe per myslimanet me te cilet i ka nda vec nji rrugice. Tane mellefi i ketij shkrimi asht se e ka patronimin “Ndreca”. Po s’iu dha e drejta ndrecave mirditore qe ruajten fe e Atdhe ne 500- vjet pushtim osman, Shqipnia ka me vazhdue me ruejt “statukuonë” qe ” … ashte nji fjale e huej,- shkruente Fishta,- qe do me thane me ndej n’ ujë”.

    • Ju nga Shkodra keni shume fjale te urta, me te cilet keni pershkruar shkelqyeshem me se pari veten. Nese ti konsideron urrejtje fetare shkrimin e mesiperm, ate e gjeti gati autori tek Ndreca vete.Ajo gjuhe e perdorur nga Ndreca ne shkrimet e tij nuk ngjan me urrejtje fetare por me terrorizem. Une te ftoj te bejme vetem nje prove: sikur epitetet e enjtura te NDreces- neotoman/oriental/islamik, t’i zevendesojme me kriptokatolik/agjent Vatikani dhe ne vend te Ndreces, te vinim mbiemer tjeter, me siguri do vershonte llumi dhe kakofonia e terroristeve islamike. Te gjithe e dime se Ndreca ka shkruar edhe me shume se kaq dhe i ka fyer polemistet si njeri i rendomte. A mos kujton se do t’i krehim bishtin, meqe qenka katolik dhe i ka mbushur mendjen vetes se eshte i persosur dhe nxjerr nga goja vec xhevahire? Tani une e kuptoj se ti dhe soji yt jeni mesuar te shani mbare e prape te tjeret dhe te mos e kini per gajle, gjithe duke na i shitur marrezirat dhe komplekset tuaja si dije te dores se pare, por kutponi se Hylli i Drites, ky i sotmk, s’ka mundur te ndricoje pertej lagjes dhe rrugices se NDreces, ne krahasim me Hyllin e Drites te meparshem. Te lutem, mos i ngaterro Ndrecen me At Fishten, se e qelb muhabetin fare. I keni varur spaletat e persekutimit dhe mundimit te te tjereve gjate regjimit komunist ne qafet tuaja, por atij regjimi ia keni mbajtur ison edhe sot 23 vjet demokraci ne lidhje me 500 vjetet e pushtimit osman dhe tani kercen si gjel se u trazua ujet e ndenjur te ligatines historike komuniste. Ato mundime qe kane hequr kleriket katolike, por jo vetem ata (kuptoje kete), jeni gati t’i falni, te mbyllni sy e veshe e te beni pazare si ky qe ben Ndreca dhe te tjere pas tij, vetem mos t’ju preket statukuoja ose ujet e pushtimit otoman.

  • Pikerisht, hapesiren e asaj rruices Ndreca nuk e ka mbushur kurre dhe as ka gjata t’ia arrije me keto mendesi. Ai vetem e kapercen me idene se ne anen tjeter ndodhet nje turme e huaj, inferiore, aksident historik, edhe pse “bashkeqytetare”.

    Ndreca ka shume kritika, siç i nenvizon ti, por ja qe po bie vete ne udji me ato te kritikuar, qe do te thote se nuk vlejne perpara interesit, qe jane thjesht hipokrizi. Thote qe presidenti eshte ish-komunist dhe per kete e vendos ne kryq. Pse, pozita e sotme nuk eshte pjelle e pinjolle e atij sistemi?

    Realiteti eshte ceshtje relative. Kur drejtesia e Enver Hoxhes i nxirrte armet nga ai Pallati i Sportit qe citove kjo nuk besohet si realitet, megjithese atehere ashtu paraqitej. Pjese e realitetit qenka edhe fajesimi i anes tjeter te rrugices si shkaktare e komunizmit dhe e masakrimit te klerit? Nese ky eshte realizem, normalisht qe nuk diskutojme dot. Do te thoja vetem dicka: nuk mund t’i faturosh nje komuniteti fetar fakteqesine e komunizmit ne nje kohe qe vete bshkepunon me ate pjelle, madje edhe pasi e ke kritikuar, pasi, minimumi, do te thote se nuk ishte fatkeqesi dhe, per rrjedhoje, e kritikueshme.

  • Po te ishte per inate fetare, autori do te kishte fol edhe kundra ambasadoreve te meparshem, por prej tyre nuk kemi degjuar qendrime te tilla si keto te ndreces. Ne qoftese ti Blin e ke rrokur thelbin e shkrimit, kredencialet intelektuale te Ndreces jane gje tjeter nga ato ideologjike. Shkrimi flet per qendrime armiqesore, percarese, antagoniste, fondamentaliste te kandidatit per ambasador. Kredencialet intelektuale te diplomatit qe mban qendrime te tilla vetem sa ia shtojne peshen mekatit.

  • Gjithsesi A.Ndreca me qarin doli, se ka per ta perdorur kete artikull kritik ne CV, si pjese te salvimeve te veta ‘per fe e atme’ nga turqit e patenzone. Po nuk u be Ndreca ambasador, ky artikull do behet prova e sigurte se Bujar Nishani eshte nen kontrollin e islamikeve! Keni per ta pare kete artikull te komentohet rrokje per rrokje, bile te perkthehet edhe ne gjuhen kroate, austriake etj.

    Por po te isha une si artikullshkruesi, do gezohesha qe A.Ndreca po shkon ne Vatikan, me shpresen se ndoshta po iken nga shoqeria e dyshimte me sigurimsa e gangstere e po behet katolik i mire atje.

    Duhet t’ia qajme hallin njeriut, se ndoshta me qellime te mira prozelitizmi i ndenji kaq vite afer nje kryespiuni si Fahri Balliu, ia lavdronte librat dhe forcen e mendimit intelektual, botonte tek ’55’ jave per jave, organizonte konferenca me fryme te shendoshe kishtare me Fahriun dhe ambasadorin italian, deri sa e beri papritur lanet Fahriun dhe shkoi tek Gramoz Ruci. Gjate viteve te bashkepunimit Fahriu u be pak me shume katolik, dhe prandaj Papa ia bekoi botimet 55, por me sa duket edhe Ndreca u ndikua pak nga Fahriu, prandaj edhe u afrua me Gramoz Rucin.

    Po te mos kishte ndenjur kaq gjate me shoqeri te keqe, a do kishte mundur dot A.Ndreca te perdorte fjalen ‘bij kurvash’ ne debatin e vet me Armir Tarajn? Po te kishte ndenjur me franceskanet pak me shume se me burgosesit e tyre, nuk besoj se do binte deri aty.

    • Per kujtese:

      “ore gdhë; ky individ asht i metë për nga trutë, pra nji idiot i ekzaltuem që nuk arrin me kuptue as edhe nji shkrim të thjesht; ky asht nji mashtrues, nji falsifikator i mirëfilltë që rrenën e ka kthye në ideal ende pa iu tha qumështi në buzë; i manipuluem dhe i përulun shpirtnisht përballë ish pushtuesve; edhe nji student me neurone të ngadalsueme; Studentit mashtrues do t’i kujtoja në mbyllje do rreshta të Faik Konicës:

      “Sa Shqiptarë janë të ndershëm, do të mbajnë të gjithë anën kombëtare. Ata që janë zuzarë, shpirtrobër e bij kurvash, le të mbajnë me anët e tjera” (Albania, 1901)”.

      Disa akademizma te personit me patronim Ndreca. E keto vetem ne nje shkrim.

      Autori e ka adet te flase me fjalet e te tjereve, prandaj perdor Konicen, sepse keshtu justifikohet kollaj: nuk e thash une, e tha ai, qe mund te jete edhe Hitleri. Normale pastaj qe Ndreca mund te justifikohet se ai e do myslimanin, thjesht nuk e duan ato qe ai perzgjedh per t’i cituar…
      Pra, sipas Konices se propozuar nga Ndreca, ky i fundit eshte i ndershem dhe mban anen kombeare, kurse nje mendim ndryshe, i artikuluar me etike dhe edukate, me shqetesimin e nje studenti ne diaspore, e ben autorin bir kurve, zuzar dhe te roberuar.

    • Ndoshta Fahriu i Zerit te Popullit do filloje te anohet dhe vete andej nga Gramoz Ruci po tani duhet kuptuar qeveria qe do te shperbleje Ndrecen, pjese e lojes qe terhoqi katoliket nga PD-ja e nje ish-sekretar partie te spitalit, ne aleance me partine socialiste qe festoi clirimin nazi-fashiste (keta te bekuar nga Fishta tek Hylli i Drites) me fotografite e Enver Hoxhes. Po jam teresisht dakort me Mustafen me siper, po te shkoj Ndreca ne Vatikan shoqeria e franceskaneve atje mund ta beje njeri me te mire e tek e fundit do i ndalohet zyrtarisht ndotja e faqeve te gazetave me llojin e urrejtjes fetare qe ilustron artikull.

      Sa per Nishanin, ja kane dhene alibine – po ta doje – celula labe e partise socialiste:

      http://gazetadita.al/perdorimi-i-gjuhes-zyrtare-eshte-detyrim-kushtetues/

      • Integristet katolike e kane ne xhep te djathten shqiptare ne teresi, puna eshte te shtojne aksionet dhe tek ‘e majta’. Shperndarja e njetrajtshme e tyre ne thuajse gjithe spektrin e partive te vendit po mundeson te normalizohen gjithe ideologjemat e tyre, nga ajo e supremacizmit katolik, rehabilitimit te kolaboracionisteve te fashizmit, shkaterrimit te gjuhes letrare. Pervec drejtimit nga oligarket, nje nga shenjat me simbolike qe tregojne mungesen e te majtes edhe ne PS eshte pikerisht aleanca e saj me grupet integriste katolike, perfaqesuar nga individe qe kane peshtyre publikisht luften antifashiste, progresizmin social e kulturor, ku kerkon te mbeshtetet nje PS e refromuar. Me aleancen me integristet katolike, PS e plotesoi deri ne fund rreshkitjen ne berluskonizem. Per PD ne te mos flasim, mjafton fakti qe ajo eshte padronia e dy gazetave zedhenese te supremacizmit katolik si 55 dhe Mapo.

        http://it.wikipedia.org/wiki/Comunione_e_Liberazione

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *