Tellallët e intolerancës





120725-494014-bigotry.blocks_desktop_largeBesnik Sinani*

Faqja Respublica ka sjellë një artikull nga një autor me emrin Arben Cokaj, që mer shkas nga ligji i miratuar kohët e fundit në Kosovë për ‘ndotjen akustike.’ Kush është i interesuar për autorin mund të vizitojë faqen e tij private ku ai njofton se ka studiuar në Tiranë shkencat e natyrës, ka gati për botim dy libra me poezi dhe një për përdorim kompjuterash, dhe administron degën evropiane të Shtëpisë Botuese Marinaj, gjë që të lë të mendosh se kjo shtëpi botuese do ketë  degë edhe në kontinente të tjera.

Në fakt nuk është e rëndësishme të merresh me autorin e këtij shkrimi, një emër jo i njohur analisti në shtypin vendas, përveç se të vësh në dukje mungesën e cfarëdo lloj kredenciali në formimin e tij apo karrierën profesionale për të folur në mënyrë të informuar mbi Islamin apo bashkësitë muslimane. Jo se është e nevojshme që kushdo autor i faqeve të opinionit në gazeta që shkruan në lidhje me Islamin, apo çfarëdo prezence në shoqëri, duhet të jetë njohës i tij, por autori merr përsipër të sqarojë për publikun elemente identifikuese apo formësuese të Islamit, kur, qartazi, ai nuk duket të dijë më shumë se lexuesi më pak i informuar.

Në anën tjetër, nevojitet të komentohet faqja që boton një shkrim të tillë – një faqe e njohur kjo në shtypin shqiptar. Faqja Respublica bëhet medium i një shkrimi që etiketon një fe të ligjshme dhe praktikuesit e saj me terma të tillë si: e paevoluar, imponuese, të rrezikshëm,  [mbartëse e një shëmbëlltyre] konfliktuale të prapambetjes dhe moszhvillimit, primitive, ‘mentaliteti islamik’ ‘është sfidë dhe ka efekt negativ mbi shoqërinë tonë’, i ka shpallur luftë ‘shtetit laik’ etj, etj.

Artikulli i botuar nga Respublica mbart dhe një sërë keqinformimesh të tjera. Për shembull, quan anti-demokratike (“shpall luftë”, thotë autori) deklarimet kundra një ligji të vendit, gjë kjo totalisht e pavërtetë sipas të gjitha standarteve të vendeve demokratike sot në botë. Në fakt, mosbindja civile, ku Kosova na ka dhënë shembuj të shumtë, është një nga veglat më të njohura demokratike e përdorur nga aktivistë që janë nderuar me çmimin Nobel për paqe. Të flasësh kundra ligjeve që i konsideron të padrejtë, është e mbrojtur nga liria e fjalës dhe madje është obligim qytetar. Të flasësh kundra martesave fetarisht të përziera është e mbrojtur nga liria e fjalës dhe bëhet rëndom në shumë vende të Perëndimit. Martesa mes kushurinjsh nuk është e njohur vetëm në ‘vende arabe dhe turke’ por edhe në vende të Perëndimit, si fjala vjen, SHBA. Martesat fetarisht të përziera janë çështje totalisht e ndarë nga martesat mes kushurinjsh. Lidhja e tyre në artikull përbën një lapsus logjik.  Feja islame nuk është ‘themeluar 1500-1600 vjet’ më parë dhe sipas të vetmeve burime të disponueshme tregimi që autori sjell mbi fillesën e ezanit është i pasaktë. Autori është përherë i mundur të sjellë se nga e ka përkthyer dialogun, i cili, sipas të gjitha gjasave, është bërë në gjuhën arabe.

Meqënëse teksti është sjellë në suazën e një diskutimi për ligjet dhe standartet demokratike, vlen të theksohet se paraqitja e një feje dhe një bashkësie fetare si e dhunshme, konfliktuale, e rrezikshme, e pa-evoluar etj, etj, etj. përbën nxitje të frikës, alarmit, paragjykimeve ndaj asaj feje dhe aderuesve të saj – gjë kjo e dënuar dhe demaskuar në dokumente themeltare të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, ku Islamofobia ose  nxitja e frikës ndaj Islamit, së bashku me forma të ndryshme të paragjykimeve etnike, racore apo seksuale, kategorizohet si ndër format më të ulta të paragjykimeve që duhet të turpërojë çdo shoqëri.

Gjuha emotive e këtij artikulli është, ndër të tjera, ajo që dallon gazetarinë dhe opinion-bërjen nga trakte propagandistike të nxitjes së urrejtjes,  dhe mediumet që e promovojnë, si Respublica në këtë rast, janë promovuesit e asaj që mund ta quanim fare mirë zell i verbër antifetar. Prezenca dhe promovimi i kësaj gjuhe – jo në skuta të ndotura interneti – po në atë që konsiderohet shtypi mainstream,  është ogur i keq jo vetëm për muslimanët. Një shoqëri që toleron intolerancën dhe paragjykimet ndaj një grupi apo bashkësie, përligj intolerancën dhe paragjykimet kundra kujtdo. Ky është rrezik i vërtetë për një demokraci.

*Autori është kontribues i vëllimit Applying Sharia in the West (2013) botuar nga Leiden University Press, Hollandë.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *