E-zaniFatos_Klosi

Fatos Klosi ka dhënë një intervistë në A1 Report ku ka folur mes të tjerash edhe mbi radikalizmin Islamik, si gjatë kohës kur ai ishte Kryetar i Shërbimit Informativ ashtu edhe mbi atë që ai e parashtron si realitet i sotëm i këtij fenomeni në Shqipëri. Z. Klosi ka ngritur shqetësimin se ka një shtim të grupeve radikale e madje edhe të elementëve me prirje drejt terrorizmit, duke e parë këtë si një kërcënim për sigurinë në vend:
«Terrorizmi është i paarsyeshëm. Ata janë rrezik për sigurinë, qoftë dhe pak, por dita-ditës po bëhen më shumë.»

Deklarata të tilla z. Klosi i ngre në tym, pa sqaruar aspak se ku dhe si është përhapur ky radikalizëm, çfarë predikon ai, çfarë natyre ka dhe çfarë rreziqesh konkrete pritet të sjellë. Madje në intervistën e tij nuk merret vesh se ku flitet për ekstremizëm e ku për radikalizëm, duke i përzjerë termat, të cilat në fakt, nuk janë pa zarar pasi, duke u thënë nga një njeri që ka drejtuar shërbimin informativ të këtij vendi, do të mjaftonin për të shkaktuar panik masivisht. Megjithëse vetë pohon në një moment se ka dallim midis radikalizmit dhe terrorizmit dhe se nuk i konsideron dot si terroristë djemtë që kanë studiuar në vende «problematike» si Sudani, Jemeni apo Siria, përsëri gjatë gjithë intervistës i këmben termat me njëri-tjetrin duke inkriminuar për pasojë njerëz konkretë, bartës të ideologjive që ai kritikon. Por edhe këtu ai është përsëri i paqartë:
«Në 1995-1996 në kuadër të shkollave u hapën disa medrese, nxënës të tyre u dërguan jashtë për shkollime fetare, por jo vetëm. Kryesisht në Sudan, Jemen, më pak në Siri, vende me probleme këto. Me kthimin e atyre djemeve nisën përplasjet. Ishte një grupimi  i madh tradicional, moderator se myslimanizmi turk ishte i moderuar dhe këta djem që na vinin nga lindja, me indoktrinim teorik dhe ushtarak, por nuk dua t’i vë emrin terrorist, por ishin të përgatitur ama që të realizonin qëllimet e tyre edhe me forcë.»

Pra kemi të bëjmë njerëz që nuk janë terroristë, por që janë «të përgatitur» për të realizuar qëllimet e tyre radikale me forcë! Nuk di se çfarë përkufizimesh ka z. Klosi për termat dhe mbi ç’pikëpamje i përkufizon fenomene të tillë, por në mënyrë shumë të dukshme, kjo mënyrë të shprehuri, ngre shumë mjegull, e për rrjedhojë edhe probleme.

Z. Klosi është një abuzues sistematik i postit që ka gëzuar dikur, duke u shfaqur vazhdimisht nëpër media me tagrin e njeriut që ka informacione të rezervuara, me të cilat shastis publikun duke ofruar informata që nuk kanë asnjë gjasë të vërtetohen apo të përgënjeshtrohen. Z. Klosi është i vetmi kryetar i shërbimit informativ në Shqipëri, ndoshta edhe në botë, që ka një profil të tillë publik, si politikan e si analist, duke e përdorur detyrën e dikrushme si kapital për të qenë në vëmendje të mediave.

Përtej përdorimit politik, duhet kuptuar se përfshirja e fesë në këto diskutime bëhet problematike. Deklarata të tilla, ku flitet se kemi një rritje të radikalizmit, e se midis nesh ka njerëz të përgatitur për të na imponuar me forcë ideologjinë e tyre, nuk i shërbejnë aspak klimës së solidaritetit shoqëror në vend, ndërsa mbjellja e frikërave të tilla, dëmton marrëdhëniet midis shoqërisë me komunitetet fetare. Gjithashtu përhapja e bindjeve të tilla se në Shqipëri ka një rrezik radikalizmi kërcënues, krijon ide negative për vendin në rrethet diplomatike, prej të cilave pritet edhe vendimi për statusin e vendit kandidat për në BE, aq më tepër kur, siç kanë pohuar krerë të së majtës (ku z. Klosi bën bjesë), ka pasur edhe arsye fetare në refuzimin që u bë në dhjetor. Si do të ndikojë në arenën ndërkombëtare krijimi i imazhit të një vendi që prodhon radikalizëm fetar dhe rrezik për terrorizëm?

Pohime të tilla i gjykojmë të papërgjegjshme, për më tepër të dala nga goja e ish-kryetarit të shërbimit informativ, si njeri të cilit i janë besuar çelësat e sigurisë kombëtare. Nëse shteti ka të dhëna mbi grupe radiakale që përbëjnë kërcënim për sigurinë, duhet të veprojë pa asnjë kompromis në përputhje me ligjet e vendit, dhe jo të ngrihen akuza të tilla publike në tym, të cilat i bëjnë njerëzit të shohin me dyshim e urrejtje grupe të caktuara e njerëz konkretë midis nesh që, megjithëse e mund të kenë mendime të tjera nga tonat, duam s’duam janë pjesë e kësaj shoqërie.

 

Comments

  • Une kam frike se deklarata te tilla shoku klosi i ben per te nderruar kryetarin e sherbimit informativ aktual, posti i te cilit eshte kthyer ne nje gjueti shtrigash sa here nderrohen qeverite .shoku klosi si partizan dhe ish ish sigurims i kohes se nomeklatures duhet te heqi dore nga perdorimi i akuzave per interesa politike.Meqe ai eshte anetar i ish partise komuniste shqiptare sot partia socialiste e cila manaxhon pushtetin ekzekutiv dhe parlamentar le te punojne me shume se sa te llapin.Le te luftojne krimin e organizuar dhe korrupsionin, trafiqet e droges e mos e perdorin Islamin si mjet per goditje politike sepse populli nuk e ha sapunin per djathe.

  • Ky ishte drejtues i sherbimit informativ kur u vra Azem Hajdari, kur klani i Haklajve sfidonte shtetin dhe kishte monopolizuar tregetine e armeve me UCK-ne, e shume e shume te tjera. Mirepo mburret se dorezoi dy “arab” tek nje regjim diktatorial si ai Mubarakut. Tamam partizan.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *