Express

A. Cara

Çdo grup shoqëror mbart diversitet brenda vetes dhe kjo bën që disa njerëz brenda tyre të jenë më radikalë se të tjerët. Nuk ka dyshim se çdo grup shoqëror ka edhe budallenjtë e vet, ka edhe injorantët e vet apo edhe të paaftët e vet. Në Shqipëri këta janë me shumicë dhe gjenden në çdo kategori sociale, grup shoqëror, parti, shoqatë apo komunitet fetar. Por, normalisht grupi nuk mund të përfaqësohet nga njerëzit e vet periferikë. Ai ka zërat e vet përfaqësues, ka njerëzit e vet më të mençur, ka drejtuesit e vet që menaxhojnë jetën e tij shoqërore si dhe që përfaqësojnë interesat e tij në raport me pjesë të tjera të shoqërisë.

Mirpo ka një grup shoqëror sot në Shqipëri e Kosovë që nuk përfaqësohet me drejtuesit e vet, por me njerëzit më periferikë dhe më jopërfaqësues të tij. Këta janë muslimanët.

Shohim çdo ditë nëpër media «bëma» nga më qesharaket, që i ofrohen publikut si shfaqje estrade e humori, e shpeshherë edhe si kërcënim për të përftuar urrejtje ndaj komunitetit më të madh fetar në vend. Lloj-lloj njerëzish të panjohur po bëhen VIP-a, pikërisht për shkak të këtyre mediave që po iu krijojnë të gjithë hapësirën e nevojshme mediatike që zëri i tyre të shkojë tek çdo qytetar, për t’i çuditur, indinjuar, frikësuar e gajasur, duke krijuar paragjykime, indinjatë e reagim kundër këtij komuniteti.

Gazeta Express po derdh të gjitha energjitë e saj në këtë ndërmarrje përçarëse me qëllim përftimin e urrejtjes dhe antagonizmit fetar në vend. Ajo ka intensifikuar motorët e kërkimit në mjediset më periferike të jetës fetare, duke na ekzpozuar çdo ditë njerëz të çuditshëm, radikalë, injorantë, diskursi i të cilëve rrotullohet në një botë fare të ngushtë, por që, falë Expressit dhe satelitëve të saj nëpër internet, kanë gjetur një audiencë mbarëkombëtare.

Shqiptarët kanë mësuar nëpërmjet Ekspresit lloj-lloj gjykimesh krejtësisht specifike, periferike, fare pa peshë dhe shpesh-herë të keqkuptuara dhe dekontekstualizuara, mbi çështje të ndryshme që paraqiten si pjesë e fesë. Nëpërmjet gazetës Express shqiptarët kanë parë se Islami na mësoka që, të gjitha gratë shqiptare sot qenkan kurva, se nuk ka problem me u martu me gocën e xhajës, se Nënë Tereza do të shkojë në ferr, se Skënderbeu paska qenë armik i Allahut, se jemi të obliguar të vrasim të gjithë qentë e zinj, se feja nuk na lejon të kemi një grua për presidente, etj. Së fundmi, mësuam nga kjo gazetë se qenka haram me qenë tifoz i Barcelonës apo Realit të Madridit, sepse kjo «sipas fesë» konsiderohet ndjekje e jobesimtarëve. Gazeta i referohet për këtë një gjykimi të transmetuar nga një hoxhë jutubi që kërkon t’i japë Islamit dixhital krenarinë për lavdinë e dikurshme të Spanjës muslimane.

Të gjitha këto, vijnë e marrin një pamje zyrtare dhe totalisht përfaqësuese, aq sa një kalemxhije «kurajoze», nga ato që gjenden me shumicë në atmosferën inkandeshente të antimuslimanizmit shqiptar, shkruante në një mesazh të botuar nga një tufë gazetash në Kosovë se, tashmë, shqiptarët po njohin me të vërtetë fenë e tyre, të cilën e kanë pranuar pa e njohur gjatë pushtimit osman dhe ata po habiten tashmë sesa e prapambetur dhe primitive qenka feja e tyre.

Çuditërisht zonja apo zonjusha në fjalë nuk habitet se si paska mundësi që një popull të jetojë 500 vjet pa e njohur fenë e tij, ndërkohë që kjo paska qenë e mundur kaq kollaj, vetëm me ndihmën e mediave të tilla krejtësisht joprofesionale si Express, Bota Sot, Koha Ditore dhe vargu i gjatë i letrave higjenike me gërma të zeza që transmetojnë çdo ditë lajme e çudira në Shqipëri e Kosovë?!

Pra, gazeta Express po u moson tashmë shqiptarëve sheriatin. Ajo po krijon protagonistët e duhur për llojin e sheriatit që i nevojitet të jetë mbizotëroues, për të gjetur mundësinë që të prodhojë urrejtjen fetare të synuar. Gazeta po i mbulon autoritetet e vërteta fetare në Kosovë me harresë, duke u dhënë zë vetëm ekstremistëve, radikalëve, injorantëve, të cilët prodhojnë imazhin që ajo dëshiron për Islamin, imazhin e një feje primitive, të prapambetur, qesharake. Ajo po ua vendos edhe xhemateve në vëmendje këta lloj imamësh, duke i shndërruar ata në protagonistë, e duke ia zbehur autoritetin institucioneve dhe individëve përfaqësues duke penguar projektet e tyre serioze mbi fenë dhe shoqërinë. Këtë veprimtari, e kemi cilësuar më parë si terrorizëm mediatik dhe janë pikërisht këto mediume që i shërbejnë radikalizmit më shumë se kushdo tjetër.

Ndërkohë, Gazeta Express punon me shumë zell, për të na prezantuar vlerat e vërteta të fesë katolike, e njëkohësisht për të na e paraqitur radikalizmin katolik si diçka krejt normale dhe legjitime, si një revansh historik fetar të krishtërimit në Shqipëri. Nuk mund të ketë veprimtari më antikombëtare se kjo në trojet shqiptare dhe nuk mund të ketë kërcënim më të madh për të ardhmen e këtij kombi.

Comments

  • Respekt autorit per kete analize serioze. Objektivisht, Express eshte vegel e ekstremisteve. Esktremistet muslimane ama jane vegla e vertete, pse po lejojne qe budallalleku i tyre te perdoret si perligjje per axhendat deislamizuese te segmenteve te korruptuara te shtetit kosovar, te kontrolluara permes shantazhit nga te huajt.

    Gazeta Express u tremb pak keto muajt e fundit nga forma monstruoze qe kishte marre dhe hoqi seksionin e komenteve te lexuesve duke zhdukur dhe arkiven kriminale te tyre. Rreegullisht ne komente beheshin thirrje per vepra penale kunder muslimaneve kosovare, me gjuhen e Mladicit e Karaxhicit.

    Seksioni i komenteve te gazetes Express sherbente si platforme koordinimi per ustashet pseudo-katolike te Kosoves, dhe duke lejuar gjuhen e tyre kercenuese, Express i kontribuoi vite me rradhe normalizimit te urrejtjes ndershqiptare. Duke lejuar komentues te bejne thirrje per vrasje e debim te muslimaneve nga Kosova, artikujt e komentuar anti-muslimane te gazetes dukeshin si te moderuar.

    Te njejten fryme vrastare Express e toleron ne faqen e vet zyrtare ne Facebook, kinse nuk mund te moderoje dot nje vend neutral si ky rrejt social. Ne fakt lidhja organike mes linjes editoriale te Express dhe komentuesve te saj penalizueshem, po vazhdon me menyra te tjera. Oranizatat e shoqerise civile apo shteti ne Kosove meritojne neverine e sinqerte te cdo shqiptare, pse qemtojne marrezite e hoxhallareve te caktuar qe bejen thirrje te mbyten qente e zinj, po jo te fashisteve te zinj qe bejne thirrje haptas per mbytjen e muslimaneve

    • A e konfirmon njeri, kete Forumin Rinor Musliman ne Kosove, Vali Korlleone prej Gjilanit e drejton?

      Kane shume humor, bile jane vete pjesa kryesore e humorit qe bejn.

      Absolut!

      • Nuk e di kush e drejton realisht, por kuptohet qarte se kush i ndersen. Deklaratat e tyre jane ne nje shqipe letrare qe nuk ka kosovar qe e flet, ndersa struktura e te menduarit, mesazhi, niveli i agresivitetit, qendrimet, retorika dhe struktura e fjalise deshmon qarte qe buron nga ndotjet industriale te Kombinatit Vladimir Ilic Lenin. Globalizmi ka bere te mundur ta coje kombinatin ne Gjlan duke kaluar tranzit nga Kanadaja.

  • Shaban miku, vertete qe Expressi hoqi sektorin e komenteve tek gazeta, por ate e zhvendosi tek faqja e tij ne facebook ku mund te lexosh komente poaq ‘spastrimtare’ qe kerkojne vrasje e perzenje te myslimaneve. Mdje ndryshe nga komentet tek gazeta, ketu njerezit komentojne me emer e mbiemer.

    Autorin e pergezoj per shkrimin. Mendoj se barra e fajit i takon klerit fetar i cili ka hequr dore nga konteksti ne te cilin jeton e madje edhe nga vet ortodoksia islame. Ata jane te paprecedentet e nje kohe te paprecedent. Fakti dramatik eshte qe hoxhallare te llojllojshem, qe kane perfundiar 3 vite studim te hadithit apo te sirras, kthehen ne Kosove dhe flasin per gjinekologjine dhe behen ekspert te onkologjise dhe ligjerimet apo llafet e tyre i regjistrojne ne rezervuare audio-viziale per te ju dhene keshtu nje karakter tej-kohor. Nderkaq ne nje plan tjeter te muhabetit, sic thoshte nje eksperte e Islamit ne Perendim, atmosfera qe krijon Expressi dhe disa nga islamofobet e gazetarise ne Kosove eshte shkak i bllokimit te cfaredo debati te frytshem brenda komunitetit ngase ka krijuar dhe krijon tek komuniteti mysliman nje rrip ‘solidariteti’ dhe apologjie e cila operon ‘kunder Expressit’ me shume sesa “per parime’ !

  • Mendoj se ka nevoje urgjente per themelimin e nje forumi intelektual musliman ne Kosove sipas shembullit te Ezanit te Nalte, per te mbushur sadopak vakuumin e madh perfaqesues te mendimit islam qe ekziston atje.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *