Zelli fetar i rugovianëve





ibrahim_rugova

E. Veseli

Një nga plagët sociale shqiptare, që anashkalon çdo miting partiak (ndonëse përmbysja e bustit të Enver Hoxhës, në thelb, duhej të ishte ilaçi i shumëpritur), lidhet me monopolizimin e mendimit të lirë publik – e për rrjedhojë individual – nga kastat e legjitimuara institucionalisht, si dhe me njësimin dhe imponimin e tij. Me fjalë të tjera, ne, masa, duhet të gjykojmë dhe të mendojmë siç na udhëzon kjo kastë laike: qasja ndaj historisë, politikës, kulturës ose figurave të ndryshme duhet të jetë konform udhëzimeve të dhëna. Mirëpo sforcimi i pilotimit të masës shpesh herë sjell në tregun mediatik produkte që rëndomtë tradhtojnë misionarizmin dhe e shkëlqejnë pseudo-laicitetin.

Rropatja më e fundit e Agron Gjekmarkajt është shembull i radhës i përpjekjes për të imponuar një mënyrë ekskluzive leximi të figurës së Ibrahim Rugovës dhe të peshës fetare në këtë produkt. Një intelektual, megjithëse i kultivuar më parë në hapësira mediatike si Hylli i Dritës, Ora e Shqipërisë, Bota Shqiptare e Radio Vatikani, dhe i rritur nën hijen e At Zef Pllumit, përsëri mund ta çlirojë gjykimin politik dhe kulturor nga besimi vetjak, aq më tepër kur është i ngrohur nga kashmiri i katedrës universitare shtetërore, i katapultuar në presidencën e Bamir Topit pas këshillave të paguara me para publikeMinistrinë e Kulturës dhe Bibliotekën Kombëtare – kjo e fundit duket se është e destinuar të punësojë bordin e Hyllit. Por jo Gjekmarkaj. Nuk është rasti i tij.

Sado të mundohemi të jemi indiferent ndaj misionit fetar të një nëpunësi të një shteti laik, është personi në fjalë që nuk heq dorë nga këmbëngulja e shfaqjes publike të misionit. Aq sa At Zef Pllumi dëshmon sfidën ndaj një regjimi që u përpoq të sheshonte mendimin e lirë, po aq edhe dishepulli i tij nuk ka mësuar asgjë nga vepra e Pllumit, e cila, si për ironi, ka qenë edhe objekt i specializimit të tij. Ose mbase dishepulli mendon se kashmiri publik institucional i jep të drejtën thjesht të restaurojë metodat e regjimit me mereqep fetar: epoka e revanshit, ku të sjellësh faqen tjetër duket më shumë ndërrim fasade.

Madhërimin e Rugovës Gjerkmarkaj e ndërthur paralelisht edhe me denigrimin e Rexhep Qoses, si politikan, si kritik, studiues, shqiptar dhe si njeri. Qosja i tij është ekstravagant, plot mllef, studiues i ideologjizuar, “titullar i strukturave kulturore jugosllave në Kosovë”, etj. Ndërsa Rugova natyrisht habit botën mbarë, duke u krahasuar me Gjergj Kastriotin (pa Skënderbe) dhe me Gandin. Krahasime vërtet patetike. Shtojmë këtu që Gjekmarkaj e bën Rugovën triumfues mbi të gjithë dhe këmbëngul tek Qosja!

Siç u rrit Skënderbeu në oborrin sulltanor, edhe Rugova lëshoi shtat ne oborrin ideologjik jugosllav. Veçse, pasi e braktisi Muratin, Skënderbeu nuk iu nënshtrua më, ndërsa Rugova i dha dorën Millosheviçit duke buzëqeshur në shenjë kapitullimi të plotë. Rugova imitoi Gandin, por ky i fundit iu imponua superfuqisë britanike me rezistencë paqësore dhe triumfoi, ndërsa rezistenca paqësore e Rugovës dështoi, duke u zëvendësuar, për fat, nga bombat e NATO-s dhe lufta e popullit që Rugova nuk pati guximin dhe idenë ta udhëhiqte.

Për ta legjitimuar revanshin ndaj Qoses, Gjekmarkaj përdor mendimin e mësuesit të tij për Rugovën, që është edhe ekzaltimi fetar i të madhëruarit:

“ai [Rugova] u përpoq me shpjegue shkrimtarin e madh Kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i përbashkët: Liria e popullit kosovar”.

Ka disa gjëra interesante tek ky citim, për të cilat ia vlen të ndalemi, dhe madje edhe ta falënderojmë profesorin e ‘historisë së qytetërimeve’:

1. Bogdani reduktohet në kosovar dhe me pas citimi vazhdon me idenë e At Pllumit se Rugova përpiqej ta projektonte shtetin e Kosovës në Evropën e Bashkuar. Pra, kosovarët dhe Kosova perceptohen si realitete të ndryshme nga shqiptarët dhe Shqipëria. Nuk ekziston asnjë frymëzim kombëtar nacionalist.

2. Analogjia Rugova-Bogdani forcohet nga përpjekja për lirinë e Kosovës. Ndërkohë: Rugova nuk luftoi, Bogdani po; Rugova kërkonte autonomi të Kosovës; Bogdani shpresonte ndryshim pushtuesish; Rugova u përpoq të shkëputej nga serbët, Bogdani u bë aleat i tyre dhe punoi si informator (i dokumentuar) për Venedikun. Paradoksalisht, Gjekmarkaj diku me herët e shndërronte At Giuseppe Valentinin në spiun, sepse ky raportonte për Gjergj Fishtën tek Papa, për shkak se ishte patriot më shumë se ç’duhej!

Por thelbi qëndron tek fakti se Rugova “posedohet” nga Bogdani dhe pikërisht ky element errëson çdo iracionalitet të krahasimit. Presidenti kosovar interpretohet përmes ipeshkvit të shek. XVII, legjitimohet nga qëndrimet e një kleriku – megjithëse të pasakta – dhe propagandohet nga dishepulli i tij, i katapultuar në institucionet laike. Së bashku me anatemizimin e Qoses përcillet mënyra ekskluzive e leximit të Rugovës.

Dihet pastaj që Qosja është shpallur armik sepse i ka lejuar vetes të përfshijë në identitetin dhe kulturën e shqiptarëve edhe elementet e trashëgimisë islame. Prandaj e tërë parodia e Gjekmarkajt ngrihet në emër të fesë, ndërsa, siç kuptohet, laike mbeten vetëm muret e Presidencës, të Bibliotekës Kombëtare, të Ministrisë dhe Universitetit Shtetëror. Le ta institucionalizojë Gjekmarkaj besimin e vet, rendësi ka që intelektualë si Qosja, ateist i thekur dhe laik civil, nuk duhet të guxojnë përfshirjen e asaj trashëgimie të cilën profesori “ynë” është stërvitur dhe punon për ta varrosur me para publike.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *