Ahmed_Kalaja

E-zani

Imami i Xhamisë së Dine Hoxhes, Ahmed Kalaja ka dhënë një intervistë për revistën Java, ku ka sqaruar qendrimet e tij rreth debatit mbi disa muslimanë shqiptarë që luftojnë në Siri si dhe qasjet e tij në lidhje me qendrimet dhe rolin e muslimanëve në shoqërinë shqiptare. Si asnjëherë tjetër, intervista e imamit ishte shumë e mirë dhe qendrimet e mbajtura ishin të ekuilibruara dhe të elaboruara në mënyrë të kënaqshme. Vlen të thuhet se ky është modeli që kemi mbrojtur gjithmonë mbi atë çfarë mendojmë se duhet të paraqesë çdo imam në Shqipëri. Këtë model kemi pasur para sysh kur kemi kritikuar veprime të caktuara nga hoxhallarët shqiptarë përfshi këtu edhe vetë imam Kalanë. Për këtë arsye, ashtu siç kemi kritikuar fort veprimet e tij publike, na duhet të jemi të drejtë dhe të përgëzojmë imamin kur e kryen siç duhet detyrën e tij. Këtë e bëjmë pasi janë parimet dhe vetëm parimet premisa prej nga ndërtojmë gjykimet dhe qendrimet tona, në raport me veprimet e drejtuesve të fesë sonë.

Na duhet të theksojmë se intervista ishte e matur, e artikuluar, e qartë dhe e përmbajtur. Nuk kishte asgjë nga sensi i protagonistit dhe nga teprimet e zakonshme futuriste, prej të cilave vuan në përgjithësi mendimi fetar në Shqipëri. Qendrimet e mbajtura ishin mëse të drejta, dhe të ofruara me të gjithë modestinë, seriozitetin, luajalitetin dhe përgjegjësinë që i takon një imami të angazhuar në shoqëri. Kjo është gjuha e vërtetë që duhet të kenë drejtuesit e fesë, ndryshe nga ç’mendojnë disa kritikë aventurierë, që nuk e pëlqejnë konsensusin shoqëror, dhe që debatin publik e kuptojnë si sherrnajë e antagonizëm.

Imami shprehet kundër xhihadit në Siri duke u shprehur se askush nuk duhet të përdoret për luftëra që nuk na përkasin. Imami qartëson se xhihadi për muslimanët shqiptarë është

“ rregullimi i vendit tonë, rregullimi i imazhit përballë sfidave europiane të cilat na presin… Sfidat tona janë edukimi i shoqërisë, të kemi më pak krime, më pak dhunë në familje, të kemi më pak pyje që na digjen, të kemi më pak njerëz të varfër nëpër rrugë… ne si xhami “xhihadin” tonë e kemi përqendruar në ndihmë të komunitetit dhe njerëzve në nevojë.”

Gjithashtu vlen të përgëzohet qendrimi ti tij në lidhje me harmoninë fetare:

«Harmonia fetare që padyshim është vlerë e të gjitha feve në Shqipëri, tradita më e vyer, është padyshim dhe roli konstruktiv i myslimanëve si maxhorancë e këtij vendi… Bashkëjetesa fetare në Shqipëri jo vetëm që është vlerë bazë e shoqërisë, por edhe një pasaportë me vlera për mbarë botën. Të jeni të sigurtë që askush nuk e ka. Shqipëria është vendi që nuk ka njohur asnjëherë konflikte fetare. Teologët tanë në histori kanë ditur ta ushqejnë këtë harmoni dhe detyra jonë si komunitete fetare është t’i promovojmë këto figura për t’i kthyer në referencë për rininë…»

Këto qëndrime, disa prej të cilave u kemi bërë jehonë prej vitesh edhe këtu në këtë faqe, janë për t’u përshëndetur dhe në fakt ato përfaqësojnë pjesë të mirë të muslimanëve shqiptarë. Duhet thënë se shumë hoxhallarë të tjerë, jo domosdoshmërisht kaq aktivë në media, kanë kohë që mbrojnë një vizion të tillë dhe intervista e imam Kalasë i bashkohet pjesës më të shëndetshme të hoxhallarëve muslimanë. Për këtë arsye shprehim mbështetjen e plotë ndaj imamit dhe gjithë atyre që në këto kohë sfidash artikulojnë vlerat që kanë dominuar këtë bashkësi prej gjeneratash.

Megjithë dallimet e qendrimeve të kësaj interviste nga qendrime të tjera të mëparshme, mendojmë se çdo njeri është në kohë të reflektojë mbi veprimet e veta dhe t’i korrigjojë ato. Natyrisht që të gjithë jemi subjekte që ndryshojmë dhe natyrisht jemi të obliguar të modifikojmë sjelljet në përputhje me përvojat tona të vijueshme. Nuk ka asgjë të keqe që njeriu të ndryshojë dhe të moderojë diskursin e vet, në përputhje me atë që e sheh të drejtë e të dobishme. Vlen të përshëndesim faktin se imami ka gjetur njerëzit e duhur për t’u konsultuar e për të ripërkufizuar pozicionin e vet, duke u kthyer rrugës së duhur në komunikimin publik. Natyrisht do të duhet ende shumë kohë e punë derisa këto qendrime të kthehen në shprehi dhe klasa e drejtuesve të fesë, ka shumë rrugë për të bërë deri në brendësimin e plotë të një vizioni më të thelluar mbi zhvillimet e sotme shoqërore. Gjithsesi, shpresojmë që ky vizion të mos jetë rastësor, por të shndërrohet në model e të pasohet nga shumë kolegë të tjerë të tij, duke unifikuar qendrimet me ata hoxhallarë që përfaqësojnë pjesën më të shëndoshë të muslimanëve shqiptarë.

Comments

  • E falenderoj Ezanin per kete editorial, duke ditur ferkimi mes webfaqes dhe imamit. Shpresoj qe sikurse imami luften ne Siri nuk e sheh si konflikt sektar, po ashtu kritiket e tij mos t’i shohe ne menyre sektare dhe t’i etiketoje pa teklif me terminologji teologjike.

  • Edhe pse ndoshta keto regaime me duken pak te vona ne kohe, duke patur parasysh qe konflikti ka kohe qe eshte filluar dhe gjithashtu reklutimet.
    Me lind pyetja se cfare vendi i kane dhene ketyre myslimaneve qe jane atje hoxhallaret?
    i kane nxjerre nga feja?
    i kane perzene, apo cfare?
    kuptoj qe eshte e rendesishme opinioni publik qe te jete i qarte, ama duhet edhe te kujtojme qe vlera universale te islamit, drejtimet e tij drejt imazhit evropian dhe ato te bashkejeteses fetare jane shume te drejta, por cfare do bejeme me keto familje muslimanesh qe kane ngelur vetem, me bijte e tyre qe rriten dhe jane muslimane? A po i ndihmojne keto hoxhallare ne keto kohe?
    a eshte edhe kjo detyre?

  • E mirekuptoj dhe mbeshtes qendrimin e imam Kalase, por do doja te vereja qe ky qendrim tingellon identik si qendrimi i KMSHse i shprehur nga nenkryetari Aga dhe myftiu i Shkodres Sytari ne emisionet e debatit ku ata moren pjese rreth kesaj teme.

    E kuptoj dhe e mbeshtes fort sqarimin per publikun te gjeresise se konceptit te xhihadit por duket sikur ka nje lloj anashkalimi te sikletshem te thelbit te ceshtjes.

    Po, xhihadi me i madh eshte perkujdesi ndaj familjareve tane dhe perfeksioni i qytetarise sone ne cdo drejtim, por keta te rinj shqiptare qe kane vajtur ne Siri, a jane atje per xhihad? A ka xhihad ne Siri? Pse nuk duhet te shkoje nje shqiptar ne Siri, pervec faktit se mund te kete obligime te tjera ketu ne atdhe?

    Me duket se Sinani ketu tek Ezani ka dhene nje analize shume me te mire te arsyeve pse nuk eshte e keshillueshme te shkohet ne Siri, sesa c’po bejne lideret tane fetare. Madje argumenti i Ages se ata qe shkojne ne Siri jane ose te pa-arsimuar ose mercenare me duket ofendues ne rradhe te pare per ata djem shqiptare qe kane vajtur atje me nijetin e mire per te ndihmuar popullin sirian, por edhe i pamjaftueshem si argument.

  • Duke pergezuar te gjitha qendrimet qe kete here duken se jane vene ne gojen apo penen e imamit… pergezoj imamin per dashamiresine e treguar duke nenshkruar…sidoqofte, imami duket se zoteron nje fleksibilitet qe duhet te ishte vene re mepare…

  • Per fleksibilitet nuk eshte se ka vuajtur ndonjehere imami, madje ka pasur me tepri, edhe atje ku s’duhet, ose me mire kryesisht atje ku s’duhet. Kesaj rradhe kishte vertete qendrime te artikuluara mire, te shpresojme se do vazhdoje keshtu, e te mos nderroje keshilltare!

  • me sa ka vene ne dukje dhe komentuesi me siper, duket se qendrimi zyrtar i KMSH-se ka filluar te flase me zerin e hoxhallareve. me sa duket, behet fjale per nje PR shume shume te mire, pa i hequr ketu asgje perpjekjeve te hoxhe kalase per te qene ne linje me bonsensin e te kuptuarit te realiteteve.

  • Me duket se mbeshtetja me e mire per Ahmed Kalane eshte te mos flitet per te fare. Nuk e dini sa per nder do jua dije Ahmedi sikur te mos e permendin fare, deri sa te harrohet si figure publike e te behet serish hoxhe, se as gazetaret nuk do t’i shkojne me ta ngacmojne e ta detyrojne te thote gjera qe edhe vete e habisin kur i lexon.

    Keto qendrime te fundit te Kalase vijne pikerisht ne oret kur eshte pergatitur nje projektligj mbi luftetare shqiptare te Sirise, qe i denon me nga 10 vjet burg, e me ndonje vit me pak a me shume denon nxitesit e tyre per lufte. Ajo cka pritet nga nje udheheqes fetar si Kalaja eshte te kete burrerine e te denoncoje barbarine e ketij projektligji, e t’u qendroje keshtu fjaleve te veta gjate ketyre viteve kunder krimeve te Bashar Asadit, fjale te cilat INDIREKT kane mbajtur te ndezur emocionet luftarake te vullnetareve te ardhshem te Sirise.

    Sot gjithkush i ka braktisur vullnetaret trima te Sirise (Allahu i ruajte e ua forcofte kembet ne lufte kunder armikut te tyre, e ua pastrofte qellimin e ua pranofte te renit deshmor). Keta te rinj e kane pasur te pamundur te mos bejne dicka per Sirine, te bombarduar 3 vjet rresht nga media perendimore dhe propaganda saudite me video e foto masakrash kunder civileve siriane, te ballafaquar me fjalime e lutje ne xhami per Sirine, te siguruar nga fakti se qeverite e tyre (ne Kosove e Shqiperi) shprehen mbeshtejtje per rebelimin kunder Bashar Asadit.

    Kurse sot edhe amerikanet, edhe sauditet i kane braktisur ne fatin e vet, shteti i vet po i burgos, po ajo qe nuk durohet eshte se edhe udheheqesit fetare po u kthejne shpinen. Por nese miratohet projekt-ligji, duhet kerkuar te hapen hetime per kryetarin dhe drejtuesit e KMSh-se, a kane qene ne dijeni se eshte luajtur me ndjenjat fetare te njerezve neper xhamite qe drejtojne zyrtarisht, a e kane ditur se te rinj e adoleshente qe shkojne ne xhami te falen kane degjuar predikime emocionale per Sirine gjate lutjeve te xhumase? Nese nuk kane qene ne dijeni, duhen shkarkuar e te vendosen ne krye te KMSh-se njerez qe mund te konrtrollojne xhamite. Cfare pritet te beje nje i ri i sinqerte kur hap televizorin sheh Siri, hyn ne Facebook e sheh Siri, shkon ne xhami i flasin hoxhallaret per Sirine? Tani e gjeten hoxhallaret te bejne thirrje te mos shkohet ne Siri, kur shteti te denon 10 vjet po te shkosh atje? Tani e kuptuan hoxhallaret qe nuk mund te luhet me emocionet e njerezve duke i terrorizuar me histori femijesh te vrare e grash te perdhunuara? Dhe ne fund fare edhe Siria e shkrete nuk u shpetua dot, edhe represioni anti-musliman u shtua me shume tek ne, per hir te atyre qe shkuan te luftojne!

    Shembulli qe po japin ca hoxhallare e aktivistet e fese eshte per te ardhur keq, e zbusin gjuhen vetem kur ua zbusin shpinen. Kjo eshte nje nga arsyet kryesore pse qendrime si keto te fundit te Kalase nuk kane pse permenden fare, se nuk ka asnje prove qe jane pasoje e ndonje reflektimi e ndryshimi intelektual apo dogmatik. Mos e demtoni me shume Ahmedin duke i dhene iluzionin se mund te kete ndonje qendrim per probleme e situata te nje shoqerie qe mungon komplet ne tekstet shkollore per te cilat ka marre diplome. Keta lloj hoxhallaresh jane ndoshta te mrekullueshem sa jane me corape e rrijne ne xhami, po sa veshin kepucet e dalin ne rruge, nuk lene grope pa rene. Dhe mire qe bien vete, po marrin me vete dhe ata qe u shkojne pas.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *