Tirana_para_luftesH. Omari

Me rastin e shpalljes së celebrimit të 400-vjetorit të themelimit të qytetit të Tiranës nga bashkia kanë filluar të lulëzojnë lloj-lloj opinionesh moraliste me karakter historiografik, në një linjë që afrohet më shumë me orientalizmin e rëndomtë. Sipas legjendës zyrtare, qyteti i Tiranës, si njësi administrative ose qendër e banuar, u themelua nga Sulejman Pasha në vitin 1614, fakt të cilin e njohim nga ndërtimi i xhamisë. Hipotezat e emërtimit janë nga më folkloristiket. Nga ana tjetër, edhe arsyeja e urbanizimit të zonës nga Suljeman Pasha i ka lënë shteg epikës me ëndrra e udhëtime, për t’ia pasur zili 1001 netët.

Themelimi i një tjetër qyteti të rëndësishëm, Shkodra, shpjegohet gjithashtu përmes narrativës legjendare: Rozafa muroset, jo për mungesë gurësh, por për nevojën e sakrificës njerëzore në lidhjen e tyre, dhe, si shpesh herë, zgjidhet një femër, madje në momentin kur sjell ushqimin. Dy kunetërit, ilirë 24 karatësh, shkelin besën, me të cilën ne, pasardhësit gjenetikë, mburremi kolektivisht. Bashkëshorti vret gruan. Femra muroset. Ne krenohemi dhe ua tregojmë fëmijëve si legjendë themeluese. Pak kush e vret mendjen se Rozafa shumë mirë mund të vijë nga Rusafa e Sirisë në fillimet e Mesjetës e jo në epokën e “titanëve ilirikë”.

Legjendë hesapi, por ja që e njëjta konsideratë – epike, romantike dhe krenuese – nuk i përket themelimit të Tiranës. Themeluesi ka mbase fatkeqësinë e emërtimit Sulejman, titullit Pasha, ngritjes së mureve të një xhamie, hamami dhe furre buke. Them mbase, pasi mund të jemi të prirur të madhërojmë dhunën kolektivisht, megjithëse duke lexuar Moikom Zeqon e para disa ditëve të krijohet bindja e kundërt, ajo e kompleksit ndaj rrënjëve orientale të kryeqytetit (Sulejman, Pasha, Xhami). Zeqoja e fillon refuzimin pikërisht nëpërmjet legjendës së themelimit të Tiranës, si tepër “legjendë”, tepër “parabolë lindore e religjioze”. Është vërtetë interesante dhe e trishtueshme që një shkrimtar i kultivuar me fantazinë letrare pretendon racionalitet tek legjenda: ai shpalos menjëherë burimet historike, që sipas tij vërtetojnë themelimin më të hershëm të Tiranës. Pra gjykon legjendën me shkencë. Realisht diçka e tillë është e padrejtë edhe për faktin e thjeshtë se shtysa fantastike për të cilën pretendohet se Pashai themeloi qendrën e banuar, që sot është kryeqytet i vendit, mund të jetë shpikje dhe ashtu duhet të jetë, por veprimtaria urbanistike e Pashait është e dokumentuar, madje më shumë e më qartë së empirizmi i Zeqos.

Këtë empirizëm Zeqoja e bazon tek Mozaiku i Tiranës dhe veçanërisht tek Marin Barleti – që të dy të sforcuar në nivel intepretativ. Mozaiku vërteton vetëm ekzistencën e vet dhe aspak të Tiranës përpara shek. XVII, sepse nuk datohet saktësisht, nuk shoqërohet me elemente të tjera rrethuese, që nënkuptojmë praninë e ndërtesave tipike për një qendër urbane/rurale, dhe nuk dokumentohet asnjë lidhje e Mozaikut me një qendër të banuar specifike, përveç spekulimeve të mëvonshme.

Barleti është interesant, por më tepër për spekulimet tona moderne. Konkretisht, të mos harrojmë se Zeqoja niset të çmontojë një legjendë themeluese nga i njëjti Barlet i cili ardhjen e Skënderbeut në këtë botë e motivon me dragoin që Vojsava shikon në ëndërr sikur “mbulonte gati gjithë Epirin” dhe “kokën e shtrinte përmes kufijve të turqve, të cilët i përpinte në gurmazin e vet të gjakosur” (M. Barleti, Historia e Skënderbeut, 2005, f. 2). Kjo është arma empirike bazike e shkrimtarit Zeqo për të vërtetuar ekzistencën e Tiranës përpara Pashait!Moikom_Zeqo

Shkrimtari pohon se Barleti “klasifikon dy vendbanime me toponimet Tirana e Madhe dhe Tirana e Vogël”. Pastaj vazhdon duke argumentuar me kjo dëshmon që “vendbanimi i Tiranës në shek. XV ishte i njohur si pikë ndërlidhëse midis Krujës, Prezës dhe Petrelës”. Për ta përforcuar idenë sjell vendbanimet e fortifikuara në zonat përreth Tiranës: “kalaja ilire e Dorsit, ajo mesjetare në Dajt” dhe “kisha mesjetare […] në fshatin Brar”. Që këtu vërehet vështirësia e analizës, pasi toponimet e cituara nuk i përkasin Tiranës, por rrethinave, dhe me sa duket këto rrethina kane qenë më të rëndësishme se qyteti i sotëm. Shkrimtari e mbyll analizën e tij me domosdoshmërinë e “njeriut shqiptar” dhe të huajve “për të mësuar diçka të rëndësishme në lidhje me kryeqytetin tonë”.

Çështja është se çfarë duhet të mësojë ky njeri! Barleti e shkruan emërtimin Tiranë rreth 13 herë: 12 tyrana dhe 1 tyranna. Në asnjërin nga këto citime nuk flitet për vendbanim, e jo më për një qendër të rëndësishme apo urbane, siç pretendon Zeqo. Për ironi, Barleti e nënvizon disa herë që Petrela është qytet, megjithëse këtë qytezë e citon në tërësi 6 herë. Për kronistin fantazioz Tirana “është një fushë mjaft e gjerë dhe shumë e bukur në të parë, por e përshtatshme më fort për drithëra sesa për prodhime të tjera, në mes të qytetit të Krujës dhe qytezës së partinëve [Preza]” (Barleti, f. 217). Teksa përshkruan fushimin e osmaneve Barleti shkruan: “ata u ndalën dhe ngulën çadrat në një vend që quhet Tiranë, 8.000 hapa pothuaj larg qytetit [Krujës]” (Barleti, f. 478). Këto dy raste janë shpjegimet më të “detajuara” rreth Tiranës, ku deduktohet se ishte territor, fushor, i kufizuar nga qendra urbane si Kruja e Preza, njëlloj, fjala bie, si Zadrima, Dumreja apo Maliqi. Është domethënëse që Barleti nënvizon faktin se Preza e Petrela ishin qendra urbane.

Kësisoj, më shumë se burim historik i gjetjes së Tiranës dy shekuj përpara Sulejman Pashës, Barleti nuk mund të vërtetojë përveçse Tirana e tij ishte një territor e jo një vendbanim. Kjo nuk mohon faktin se Tirana – e Madhe ose e Vogël – të këtë qenë vendbanim rural, por Barleti nuk e nënkupton këtë konkluzion. Si i tillë nuk mund të jetë referencë empirike në favor të urbanizmit të Tiranës. Prandaj, përtej legjendës me ëndrrat e Pashait, themelimi i Tiranës urbane, me njohuritë që kemi sot, i mbetet shqiptarit të osmanizuar nga Mulleti. Ai planifikoi një qendër urbane, që pati fatin të bëhet kryeqytet. Se ç’kishte në kokë Barleti nuk e njohim dhe as nuk mund të pretendohet moralizëm empirik me manipulimin e fakteve, vetëm e vetëm se një shkrimtar, si Jovani i pallatit, vdes të bëhet një çikë historian, në mënyrë që kryeqyteti ynë të mos ia shqetësojë më gjumin dikujt ngaqë me datën 1614 nuk i ka rrënjët ilirike e perëndimore. Fakti është se me Sulejmanin kemi Tiranën qytet, e më pas qendër kazaje e kryeqytet, pa Sulejmanin kemi Prezën e Petrelën më të rëndësishme dhe Tiranën një vend-fushim për luftë ose hambar i pakufizuar drithërash. Fakt tjetër është se Zeqot bëhen pjesë e vendimarrjeve politike dhe përfaqësojnë elitat kulturore. Përfytyroni katandinë tonë.

 

Comments

  • Mojkomit i rri shtrember Xhamia dhe Sulejmani sepse ky pervjetor modest me keto simbolika del pertej projektit enverist me djegje e shkretime xhamijash e librash me karaktere arabe, ku Zeqoja ishte nje legjionar i zellshem.

  • Mojkomi eshte i vonuar ne kete argument sepse me me pak perpjekje mbeshtetje historike e ka ngritur kete muhabet Maks Velo me pare.

  • Arsyeja perse nuk integrohemi jane pikerisht keto komplekse delirante. Keta jane prapavija kulturore qe na mban peng ne nyjet e se kaluares se afert. Sado qe personazhi ne fjale ka bere kapercime spektakolare duke nderruar emrin, perseri mbetet ne gardhin ideologjik qe e ka pjelle.

  • Mendoj qe ky artikull synon thjeshte te eleminoje cdo alternative pervec asaj orientales. Ketu nuk behet fjale per t’i hequr Tiranes rrenjet e saj orientale… per ata qe s’marrin vesh nga historia dhe nga arkeologjia eshte me mire te heshtin se te shprehin mendime pseudo-shkencore si beni dhe ju. Mozaiku i Tiranes dhe muret e zbuluara vitet e fundit prane kalase tregojne qe ka pasur nje jete qytetare…. per Elbasanin thuhet qe kur e rizbuluan osmanet, ata nuk e krijuan nga zero, por vendosen ta rithemelonin qytetin mbi themelet antike. Prandaj dhe kalaja e Elbasanit ka mure bizantino-romake.

  • Perkundrazi, artikulli mbeshtet ate cfare dokumentohet dhe ajo, per kultur, nuk eshte orientale por shqiptare, natyrisht ne kuadrin e Perandorise osmane. Xhamia, hamami dhe furra e bukes jane shqiptare. Nese ti quan oriantale nje pjese te kultures tone, normalisht qe je pjese e atij kontigjenti qe kerkon mure greko-romake per te mbeshtetur identitetin, dhe detyrimisht do t’i gjesh.

    Per Mozaikun. Edhe nje here, ai verteton veten e tij e jo qytetin. Nje shembull i mire te vjen nga perandori Kaligola.
    Ky urdheroi ndertimin e dy anijeve per nder te hyjneshave Isida dhe Diana. Ato permbanin nje pallat (mure) te vertete, me mozaike, tepuj etj. Anijet qendronin ne liqenin e Nemit – ne jug te Romes.
    Tani, mos valle kjo verteton se anija-pallat, ngaqe kishte mozaik e mure, ishte qytet?

    Molotov Zeqoja justifikohet me Mozaikun dhe me Barlecin. Muret jane histori me vete. Edhe duke i marre te mireqene: ndertoi gje mbi keto mure Sulejman Pasha? Nese jo, pse?

    Elbasani eshte ceshtje tjeter. Tirana e Sulejman Pashes nuk ka mure bizantino-romake, sepse nuk u krijua ne modelin e Elbasanit. Mund te zbulohen edhe palafite po deshe, por kjo nuk deshmon se ka vijimesi dhe se vendi ishte i urbanizuar.

    Gjegjeze: “dihet se origjina e New York-ut lidhet me hollandezet; por zona banohej nga indiane Lenape; kush njihen si themelues?”

    Fakt akoma me i rendesishem: perpara Pashait Tirana ishte hambar; Sulejmani nuk veproi mbi mure ekzistuese; i dha fushes dhe zones rurale nje fytyre urbane. Nuk e di nese ishte per drithera apo per tranguj, por ne kete kulturen e dyte jemi vertet te avancuar.

  • Pse themi që Tirana është 400-vjeçare

    GAZMEND A.BAKIU

    Albanologët dhe historianët

    Cilët autorë kanë pretenduar se qyteti i sotëm i Tiranës u themelua në vitin 1614 nga Sulejman pashë Bargjini (Mulleti), kur ky ndërtoi Xhaminë e Vjetër? Këtë e ka shkruar, së pari, konsulli austriak Johann Georg von Hahn, në vitin 1854, në veprën “Studime shqiptare” (Albanesische Studien). Albanologu i shquar me këtë rast na ka treguar se në fushën ku sot ngrihet qyteti kishte vetëm 15 shtëpi (f.86). Këtë fakt e kanë pohuar më pas Hyacinthe Hecquard më 1858 dhe albanologu tjetër francez August Degrand në librin “Suvenirs de la Haute-Albanie”, Paris, 1901, (në botimin shqip: ‘Kujtime nga Shqipëria e epërme’).
    Sami Frashëri tek e famshmja Kamus al-alam (Dictionnaire universel d’histoire et de geographie, Constantinople, 1893) bëri për herë të parë saktësisht konvertimin e vitit 1023 hixhri (sipas kalendarit islam) në vitin 1614 (sipas kalendarit Gregorian); vit që lidhet me ndërtimin e Xhamisë së Vjetër nga Sulejman pashë Bargjini (Mulleti). Shumë autorë shqiptarë të paraluftës shkruan afërsisht të njëjtat gjëra, por më i shquari ndër ta ishte Osman Myderizi, i cili më 1937 përgatiti një histori të shkurtër të qytetit. Historiani Kristo Frashëri, në vitin 1964, shkruante një artikull tek revista “Ylli”, “Tirana 350-vjeçare”, pikërisht kur Tirana mbushi 350 vjet. Punime të tjera të Frashërit dhe libri i tij “Historia e Tiranës”, botuar më 2004 thonë të njëjtën gjë.

    Treva apo qyteti?

    Pseudoargumenti tjetër për “lashtësinë” e qytetit të sotëm është: Tirana përmendet më herët se viti 1614 nga Barleci, Muzaka, Biemmi, etj., pra si pasojë ishte qytet prej kohe. Ky pohim s’ka lidhje me logjikën. Asnjë nga autorët e sipërpërmendur (por edhe të tjerë) nuk ka shkruar se Tirana asokohe ishte qytet. Përkundrazi, ambasadori venedikas Lorenco de Bernardo, në vitin 1591 shkroi se “kaluam në fushën e madhe dhe të famshme të Skënderbeut që quhet Tiranë”; por jo në qytetin e Tiranës. Këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur: Ky është një rast i përsëritur anekënd botës, kur qyteti duke u themeluar më vonë, merr emrin e trevës.
    Por, kur përmendet për herë të parë Tirana, (si territor) në dokumente? Kjo ka ndodhur në vitin 1372 në aktet përpiluara nga noteri Vasallo në Venedik (K. Frashëri, Historia e Tiranës, 2004, f.60). E si qenka atëherë Tirana e sotme qytet 2.000-vjeçar?

    Hartat

    Mëtuesit e qytetit të lashtë, pavarësisht se nuk guxojnë të përmendin ekzaktësisht ndonjë shekull të themelimit, (sepse s’dinë gjë dhe flasin me hamendje) së paku, duhet të na tregojnë apo citojnë ndonjë hartë antike, që ka të shënuar Tiranën si qytet, si fshat, apo thjesht si vendbanim. Mirëpo, Tirana nuk figuron as në hartat antike dhe as në hartën e viteve 1431-‘32 të sanxhakut Arvanid, të botuar nga albanologu Halil Inalçik. Tirana figuron e shënuar në hartë për herë të parë, në formën Terrana, në vitin 1669, në hartën e botuar nga Giacomo Cantelli. Pra, vetëm pasi qyteti i sotëm u themelua nga Sulejman pashë Bargjini (Mulleti).

    Gjetjet arkeologjike

    Megjithatë, mohuesit e qytetit 400-vjeçar kapen pas Bazilikës, dioskurëve dhe gjetjeve të tjera arkeologjike, kalasë së Dorëzit. Harrojnë të përmendin ose nuk i dinë, 10 kala të tjera që gjenden në trevën e Tiranës, si për shembull kalanë e Persqopit që daton shekujt IV-III para Krishtit, e cila me shumë gjasë ashtu si Dorëzi, kanë qenë qytete ilire. Por, nuk kuptojnë se kalatë, bazilika, kisha e Brrarit dhe gjetjet e tjera arkeologjike nuk kanë lidhje me qytetin e sotëm, se themelimi i qytetit të sotëm është një akt më vete dhe jo vazhdim i ndonjë qyteti të lashtë. Themelimi i qytetit të sotëm ndodhi në një kuadër të caktuar historik, të ringjalljes dhe ripërtëritjes së jetës ekonomike në trevat arbërore, pikërisht në një udhëkryq të rëndësishëm fushor karvanesh nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, në një kohë që luftërat ndaj osmanëve ishin fashitur.

    Në vend të konkluzionit

    Të thuash se qyteti i Tiranës është 2.000-vjeçar është po aq absurde (në krah të kundërt), sa të thuash (siç pohonte një gazetar në një media vizive) se deri para 80 vitesh, Tirana ishte fshat. Qyteti i sotëm i Tiranës u themelua më 1614, u njoh si qytet rreth vitit 1661 dhe u bë qyteti tretë nga popullsia në Shqipëri, në kohën që u shpall kryeqytet, më 1920

    burimi: http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=144794

  • Astrit JEGENI

    TIRANA DHE SULEJMAN PASHË BARGJINI

    Është e pamundur të studiosh zanafillën e qytetit të Tiranës si qendër banimi, duke shmangur ndikimin e trashëgimisë të Perandorisë Osmane në Shqipëri.
    Në histori, nuk ka vlerë dëshira subjektiviste apo prirjet kulturore, por analizat e faktit, analiza e arkivave. Është njësoj sikur të mos pranosh që qytetërimi helen, romak e bizantin nuk ka ndikim në qytetërimin tonë, është një qasje pa sens logjik.
    Historiografia shqiptare u zhvillua para së gjithash si historiografi nacionaliste, (e njëjta gjë ka ndodhur edhe te të gjitha vendet e tjera ballkanike), e cila me ndërgjegje ka zvogëluar, mohuar, shpërfillur, shtrembëruar e tallur historinë e Perandorisë Osmane në Ballkan. Në të kundërtën është lartësuar e idealizuar raca shqiptare në krahasim me të tjerët, sidomos fqinjët. Sot koha kërkon një qasje më të përgjegjshme të ngjarjeve historike, ku e verteta e dokumetuar është parësore.
    Fakti që një pjesë e elitës shqiptare shohin te ndikimi i qytetërimit osman, ndikimet negative e frenuese në dëshirën e tyre për t’u inditifikuar nga të tjerët si evropianperëndimorë, p.sh. dhe rusët, polakët, etj. janë evropianë, por kjo elitë nuk i referohet rusëve, por të tjerëve “perëndimorëve”, i bën joracional në gjykimin e tyre. Periudha Osmane shihet nga këto elita, si reflektim historik me rrjedhoja negative për modernizimin e shoqërisë. Këto intelektualë janë tepër të ndjeshëm lidhur me imazhin e tyre në “Botën e Qytetëruar”, nisur nga sterotipi të cilët i shohin shqiptarët si sinonim i gjendjes tribal, të prapambetur, primitivë, barbarë në sjellje, në të kundërtën e normave të botës perëndimore. Ky stereotip për ta, përfaqëson mbi të gjitha ndikimin e qytetërimit osman.
    Problemi qëndron se këto elita nuk bëjnë dot dallimin midis trashëgimisë osmane si vazhdimësi dhe trashëgimisë osmane si përceptim.Trashëgimia osmane si përceptim ka rrënjë të forta në këto elita, të cilët e kanë kthyer në objekt propagande ideologjike ose të një praktike të sipërfaqshme politike, por nuk mund të jetë legjitime si hipotezë pune për historinë. Qëndrimet e këtyre intelektualëve kanë të bëjnë me faktin e inkoherencës historike të tyre.
    Unë e dua këtë vend e këtë popull me të mirat e të këqiat e tij pa u ndjerë superior ose inferior nga popujt e tjerë, pa pasur komplekse psikologjike negative ose pozitiviste për historinë e këtij vendi , i cili është vendi im dhe duhet ta duam kështu siç e trashëgojmë.

    Tirana si vendbanim.

    Jeta urbane në Shqipëri ka pasur një vazhdimësi të pashkëputur nga lashtësia e deri në periudën e pushtimit osman. Në trevat e afërta me Tiranën e sotme janë gjetur gjurmë të jetës të kohës së paleolitit të vonë, (shpella e Pllumasit, në Brrarë). Periudha Ilire është e dokumentuar në këto treva. Kalaja e Dorzit ka në themelet e saj një kala ilire shek VII – V, p.e.r . Ka gjurmë jete të kohës Romake, si kalaja e Petrelës, Persqopit, gjurmë banimi janë të dukshme edhe në periudhën Bizantine.
    Për Tiranën në fushën e sotme ku shtrihet mungojnë dokumentet e shkruara që të përmendet si qendër banimi, fshat apo qytet, gjurmë banimi të kohës Ilire, Romake e Bizantine nuk kemi.
    (Banja Romake në këtë fushë duket si një përjashtim). Sulltan Murati II në vitin 1431 urdhëroi rregjistrimin e timareve në defterin Mufasal i Sanxhakut të Arvanit, Tirana nuk figuron si qendër banimi.
    (Suret Defter Sancak Arvanit 1431 – 1432, botim i historanit Turt H. Inalçik, Ankara viti 1954).
    Në një relacion drejtuar Republikës së Shën Markut në maj 1591 mbi udhëtimin nga Venediku në Stamboll, ambasadori Lorenco Bernardo, kur kaloi në fushën e madhe Tiranës nuk përmend ndonjë banim me emrin Tiranë, (Historia e Tiranës, f 65, Kristo Frashëri).
    Në regjistrin mufas – al, të kryer në 1583 nga administrate osmane përmendet për herë të parë Tirana si emër fshati, me tetë shtëpi, shtatë muslimane dhe një e krishterë, (Historia e Tiranës, f 65, Kristo Frashëri).
    Këtu kemi një mospërputhje midis të dhënave të relacionit të Venedikasit të vitit 1591 dhe rregjistrimit osman të mufas – al të vitit 1583.
    Studimi i mëtejshëm i dokumentacioneve osmane mund të na qartësojë mbi ekzistencën e ndonjë qendre banimi në Tiranë ose jo, rreth vitit 1600.
    Duke u nisur nga fakti që nuk kemi asnjë dëshmi që kjo trevë ka qenë e banueshme, para pushtimit Osman, do e analizojmë si një vendbanim i ri të peridhës së pushtimit osman.
    Në studimet e shumta mbi osmanët, shkruhet që pinjollë të familjeve të vjetra ballkanase zinin poste me rëndësi në adminitratën e lartë osmane.
    Në përgjithësi studiues të ndryshëm të Perandorisë Osmane janë në një mendje, që osmanët në Ballkan nuk bënë ndryshime radikale në sundimtarët e ndryshëm lokalë, i lanë përsëri ata ose pasardhwsit e tyre që të drejtonin feudet e tyre, me kusht që të paguanin taksat e t’i bindeshin pushtetit osman në paqe e në luftë.
    Në periudhën e parë të pushtimit të tokave në Ballkan nuk dokumentohet që osmanët të kenë ngritur qendra banimi të reja. Ata nuk ndërhynë në urbanistikën e qendrave të vjetra të banimit. Me shtimin e territoreve të reja për Perandorinë Osmane lindën problematika të reja që lidheshin me taksat, ekonominë, administrimin e territoreve, në kushtet e pushtetit osman.
    Pushtimi osman nuk e dëmtoi këtë vazhdimësi urbane nga lashtësia e deri në peridhën osmane, por natyrisht që 450 vjet janë një kohë e gjatë, dhe ndikimi i mendësisë osmane në infrastrukturë e urbanistikë janë të dukshme e mbizotëruese në stilin osman të qyteteve shqiptare. Osmanët kishin traditat e tyre të ndërtimit të qendrave të banimit të cilat u mëshiruan ku më shumë ku më pak në të gjitha trevat që ata kishin pushtuar.
    Themelimi i vendbanimit të Tiranës ndodhi në një kuadër të caktuar historik. Perandoria Otomane drejtohej nga Ahmeti I, i cili njihet si njeri fetar, i pëlqente poezia dhe dëshironte që të mbizotëronte paqja si brenda ashtu dhe jashtë perandorisë, vendi kishte kohë që ishte nën pushtetin e osmanëve dhe kishte filluar islamizimi i banorëve të Shqipërisë. Qytetërimi osman ka specifikën e tij të origjinës turke, ndikimin e perandorive të famshme të Lindjes së Mesme, e mbi të gjitha bindja ndaj Islamit.

    Mendësia Osmane në krijimin e qendrave të reja të banimit.

    “Në perandoritë tradicionale të Lindjes së Afërt, Shteti ndërmerrte vepra publike, siç ishin ndërtimi dhe mirëmbajtja e kanaleve, argjinaturave, rrugëve, urave dhe karvansarajeve, pasi mbështetja e tregtisë dhe e bujqësisë do të pasuronte thesarin e sundimtarit. Historiani musliman al – Tabariu, (v 997), shkruante se, sasanidët e konsideronin ngritjen e qytezave, fshatrave, rrugëve, urave, si detyrë themelore të një sovrani. Në peridhën islame, ideja e punëve publike nga osmanët shihej si një vepër devotshmërie ndaj islamit dhe përceptohej si bamirësi dhe kështu, edhe kur ndërmerreshin prej një sovrani, ato shiheshin si institucione të pavarura, jashtë fushës së veprimtarisë të shtetit këto ndërtime ju dhuroheshin vakëfeve”. (Halil Inalcik, Perandoria Osmane, f 183).
    Zhvillimet urbane janë bërë në kushtet e caktuara social – historike të kohës. Ballkani ka qenë pjesë e perandorisë osmane për më shumë se 450 vjet, është mëse normale që zhvillimet urbane të kenë karakteristikat e epokës osmane në Ballkan. Vetë osmanët trashëguan nga perandoritë tradicionale të Lindjes së Afërme traditën që shteti të ndërmerrte ndërtime në veprat publike. Në këtë traditë osmanët u përpoqën të shndërronin kryeqytetet e tyre, si Bursa, Edreneja e Stambolli në qytete të mëdha. Para pushtimit të Stambollit, (Kostandinopoja) kishte rreth 30 – 40 mijë banorë, osmanët morën masa që qyteti të rritej në popullsi e cilësi jetese. Sot Stambolli është një qytet që vizitohet nga miliona turistë për faktin që është një qendër e madhe urbane osmane.

    Tradita osmane e ndërtimit të qendrave urbane
    Ndërtimi i imareteve (qëndër urbane)

    Imareti është një kompleks institucionesh si xhami, medrese, spital, bujtinë për udhëtarët, kanalizime, rrugë e ura, të ngritura me motive të besimit e bamirësisë, si dhe ngritja e institucioneve që siguronin të ardhura për mbajtjen e tyre si han, treg, karvansaraj, banjë, mulli, mensë për të varfërit, etj. Ndërtimi i institucioneve fetare dhe bamirësie ndërtoheshin zakonisht rreth një xhamie, ndërsa ndërtimi i institucioneve tregtare qëndronin aty pranë xhamisë, ose në një vend të përshtatshëm me gjallëri tregtare. Këto imarete ishin pjesë thelbësore e mendësisë dhe planeve të ndërtimeve të të gjithë qytezave osmane, duke u dhënë atyre karakteristikat e veçanta të epokës, karakteristika që kanë sunduar deri vonë në Ballkan e Shqipëri, dhe që janë akoma të dukshme me karakteristikat urbanistike në këto vende.
    Themeluesit e imareteve, (qendër urbane) i financonin ato, si një akt bamirësie e përkushtimi fetar islam e që i dhurohej vakëfeve. Në shoqërinë islame çdo vepër bamirësie bëhej dhe i dhurohej thuajse gjithmonë vakëfeve. Janë të panumërta finacimet e veprave publike e fetare në Perandorinë Osmane që nga sulltanët e deri poshtë te fuksionarët e ulët të perandorisë.
    Dhurimi i veprava të realizuara bëhej pranë institucionit të kadilerëve, një institucion shumë i rëndësishëm i Perandorisë Osmane. Kadilerët osmanë shquheshin nga natyra shumë e strukturuar e institucionit të tyre, si dhe nga vendi i rëndësishëm që ata zinin në mirëmbajtjen e shtetit. Kadilerët bënin dhe punën e noterëve për të ligjëruar çdo akt privat. Gjithashtu kadilerët trajtonin dhe kujdeseshin ndaj vakëfeve e ndërtesave publike. Themeluesit e imareteve i rregjistronin në regjistrin e kadiut si akt dhurimi, të cilat miratoheshin nga sulltani. Kjo siguronte ekzistencën e vazhdueshme të shërbimit e mirëmbajtjes. Themeluesi i vakëfit përcaktonte qëllimin e tij, kushtet dhe caktonte muteveliun, administruesin e besuar. Perandoria Osmane kontrollonte dhe konfirmonte karakterin absolut të pronës vakëf e përjashtuar nga të gjitha detyrimet. Prona e vakëfit trajtohej si pronë e Zotit e kështu kjo pronë ishte e garantuar nga çdo ndryshim pushteti.
    Në Ballkan, e ku u shtri pushteti osman u krijuan shumë qendra urbane nën këtë mendësi zhvillimi e bamirësie, si Tirana e Korça në Shqipëri, Sarajeva në Bosnje, Tatar Pazarxhiku në Bullgari, etj. dhe u zhvilluan shumë qendra të vjetra banimi, si Shkodra, Shkupi, Prizreni, Selaniku, Beogradi, etj. Imaretet u krijuan pranë zonave bujqësore të zhvilluara e rrugëve kryesore që lidhnin Ballkanin me Stambollin, siç është rruga Egnatia, rruga e madhe ushtarake që lidhte Beogradin me Sofjen e Stambollit, etj.
    Tirana si zanafillë e një qendre urbane e ka pikërisht nën këtë mendësi zhvillimore.
    Sami Frashëri, në Enciklopedinë Osmane shkruan që Sulejman Pashë Bargjini në vitin 1614 pagoi për ndërtimin e një xhamie. I vetmi dokument që dimë është pllaka e vendosur në derën e xhamisë që përcakton Sulejman Pashë Bargjinin si pagues i ndërtimit të xhamisë dhe fillimi i ndërtimit është viti 1614.
    Sot për sot nuk ka dokumentacion tjetër që të konfirmojë ose të kundërshtojë këtë të dhënë. Ndoshta studimi i dokumentacionit osman i vakëfeve mund të na japi të dhëna të tjera plotësuese për figurën e Sulejman Pashë Bargjini dhe për ndërtimet në Tiranë.

    Sulejman Pashë Bargjini

    Kush ishte Sulejman Pashë Bargjini?
    Dokumentacion për këtë figurë historike nuk ka. Është shkruar për një pllakë në xhaminë që mori emrin e tij ku tregohet se ai ishte financuesi. Pllaka sot nuk ekziston. Emri i tij i fesë islame, ofiqi i Perandorisë Osmane, mbiemri Bargjini është shqiptar i fesë katolike. Pjesa tjetër për të janë legjenda e tregime për të e vazhduesit e fisit të tij. Dokumentim për të e fisin e tij nuk kemi.
    Në shekullin XVI, Perandoria Osmane fuqishëm ishte shtrirë në trojet shqiptare .Sulltan Bajaziti II, në vitin 1505, pushtoi Durrësin, shtypi kryengritjet e malësorëve të Dibrës, Matit, Kunavisë, Krujës, Bendës, aplikoi ndarjen e re administrative, fuqizoi sistemin e taksave dhe intensifikoi sistemin e Devshirmesë, jeniçerizmin. Shumë dokumente tregojnë se, në shekullin e XVI shqiptarët kishin poste të rëndësishme në administratën osmane.
    Relacionet e institucioneve të Vatikanit shkruajnë se në vitin 1577 Shqipëria Veriore dhe Qendrore ishte krejt katolike. Të njëjtat relacione pranojnë se pas vitit 1640, rajoni i Durrësit pothuajse i gjithi kishte kaluar në fenë islame vetëm disa bashkësi fetare katolike kishin mbetur. Gjithashtu islami ishte mbizotërues edhe në Krujë, Lezhë, Benda e Albium, (krahina malore të Shqipërisë së Mesme). Vërejmë se, në një perudhë më pak se 70 vjet nën pushtimin osman, feja islame ishte bërë feja mbizotëruese në Shqipërinë e Mesme. Gjithashtu shumë historianë kanë vënë në dukje se aristokracia ballkanike ishte e para që u konvertua në fenë islame, më vonë u ndoqën nga popullsitë fushore e më vonë malore. Këtu nuk është vendi të analizojmë shkaqet e konvertimit në islam të shqiptarëve. Nga kjo analizë e fakteve unë besoj se Sulejman Pashë Bargjini duhet të ketë qenë me origjinë nga fisnikëria e vjetër shqiptare e fesë katolike, i cili ka pranuar fene islame. Fakti që ai është tejet i devotshëm në bindësinë e tij fetare tregon se ai ka kohë që është kthyer në fenë islame.
    Çdo analizë tjetër për fillesën e qytetit të Tiranës është dëshirë që nuk mbështetet në faktet historike të zhvillimit të Tiranë.Në fund të këtij shkrimi do të bashkohesha me dëshirën që në Tiranë të rindërtohen përsëri ndërtimet e para të zanafillës së Tiranës duke krijuar një kompleks ndërtimor social – turistik me vlera trashëgimie për brezat dhe për turistët e huaj.
    Qytetarët e Tiranës në radhë të parë, shoqatat, institucionet duhet të marrin nismën duke bërë projektet përkatëse për rindërtimin e tij si një kompleks historik e social.

    10.04.2014

  • Leave a Reply to astrit Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *