Votimet sekrete në KMSH





Demokraci ne KMSHE-zani

Zgjedhjet në Komunitetin Musliman po zhvillohen në errësirë e fshehtësi, ashtu siç tashmë ky institucion është mësuar të veprojë prej kohësh. Mbledhja e kryesisë është zhvilluar në konspiracion të plotë, aq sa edhe vetë anëtarët e saj janë habitur kur e kanë marrë vesh gjatë mbledhjes objektin e saj dhe kandidaturat e propozuara. Asnjë informacion nuk i ofrohet publikut e madje as edhe vetë funksionarëve të KMSH-së. Po kështu, faqja e internetit të këtij institucioni, teksa nuk ngurron të na japë informacione mbi çdo aktivitet rutinor, thuajse pa kurrëfarë interesi publik, nuk e gjen të udhës të informojë qytetarët dhe besimtarët mbi zgjedhjet që do të emërojnë kreun e komunitetit më të madh fetar në vend. Ky black out informativ tregon karakterin sektar e meskin me të cilin po zhvillohet procesi, gjë që karakterizon tashmë prej kohësh lidershipin e këtij institucioni.

Natyrisht zhvillimi i zgjedhjeve të tilla sekrete lë të dyshohet se po përgatitet një farsë elektorale, në funksion të interesave të grupit gylenist që tashmë ka kohë që ka shtrirë sundimin e tij në institucionet përfaqësuese të fesë muslimane në Shqipëri. Duke qenë se vota në Këshillin e Përgjithshëm është e fshehtë, skenari është ndërtuar në atë mënyrë që të pengohet çdo kandidat jashtë listës së përcaktuar nga drejtuesit informalë që marrin çdo vendim real. Mësohet se tashmë Sabri Hushi është eleminuar prej listës, pasi në fakt ai është vetëkandiduar dhe nuk ka qenë në projektet e tyre. Kandidati i tretë, në vend të tij, do të jetë Dorian Demetja.

Në këtë mënyrë në KMSH po pengohet e drejta e kandidimit si mjet determinues për të penguar votën e lirë. Në fakt nuk është hera e parë që ndodhin manipulime të tilla. Vetë Këshilli i Përgjithshëm është krijuar me mandate të vjedhura, nëpërmjet organizimit të mbledhjeve që kanë eleminuar plotësisht votimin e delegatëve nga çdo rreth. Megjithëse Këshillin e kanë krijuar vetë, drejtuesit e KMSH-së nuk kanë besim për të lejuar një garë të lirë, pasi kësaj rradhe vota do të jetë e fshehtë, ndaj dhe skenari është që të pengohet çdo kandidaturë e mundshme.

Informimi është një prej të drejtave legjitime më elementare që çdo institucion serioz e transparent duhet t’u ofrojë qytetarëve. Është indinjuese dhe fyese kjo mënyrë të vepruari në shpërfillje të plotë ndaj njerëzve që ky institucion përfaqëson apo ndaj qytetarëve në përgjithësi: si mund të pretendosh të përfaqësosh një grup njerëzish kur as nuk i informon se je duke zgjedhur kryetarin e tyre? Është për të ardhur keq mbi mënyrën se si vijon degradimin ky institucion në mënyrën më të mjerueshme, teksa rreket të maskohet me spektakle elektorale si ato të festimit të ditëlindjes së Profetit a.s., kremtimit të Natës së Kadrit, inagurimit të një cope bezeje të printuar me një fotomontazh kompjuterik të cilin na e shesin si projekt arkitekturor për xhaminë e madhe, etj. Të gjitha këto tregojnë se KMSH-ja po uzurpohet nga paaftësia e papërgjegjshmëria e njerëzve që nuk kanë në plan t’i shërbejnë fesë, por interesave sektare, ku bëjnë pjesë, dhe atyre personale.

Mënyra se si vepron KMSH-ja po e zhyt këtë institucion në informalitet. Pas vjedhjes së mandateve në Këshillin e Përgjithshëm (parlamentin e muslimanëve), pas ndryshimeve statutore të bëra dy muaj më parë, ku kryesia u bë me 28 vetë (për t’i mbrojtur më mirë krahët), pas eleminimit të «grupeve jokonformiste» me të gjitha metodat arbitrare përjashtuese, tashmë na shitet një farsë elektorale për të prodhuar një kryetar dordolec. Për rrjedhojë falsiteti shndërrohet në mekanizmin bazë mbi të cilin funksionon ky institucion.

Duhet theksuar se shteti shqiptar ka qenë historikisht palë dhe aktor i kësaj maskarade, duke ofruar mbështetje për çdo shkelje. Një rast i tillë flagrant ishte ai i përplasjes midis Vokshit dhe Muçës, ku Kryetari i Komunitetit të Kulteve mbajti haptash anën e shkelësve të statutit, në favor të «puçit institucional» të ndërmarrë nga Muça, teksa policia e Tiranës dha kontributin e vet, duke detyruar Vokshin të tërhiqet.  Po në këtë mënyrë ndalimi me polici e vendime gjyqësore arbitrare të imamit të xhamisë së Medresesë për të ushtruar detyrën e tij, madje edhe për t’u falur në xhaminë e tij, flasin për bekimin e deritanishëm shtetëror në instalimin e një komuniteti tip policor. Shteti shqiptar ka një marrëveshje ligjore me KMSH-në dhe ka përgjegjësi të tregohet serioz duke kërkuar që marrëdhëniet e partneritetit me komunitetet fetare të mos ngrihen mbi bazë informaliteti. Tolerimi i këtij realiteti nga institucionet shtetërore deri tani, si dhe angazhimi i tyre kundër çdo përpjekjeje për legjitimitet, përbën shembullin më të keq të marrëdhënieve të shtetit me fetë, shkeljen e laicitetit dhe ndërhyrjen abuzive në punët e fesë, ndërsa nga ana tjetër neperkemben të drejtat fetare të qytetarëve shqiptarë. Shteti ka në dorë instrumentat e duhur, jo për të ndërhyrë në punët e brendshme të komunitetit, por për të kërkuar legjitimitet përfaqësues ndaj aktorëve me të cilët hyn në marrëdhënieje.

Sidoqoftë, duket se këto zgjedhje do të zgjerojnë në mënyrë të turpshme përmasën e informalitetit në KMSH, duke rritur fiktivitetin e drejtuesve të saj. Kryetari i ri mund të zgjidhet të shtunën me votë të fshehur, e jo të fshehtë, në një proces ku i fshehtë është vetë procesi e jo vota.

Comments

  • Sigurisht, ne KMSH apo ne cdo komunitet tjeter fetar nuk duhet te kete vend per horra, hajdute dhe ekstremiste. Kmsh eshte shembulli m ei mire i shkelmimit te pucisteve dhe horrave.

  • Shume bukur.
    Keto njezet e kusur vite, nga koha e rahmetli Hafiz Sabriut, modeli i liderit te muslimaneve vjen vetem ne degradim. Nga nje hoxhe qe u arrestua duke zbritur nga mimberi, personi qe ende ne diktature mori persiper te ngjitej edhe nje here ne mimber, vijme tek emri i nje nenabi te Hizmetit, qe dhe me kriteret hierarkike te vete sektit, eshte ende me pampers tek mendereja, gjithmone ne pritje te faksit nga Pensilvania per urdhrin e nderrimit te mbetjes. Nuk duhet lene pa permendur dhe intermexoja mes dy modeleve, me sigurimsa dhe tetedhjetleksha, qe hera heres, ne hyxhym e siper, nuk ngurruan te perdornin grushtat dhe posqollat, gjithnje per hir te Vakufit te “Shenjte”.

  • Selamu alejkum me vjen keq qe disa njerez mendojne akoma se ai eshte nje instuticion qe perfaqson besimtarët mysliman. .per mendimin tim ai eshte vetem se nje PPSH.. Allahu xh. sh na udhëzoft dhe na drejtofte..amin

  • Selamet e mia miq te kesaj faqeje! Shkrimi ne parim mund te kete elemente te vertete, porse shembulli ilustrues me ILIR VOKSHIN, kete hajdut te pronave vakef ne qytetin e Durresit dhe te arkes se Myftinise se Durresit, eshte fyes per ne qe ju ndjekim me vemendje e lexojme me kujdes. Nuk dua tju besoj te perfshire ne fluksin e parave informale qe po rrjedhin nga Ankaraja drejt Tiranes e Shkodres. Ju kerkoj ndershmerisht qe ne emer te vlerave e parimeve qe ju perpiqeni te mbroheni nepermjet kerij shkrimi, te distancoheni nga abuzues te tille si ILIR VOKSHI, BETIM TRUCI, ERMIR GJINISHI etj, ne te kunder do te fillojme te besojme se edhe ju i keni nxjerre ne ankand parimet tuaja. Me shume respekt…

    • Ardit, qendrimet tona mbi Vokshin dhe Mucen i kemi shprehur ne linkun qe kemi sjelle nje paragraf me lart kur flitet per nderhyrjet e shtetit ne KMSH. Faqja jone ka denuar ashper abuzivizmin e Vokshit dhe ka pohuar pa asnje droje se te dyja palet kane qene jolegjitime. Megjithate kjo nuk na pengon te denojme perfshirjen e policise se shtetit ne nje konflikt te tille institucional, gje qe krijon nje precedent te rrezikshem per sanksionimin e arbitraritetit brenda KMSH-se.

      PS

      Sa shpejt te hedhin ne ankand.

    • A e lexove vella Ardit linkun ku permendet Vokshi si abuzues? Meqe kerkoje distancim nga nje gabim i paqene, a nuk eshte mire te kerkosh hallallin ketu, se hodhe edhe dyshime morale mbi artikullin? Pse nxirrni fjale kaq te medha nga goja, pa u siguruar minimalisht?
      Po behet zakon i keq ky, qe nen justifikimin se flasim pro te mires se pergjithshme, nuk ka problem nese e teprojme, nese nxitojme ne gjykim, nese lendojme dike.

  • me e mira e te mirave, ne te gjithe ate katrahure, do te ishte propozimi i nje zonje per kryetare te kmsh-se (s’ka asnje grime ironie ne ate qe them)

  • Mes tjerash do të kisha dashur të di çka është “Komuniteti”! A është Umme, Bashkësi apo ndonjë kuptim tjetër?

    • Mos u ngaterro me llafe te medhaja mik, umet eshte umeti- bashkesia e pakohe e gjithe besimtareve te gjalle e te vdekur, kudo.

      Komunitetit me perkedheli i therrasim’komiteti’, meqe me shume se gjthckaje i ngjan nje komiteti partie ne province

  • urime per kryetarin e ri :

    …..ndoqi studimet në Institutin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Bosforit, ku pasi mbrojti gjuhën angleze, vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale – dega Psikologji.

    Gjatë viteve 2000-2011 kreu studimet pasuniversitare, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studimet për doktoraturë me temë: “Menaxhimi i Cilësisë në Arsim”.

    hoxhe tamam

    • Goxha hap cilsore eshte bere. Nga inxhinjer ne pisikolog, kthese 180 grade do ta quaja une. Kryetari i ardhshem i bie qe te jete specialist IT me diplome nga Polikumi, me nje master ne shtrimin e kabllove optike nenujore dhe me nje doktorate mbi anomalite e performances ne UHV si pasoj e perdorimit te antenave me kanoçe dhe e ferkimit te kabllit me varak.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *