Një botë kombesh nuk mund të ekzistojë, ndërsa ekziston një botë ku disa grupe, potencialisht kombëtare, në momentin që kërkojnë këtë status i pengojnë të tjerët të shprehin të njëjtat pretendime, megjithëse, siç vërtetohet, nuk janë të shumtë ata të cilët i kërkojnë.
Eric Hobsbawm
Nation and Nationalism since 1780
Krimea u bë territor rus që nga fundi i shek. XVIII, pasi iu mor tartarëve – vasal të Portës së Lartë –, më përpara se Teksasi, Luiziana, Alaska dhe Kalifornia të inkuadroheshin në SHBA. Kaloi nën “sovranitetin” e RSS ukrainase në vitin 1954, por asnjëherë nuk e ka humbur praninë dhe lidhjen ruse: ishte një kalim brenda familjes sovjetike i një prone ruse. Nga ky këndvështrim, Rusia, me gjithë përshkrimet mediatike-perëndimore të Putin-it si cari i momentit, është plotësisht e legjitimuar nga historia, të paktën ajo moderne, si dhe nga parimi i vazhdimësisë etnike, sepse Krimea dominohet nga popullsia ruse. Sigurisht që legjitimiteti avullon nëse i nënshtrohet këndvështrimit të së Drejtës Ndërkombëtare, për faktin se Krimea aktuale – megjithëse autonome – është pjesë e republikës ukrainase. Por pikërisht këtu, tek e Drejta Ndërkombëtare, më shumë se në teori, në praktikë pretendimi dhe veprimi rus është plotësisht i justifikueshëm. Kujtoni luftën “altruiste” në Kosovë apo humanitare, siç kërkon ta tregtojë ndonjë deputet kosovar: nisur nga e Drejta Ndërkombëtare ajo ishte e paligjshme, sepse ndërhyhej, për arsye të justifikueshme, në çështjet e një shteti sovran. Po agresioni i Irakut nga SHBA në 2003? Akoma më i paligjshëm, aq më tepër pasi pretekstet e shpalosura nga Colin Powell dolën më false se Testamenti i Konstandinit, gati si ato armët që regjimi i Enver Hoxhës i fshehte për t’i zbuluar më pas me ceremoni tragjike nëpër qilarët e viktimave.
Në këtë shpalosje muskujsh, e mbi të gjitha potenciali atomik, deklarata e Kosovës zyrtare ishte ndër më komiket. Të mendosh se në mediat shqiptare u përcoll për ta ballafaquar me qëndrimet e Tiranës, duke bërë militantizëm mediatik edhe me situata gjeopolitike që tejkalojnë parodinë tonë diplomatike: “Republika e Kosovës dënon agresionin mbi territorin e Ukrainës nga Federata Ruse, dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në kundërshtim të plotë të detyrimeve të Federatës Ruse sipas Kartës së OKB-së”. Lider, që rrobat ushtarake i kanë mbuluar me ca kostume perëndimore, dënojnë agresionin e huaj ndaj një territori të një shteti sovran i cili banohet në maxhorancë nga kombësia e agresorit. Është njësoj sikur Shqipëria të sulmonte Jugosllavinë në 1999 për të aneksuar territorin që historikisht dhe etnikisht ka qenë vijimësi shqiptare! Edhe Putin-i ka arsye humanitare, po të lexosh deklaratat zyrtare, ashtu siç shumica e konflikteve historikisht janë justifikuar nga humanitarizmi.
Por sidoqoftë, baronesha Ashton nuk rivalizohet dot nga teatraliteti i diplomacisë së panevojshme kosovare, pikërisht në sikletin e saj, që tradhton pafuqinë e Evropës dhe njëkohësisht hipokrizinë e diplomacive perëndimore, të cilat me shtetet si Rusia përdorin regjistra të tjerë, ndërsa shtete si Kosova i çmontojnë sipas interesave, e të tjera si Shqipëria, Serbia, por edhe Turqia etj, i mbajnë peng me dosjen e integrimit, e me te tjera si Egjipti mbajnë leksione iluminizmi. Për arsye që nuk kishin të bënin fare me demokracinë, por ekskluzivisht me energjinë, BE-ja, pasi e kishte elektrizuar popullsinë me premtime ndihmash ekonomike, mbështeti demonstratat e Kievit, që shpërthyen vetëm kur Kievi zyrtar do të nënshkruante disa marrëveshje të rëndësishme me Rusinë. Janë pikërisht këto lloj protestash me buton, të ngjashme me ato të “pranverës arabe”, me simotrat e Turqisë, që përcjellin hije të forta dyshimi për spontanitetin e tyre dhe idealizmin e diplomacive mbështetëse. Rasti i Egjiptit është mbase shembulli më domethënës: populli hoqi një diktator, më prej vërteti se Yanukoviç; ndryshe nga Ukraina, pushteti i ri doli nga vota; fituesit u mënjanuan me protesta të tjera me buton dhe me armë; diplomacitë iluministe nuk u indinjuan aspak. Demokracia është justifikimi më i dalë boje sepse interesat e shteteve e zhvilluara industriale kanë motivuar historikisht mbështetjen e regjimeve autoritare, diktatoriale apo të derivate të gjuhës së armëve, dhe vazhdojnë ta bëjnë akoma sot.
Në Ukrainë nuk vlejnë eksperimentet e botës arabe. Ndryshe nga këto vende aty konfrontohen interesat e më shumë superfuqive, e deri në këto çaste, nga fundi i shek. XVIII dominon Rusia. Protestat e fabrikuara, indinjatat publike, pretendimet për eksportimin e një lloj demokracie dhe kërcënimet patetike për sanksione janë të pamjaftueshme. Rusia ka rubinetin e gazit për Evropën, ka armët e domosdoshme, ka burime ekonomike primare, ka popullsi e sipërfaqe superfuqie, ka interesa të çmuara dhe të afërta më shumë se interesat e veshura me demokraci të BE-SHBA. Në kushte të tilla Krimeja është e destinuar të rikthehet në sovranitetin e “natyrshëm” rus ose minimumi të shkëputet nga Ukraina si territor i pavarur. Kjo mund të jetë kostoja e menjëhershme e cenimit të zonave strategjike ruse. Humbësit, si përherë, mbeten banorët e Ukrainës, por kjo çështje duket e parëndësishme. Është e trishtueshme se rroba e demokracisë kalon si leckë nga një popull në tjetrin, ndërsa të Mirët dhe të Këqijtë e globit nuk kanë më kufijtë dallues për t’i identifikuar.
Comments