Skënderbeu hero fetar





SkenderbeuH. Omari

Kishte shpalosur mjaft objektiva partiake Amir Ahmeti, por gazeta intervistuese, një kombinim mes mediokritetit profesional dhe mercenarizmit, i kishte nënvizuar në hyrje të artikullit një fragment mbi heroin tonë kombëtar dhe heroinën kombëtare të elitave kosovare, Nënë Terezën. Kuptohet qëllimi i artikullit, por nuk kuptohet se si pretendon Ahmeti të bëjë revolucion të politikës me frymëzim islam ndërsa njëkohësisht publikon veten me intervista në faqet më agresive ndaj frymës së tij. Mbase po bën dawa. Nejse.

Ajo që indinjoi ndjeshmërinë publike të anëve tona ishte gjykimi fetarizues i epopesë së Skënderbeut: komentet e vijuara janë si përherë një inkubator i urrejtjes të cilën vazhdojmë ta kultivojmë gratis në mediat shqiptare, sikur të mos mjaftonte tritoli dhe leksiku kriminal i parlamentarëve. Asgjë për t’u skandalizuar sepse Ahmeti shpreh shkurt e shqip atë çka rrëfen Barleti plot patos të detajuar, duke e përpunuar pastaj nën direktivat e konsoliduara të elitave shqiptare të aventuruara në ri-shkrimin fetar të epopesë skënderbegiane.

Botëkuptimi i Ahmetit mbi Skënderbeun është pasoja e parashikuar e një fetarizimi katolik të heroit kombëtar pas rënies së komunizmit. Fillimisht është eksperimentuar në Shqipëri nga analizat me karakter historik të Ismail Kadaresë, Aurel Plasarit, Ardian Ndrecës, më pas të prapavijës që justifikohet me këto analiza – Polovina, Gjekmarkaj, Nano, Marku etj. – dhe një mori përçuesish anonim me funksione publike. Në Kosovë kulmon me shkeljen e laicitetit nga ana a klerit katolik, i cili ndërhyn brutalisht në kungimin e figurave dhe simbologjisë kombëtare shqiptare.

Etiketat “Mbrojtësi i Krishtërimit” dhe “Atleti i Krishtit”, të tregtuara krahas dhe në mbivendosje me veprimtarinë kombëtare, betimet në emër të Krishtit përpara veprimeve ushtarake e politike, ekzaltimi i raporteve fetare me Papatin në vend të arsyetimit politik, interpretimi i konfliktit me osmanët mbi baza fetare dhe përmes këndvështrimit të përplasjes së qytetërimeve rigorozisht fetare, “njësimi” i heroit me figura ekskluzivisht fetare – Nënë Tereza, Pjetër Bogdani e deri Don Bosko –, janë vetëm disa nga mekanizmat e fetarizimit të Skënderbeut.

Kur Heroi i parashtrohet masës me këtë status, absolutisht në kundërshtim me përpunimin rilindës, ku propozohet në rolin e arketipit të qëndresës kombëtare ndaj sundimit të huaj, natyrisht që e rrezikon piedestalin, sepse shqiptarët prezantohen vetëm si besimtar të një feje në konflikt me fenë tjetër ose pjesëtar të një koalicioni hipotetik të ngritur mbi baza fetare. Le pastaj që vjen si manipulim historiografik trendi. Jo vetëm Ahmeti, por edhe një shqiptar laik, nacionalist ose jo, do të irritohej nga këto interpretime, përveçse do të ndjehej i përjashtuar nga identifikimi me heroin kombëtar. Mediat kanë të drejtë të skandalizohen nga fjalët e Ahmetit po aq sa nga burimet e kundër-arsyetimit të politikanit në fjalë. Si mund të jetë më fetar Skënderbeu i Ahmetit, e kësisoj jo më hero i kombit, se sa Skënderbeu, p.sh, i Lush Gjergjit apo i Aurel Plasarit?

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *