Italian President Giorgio Napolitano during a visit to AlbaniaPerpara disa ditësh çuditërisht qarkulloi lajmi sipas të cilit presidenti Napolitano gjatë vizitës në Shqipëri kishte avancuar disa pretendime fyese ndaj fesë Islame. Sipas Agjencisë virtuale Italiane të shtypit të ditës ASCA Presidenti është shprehur në një takim me pjesëtarët e komunitetit italian që jetojnë e punojnë në Republikën e Shqipërisë se “Italia mbështet kandidaturën e Shqipërisë në B.E. edhe për të parandaluar ‘prurjet prej çfarëdolloj drejtimi’ përfshirë ‘kontaminimin e mundshëm prej virusit islamik’”. Ky takim u zhvillua në rezidencën e ambasadorit italian akredituar në Tiranë, si pjesë e protokollit të vizitave të kryera nga Presidenti gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Megjithatë, në asnjë media shqiptare nuk u citua një fjalë e tillë, sepse, në fakt, kjo pjesë e protokollit nuk ka qenë në vëmendjen e mediave. Pas daljes së këtij lajmi në ASCA, përfaqësues të komunitetit musliman të shqiptarëve të Italisë kanë kërkuar shpjegim në zyrën e Presidentit, e cila nga ana e saj është përgjigjur se lajmi nuk ishte i vërtetë dhe se Presidenti nuk ishte shprehur në asnjë rast në këtë mënyrë. Kërkesa për sqarimin e këtij lajmi u bë nga Kryesia e Unionit të Shqiptarëve Muslimanë në Itali në bashkëpunim me kryesinë e CAIM (Koordinimi i  Shoqatave Islame në Milano) dhe menjëherë zyra e shtypit i është përgjigjur kësaj kërkese me një letër e cila sqaron se gjithka është e pavërtetë. Në letër thuhet:

“Ndryshe nga çfarë u tha gabimisht në njoftimin e një agjensie lajmesh të mërkurën, e që pati jehonë të gjerë ditët në vazhdim, gjatë vizitës së tij në Tiranë Presidenti Giorgio Napolitano në asnjë rast nuk ka kërkuar futjen progresive të Shqipërisë në Bashkimin Evropian me qëllim evitimin e rrezikut të ‘kontaminimit të saj të mundshëm nga virusi islamik’. Këto fjalë ofensive dhe fyese ndaj Islamit janë krejtësisht të huaja dhe të papranueshme në gjykimin e tij. Presidenti Napolitano, për ti ilustruar pjesëtarëve të komunitetit italian atë që kishte dëgjuar nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ka shpjeguar se gjatë bisedës doli në pah nevoja për konsolidimin e progresit të vendeve të ‘Ballkanit perëndimor drejt Evropës edhe si një përpjekjeve për të parandaluar prurjet nga drejtimi tjetër, veçanërisht infiltrimet e mundëshme në këtë rajon edhe të virusit të fondamentalizmit islamik’. Është kjo që na rezulton edhe nga regjistrimi i fjalës së presidentit. Fjala fondamentalizëm i referohet manifestimit të tij agresiv i cili është shndërruar në matricë të terrorizmit ndërkombëtar”.

Bien në sy dy gjëra. Së pari, manipulimi mediatik është fenomen ndërkombëtar nga i cili nuk shpëtojnë as vende që ne i ngjasojmë në formë karikature. Së dyti, një shoqatë emigrantësh merr përgjigje të menjëhershme nga Presidenca e një vendi shtetas të të cilit nuk janë, aq më tepër për çeshtje të lidhura me fenë, ndërkohë që perfaqesuesit e shtetit shqiptar në Itali, si Llesh Kola e Nausika Spahia, tradicionalisht kanë bojkotuar çdo takim të këtyre shoqatave, qoftë edhe me karakter laik e kombëtar, madje nuk kanë denjuar as t’i urojnë një herë të vetme me një letër të rëndomtë dhe klishe. Për të mos thënë se këtej detit ofendimet në qendrimet zyrtare dhe kompleksi i inferioritetit janë traditë institucionale.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *