gupi-sirise-arrestime-279x420

e-zani

Në vazhdën e reagimeve mediatike që pasoi arrestimin e dy imamëve dhe gjashtë besimtarëve të tjerë muslimanë nën akuzën se rekrutonin luftëtarë për në Siri, nxitje të terrorizmit dhe urrejtjes, apo dhe armëmbatjes pa leje, duken të lihen mënjanë disa detaje të rëndësishme.

Pikërisht ngase reagimet ndaj këtyre arrestimeve janë kthyer në reagime negative ndaj gjithë bashkësisë së muslimanëve shqiptarë, do ishte e nevojshme që autoritetet e rendit të ishin treguar më të hapur për publikun dhe të qartësonin se kanë qenë udhëheqës fetarë të xhamive të vendit ata që u kanë tërhequr vëmendjen dhe u kanë kërkuar që të ndërhyjnë që imami Genc Balla të ndalte retorikën inflamatore në lidhje me luftën në Siri. Kjo bëhet rëndomë nga autoritetet e rendit në disa vende në botë, ndër të tjera për të treguar për bashkëpunimin e policisë me bashkësinë, por edhe që të parandalohet reagimi negativ ndaj gjithë bashkësisë.

Rasti i Genci Ballës dhe pasuesve të tij është i njohur për bashkësinë si një grup i mënjanuar që ka sulmuar në shkrime të gjithë kolegët e tij imamë, e po ashtu si një grup që vepronte në një xhami të pa-autorizuar nga Komuniteti Musliman. Por duhet të ngrihet një pyetje thelbësore që media ndërkaq e ka neglizhuar: në bazë të cilit ligj janë vënë nën vëzhgim dhe së fundmi janë arrestuar këta individë, kur e dimë që projektligji për penalizimin e atyre që luftojnë në konflikte si ai sirian është ende i freskët? Po në suazën ligjore është përsëri detyrë e medias, si institucion që supozohet të vërë frena në aplikimin pa kontroll të pushtetit nga ana e shtetit, që të kujtojë autoritetet dhe publikun që një qytetar është i pafajshëm gjersa të provohet fajsia në gjykatë.

Së fundmi, siç u tha më sipër, imamët e arrestuar nuk janë një problem i ri për bashkësinë e besimtarëve muslimanë, por është interesante që pasuesit e këtyre imamëve kanë deklaruar se imamët janë të pafajshëm dhe kanë bërë thirrje për protesta. Pse? Këta imamë janë të deklaruar për mosnjohjen e legjitimitetit të protestave si formë legjitime e shprehjes politike e për rjedhojë është koha të praktikojnë atë që predikojnë. Së dyti, pretendimi për pafajsi është pretendim i ngritur brenda logjikës juridike që u ka marë sot lirinë dhe këta imamë kanë deklaruar prej kohësh që nuk njohin ligjet në fuqi. Nuk mundesh të apelosh për njohje të lirive fetare, kur nuk njeh legjitimitetin e strukturës ligjore ku po kërkon mbrojtje. Atëherë si mund t’i apelosh një ligji që nuk e njeh? Nuk po sugjerohet këtu se kjo i bën të akuzuarit fajtorë, por është e me rëndësi të vihet në dukje paradoksi ku këta imamë gjenden, pasi kanë ndërtuar një shtet brenda shtetit.

Më parë është vënë në dukje, në rastin e akuzës për nxitje për terrorizëm të Artan Kristos, se gjykatat, ashtu si institucionet paralele në vende të tjera të botës, duhet të konsultojnë specialistë në lidhje me radikalizmin fetar. Pas dy vitesh burgosjeje Artan Kristo u la i lirë dhe u shpall i pafajshëm. Ashtu si dhe në rastin e Kristos, gjykata duhet të sigurojë që bën atë që supozohet të kryejë në shoqëri: të vendosë drejtësinë. Një njeri që beson se në Shqipëri duhet të vendoset mbretëria nuk mund të arrestohet meqënëse beson në një sistem të kundërt me atë republikan, për sa kohë që nuk ka kryer ndonjë shkelje të ligjeve të republikës. Ligji adreson veprimet dhe jo mendimet. Shpresojmë të mos bëhen patetikë me pretendimin se kanë nxitur urrejtje sepse kjo buron lirshëm nga programet televizive në oraret e ditës, nga fjalori rrugaç i përfaqësive të institucioneve politike të shtetit tonë (“kriminel”, “trafikant”, “mashtrues”, “vjedhës”, janë disa nga etiketat më familjare, falë përdorimit nga politikanët tanë), nga gazetarë e nga mediat, madje më të shumuarat, të cilat i kanë hapur dyert për komente publike, pa çka se anonime, ku lexohen qartë pasojat e artikujve.

Nisur nga rasti Kristo, vallë kërkoi ndjesë ndonjë media, kalemxhi apo komentues pervers për akuzat, fantazitë, kërcënimet dhe urrejtjen e prodhuar ndaj qytetarit në fjalë? Po për fobinë e ushqyer ndaj fesë nisur nga veprimet e një individi?

Comments

  • nuk njohin shtetin, gjykaten, nuk pranojne avokat, protestojne me tekbire para gjykates.
    me pak fjale eldorado per median dhe islamofobet

    • o kamzali nje shtet qe ne programin e saj ka si qellim prishjen e moralit te njerzimit me qellime fitim prurje si psh. martesat burr me burr dhe grua me grua nuk ka perse te njihet si shtet . ik se mos te prishet dasma dhe ty

      • Fjala shtet eshte mashkullore dhe si rrjedhim nuk mund te thuash “programi i saj” (shtetit) por programi i tij.
        Edyta, ky shtet nuk ka per qellim prishjen e moralit. Deri tani te pakten, nuk ka nje ligj qe lejon martesat midis mes burrave. Por edhe nese i lejon, kjo nuk behet per te prishur moralin, por dicka qe shume njerez e mendojne si te drejte te individit (pavaresisht se gabojne).
        Ky shtet, i mire apo i keq eshte shteti yne dhe, sipas fese tone, jemi te detyruar ta mbrojme e forcojme, sepse ai eshte garant i shume gjerave te rendesishme per jeten tone. Ne te kunderten, pa shtet jeta jone do te ishte e kercenuar.
        Sido me qene, e sigurte eshte qe me mire me jetu ne nje shtet “qafirash” si ky, sesa ne ate utopine enveriste qe do me cu ne Siri ai Abdurrahmani juaj! Te pakten kta “qafirat” ketu, na lejojne lirine e besimit, mendimit, fjales, praktikimit te fese, kurse ato luftetaret e Dyrrit atje ne Siri ia kane nis me vra njeni-tjetrin, pa e fillu mire luften.

      • si eshte ajo historia me ate sahabin(umerin r.a. ne mos gabofsha) qe i kerkoi mbreti qafir ti puthte koken si kusht per lirimin e roberve musliman dhe ai e beri dhe profeti salallahu alejhi ue selem me pas i urdheroi sahabet qe tja puthnin koken atij, si shenje miratimi te ixhtihadit te tij. ku eshte vepra e ketyre imameve qe spranojne avokat, si ngrihen ne kembe gjykatesit, slejne shteg per asnjelloj komunikimi, ne krahasim me te sahabeve?! nese nuk e njeh shtetin je i lire te besh hixhret. Toka e Allahut eshte e gjere. njohje sdo te thote medoemos ta pelqesh apo miratosh.

        • Ngjarja ka ndodhur vetëm me Umerin sepse Profeti në atë kohë nuk jetonte. ndërsa sahabi që ia puthi kokën mbretit quhej Abdulllah ibn Hudhafe.

  • Pasi kane bere lanet, duke i akuzuar per munafike e bidatcinj trecerekun e imameve dhe besimtareve u kerkojne atyre mbeshtetje. Fetarisht kur ndahesh nga xhemati, normalisht qe do thyesh turinjte. Kjo po ndodh tani.

    • qenke djal i zgjuar ti ik e futi nja buk e qofte se nuk je per komente ti jo ik te keqen xhaxhi ik e futi nje buk e qofte do ndihesh me mire

  • Edhe ish krymenistri Sali Berisha deklaroi per rrezimin e Esedit biles do ta gjeni kete ne deklarat e tij ne facebook, mirepo a do te vihet ai para ligjit me qellim se ka sulmuar nje shtet tjeter, kjo eshte ne dore te prokurorise.

    Se dyti a e perdori Opozita ceshtjen e luftes se sirise se preteks per nderrimin e kryetarit te Shishit qe gjithmone i vendosin emrin e Babes Abas sepse nuk kuptohet ndryshe qe ky eshte me origjine Islame nga emri dhe mbiemri i tij, prandaj mediat per te rritur indetitetin fetar e personit ne fjale i vendosin emrin e Babes mbas cdo lajmi, gje e cila nuk ka ndodhur kjo me te tjeret.

    Se treti a po justifikohet policia e shtetit dhe qeveria me keto te ndodhi te fundit per te humbur gjurmet ndaj kohes se quajtur te tritolit.Sepse ka shume zera qe Ish Sigurimsat e vjeter po e perdorin kete ngjarjen e arrestimeve dhe mediatizimin e saj me ane te spiuneve te infiltruar ne media si nje shkak per te mbuluar me tym flaket e qeverise se tritolit dhe ndodhive dhe vrasjeve nga mospasja e rendit publik ne shqiperi.

    Se katerti dhe se fundmi: eshte skenar apo eshte rastesi? Kjo duhet pare nga analistet muslimane dhe nese mendojne se kjo eshte skenar, duhet t’i paraprijne lajmerimit te publikut per kete skenar.

  • Media po ben qef keto dite ne kurriz te muslimaneve. Por eshte interesant qe s’ja asnje lloj reagimi nga KMSh pervecse “o ne nuk I njohim keta imame, nuk jane tanet.” Faqja zyrtare e KMSh flet vetem per qokat ne KMSh nga lloj lloj shoqatash turke per te uruar kryetarin e ri. A e kuptojne ata qe ne keto momente besimtaret kane nevoje per perfaqesim?
    Gjithashtu nga komentet ne web kam vene re nje kureshtje te madhe per nje qendrim sqarues te Ezanit apo organizatave te tjera rreth asaj qe po ndodh? Cfare rryme perfaqeson Genci Balla? Cfare predikojne ata? A perben problem per bashkesine islame ky grupim? Dhe si propozohet te adresohet ky “problem” para se te kalohet (larg qofte) ne akte t dhunshme?

    • etiketimet jane problematike A, por ky grup ka kohe qe etiketohet si tekfirist edhe pse te gjithe retorika e tyre nuk kemi pare qe ata te bejne tekfir.

      • Etiketimi “tekfirist” për këtë grup në shtypin shqiptar është shumë interesant. Nuk është e besueshme që gazetarët janë bërë specialistë për të dalluar “tekfirin” nga “selefizmi” dhe “w/va/ehabizmi”, etiketimet e preferuara të këtyre viteve të fundit në shtyp. Mendoj se etiketimi si “tekfir” dhe jo si “vehabi” ose “selefi” i këtyre myslimanëve vjen si produkt i një konjunkture të re të marrëdhënies shtet-komunitet mysliman në Shqipëri, ku “selefinjtë zyrtarë” përfaqësohen me një eksponent të tyrin në një institucion shtetëror tashmë të diskretituar të asaj marrëdhënieje. Ashtu siç akuza “imamë të paautorizuar” sjell në kujtesë ndërhyrjet e shtetit në favor të KMSh-së në raste kur kjo e fundit donte të hiqte qafe imamë të pakëndshëm duke vënë njëkohësisht nën kontroll xhamitë e tyre. Në rastin konkret shteti (SHISH-i, MPB-ja, policia etj.) mirëpret bashkëpunimin e KMSh-së dhe të “selefinjve zyrtarë” për të avancuar politikat e tij ditore, të cilat në vetvete nuk janë aspak kongruente: legjitimimi që SHISH-i i bëri ekzistencës së tij nëpërmjet këtij aksioni nuk i shkon aktualisht aspak përshtat qeverisë, por ky është kapitull tjetër…

      • Gjithashtu disa komente me interes tek Peshkupauje qe tregojne interesimin per qendrimet e Ezanit:
        http://www.peshkupauje.com/2014/03/arrestohen-disa-persona-rekrutonin-luftetare-per

        tropizma – 11 Mars 2014 – 19:38 Permalink
        Mirë që gazetarët nuk e bëjnë punën e tyre, që të raportojnë për përmasat e fenomenit (sa veta, të paktën, dhe si krahasohemi me vendet e tjera), për shtysat personale dhe të grupeve, me intervista të menduara me pjesëmarrës apo aspirantë për pjesëmarrje në luftë, me figura të komunitetit mysliman dhe me shtetarë, por as vetë komuniteti mysliman nuk më duket se po përpiqet të ndihmojë publikun të kuptojë, përveç ndonjë deklarate kundër pjesëmarrjes në luftë kur i ka pyetur gazetari. Një kërkim që bëra tek faqja e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë – kërkim muaj më muaj se nuk ofrokan mundësi kërkimi të automatizuar – nuk nxori asnjë deklaratë për shtyp hartuar nga ata dhe akoma nuk kam lexuar asnjë artikull mbi përpjekjet e KMSH-së apo grupimeve të tjera (E-zani.com? Një njëzetminutësh i shpenzuar aty të tregon cili qenka problemi kryesor i myslimanëve shqiptarë sot për sot: Fetullah Gyleni) për t’u marrë me hoxhallarët dhe individët me prirje ekstremiste që KMSH-ja vetë dënon. Sipas “Ballkanwebit”:
        Pas arrestimeve për terrorizëm ka reaguar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Sipas KMSH të arrestuarit nuk janë punonjës të komunitetit. “Nisur nga lajmet e sotme për arrestimin e disa personave të akuzuar për terrorizëm dhe përfshirjen në konfliktin e Sirisë, Komuniteti Mysliman bën me dije se personat në fjalë nuk janë punonjës të Komunitetit Mysliman.
        Dmth në Shqipëri ka hoxhallarë me mandat nga vetja e vet dhe KMSH-ja është në rregull për sa kohë bën thirrje me dy fjali, kur e pyesin, për tolerancë, harmoni, bukuri, e më the të thashë. Ndoshta KMSH-ja shpreson për përfundimin e afërt të luftës dhe bashkë me të, të gjithë problemeve me luftëtarët? Dhe bashkë me to problemeve mediatike? Ndoshta presin shuarjen e Al Kaedës? Shuarjen e ekstremizmit në botë? Zhdukjen e hoxhallarëve të paautorizuar falë punës së Tahirit? Kur vetë myslimanët nuk e trajtojnë shtruar problemin, duke e ditur gjendjen e mediave dhe prirjet e opinionit publik, si mund të presin të mos ketë keqkuptime?

    • Une kam qene nje nga ata qe kane kerkuar qe e-zani te proncohej ne lidhje me kete rast. Jo se e-zani perfaqeson komunitetin musliman ne teresi, por thjeshte si nje medium qe ne raste te tilla gjithnje ka treguar se din te shprehe zerin e arsyes (edhe pse nuk pajtohem ne cdo gje). Kjo ka qene vetem si nxitje per te bere nje analize per rastin ne fjale. Selam.

  • Ju thoni se ligji adreson veprimin e jo fjalen apo mendimin. Ne fakt, sipas shtetit tone ligji adreson nijetin dhe arreston njerez vetem pse deshirojne dicka te keqe. Nje prej objekteve te sekuestruara nga policia ne cilesine e proves, ishte edhe nje liber ku, sipas mediave, flitej kunder nderrimit te fese. Mesa duket policia e ka marre kete si nje prove per te vertetuar se “terroristi” ne fjale nuk qenka pro tolerances fetare!
    Me nje fjale, akuza eshte per agjitacion e propagande, si dhe per faktin se lexon literature dekadente! 🙂

  • Përpara se të nisë tamam debati mbi doktrinën dhe metodën fetare të hoxhallarëve tashmë të pandehur është mirë të shtrohen disa pyetje thelbësore, të cilat i ngre deri diku edhe shkrimi.

    Sipas Gazetës Shqip, të pandehurit akuzohen nën nenet 231, 232/a dhe 265* për aktivitet terrorist dhe për nxitje të urrejtjes fetare.

    Për t’i diskutuar këto akuza nevojitet prania e një ose më shumë juristëve, por me sy të lirë dhe logjikë të thjeshtë, dy janë momentet në të cilat duhet të përqendrohemi për të parë më qartë në këtë situatë:

    1. Nëse pika e rëndësës së akuzës do të jetë nxitja e urrejtjes fetare (neni 265), pyetja që shtrohet është: përse shteti shqiptar nuk shqetësohet me nxitjen e urrejtjes fetare që shfaqet hapur si fenomen nga opinionistë, gazetarë, politikanë, figura publike me profil fetar ose jo brenda territorit të Republikës?

    Nuk do të ishte më e drejtë dhe më didaktike që përndjekjet penale për nxitje të urretjes fetare përpara se t’i drejtoheshin grupimeve margjinale me ndjekje të kufizuar, t’u drejtoheshin pikërisht këtyre aktorëve të zëshëm të shoqërisë shqiptare që i shpallin hapur këto nxitje nëpër gazeta, televizione, fjalime dhe qendrime publike, pa kurrfarë fshejeje dhe pa pasur nevojë të përdoren fondet e shtetit për t’i përgjuar?

    Shembujt e nxitjes së urrejtjes hapur dhe në mes të ditës nuk janë të paktë. Si të tillë, është e qartë se në rastin konkret shteti shqiptar po e përdor këtë akuzë në mënyrë selektive, duke qëlluar shfaqet e saj më të dobëta (nëse provohen në rastin konkret) dhe duke mbrojtur dhe ruajtur përmes heshtjes dhe mosveprimit shembujt më të shëmtuar të shfaqes së tyre publikisht me ndjekje domethënëse nga opinioni.

    2. Nëse pika e rëndësës së akuzës do të jetë, sikurse pohohet me të madhe, nxitja nga të pandehurit për terrorizëm, përballja me arsyetimin konceptual dhe ligjor për këtë akuzë shtrohet krejt natyrshëm pikërisht sepse fut ujë nga të gjitha anët:

    a) Shteti përmes organit të akuzës nuk pretendon se individët në fjalë kanë qëllime dhe plane për aktvitete terroriste në territorin e Republikës. Pra, të akuzuarit, sipas shtetit shqiptar, nuk janë terroristë “kombëtarë” dhe nuk kanë qëllime terroriste sa i takon territorit të Republikës.

    b) Shteti pretendon dhe ngre akuzë kundër të pandehurve si terroristë ndërkombëtarë. Pikërisht këtu nis problemi dhe shtrohet pyetja: është apo jo lufta që zhvillohet në Siri kundër strukturave të shtetit diktatorial dhe kriminel sirian një luftë e mirëfilltë terroriste?

    Ajo çka është interesante të vërehet këtu është se akuzën për luftë dhe aktivitet terrorist në territorin sirian e kanë ngritur pikërisht autoritetet sirane për të legjitimuar krimet makabre dhe represionin e dhunshëm kundër popullit sirian. Problemi që shtrohet këtu është: janë kredibël apo jo autoritetet sirane në ngritjen e kësaj akuze për terrorizëm ndërkombëtar?

    Për më tepër, shteti shqiptar, në vazhdën dënimeve ndërkombëtare që i janë bërë qeverisë kriminele të Assadit, sikundër shtetet sivëllezër të Natos kanë deklaruar se nuk e njohin si legjitim shtetin e Assadit dhe që prej mesit të nëntorit 2012 njohin si autoritet legjitim sirian vetëm Opozitën e Lirë Siriane (njohjen e parë e bëri Franca më 13 nëntor 2012).

    Më tej, shteti shqiptar, sikundër sivëllezërit e tij, ka bërë thirrje për hedhjen poshtë të qeverisë jo-legjitime siriane me çdo mjet dhe në çdo mënyrë.

    Ndërkaq, të pandehurit dihet (dhe akuzohen) se po qëmtojnë të ndihmojnë me kontigjente luftarake forcat e Opozitës siriane për çlirimin nga zgjedha kriminele e një qeverie sirane jo-legjitime. Në këto kushte, shtrohet pyetja: është ky një aktivitet terrorist përderisa forcat e luftarake i bashkohen Opozitës Siriane të njohur dhe të legjitimuar ndërkombëtarisht në kauzën e saj të drejtë?

    Përderisa komuniteti ndërkombëtar e njeh Opozitën e Lirë Siriane si autoritet legjitim, potencialisht aktivitetin terrorist e ushtron qeveria e Assadit. Pra, konceptualisht akuza për nxitje të terrorizmit për të pandehurit bëhet absurde për sa kohë të pandehurit nuk qëmtojnë të ndihmojnë forcat kriminele të Assadit.

    Shteti shqiptar i detyrohet kështu të pandehurve dhe mbarë opinionit publik shqiptar me një shpjegim: mban apo jo përgjegjësi ky shtet për veprimet që kryen dhe angazhimet që merr në arenën ndërkombëtare?

    c) Nëse shteti shqiptar i akuzon të pandehurit për nxitje të terrorizmin në gjirin e Opozitës së Lirë Sirane, atëherë shteti shqiptar duhet më parë të provojë se ka vërtet aktivitete të tilla në terrenin luftarak sirian. Deklaratat nëpër media sociale nuk përbëjnë prova juridike.

    Akuzat që janë ngritur në mediat ndërkombëtare për këtë çëshje nuk janë provuar ende në asnjë gjykatë. Përsëritje: në asnjë gjykatë. Por ajo çka dihet mirë tashmë është se këto akuza ngrihen, nxiten dhe sponsorizohen nga regjimi kriminel sirian jo-legjitim i Assadit për t’i dhënë këtij të fundit dorë të lirë në krim dhe për të fituar legjitimitet.

    Shteti shqiptar duhet kështu të nisë ekspertë në terren për të vërtetuar akuzat që ngre kundër të pandehurve. Përndryshe, drejtësia e shtetit shqiptar është duke funksionuar mbi thashetheme.

    Përfundimisht, në të gjitha rastet shteti shqiptar përmes drejtësisë dhe administratës qendrore duhet të qartësojë pozitat e veta ndaj të pandehurve dhe mbi të gjitha ndaj opinionit publik shqiptar dhe por edhe atij ndërkombëtar. Funksionimi i shtetit përmes metodash selektive dhe krejt të dyshimta vë në rrezik legjitimitetin dhe kredibilitetin e vetë shtetit dhe mbi të gjitha gjithë qytetarët shqiptarë, duke i shpallur këta të fundit ipso facto të pambrojtur nga arbitrariteti.

    Këto, mendoj unë, janë pikat e diskutimit. Dhe kjo sepse arbitrariteti që shfaqet hapur në rastin konkret duhet të na bëjë të kuptojmë se askush nuk ka më mundësi të ndihet i mbrojtur. Parësorja është integriteti i drejtësisë dhe për këtë duhet të jetë dakord e gjithë shoqëria.

    *Neni 231 – Rekrutimi i një ose më shumë personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit, edhe kur këto vepra drejtohen kundër një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
    Neni 232/a – Nxitja, thirrja publike, shpërndarja e shkrimeve ose propaganda në forma të tjera, që synon mbështetjen ose kryerjen e një apo më shumë veprave për qëllime terroriste dhe për financimin e terrorizmit, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.
    Neni 265 – Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet.

  • Djemte qe duan xhihadin apo luften duhet te kuptojne dhe te bejne dallimin midis luftes ne Siri dhe Paqes ne Shqiperi.Nese ka lufte ne Siri ne Shqiperia egziston paqa.Dhe te besh propagande xhihadi ne Shqiperi ku egziston paqa per luften ne Siri eshte pak anomrlae dhe e pakonceptueshme.Per kete shkak besimtaret muslimane duhet te kuptojne se nese dikush do te bej lufte kete nuk mund ta bej ne Shqiperi sepse ambienti dhe realiteti i thirrjes Islame ne Shqiperi eshte ne ndertim e siper dhe asnje prej nesh nuk duhet te toleroje askend qe shkatarron kete realitet.Nese dikush do te shkoje ne Siri me luftuar kjo eshte ne zgjedhjen e tij qe duhet ta rishikoje mire si vendim personal, fetar por dhe ligjor por ky vendim kurrsesi sduhet te shkatarroje thirrjen Islame ne Shqiperi.
    Te gjithe psikologet keshillojne per luftetaret trajtime psikologjike mbas luftes per shkak te ashpersise se gjendjes emocionale te karakterit te tij nga pasojat e luftes, kete gje duhet ta kuptojne kushdo qe shikon video apo luan playn station se ne Shqiperi duhet butesi dhe tolerance per ta futur kete popull ne fene e paqes.Nese ne Siri situata konsiderohet si situate qe i ngjan periudhes se Medines ne Shqiperi situata eshte situate e Mekes.Qe do te thote se asnje prej shqiptareve ska te drejte te rrenoje thirrjen Islame ne shqiperi per shkak te veprimeve te tij aventuriere dhe te pamatura kur mendon se jeton ne Siri me shpirt por me trup jeton ne Shqiperi.Njohja e realitetit shqiptar dhe demi qe i behet Islamit per shkak te nje personi kjo duhet kuptuar qarte nga te gjithe ne ku te gjithe se bashku te kundershtojme cdo sjellje devijante qe kundershton dhe shkatarron thirrjen Islame ne Shqiperi.Pikerisht prandaj dhe lufta ka farz kifaje sipas vendeve dhe lufta eshte hile, askush qe sdi te perdore hilen mos dale neper yotube dhe te beje video e kaseta, do me shku ne lufte si individ ne Ukrahine, shko por mos merr ne qafe atdhetaret e tjere te cilet me shume mund ndertojne rruge komunikimi me njerzit per ti afruar ato ne Islam ndersa ti behesh shkak per prishjen e tyre.Nese ke emocione dhe ske llogjike normal qe do shkosh te bertasesh dhe rrugeve.

    Perfundimisht ne Shqiperi duhet te ndryshoje mentaliteti fetar i disa njerzve dhe ne si shoqeri civile duhet te kontribojme per publicitetin e njerzve normale dhe kundershtimin e njerzve te gabuar.

    Abdurrahimi nese e do luften te shkoje vete por jo te nxjerri video ne youtube ku me ane te tyre demtohet imazhi i Islamit.

  • Ja dhe ky i rilinduri, Hoxhollogllu
    http://mapo.al/2014/03/15/ilir-hoxholli-legjitime-kontrollet-ne-2-xhamite-situata-te-trajtohet-qetesisht/
    E mbeshtet dhe ky teorine e muslimaneve te mire (KMSh) dhe muslimane te keqij (cilin pezgjedh qeveriu). E drejte te shkallmosh deren e xhamise ne pike te sabahut mbeshtetur ne nenin 24 pika 2 e marrveshjes Shtet Komitet. Po sa shpejt e ktheu pllaken dhe ky, “XHAMI QE NUK DO TE LEGALIZOHEN” thote, sikur i kane zene token ketij flet. …..

    Komenti i mesiperm eshte edituar per shkak te fyerjeve dhe akuzave qe nuk i sherbejne debatit dhe nje diskutimi te arsyeshem. Ju lutem, tregohuni te permbajtur, mund te kritikoni sa te doni, por jo te hidhni akuza mbi qellimet e njerezve!
    Ju kerkoj mirekuptim per kete!

  • Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës mbajtur më 14 mars 2014 lidhur me projekt-ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit
    https://www.youtube.com/watch?v=FyFw9fh449o

    Deputetë të Kuvendit të Kosovës

    Data 26 prill e vitit 2012 mundet që të mos i kujtohet asnjërit prej jush, nëse kjo datë nuk iu lidhet me ndonjë çështje personale a familjare. Mirëpo, për institucionet e Kosovës, për Qeverinë e Kosovës, për politikën shtetërore, e posaçërisht për projekt-ligjin që po e diskutojmë sot, 26 prilli i vitit 2012, është datë shumë e rëndësishme. Kjo ishte dita kur Ministri i Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës, z.Enver Hoxhaj, e priti në takim një pjesë të opozitës siriane e cila ishte e përfshirë në konflikt të armatosur për rrëzimin e regjimit të Bashar Al Assadit. Dhe, jo vetëm që i priti, por edhe iu dha mbështetje të plotë duke shkuar aq larg saqë i barazoi aspiratën e opozitës në Siri me atë të Kosovës në luftën e fundit. Natyrisht që jo vetëm barazimi, por edhe krahasimi i luftës në Siri dhe i opozitave atje me luftën në Kosovë dhe UÇK-në është krejtësisht i pavend.

    Kësisoj, del që nxitës dhe inkurajues për shkuarjen e qindra të rinjve shqiptarë në luftë në Siri prej pranverës së vitit 2012 e këndej ka qenë vetë kjo Qeveri që e ka sjellë këtë projekt-ligj, përkatësisht Ministri i saj i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

    Të gjithë jemi dëshmitarë qysh Qeveria e Kosovës u vonua në përkrahjen e asaj që u quajt pranverë arabe në Tunizi, Libi e Egjipt në vitin 2011 e më pastaj, gjithnjë e njëjta Qeveri u nxitua që ta përkrahë luftën e opozitës siriane.

    Sigurisht që jam për rrëzimin e regjimit të Assadit, por jo pse ai është shiit, por për shkak se ai është diktator. Tash që unë u deklarova kundër diktaturës së regjimit të Assadit a do të thotë se do të mund të dënohem për nxitje?! Në bazë të nenin 3 të këtij projekt-ligji shumë kollaj.

    Në bazë të nenin 2, pika 2, nëse do të shpërthejë lufta në Luginë të Preshevës atëherë atje do të mund të luftojnë serbët e Kosovës por jo edhe shqiptarët e Kosovës. Nëse do të sulmohet Shqipëria atëherë neve do të na e ndalojë ligji që ta mbrojmë atë. Prandaj, ky projektligj është antishqiptar dhe kurrsesi nuk duhet të pranohet e të votohet.

    Një ligj nuk bëhet për një situatë të veçuar diku në botë pa e shkruar këtë gjë në mënyrë të qartë dhe të posaçme. Siria askund nuk përmendet në këtë projekt-ligj dhe pasojat e këtij projekt-ligji kanë karakter të përgjithshëm e jo të veçantë. Nuk mund të thuash që këtë projekt-ligj e kam për Sirinë dhe konfliktin e armatosur atje, por nuk po e përmendi atë! Ata që mendojnë se ky projekt-ligj vlen për Sirinë pa u folur aty për Sirinë, ata, në fakt, nuk mendojnë – për ta mendon Qeveria e cila ua ka kolonizuar trurin.

    Neni 3, pika 2, është tepër i gjerë dhe nëse dikush e ka një fletushkë që lidhet me ndonjë vatër krize, atëherë e cenon ky nen. Për shembull, nëse e merr ndonjë fletushkë që ta kanë dhënë falas në metro në Londër a Paris dhe para se të kthehesh në Kosovë harron që ta hedhësh dhe ajo të mbetet në çantë ose në bagazh, atëherë do të mund të akuzohesh për nxitje. Sepse në këtë projekt-ligj thuhet: “Kushdo që në çfarëdo mënyre të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera materiale me dashje, dijeni apo bazë të arsyeshme për të besuar se do të përdoren tërësisht apo pjesërisht për të kryer veprën penale të përcaktuar me paragrafin 1 të këtij neni [pra, organizimi, rekrutimi, udhëheqja apo trajnimi i personave që iu bashkohen ushtrive, policive e forcave të tjera të ndryshme të huaja], dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite.”

    Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

    UÇK-në e kanë ndihmuar edhe luftëtarë që ishin nënshtetas të tjerë, dhe këtu nuk e kam fjalën, thjesht, për ata që erdhën nga Shqipëria e Maqedonia por edhe për francezë e finlandezë që sot janë dëshmorë të UÇK-së. Në projekt-ligjin për veteranët e UÇK-së që e miratuam dje, neni 3, pika 1.3, te përkufizimet thuhet që veteran i UÇK-së është “qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së…”. Kosova është çliruar edhe duke ardhur njerëz nga shtetet e vendet e tjera për të na ndihmuar. Nuk është aspak e drejtë dhe e ndershme që të na pëlqejë që të tjerët të na ndihmojnë neve kur jemi të rrezikuar dhe ta ndalojmë në mënyrë absolute dhe kategorike ndihmën tonë ndaj dikujt tjetër, në çdo vend e në çdo kohë. Pra, s’bëhet fjalë për Sirinë këtu, meqenëse, po e përsëris e po e theksoj, fjala ‘Siri’ nuk figuron në projekt-ligj.

    Edhe në të ardhmen neve mund të na shfaqet nevoja që të na ndihmojnë të tjerët, të na mbështesin e përkrahin, të solidarizohen me neve. Ky ligj do të funksionojë si pengesë dhe ky ligj na shpërfaq neve si njerëz egoistë e të njëanshëm çfarë shqiptarët tradicionalisht nuk kanë qenë. Ky ligj është kundër reciprocitetit si vlerë dhe gjithsesi asimetrik.

    Në të njëjtin kontekst, ne jemi dëshmitarë që shumë rrugë e shkolla në Kosovë mbajnë emrat e heronjve shqiptarë si Asim Vokshi e Xhemajl Kada që shkuan vullnetarisht në luftën anti-fashiste në Spanjë. Me këtë projekt-ligj ne sulmojmë edhe historinë tonë, ata që i konsiderojmë vlerë dhe trashëgimi e kombit dhe shoqërisë sonë dhe krijojmë konfuzione te edukimi i brezave të rinj.

    Paniku qeveritar për qindra shqiptarë që mund të kenë shkuar në luftë në Siri është shprehur në këtë projekt-ligj i cili nuk zgjidh as problemin që e shkaktoi e që nuk e përmend konkretisht, pra nuk e përmend Sirinë dhe shqiptarët që shkuan të luftojnë atje. Nëse paska qytetarë të tillë të Kosovës, paniku kurrë nuk është zgjidhja, ndërkaq paniku qeveritar është problemi shtesë që e tejkalon edhe vetë problemin si të tillë.

    Ekstremizmat që shfaqen në shoqëri, jo vetëm tonën, nuk luftohen me ligje të panikut që marrin formë totalitare dhe mundësojnë persekutimin e qytetarëve. Këto ligje janë vetë ekstremiste dhe ato sulmojnë Republikën si rregullim shtetëror e shoqëror dhe janë në kundërshtim me idenë e Republikës.

    Për të qenë më keq se kaq, ky projekt-ligj, po u votua dhe u bë ligj, do të shndërrohet në argument për azilantët e ardhshëm të Kosovës për në shtetet demokratike të Evropës e botës. Ministri i brendshëm Rexhepi dhe kjo qeveri po e nxisin dyndjen e shqiptarëve jashtë Kosovës me një argument shtesë e të fuqishëm për të fituar azilin politik 15 vjet pas çlirimit. Nëpunësit shtetërorë në shtetet demokratike do të kenë para vetes një arsyetim të fuqishëm pse një qytetari që duhet t’i nënshtrohet këtij ligji nuk duhet dhënën azili politik.

    Megjithatë, nuk mund të themi se jemi të befasuar me këtë projekt-ligj. Ky ministër natyrisht që na sjell këso ligjesh sepse është i njëjti që nuk bën asgjë kundër barrikadës mbi lumin Ibër anipse Kosova i ka afër 8.000 policë. 8.000 policë janë dorëzuar para një barrikade në lumin Ibër e tash ministri na flet për rreziqet nëpër Siri e vende të tjera për të na mësuar gjeografinë e kontinenteve këtu. Ky ministër e shkel ligjin për çdo ditë nëpërmjet mosveprimit ndaj barrikadës mu në urë. Pra, si mund të na flasë për siguri ky ministër i cili nuk kujdeset për siguri në urën mbi Ibër?!

    Në fakt, ajo që po ndodh sot është shprehje e kësaj Qeverie e cila është e gatshme të shpik armiq e rreziqe anekënd botës teksa merret vesh në pazare me Serbinë. Pra, pas marrëveshjeve të Thaçit me Serbinë, në Kosovë kemi dukurinë që buron nga Qeveria, që vetëm Serbinë mos e ngucni, mos e konsideroni armike, gjithçka tjetër është e tolerueshme, e lejueshme e madje e inkurajueshme.

    Kushdo që i trajton ekstremizmat pa analizë e studim socio-ekonomik i cili i mundëson ekstermizmat është vetë qëndrim ekstrem. Pra, çështja është pse Kosova qenka bërë tokë pjellore për ekstremizma e jo pse thjesht ato ekzistojnë? Mendja jonë nuk bën të udhëhiqet nga fakticiteti i zhveshur dhe banal pa shkakësitë shoqërore e historike. Të merresh me pasojat pa analizuar dhe trajtuar shkaqet do të thotë ta mirëmbash problemin dhe të bëhesh pjesë e tij.

    Qeveria e Kosovës nuk ka qëndrime të qarta politike për vatrat e krizës andaj ajo ndodhet vetë në krizë sa i përket politikës së jashtme. Pa qëndrime politike, konkrete dhe të veçanta, përfundon kësisoj duke sajuar të këtilla projekt-ligjesh të pandjeshme e të përgjithshme me shumë më tepër pasoja sesa zgjidhje.

    Realisht Kosova nuk ka politikë të jashtme kur janë në pyetje vatrat e krizës nëpër botë. Prandaj, diku vonohemi e diku ngutemi, ose, e thënë më saktë, aty ku nuk vonohemi, gjithsesi ngutemi.

    Ju faleminderit!

    14 mars 2014

    Lëvizja VETËVENDOSJE!
    http://www.vetevendosje.org/news_post/fjalimi-i-albin-kurtit-lidhur-me-projekt-ligjin-per-ndalimin-e-bashkimit-ne-konflikte-te-armatosura-jashte-territorit-te-vendit/

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *