te shkarkuarit protestaV. Popaj

Institucione paralele

1. Shembulli i parë nuk mund të mos jetë këneta jonë politike, aty ku rrotacioni vlen si akuzë moraliste ekskluzivisht për kundërshtarët. E kemi trashëguar nga periudha enveriste dhe e ruajmë me fanatizëm, djathtas e majtas. Me të drejtë Berisha është kritikuar për njësimin me postin drejtues: edhe tre vite barazonte Skënderbeun! Mirëpo as antagonisti i tij, nëse përjashtojmë satirën cinike, modën e veshjes e ndonjë raptus potencialisht bartës ndryshimesh, nuk shkon përtej një sinonimi të denjë të Berishës për sa i takon simbiozës me postin drejtues. Natyrisht, 9 vite lidership – pa harruar 8 vitet karrierë pas ‘97-ës – nuk barazohen me 22, por nëse konsiderojmë që pas këtyre viteve Rama ka ardhur i rilindur, me gjithë dy humbjet në zgjedhjet vendore dhe parlamentare, duhet të mendojmë se procesi i fosilizimit është i pashmangshëm, edhe tek spektri teorikisht progresist e më demokratik. Sigurisht që dy lider të cilët në hesapet e pushtetit kanë përfshirë fenomenin LSI e kanë të pamundur pranimin e disfatave dhe mënjanimin.

2. Institucionet fetare janë një tjetër hapësirë domethënëse e dinamikave të pandryshueshmërisë. Në fakt nisur nga delegimi ose frymëzimi hyjnor i pushtetit ata e kanë zyrtarizuar këtë status. Pa dyshim se ndër tre institucionet e komuniteteve tradicionale fetare shqiptare, parimisht KMSH-ja toleron një farë demokracie, në kuptimin që kreu delegohet për një afat të caktuar. Praktika e pluralizmit ka dëshmuar përkohshmërinë e postit, por ka vërtetuar se ndryshimet reale të kreut janë vetëm rezultat i procesit biologjik (S. Koçi, S. Muça).

3. Një institucion i veçantë, por me të njëjtën sindromë fosilizimi, është Konfindustria e Shqipërisë. Si administrator i përgjithshëm vijon i palëkundur Gjergj Buxhuku, aq sa mund të quhet shumë mirë Konfindustria e Buxhukut. Rezultati: të njëjtat qëndrime, linja, fantazi dhe propozime, e për rrjedhojë edhe dështime. Në përkufizimin e saj shkruhet se, ndër të tjera, nisur nga prioriteti i krijimit “të tregut mbarë-shqiptar 7 milionësh, Konfindustria përfaqëson interesa ekonomike me përmbajtje thellësisht kombëtare në interes të vendit dhe gjithë shqiptarëve”. Parimisht shfaqet si aset kombëtar, e mbase kjo e përjetëson administratorin. Për kuriozitet: nga 13 përfaqësuesit e Këshillit Drejtues me ideale kaq sublime, 4 nuk kanë link sqarues, 4 janë fantazma, përfshi albatrosairways që prezantohet tërësisht në një gjuhë të Lindjes së largët.

4. Biblioteka kombëtare e Shqipërisë drejtohet nga i njëjti drejtor prej 16 vitesh ndonëse në vendin tonë ka profesionistë të shkencës së bibliotekonomisë. E të mos ankohet opozita për spastrime në administratë se Aurel Plasari ka shoqëruar vetëm 5 kryeministra. Siç duket në Shqipëri ka edhe institucione të tjera që krahas LSI-së ofrojnë pushtet, me gjithë ndryshimet politike. Në një debat të fundit, i irrituar ndaj Orgest Azizit, “një kurbetçiu”, që ka gjetur “një nga mënyrat më të neveritshme për t’i bërë marketing vetes”, “me probleme psikike” e me “probleme të rënda të karakterit”, njëkohësisht “i pafytyrë” dhe “xhihadist i kulturës së thashethemit” (termi xihad/xhihadist përsëritet 3 herë!), drejtori i Bibliotekës nuk ofroi asnjë përgjigje për motivet e përjetësisë së postit që mban, përveç disa vlerësimeve nga At Zef Pllumi, të cilat veçse përforcojnë ironinë etike të studiuesit Azizi. Është e lehtë të shpalosen tituj, dekorata, çmime, lëvdata e përshëndetje apo të justifikohen ftesa kur flet nga maja e Olimpit ose kur ata janë pjesë e shpërblimeve për angazhime specifike.

5. Si përmbyllës, por kurrsesi i fundit, mund të sugjerohet rasti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ku presidenti Armand Duka ka vendosur të jetë i tillë edhe me titull. Katër mandate me 4 vite secili. Tek i fundit pas asnjë rival, qoftë edhe fiktiv, tip Maqo Lakrori, madje pa as edhe një votë kundër. E ndërkohë që Duka krenohet (edhe) me dekoratën Naim Frashëri i Klasit të Parë – i gjori Naim do të shtoja – elementet karakteristike të stadiumeve tona janë shkretëtirëzimi, dhuna, testosteroni i degraduar, ambientet spartane dhe ndeshjet në nivel lagjesh, kurse skuadra kombëtare arkivon sipas traditës alternimin mes vendit të fundit dhe të parafundit.

Comments

  • Shtoji listes edhe kryetaret e sindikatave — Gezim Kalaja, Kol Nikollaj e Zija Hasanaj me shoke dhe del nje turli fosilesh qe do na e kishin zili edhe muzete me ne ze ne bote.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *