icon_commentsMustafa Nano ka bërë një shënim në faqen Respublica pas shkrimit tonë këtu tek e-zani.com ku pohon:

Unë e kuptoj dhe e mirëkuptoj shqetësimin e E-zanit përballë një komenti që bën insinuata të tilla, por pyes: Vetëm ndaj E-zanit ndodh një gjë e tillë? Apo është hera e parë që ndodh? U desh të ‘fanepset’ një internaut mistrec a rrugaç në respublica që të vihet alarmi?

Të gjithë e dimë se bota online në gjuhën shqipe është e mbushur me njerëz që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të shpifin e të mbjellin urrejtje. Edhe për respublica-n e për mua personalisht çfarë nuk thonë, madje shpesh herë edhe në faqet e respublica-s. Në mënyrë bajagi mazokiste ( duke lënë gojëhapur një pjesë lexuesish), ne kemi parapëlqyer të mos i censurojmë. E kemi bërë këtë edhe që të mos akuzohemi nga persona apo instanca publike (që pretendojnë se denigrohen në faqe të ndryshme, dhe nga lexues gjithfarësoji, të respublica-s) se përdorim dy njësi matëse për të njëjtën peshë.

Por problemi mbetet. Kjo që ndodh në botën online është e patolerueshme. E-zani, apo ndonjë blog tjetër online, si Peizazhe të Fjalës, e kanë gjetur zgjidhjen tek moderimi (respublica bën një moderim të pjesshëm; censuron thjesht llumin, ndonëse e dimë se llumi mund të përkufizohet në mënyra të ndryshme), por gazeta të tjera nuk gjejnë arsye ta bëjnë moderimin. Do duhej ta bënin, por nuk u leverdis ta bëjnë.

Mirëpo zgjidhja është vetëm moderimi, e jo ngritja e padive ndaj komentuesve që shkruajnë të fshehur pas identiteve virtuale. Ngritja e padive mund të funksionojë kur fenomeni është i izoluar, por jo në rrethanat kur kjo gjë është shndërruar në një flamë.

Falenderojmë z. Nano për këtë koment dhe për shqetësimin xhenuin rreth gjuhës dhe mesazheve të urrejtjes, shpifjeve e papërgjegjshmërisë që gjendet rëndomë në shumë faqe on-line të shtypit shqiptar. Ky problem është ngritur në shtyp dhe më parë e në mënyrën më të detajuar, për sa kemi ndjekur, nga Ardian Vehbiu në blogun e tij. Debati për komentet në artikuj on-line është global dhe ka patur edhe studime që kanë treguar se si jo vetëm komente të papërgjegjshme devijojnë shpesh debatin përtej temës qëndrore të artikullit të komentuar, por edhe injektojnë tension e përhapin urrejtje.

Këtu tek e-zani kemi besuar që është e rëndësishme të mos lejojmë të kalojnë filtrin e moderimit komente të cilat bartin gjuhë urrejtje e veçanërisht kundër grupeve etnike, orientimit seksual, përkatësisë krahinore e fetare. Por përtej këtyre parimeve, kemi vendosur mos lejojmë komente që atakojnë jetën personale – qoftë të individëve që na kanë sulmuar. Kemi lejuar komente që na kanë sulmuar neve vetë, por nuk kemi lejuar komente që kanë sulmuar jetën personale të të tjerëve. Edhe kur na kanë shpëtuar komente të tilla, kemi falenderuar lexues që na kanë vënë në dukje këto përjashtime. Komentuesve që e shohin hapësirën e komenteve si mundësi e përhapjes jo vetëm e mediokritetit të tyre, por edhe e sulmit ndaj integritetit të të tjerëve, fesë së tyre apo prejardhjes krahinore, u është kërkuar ose të respektojnë standartet tona ose të largohen.

Pyetja që duam të ofrojmë në këtë debat, drejtuar edhe faqeve, gazetave, blogerëve të tjerë është kjo: A duhet t’i lemë hapsirat që kemi krijuar me mundim të rrëmbehen, të ngjyrosen, të ndoten nga njerëz që nuk kanë tjetër çfarë të ofrojnë përveç mjerimit të tyre shpirtëror e intelektual? A i shërben lejimi i këtyre ndotjeve avancimit të vizionit pse krijuam dhe shpenzojmë energji në mbajtjen e këtyre faqeve?

Shqetësimi i e-zanit vjen nga transformimi i faqeve dixhitale të mediave të shkruara dhe i vetë mediave elektronike në hapësira ku kultivohet urrejtja e të gjitha natyrave dhe kryesisht ndaj atyre sistemeve të cilët sot janë ndër të paktët që kultivojnë vlera, si rezultat i komenteve të pakontrolluara. Pra morëm shkas nga një akuzë personale për të nënvizuar një problem të evidentuar më herët. Është për të ardhur keq që edhe komentet mbi politikën janë plot vrer, por këtu e ka fajin vetë klasa politike sepse ka shndërruar parlamentin dhe studiot televizive në organe të degradimit. Përfaqësuesit tanë kanë zgjedhur si gjuhë komunikimi rrugaçërinë dhe do të ishte e tepërt për ne të skandalizoheshim nga komentet e mediave elektronike.

Mirëpo, për ironi, nisur nga fakti se disa persona janë akuzuar (edhe) për shkelje të neneve të kodit penal ku dënohet nxitja e urrejtjes, duket e pabesueshme se si mediat tolerojnë urrejtjen anonime të ofendojë, të paragjykojë, të përjashtojë, të denigrojë, të stigmatizojë, e nga ana tjetër shqetësohen prej gjuhës përjashtuese të disa personazheve. Akoma më paradoksale është të pretendohet reduktimi i lirive fetare, sepse dikush e keqpërdor fenë, që do të ngjasonte me reduktimin e angazhimit të klerit sepse një anëtar akuzohet për pedofil, ndërsa nuk neutralizohet dot liria e anonimëve për të keqpërdorur faqet elektronike përmes prodhimit të urrejtjes.

Vërtet komentet janë anonime, por urrejtja është e përveçme dhe përherë e dëmshme. Nuk kërkohet ngritja e padive, sepse, siç vëren Nano, fenomeni është “shndërruar në një flamë”, por të mos anashkalohet se flama ekziston sepse i është ofruar një dritare. Kush e zotëron këtë hapësirë duhet të mos tolerojë degradimin e saj në një parlament rrugaçësh.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *