Elton Hatibi

Padyshim që ngjarja kryesore e këtyre ditëve të fundit është arrestimi i tetë shtetasve shqiptarë nën akuza që lidhen me organizimin, rekrutimin, stërvitjen dhe financimin e personave të tjerë, për t’i dërguar më pas ata në konfliktin sirjan. E veçanta që e fokusoi këtë ngjarje në qendër të vëmendjes të opinionit publik është implikimi i njerëzve religjiozë që akuzohen se në ambientet e xhamive respektive predikojnë pjesmarrjen në atë konflikt nisur nga motivime fetare. Vërtetësia e plotë ose e pjesshme apo rrëzimi i këtyre akuzave, pritet që të ndodhë në të ardhmen, sidoqoftë prania e disa dhjetra shtetasve shqiptarë atje, si dhe rastet e të vrarëve mes tyre, shtrojnë pyetjen e arsyeve të pranisë në këtë konflikt. Shkaqet e mundshme që influencojnë në vendimin e shumë shqiptarve që nisen për në Siri janë disa, por për të shkuar deri tek ato, kryefjala mediatike ku ja vlen të ndalemi sigurisht është ajo e “xhihadit”.

Nuk është këtu mundësia për të analizuar termin “xhihad”, më të përfolurin si nxitësi i fenomenit të pjesmarrjes të të huajve, mes tyre dhe shqiptarve në konfliktin sirjan, por shumëkush pohon se prania e tyre atje është produkt i idealizimt të këtij koncepti, i cili pak është trajtuar profesionalisht tek ne, kjo edhe për shkak të konotaconit pezhorativ që ka përftuar termi dekadat e fundit. Duhet thënë se pas zërave të parë që informonin prezencën e shqiptarëve atje, shumica e teologëve dhe aktivistëve muslimanë janë pozicionuar kundër kësaj pjesmarrje duke e argumentuar kryesisht me analogjitë e trajtesave juridike klasike mbi luftën. Shfaqja e një fenomenit të tillë, risi për shoqërinë tonë, siç duket i ka gjetur të papërgatitur maksimalisht  aktorët që mundë të zbutin efektet e tij. Zëri i profesionistëve duhet të jetë më i fortë dhe me bindës për të analizuar teorikisht fenomene shoqerore që implikojnë religjonin, politikën, ekonominë dhe ligjin, të cilat në të ardhmen mund të paraqiten në trajta më komplekse dhe më kërcënuese se sa rasti në fjalë. Interpretimi ad litteram i konteksteve religjoze nga e kaluara historike e bashkësive të para të muslimanëve, dhe mbivendosja e tyre në realitetin sirjan duket se ka motivuar mjaftueshëm për t’u përfshirë fizikisht në atë që sëfundmi ka degjeneruar në një konflikt të përgjakshëm civil.

Sociologët e fesë theksojnë se bota sot është në shumicën e rajoneve të sajë më religjose se kurrë më parë. Thënë këtë duhet të njohim të gjitha trajtat e këtij ringjallërimi shpirtëror që në disa raste manifestohet në forma të ngurta. Dekadën e fundit në disa vende muslimane konfliktet e ndryshme me karakter politik kanë marrë gjithashtu edhe ngjyresa sektare, ku idhtarë të bashkësive të ndryshme janë futur në spirale dhune të pandalshme. Këtu jemi dëshmitarë të dështimit të autoriteteve fetare të cilëve situata u ka dalë nga kontrolli në favor të grupeve margjinale që interpretojnë fenë ngushtësisht për të maksimalizuar përfitimet politike. Pasojat e këtyre konflikteve ndërkohë kanë një impakt të gjerë në opinionin publik ndërkombëtar, saqë shpesh përtej një solidariteti me karakter humanitar që zbutin pasojat e konflikteve, implikojnë dhe përfshirjen emocionale të simpatizantëve në reshtime militante.

Në rastin e Shqipërise mund të theksojme fort se nuk ka premisa për përplasje sektare, dhe se mes besimtarve të feve të ndryshme, grupe potenciale që mund të minojnë bashkëjetesën mes feve janë të papërfillshme. Gjithsesi, në rastin e bashkësisë së muslimanëve, autoriteti fetare është ende i brishtë pas goditjes që pësuan komunitetet fetare gjatë diktaturës komuniste. Duke qenë se Islami nuk ka një autoritet ekstrakombëtar, përpjekjet vendore për ta riprtërirë këtë autoritet kanë rezultuar të pamjaftueshme aq sa të shkërmoqin çdo interpretim sektar në dëm të bashkësisë së gjerë. Energjitë e titullarve institucional më së tepërmi janë kanalizuar në shëndoshjen ekonomike të administratë dhe konsolidimit të saj buroktatik se sa ngjizjes së një fizionomie spirituale me karakter origjinal. Gjithashtu bota akademike ende ka një alergji ndaj dijeve teologjike të cilat do të ishin kontributore në pasurimin e jetës intelektuale në shoqërinë shqiptare, pasurim i cili do të amortizonte rrëshkitjet mediokre me pasoja konfliktuale.

Sakaq për ekspertët ndërkombëtar jo cilido luftëtar i përfshirë në konfliktin sirjan është një radikal potencial i cili me kthimin e tij në vendin e origjinës do të përbëjë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Etiketimi i tyre en bloc si radikalë dhe ekstremiste nuk do ta ndihmonte zbutjen e problemit, përkundrazi do ta thellonte atë duke e futur në një prizëm që më tepër përfshin panikun sesa arsyen e shëndoshë. Por nuk duhet përjashtuar asesi që individë të tillë mund të kthehen me axhenda ekstremiste apo që të jenë përfshirë në rrjetin e terrorizmit ndërkombëtar, i pranishëm mjaftueshëm në Siri. Në rastin e shqiptarëve të përfshirë në konfliktin sirjan, ende nuk ka evidenca që individë të tillë të jenë radikalizuar me synim minimin e bashkjetesës në vend, por autoritetet duhet ta evidentojnë ose jo këtë dimension të fenomenit në fjalë. Autoritetet, pas masës paraprake të parandalimit të përfshirjes në konfliktin sirjan të të rinjve shqiptar, duhet të ndjekin rast pas rastit cilindo prej tyre që kthehet në vend, dhe ata që nuk janë përfshirë në aktivitete kriminale, me ndihmen e ekspertëve specialistë, duhet t’i përfshijë në programe rehabilitimi. Trajtimi me gjakftohtësi i një realiteti sakaq kompleks do të ishte zgjidhja më e mirë dhe çarmatosja më efikase ndaj radikalizimit potencial të elementëve që popullojnë margjinat e shoqërisë shqiptare.

_______________________
Shkrimi është botuar edhe në gazetën MAPO

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *