VarrezaE-zani

Bashkia e Tiranës ka marrë vendimin për fillimin e ndërtimit të varrezave murale. Së shpejti do të fillojë ndërtimi i dy godinave ku do të vendosen eshtrat e të zhvarrosurve, të cilët do të lërojnë tokën për banorët e rinj të Tufinës. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta Shqiptarja.com, e cila ka cituar burime nga Bashkia, që bëjnë të ditur edhe kategoritë e varreve që do të zhvarrosen. Sipas saj ky projekt parashikon të transferojë eshtrat e të vdekurve të hershëm (nuk bëhet e ditur se për cilët vite), eshtrat e fëmijëve të vdekur në orët e para të jetës, eshtrat e atyre për të cilët bien dakort familjarët, eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë kohës së mbretit Zog, si dhe të varreve për të cilët nuk kujdeset askush.

Ky projekt, për të cilin kemi folur edhe më parë në këtë faqe, pritet të rregullojë për momentin krizën e mungesës së hapësirave të reja për varrim, në kushtet kur kryeqyteti ka pësuar zgjerime të mëdha të cilat kanë bërë që sot të kemi rreth 3 mijë vdekje në vit. Megjithatë, pyetja që shtrohet është se çfarë do të zgjidhë ky projekt? Nëse numri i të vdekurve në vit është kaq i madh, atëherë kriteret e vendosura për zhvarrim nuk duket se krijojnë mundësitë që të hapen aq varre sa duhen. Sipas këtyre kritereve vështirë se krijohen dot 3 mijë varre të reja, e aq më tepër kur kjo shifër kërkohet për çdo vit. Kjo do të thotë se gjithçka është thjesht një strategji e përshkallëzuar për t’i mësuar banorët gradualisht me këtë fakt. Duket qartë që këto kritere janë provizore dhe në vazhdim varrezat murale do të jenë fat i të gjithëve.

Gazeta bën të ditur se ky vendim është marrë me dakordësinë e të katër komuniteteve fetare, natyrisht duke përfshirë këtu edhe Komunitetin Mysliman. Ka kohë që ky komunitet është dorëzuar përballë këtij projekti, duke bërë spekulime sheriatike për të gjetur mundësinë të bien në ujdinë e kërkuar. Me sa duket politika po arrin t’i diktojë KMSH-së edhe verdikte fetare. Interesante në këtë histori është fakti se edhe vetë ish-nënkryetari i bashkisë, sot ministër në qeverinë Rama, Edmond Panariti, nuk hezitoi të bëhet myfti i kësaj çështjeje, duke na parashtruar ixhtihad sheriatik fantashkencor mbi lejueshmërinë fetare të zhvarrimit dhe transferimit të eshtrave nga dheu në kutitë parafabrikate shumëkatëshe të bashkisë.

Imamë të shumtë kanë reaguar më parë ndaj një vendimi të tillë duke pohuar se kjo nuk është e pranueshme në fenë Islame. Ndryshe nga shteti, Komuniteti Mysliman ka për detyrë t’u sqarojë besimtarëve se përse merr vendime në kundërshtim me vullnetin e tyre, të cilat bien në kundërshtim me parimet fetare të mbrojtura në mënyrë unanime nga autoritetet e dijes përgjatë të gjithë historisë së mendimit islam. Zërat e veçuar të cituara nga KMSH nuk mund të rrëzojnë konsensusin e përgjithshëm, ndërsa edhe ata duhen marrë në konsideratë vetëm për raste të veçanta, që nuk duket se përkojnë aspak me kushtet ku ndodhemi. Sidoqoftë, pa pretenduar të mbajmë qendrime sheriatike, fakti që vendimi i KMSH-së nuk gjen përkrahjen e imamëve dhe hoxhallarëve në bashkësinë që drejton e bën këtë qendrim të gabuar e të nxituar: vlen për t’u theksuar heshtja e KMSH-së këto ditë, çka konfirmon arbitraritetin e këtij vendimi. Ndërsa faqja zyrtare e këtij institucioni nuk lë punë të përditshme rutinore pa e paraqitur si lajm, asgjë nuk thuhet për një gjë kaq të rëndësishme e sensitive që prek qytetarët shqiptarë edhe përtej jetës së tyre.

Në fakt toka nuk ka mbaruar në Shqipëri dhe nuk është ky thelbi i këtij problemi. Nëse njerëzit kanë sadopak shenjtëri për jetën dhe rrugëtimin e njeriut në jetën tjetër, gjerat patjetër kanë një zgjidhje. Nëse të gjallët kanë respektin e duhur për njerëzit që përcjellin në atë botë, patjetër që do ta “zgjidhin qesen” për t’iu bërë atyre respektin e fundit. Mungesa e vullnetit për investimet e duhura tregon thjesht mungesën e interesit të njerëzve për t’i marrë seriozisht këto probleme. Rrjedhimisht, na mbetet të dëgjojmë sofizmat retorikë e sheriatikë mbi shndërrimin e banesës së fundit në banesë të parafundit drejt një perspektive europiane me grataçela të vdekurish.

Comments

  • A ka menduar ndonjehere KMSH-ja se duhet te kete varreza te vecanta per muslimanet? Vetem me varreza te vecanta per muslimanet do te zgjidhej problemi i mbipopullimit, sepse varret nuk do ishin te perjetshem, por do te shembeshin pas kalimit te nje periudhe 40 vjecare per t’u riperdorur. Keshtu ndodh kur Skenderi eshte profesor anglishtje dhe jo hoxhe.

  • Ne po qajme hall a do kemi varr apo jo, ti na kerkon varreza te vecanta! Keta po kerkojne ti fusin xhenazet neper kuti betoni, ti na kerkon luks!

  • KMSH nuk eshte shprehur kurre dakord per lejimin e varrezave murale. kjo teme eshte diskutuar para dy vitesh dhe KMSH ka mbajtur qendrim disaprovues ndaj ketij propozimi te bashkise. shqiptarja.com thjesht shpif.
    nje sugjerim i sinqerte per faqen tuaj: mos besoni cdo dokerr qe del ne gazeta lidhur me KMSH, aq me teper ne gazeta qe islamofobine e kane tendence te perhershme, dhe mos i fryni kot paranojave se KMSH mban qendrime qe bien ndesh me parimet e Islamit.

    • Faleminderit per kete sqarim. Gjithsesi, mendoj qe do kishte peshe nese sqarimi do ishte bere publik nga ana e KMSH-se ne momentin qe ne shtyp keqinformohet publiku ne lidhje me qendrimin e KMSH-se. Se dyti, mendoj qe bashkesia e besimtareve ka te drejte te dije se cili eshte qendrimi i bashkise dhe qeverise ne lidhje me kete kundershti te KMSH-se. Myslimanet shqiptare nuk mund te detyrohen te varrosen ne kundershti me besimin dhe ritualet e tyre sepse eshte shkelje flagrante e lirise se besimit. Eshte e kuptueshme qe per ceshtje qe KMSH mund te jete ende duke negociuar zgjidhje te mundshme me shtetin, prononcimi mund te jete i parakohshem, por ne castin qe ceshtje del ne shtyp. KMSH nuk mund te rrije pa sqaruar pozicionin e saj.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *