A kishte frymëzim fetar komunizmi?





MARTIRET pllakat 2011Çelo Hoxha

Një grup prifërinjsh katolikë u dënuan për të gjitha krimet e kishës katolike, të kryera prej saj (ose që komunistët mendonin se ajo i kishte kryer) gjatë 1948 viteve krishtërim, në çdo cep të globit. Sipas kujtimeve të At Zef Pllumit, katolikët shqiptarë u fajësuan për “obskurantizimin botnor gjatë gjithë historisë”, për qenien në shërbim të “skllavopronarëve e të gjithë monarkive gjatë shekujve”, për Kryqëzatat dhe Natën e Shën Bartolomeut, për persekutimin e Galileo Galileit dhe Xhordano Brunos, për bashkëpunim “me të gjitha perandoritë për shtypjen e popujve”, për bashkëpunim “me Perandorinë Turke në dam të popullit shqiptar”, për bashkëpunim “me Perandorinë Austro-Hungaraze dhe kanë pregatitë ardhjen e saj”, “se kanë pregatitë ardhjen e fashizmit”, “se kanë bashkëpunue me mbretin Zog për shtypjen e popullit shqiptar”, “se kanë pregatitë okupacjonin italjan më 7 prill 1939 dhe atë të fashizmit gjerman”, “se kanë luftue Lëvizjen N. Ç.”, “se kanë dashë me përmbysë Pushtetin Popullor”, e të tjera akuza. Ato që At Zefi i ka lënë pa shënuar nuk na hyjnë në punë. Me kaq, grotesku i drejtësisë komuniste shfaqet i kompletuar.

Komunistët mendonin se kishin ardhur në botë për të vendosur drejtësinë absolute dhe, për rrjedhojë, gjykimi do të bëhej që nga fillimi i historisë. Feudalët kishin shtypur bujqit, skllavopronarët kishin shfrytëzuar skllevërit, por, në pamundësi për t’i nxjerrë në gjyq, ata u demonizuan për të fajësuar apriori klasën e fisnikëve të gjallë.

Vazhdimi i historisë dihet. Mirëpo, shembja e sistemit politik nuk çoi në zhdukjen e plotë të mendësisë komuniste. Mbetjet e tij në Shqipëri vazhdojnë të ngrenë krye herëpashere dhe te shumë persona që e konsiderojnë veten atnikomunistë. Në këtë artikull do të veçoj vetëm dy prej tyre, të cilët mundohen ta shpjegojnë realitetin historik shqiptar sipas modelit komunist, por me qasje tjetër. Partishmërinë, si parim moral bazë, e kanë zëvendësuar me katolikocentrizmin.

Në një artikull në gazetën Panorama (24 mars 2014), Agron Gjekmarkaj përpiqej të bënte përgjegjës myslimanët shqiptarë për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe, për rrjedhojë, ta fajësonte atë për gjithë krimet e diktaturës gjysmëshekullore. Sipas tij, komunizmi kishte tipare islamike ngaqë Mehmet Shehu “ishte djali i Sheh Ismailit, fanatik antishqiptar”, ngaqë Enver Hoxha “përpiqej të interpretonte rebelimin antikombëtar të Haxhi Qamilit si lëvizje përparimtare të fshatarësisë së Shqipërisë së Mesme”, dhe ngaqë “në vitin 1958, kryetar i Shoqërisë së Miqësisë me vendet islamike ishte vetë Bilbil Klosi, funksionar i lartë i regjimit komunist”. Kësaj teze i ka mëshuar më herët Ardian Ndreca, kryeredaktor i revistës katolike Hylli i Dritës. “Që komunizmi shqiptar ka frymëzim islam e dëshmon agresiviteti i veçantë ndaj Kishës katolike dhe anëtarëve të saj”, thotë ai në një artikull të botuar në gazetën italiane Tempi (8 shtator 2012).

Le t’u referohemi fakteve historike, duke përdorur logjikën e tyre në përcaktimin e përkatësisë fetare të personazheve historike: kush ka emër mysliman/ katolik/ ortodoks konsiderohet automatikisht mysliman/ katolik/ ortodoks.

Idetë komuniste hynë në Shqipëri diku nga mesi i viteve ’20. Simpantizantët e tyre krijuan grupime të vogla, që në histori njihen si grupet komuniste: Grupi i Shkodrës, i drejtuar nga Zef Mala; Grupi i Korçës, Grupi i të Rinjve dhe Grupi i Zjarrit që kishin për kryetarë (ose figura dominuese) përkatësisht këta persona: Koço Tashko, Anastas Lula dhe Andrea Zisi. Zef Mala ishte katolik, tre të tjerët ortodoksë. Konkluzioni: kontributi i myslimanëve në importin e ideve komuniste ka qenë zero.

Më 1941 u themelua Partia Komuniste. Rolin kryesor në themelimin e saj e luajtën dy jugosllavë (ortodoksë) dhe grupet komuniste shqiptare (të cilat ishin me dominim ortodoks dhe katolik). Deri më 1948 PKSH u drejtua nga Tito (katolik). Pas jugosllavëve, në PKSH kishte dy role ekuivalente, Sekretari politik dhe ai organizativ, që mbaheshin nga dy shqiptarë. Këtu shfaqet për herë të parë një mysliman, Enver Hoxha, me një pocion hierarkik të përcaktuar (pranverë 1943). Sekretari organizativ ishte Koçi Xoxe (ortodoks). Shfaqja e Hoxhës në nivele të larta drejtuese të PKSH është aq e vonë saqë ai nuk mund t’i jepte frymë myslimane asaj edhe sikur të ishte kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Një tjetër konkluzion: kontributi i myslimanëve në istitucionalizimin e ideve komuniste në Shqipëri ka qenë zero.

Dominimi i krishterë duket dhe te organizatat ndihmëse të PKSH ose në qarkoret e saj më të rëndësishëm. Pas vdekjes së Qemal Stafës, mysliman (vegël e bindur e Popoviçit), drejtues i rinisë komuniste u bë Nako Spiru (ortodoks). Qarkorin e Tiranës e drejtonte Gogo Nushi (ortodoks).enver_hoxha_dhe_miladin_popovici1-300x400

Më 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila u drejtua nga një katolik: Ndoc Çoba. Veç të tjerave, aty u vendos që partizanët të shtonin në flamur një simbol jo kombëtar, yllin me pesë cepa. (Po ato ditë, qeveria “kolaboracioniste” e drejtuar nga një mysliman, Mustafa Kruja, e kishte çliruar flamurin kombëtar nga simbolet fashiste.)

Me rritjen e PKSH dhe forcave të armatosura të saj, shtimi i myslimanëve në radhët e tyre ishte i pashmangshëm (Shqipëria nuk kishte aq ortodoksë e katolikë sa të bënte një ushtri vetëm me ta). Megjithatë, myslimanët nuk e dominuan drejtimin e tyre. Komandanti i i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ (1943) ishte Spiro Moisiu (ortodoks); komisar një mysliman, Enver Hoxha. Duke pasur parasysh që drejtimi i PKSH dhe ushtrisë partizane ishte i centralizuar, roli i drejtuesve të niveleve të dyta e poshtë, që mund të kenë qenë më shumë myslimanë në numër, ishte i parëndësishëm në vendimarrje. Por edhe aty katolikët s’ishin pa gjë: komisari i Brigadës I ishte Tuk Jakova, komandant i Brigadës VII ishte Gjin Marku.

Kalojmë në vitet pas luftës. Për periudhën 1944-1967 (deri kur u ndalua feja zyrtarisht), anëtarët e qeverive që drejtuan vendin nuk dominoheshin nga myslimanët, madje ata nuk ishin as të përfaqësuar në propocion me numrin e popullsisë që i përkisnin, nëse do t’i referohemi përqindjes që besimet fetare zinin në popullsi. Duke iu referuar statistikave të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, në bazë të përcaktimi që ajo u ka bërë qeverive (sa herë kishte ndryshim ministrash, sepse dilnin grupe armiqësore, ajo e konsideron qeveri të re), Shqipëria ka pasur 284 ministra (në tërësi emrat janë thuajse të njëjtë, individualisht nuk janë më shumë se 50 persona) për periudhën nëntor 1944-1967. Myslimanët, në këtë shifër, i takonte të kishin, të paktën, 199 ministra, por kanë pasur 141; ortodoksët i takonte të kishin 57 dhe kanë pasur 128; katolikëve u takonte të kishin 28 dhe kanë pasur 15. Siç vërejmë, myslimanët kanë pasur 58 ministra më pak nga ç’u takonte, ortodoksët kanë pasur 71 më shumë, ndërsa katolikët 13 më pak. Pjesën e luanit në qeveritë komuniste e kanë pasur gjithmonë përfaqësuesit ortodoksë (edhe këta të krishterë). Veç këtyre mund të kujtojmë që Lidhjen e Shkrimtarëve (deri më 1967) e drejtoi më gjatë një ortodoks, Dhimitër Shuteriqi; kryetar i komisionit për sekuestrimin e librave (1945) dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare ishte ishte një ortodoks, Aleks Buda (më vonë kryetar i Akademisë së Shkencave). Djegia publike e librave (1945) ishte huazim nga kultura kristiane: qoftë nga nazizmi, qoftë nga Inkuzicioni.

Hierarkia e lartë e komunizmit nuk ishte ekskluzivitet i myslimanëve, madje dhe ata drejtues të lartë të regjimit, të cilët zoti Gjekmarkaj i kosnideron si myslimanë nuk ishin hiç të tillë, ose, nëse kanë qenë, faji u takon shkollave dhe kulturës së disa vendeve perëndimore. Enver Hoxha dhe Bilbil Klosi mbaruan liceun francez të Korçës, pastaj vazhduan studimet universitare në Francë. Mehmet Shehu mbaroi tekniken e Harri Fullcit në Tiranë dhe shkoi në universitetin e Napolit, Itali. Konkluzioni: nuk mund të thuhet me bindje, në ata kanë pasur apo jo formim katolik ose ortodoks, por kjo është e sigurt: ata kishin formim joislam.

Fryma fetare (ose ideologjike) e një regjimi dhune (gjithmonë me metodën e përcaktimit të emrit), përveç se në hierarkinë e tij, dallohet te viktimat. Ky është argumenti i Ardian Ndrecës, por ai i përdor faktet në mënyrë selektive. Katolikëve thuajse nuk u hyri gjemb në këmbë deri në vjeshtën e 1944-ës (me përjashtim të atyre që ishin me Ballin, Legalitetin, ose pjesë e qeverive 1939-1944). Një vit e gjysmë luftë civile ishte zhvilluar në Shqipërinë e banuar nga myslimanët dhe ortodoksët. Me sa di, kleriku i parë i vrarë nga komunistët ishte babai i teqesë së Turanit, Korçë, Baba Zylfua (nëntor 1943), për vrasjen e të cilit raportet britanike bëjnë përgjegjës Manol Konomin (ortodoks). Balli Kombëtar, organizata që u godit më shumë nga lufta civile, ishte në pjesë dërrmuese myslimane. Komunistët filluan të vrisnin katolikë, kur shumica e myslimanëve që komunistët mendonin se duheshin zhdukur ishin vrarë, gjendeshin në arrati, ose ishin larguar – të pashpresë – nga Shqipëria.

Raprezaljet në masë ndaj katolikëve nisën pas “çlirimit”. Për maskrat në veri të Shqipërisë është folur shumë në dy dekdat e fundit, por, duke mos u përmendur lufta civile në Jug, njerëzit e marrin të mirëqenë sikur katolikët janë persekutuar më shumë se myslimanët. Ato që ndodhën në zonën katolike në periudhën dhjetor 1944- mars 1945 – vrasje njerëzish të pafajshëm, grabitje prone, djegie shtëpish, fshatrash, etj. – në zonat myslimane kishin ndodhur më herët. Duke vazhduar të ruhet varianti komunist i narrativës për luftën, vazhdojnë të ngelen në mjegull krimet e komunistëve ndaj myslimanëve. Sigurisht, myslimanët nuk ishin vetëm viktima, ata luftuan me dinjitet aq sa mundën. Në humbjen e tyre duhet pasur parasysh dhe ndihma ushtarake që misonet britanike (edhe këta të krishterë, anglikanë) në Shqipëri u dhanë komunistëve. Katolikët bënë qëndresën e tyre, por ajo ishte një qëndresë instiktive. Reagimi i tyre ishte kundërpërgjigje ndaj forcave të armatosura që u shkelën vatrat, jo reagim ushtarak e politik i orientuar dhe i organizuar, siç ishte, për shembull, Balli Kombëtar. Katolikët nuk bënë një qëndresë me një plan kombëtar. Ata mbetën lokalistë dhe fisnorë. Edhe qëndresa e Postribës, e cila kishte vizion kombëtar, drejtohej nga myslimanë.

Për çfarë ndodhi nga 1945 e deri më 1990 nuk më mjafton jeta e jo më një artikull për të bërë një bilanc të detajuar. Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka botuar dy vëllime nga Fjalorit Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, shkronjat A-G. shkronja D është zëri më voluminoz i Fjalorit deri në këtë fazë (botimi i shkronjave të tjera është në proces). Nga 1724 viktima – të pushkatuar, burgosur, internuar, dëbuar – 1182 janë myslimanë, 400 katolikë dhe 142 ortodoksë. Numri më i madh i viktimave u përket myslimanëbve (këto shifra nuk janë shteruese, përveç emrave që mund të mos jenë përfshirë në fjalor, unë mund të kem bërë gabime në dëm të myslimanëve, sepse ka myslimanë me emra të krishterë ose asnjëanës që mund t’i kem klasifikuar gabimisht). Një regjim me frymë islamike, siç pretendojnë autorët e sipërmendur se ishte komunizmi, nuk do kishte vrarë myslimanët në shifra dy-tre herë më të larta se ndjekësit e besimeve të tjera. Nga goditja ndaj pronarëve tokës dhe pasurive të tjera mjafton të veçojmë se pronarët më të mëdhenj të tokës në Shqipëri – të cilët u asgjësuan një herë e përgjithmonë – ishin myslimanë.

Me faktin që më 1967 u prishën njëlloj xhamitë, teqetë dhe kishat, po e përmbyll këtë argument.

Gjyqi_i_PopullitDiskutimi i komunizmit me qasje fetare është një debat krejtësisht i pafrytshëm, nëse nuk ke qëllim t’i ngullësh thikën në shpinë shoqërisë shqiptare. Fryma e regjimit komunist në Shqipëri ishte e qartë: ideologjia komuniste. Programi fillestar ishte shkruar e zeza mbi të bardhë që më 1848: Manifesti Komunist. Të tre besimet fetare në Shqipërinë ishin kundër vendosjes së regjimit komunist. Ky qëndrim i tyre ishte i përcaktuar jo nga ata, por nga komunistët, të cilët i shpallën luftë fesë që në Manifest. Pretendimet e tjera, me argumenta sipërfaqësore, nuk bëjnë asgjë, veç fusin frymën e përçarjes në kombin shqiptar. Ndryshe nga besimet e tjera, në lidhje me islamin, regjimi komunist shqiptar është artikuluar qartë pikërisht në vlerësimin e kryengritjes së Haxhi Qamilit, që zoti Gjekmarkaj e përmend si shembull të frymës islame të tij. Haxhi Qamili u përdor si një figurë heroike e fshatarësisë kundër “feudalëve”, por, sa i përket orientimit islamik, qëndrimi i regjimit dallohet qartë qoftë dhe në një citim të shkurtër nga Historia e Shqipërisë (1965, f. 442): “Ndërhyrja e fuqive të huaja dhe e krerëve reaksionarë turkomanë nuk e lejuan atë [kryengritjen] të arrinte objektivat e saj sociale, përparimtare dhe të zhvishej nga parrullat islamike”. Kur teksti zyrtar i historisë, i hartuar nën kontrollin e rreptë të regjimit, e shikon si difekt të kryengritjes frymën islamike të saj, s’ka asnjë shans që islami të ishte fryma e regjimit.

Një akuzë e tillë është e rrezikshme, sepse e përsëritur shpesh, ajo përgatit terren për revansh, duke kërcënuar zhytjen e shoqërisë në një konflikt që askush nuk do ta dëshironte, sidomos pakicat. Harmonia fetare në Shqipëri, pavarësisht se nuk thuhet, është para së gjithash atribut i myslimanëve. Shumica toleron, jo pakica. Të vegjëlit, edhe po të duan, s’kanë çfarë tolerojnë, ata janë në mëshirën e elefantit, po deshi ai t’i shkelë, ata zhduken nga faqja e dheut, po nuk deshi, atëherë ekziston teza e harmonisë (të majtët e quajnë tolerancë). Xhon Loku e bazoi teorinë në një sistem ku të sundonte shumica, por u desh teza e Xhon Stuart Millit për mbrojtjen e pakicave që filozofia e sistemit demokratik të plotësohej. Ata u nxitën në shpikjet e tyre nga një terren përjashtues, joharmonik dhe jotolerant, por po të ksihin jetuar në Shqipëri s’do të kishin pasur asnjë arsye të formulonin ato teori. Më 1912, Ismail Bej Vlora e propozoi kabinetin e parë të gjithë mysliman. Babë Dudë Karbunara shprehu pakënaqësinë që në të nuk kishte asnjë ortodoks (katolikët kishin zv/kryeministrin). Ismail Beu reagoi, jo duke bërë ndonjë ligj për mbrojtjen e pakicave, duke përcaktuar një numër vendesh fiks për ta në qeveri; ai propozoi që kabineti të kishte numër të barbartë myslimanësh dhe të krishterësh dhe ashtu u bë. Gjatë gjithë kohës, të krishterët kanë pasur në qeverisje hapësirë më shumë seç u takonte, bazuar në përqëndjen e popullsisë. E megjithatë, dhunën në politikën shqiptare, në shkallë të gjerë, e ka futur një prift ortodoks, Fan Noli. Patsaj erdhi komunizmi që e quante demokraci. Myslianët nuk u treguan kurrë revanshistë.

Argumenti i Agron Gjekmarkajt që regjimi komunist kishte frymë islamike se “në vitin 1958, kryetar i Shoqërisë së Miqësisë me vendet ishte vetë Bilbil Klosi, funksionar i lartë i regjimit komunist”, është më i dobëti nga të gjithë. Shoqëria nuk ishte strukturë e Komunistetit Mysliman, por levë e partisë, siç ishte dhe Shoqëria e Miqësisë me Jugosllavinë. Meqë Nexhmije Hoxha ishte myslimane, i takon që dhe kjo shoqatë të ishte islamike, e për rrjedhojë dhe Jugosllavia shndërrohet në vend islamik.

Debati që po zhvillohet sot në Shqipëri, në lidhje mbi të ashtuquajturin “rrezik nga terrorizmi islamik” është thjesht një tullumbace gjigante. Fakirët që u arrestuan muajin e kaluar si terroristë ishin viktima të injorancës së tyre dhe mentalitetit totalitar të institucioneve (që e shpikin armikun dhe kur ai nuk ekziston) dhe medieve (që gëlltisin pa e përtypur gjithçka që artikulon politika). Personat e arrestuar nuk ishin klerikë të aprovuar nga Komuniteti Mysliman, kaq mjafton për të mos folur, pro apo kundër, për aktivitet islamik. Të akuzohesh për islamik duhet të jesh i tillë, jo të pretendosh se je. Policia dhe mediat duhet t’i identifikojnë me terma laikë qytetarët që kryejnë ndonjë krim, përndryshe duhet që besimi i të arrestuearit të eveidentohet në të gjitha rastet (jo vetëm kur arrestohen myslimanë). Po të tregohemi (vetëm një grimë) cinikë, “islamikët” e arrestuar nuk përmbushnin kushtet për të qenë as besimtarë myslimanë, në formë dhe në përmbajtje; mjekrra e tyre nuk ishte më e gjatë se ajo e babait të ateizmit, Çarls Darvinit, kurse imami i vetëshpallur, ai që pretendonte se Toka është qendra e universit, ishte shumë katolik në formimin e tij. Teza që Toka është qendra e universit ka qenë qëndrimi zyrtar i Kishës Katolike për pjesën më të madhe të jetës së saj, deri sa dolën në skenë shkencëtarët, një pjesë e të cilëve u persekutuan pikërisht se mendonin ndryshe nga ajo. Nga ana tjetër, “imami” ishte dëshmi e dështimit të shkollës shqiptare (komuniste e postkomuniste), e cila s’ka mundur t’i ngulitë në kokë atij (e shumë të tjerëve) as njohuritë më elementare. Megjithatë, toleranca e myslimanëve është aq madhe saqë ka marrë përmasa groteske: disa nga altoparlantët që ndotin akustikisht mjedisin shqiptar me propagandë antisilame janë jomyslimanë – ateistë, katolikë, ortodoksë etj. – që punojnë si lektorë (dhe paguhen mirë), në të vetmin universitet mysliman që ekziston në Shqipëri.

 

Comments

  • personalisht mendoj se shkrimi i jep fund nje here e mire me shifra dhe fakte peretendimeve se myslimanet kane qene me pak te persekutuarit nga regjimi komunist, per te mos folur pastaj per pretendimet e liga te ketyre palo studiesve gjoja-katolike kripto-komuniste qe kane dale vitet e fundit.

  • Falenderimet me te perzermerta z. Celo Hoxha per kete shkrim dhe te tjerat si ky qe na shpjegojne me fakte dhe me detaje te hollesishme te vertetat e kohes sone. Zoti i dhente bereqet dhe ia zgjatte jeten dhe ia shtofte driten.

  • Megjithese i persekutuam dhe ua nxime jeten ketyre katolikeve, keta prape se prape muslimanet, bashkevuajtesit e tyre, urrejne me shume! 😛

  • Fondamentalizmi Katolik, po synon te prodhoje teza percarese, vetem e vetem per te ushqyer frustrancionet e veta. Gjekmarkaj behet amator i verber, vetem e vetem sepse kerkon ta vere historine ne funksion te interesave misionariste fondamentaliste te tij dhe te gjithe katoliko-mirditoreve qe po synojne te konstruktojne identitetin e ri modern te shqiptareve. Ne fakt, nuk bejne gje tjeter vetem se demonstrojne shpirtin e tyre te lodhur provincial qe di vetem te urreje e paragjykoje.
    Sipas tezes se Ervin Hatibit, ky eshte “Islamizimi me dhune i armikut”, dhe natyrisht edhe Enver Hoxha duhet te jete Islamik, per te cuar uje ne mullirin e urrejtjes fetare qe po bluajne ndrecet, frroket, zefet, gjekmarkajt e markagjonet e ketij vendi.

  • ma bej hallall qe po te them, por ky termi ‘mirditor te te gjitha…’ nuk me duket fort i sakte. dy prej muslimaneve te nderuar qe une njoh jane mirditore, sigurisht kane perqafuar islamin ne moshe adulte. me teper se sa problem krahinor, ky me duket problem inferioriteti intelektual

    • Nuk kam gje me mirditoret si banues apo te lindur ne Mirdite, por me mirditorizmin si veneracion fondamentalist fetaro-krahinor.

  • I ke rene pikes Celo, si dhe i ka rene pika shume gjek/gjonmarkajve qe e shohin te keqen e Islamit edhe kur u dhemb sadopak dhembi i qenit. Madje po e shtoj paksa. Balli Kombetar ka pas si njesh muslimanin Midhat Frasheri, e dysh te krishterin Vasil Andoni. Muslimani ‘satrap’ Ahmet Zog ka pas kryeminister te krishterin Koco Kota( edhe ‘satrapi’ musliman Sali Berisha ka pas kryeminister te krishterin Aleksander Meksi). Urime te perzemerta edhe njehere per kete polemike shterruese me Gjonmarkajn pas asaj se jashtezakonshme me Aurel Plasarin.

  • Kush njeh kuranin e din mire se me c’fare kushtesh i toleron “njerezit e librit ” dhe sidomos te tjeret ( hindu , pagane etc ) . Sa per mirditoret di kush te me thoje se si e kane fituar autonomine e tyre ( se kjo nuk ishte me siguri nuk ishte e ndikuar nga eksperienca mistike e Kalifit )?

    • po me po, si puna e kishave katolike ne boten ortodokse, qe as per muze nuk kane lene ndonje, dhe puna e kishave ortodokse ne boten katolike, qe me fare e me soj jane crrenjos. vlla katolik, shyqyr beji Zotit qe te ka ra te jetosh nen hijen e muslimaneve, se kishe per te qene blasfemik ndaj zotit tend, ose kishe per te vujt si qen, sic na ndodhi te gjithe ne komunizem, kurse kshu je rehat, s’te thote njeri gje, e as nuk te ben njeri gje se, helbete, vend musliman. paqe ty

    • Per cilen autonomi e ke fjalen? Per ate te Republikes se Mirdites, per autonomine qe i njohu Porta e Larte – ajo e tmerrshmja – ne shekuj apo per flamurin e ngritur ne Vlore nga nje grup bejleresh e çifligaresh me tradita osmane?

      Bibla ka mjaft pjese qe nenvizojne asgjesimin e tjetrit, si individ, si mase ose si mendim, por ka edhe intepretime e kontekste te ndryshme, prandaj nuk logjikohet ne kete menyre. Kjo vlen edhe per traditen kuranore. Por ketu nuk po flitet fare per legjislacione hyjnore, se sa per opinione njerezore.
      Tani, dihet historikisht se nese trevat shqiptare priten hebrenjte kjo ndodhi kur ata u kercenuan me zhdukje dhe u debuan nga Spanja katolike per t’u sistemuar ne zoterimet osmane, jo sepse e deshen ne si shqiptar, por sepse e vendosi Porta. Fakti qe trevat shqipare kane te krishtere – ortodoks, katolike e rrugetime te tjera – eshte edhe merite e Potes se Larte, e atij legjislacioni me nuanca islamike dhe lokale. Ke nje shembull konkret nga bota perendimore ku menjehere pas njohjes se krishterimit si fe zyrtare, ne te njejtin shekull, Teodori i Madh dekretoi ne tre momente (shkurt-qershor) te vitit 391 ndalimin e kultit pagan, gje e cila nuk ndodhi asnjehere ne Perandorimne Osmane ndaj besimeve tradicionale. Ec e merre vesh pastaj.

  • Vellezer myslimane , shpresoj te mos te me drejtoheni si katolik , ortodoks , protestant , apo hebre , budist , hindu etj. Shpresoj te konsiderohet vlere e perbotshme ajo qe dinjitetin per te drejtuar pyetje ta kete gjithkush. Sa per Porten e Larte ju lutem te mos me vishen gjykime radikale qe e konsiderojne si ” E Keqja E Madhe” apo opinione se nuk ka burra te nderuar mysliman , pse biem ne logjiken se une paskam nje mendim qe akoma pa e shprehur ju e njihni. Sa per pyetjen Mirdita qe autonome gjate Perandorise Osmane ( Republika e Mirdites u vetshpall e pamvarur dhe deshtoi me shtetin shqiptar te formuar , por kjo s’lidhet me autonomine ) dhe kerkova te dija arsyet e koncesionit te vetqeverisjes . Fakti qe nder te krishtere ka pasur dhe ka fanatike nuk rehabiliton ate tipologji tolerance me frymezim kuranor “juridikisht” te tejkaluar ( pse nuk njihen ne keto sisteme varietet statusi te nje individi per shkak te besimit fetar – si pershembull ai i jo myslimaneve ne perandorine osmane ) nga shtetet laike ( model qe ndjek edhe Shqiperia ) qe me lejen e vella qyqa qyqa ( qe di se si do ishte jeta ime ne kohe e ne kultura te tjera ) nuk eshte vend mysliman ( une nuk jetoj nen hijen e askujt vella qyqa qyqa e nuk blasfemoj se kam zor kur fyej njerezit i e jo me Zotin tim , tone , te tjereve ) dhe une nuk po uroj apo enderroj te jete katolike/ortodokse apo diçka tjeter. Sidoqofte meqe ” …Të vegjëlit, edhe po të duan, s’kanë çfarë tolerojnë, ata janë në mëshirën e elefantit, po deshi ai t’i shkelë, ata zhduken nga faqja e dheut, po nuk deshi, atëherë ekziston teza e harmonisë …” pse u dashka rihapur nje shpaloset nje gjendje pre-liberale ( siç vete ilustron autori ) , ku pakica e çdo lloj tipi e ka dinjitetin nga kushtetuta e jo nga grupimi i shumices ( jo vetem fetare )- se perndryshe behemi shok me logjiken bolshevike te shumices. Me falni per bezdisjen . Selam

    • kur them qe nuk blasfemon, si bashkefetaret e tu ne Itali, Spanje e me gjere, gje qe eshte nje vlere e madhe e katolikeve shqiptare, e kam fjalen te fakti qe respekti ndaj Zotit, personalisht ne gjykimin tim, ty te eshte imponuar nga respekti qe pararendesit e tu kane pervetesuar nga kontakti me muslimanet e qyteteve te civilizuara ne keto territore kendej. Kur flasim per hijen e muslimaneve, flasim per hije kulturore dhe jo ligjore, dhe ketu permendja e kushtetutes duket si dalje nga situata. pastaj, ne kushtetute e kane shume vende liberalizmin, ama kulturalisht nuk e pranojne kurrsesi, pasi sic ti e di fort mire, ne Greqi per shembull, po te ishe zotrote komunitet, nuk do te mund t’i referoheshe ndertimit te nje kishe katolike, per te mos permendur kornizen e Turqise laike moderne dhe nacionaliste. Keshtu qe liberalizmi kulturor eshte ai qe sjell liberalizmin ne aspektin ligjor, dhe e kunderta zakonisht nuk eshte jetegjate. Psh. Hollanda, pavaresisht kthimit ne ligj te sistemit te propozuar te Erasmusit, ka prodhuar dhe Gert Vildersin, i cili me 50 % te votave e kthen Hollanden me nje tufe votash ne periudhen e para 300 viteve. Me tutje, autonomia ne perandorine osmane njihet edhe tek jezidite kurde (keta kane ne qender te doktrines djallin), njihet edhe ne shume e shume raste te tjera, mjaft te studiosh paksa fushen ne fjale. Kurse sa per logjiken bolshevike te shumices, ajo ka qene shkaterrimtare ndaj shqiptareve, perfaqesuar nga individet e masakruar, muslimane, katolike, ortodokse, demokrate, socialiste, social-demokrate, etj… kurse logjika e shumices se shendoshe eshte krejt tjeter.

      • Po simbas teje nese ka edhe nje katolik ( simbas teje nje bashkefetar timin se ti e di se c’fare besoj imzot qyqa qyqa ) te pertej Adriatikut qe nuk blasfemon domethene ky nga e ka mesuar , nga ndonje kontakt me myslimanet , apo thjesht e di mire edhe nga fe e tij se nuk duhet te blasfemohet.
        Te takon ty te sqarosh shprehje si hije kulturore , se une vazhdoj te them se nese mund te ishte model ne te kaluaren ky i shtetit polifetar osman me duket paksi jashte kohe ta lavderosh pas shfaqjes se shtetit liberal-demokratik qe nuk diskriminon lirite fetare te njeriut ne asnje menyre ( perveç thyerjeve te kushtetutes ). Pastaj pyetja e mija akoma nuk paten pergjigje . Arsyet dhe kushtet e tolerances per krishteret ne pergjithesi dhe autonomia e mirdites ne veçanti gjate perandorise osmane ( ishte kshtu falas ), dhe jo per autonomine e sekteve kurde . Liberalizmi ligjor lind nga ai kulturor (silogjizem i joti ) pse nuk i njihet si arritje kultures osmane , as kulturori e as ligjori ?

  • Sa per tezen qe vuajtjen e njerezeve e mbat me shifra apo me proporcione me komunitet fetare te perkatesise para se te jete e shqyrtueshme historikisht simbas meje eshte absolutisht e gabuar nga ana njerezore sepse ato qe vuajten shkeljen gjakesore te komunistave vuajten se pari si individe dhe jo si mysliman apo krishtere marre nga pikepamja e numrave

    • e ke gabim, ata qe kane vuajtur nen regjimin komunist, kane vuajtur per shkak te ideve qe mbronin dhe jo per shkak te ngjyres se flokeve, apo madhesise se veshit. te kjo fjale e jotja me duket se ka nje fill nga nje teze fantastike qe ngre autori i artikullit: se katoliko-centristet e sotem, ne fakt jane thjesht vijimtare te komunizmit, por thjesht sa i kane ndryshuar emrin totalitarizmit te radhes

      • ketu nuk arrij te kuptoj per veshe e floke ? ku e pe katoliko-centrizmin , ogurin per nje totalitarizem te se ardhmes? Ku kripto-komunizmin ? Se une vetem thashe qe ti njohim te vuajturve dinjitetin e mohuar , se nuk e dime ne se sa nga keto jane te veshur me besim fetar ( pse me emra e mbiemra u merrka vesh edhe feja e besimi i nje njeriu a posteriori , pse bie fjala nje Abdullah me nje Gjin nuk mund te jene persekutuar se ndanin bashke nje ide politike , e ndoshta asnjeri nga te dy nuk besonte) dhe sa jane vrare e torturuar per arsye te tjera pavaresisht fese , pra duhet me mesu qe jo çdo argumentim ka arsye fetare . Pershendetje !!

      • jo po e ke gabim ti me duket se nuk te foli kush per veshe e per floke , po se nuk kuptohen arsyet e persekutimit nga emrat e mbiemrat e te perndjekurve siç i ndan autori , i cili ne fillim na e kundershton kete forme argumentimi po pastaj e aplikon gjate gjithe shkrimit biles me ankthin se po na iken ndonjeri “… Nga 1724 viktima – të pushkatuar, burgosur, internuar, dëbuar – 1182 janë myslimanë, 400 katolikë dhe 142 ortodoksë. Numri më i madh i viktimave u përket myslimanëbve (këto shifra nuk janë shteruese, përveç emrave që mund të mos jenë përfshirë në fjalor, unë mund të kem bërë gabime në dëm të myslimanëve, sepse ka myslimanë me emra të krishterë ose asnjëanës që mund t’i kem klasifikuar gabimisht). ” Pra ne a posteriori duhet te ndajme Abdullahin , Kriston dhe Zefin megjithese mund te kene qene te tre te persekutuar e vrare si anarkiste dhe ndofta te tre qene ateiste te flakte . Ku e sheh ti katoliko-centrizmin ketu ? Dhe ku sidomos mbeshtetjen per totalitarizmin e radhes ? Duhet me mendu se jo gjithmone feja ( e jotja dhe e tjetrit ) eshte automatikisht qendra e perballjes se ideve . Pershendetje !

      • Toleranca! Kam pershtypjen se nuk po kupton perspektiven e shkrimit. Celo Hoxha nuk ka aspak premisa fetare ne diskutimin qe ngre, por shkrimi i tij eshte duke kritikuar nje premise fetare. Celo nuk i ndan te perndjekurit ne katolike, muslimane e ortodokse, por ne kete shkrim po synon te hedhe poshte premisen e autoreve qe pohojne se komunizmi shqiptar ishte islamik.
        Pra, ndaj atyre qe hedhin tezen e islamizmit komunist, celo u pergjigjet ne te njejten menyre, duke evidentuar faktet mbi fene e te persekutuarve. Pra jane ndrecet e gjekmarkajt qe fetarizojne vuajtjen dhe Celo ne kete rast po u jep nje mesim te mire duke i goditur me te njejten premise. Celo vete eshte antikomunist dhe perballe ligesise se komunizmit nuk sheh asnje prapavije fetare. Perkundrazi, veshja fetare qe po synojne ti bejne atij katolikocentriket (duke e veshur me fene e kundershtarit) tregon se premisat e tyre jane premisa te nje konfliktualiteti fetar qe ata po duan t’ia ushqejne shoqerise. Per kete arsye, Celo fillon te evidentoje emrat e te persekutuarve dhe persekutoreve.
        Jane katolikocentriket qe i konsiderojne muslimane ateistet Mehmet Shehu, Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha etj. dhe ne te njejten menyre, Celo Hoxha po synon te rrezoje skemen e tyre duke i konsideruar te krishtere zefet, ndocet, tuket, gjinet, spirot, andreat apo anastaset e tyre. Perndryshe Celo ne vetvete nuk ka ne paradigmat e tij asnje fetarizim te vuajtjes dhe persekucionit.

  • E kam kuptuar ! duket edhe lart se jam dakort se eshte boshe teza qe komunizmi ka pasur matrice islamike ( ateizmi sidomos ai alla marksizem dhe besimi fetar perjashtohen ) , metoda qe u kundervihet boshesise me te njejtat vegla ( pra ne menyre revanshiste ) me duket e dyshimte se nuk shfaqet kurre se prej ketyre te gjoreve te vrare ç’ide ndiqnin ( sidomos ato politike ). Shkrimi me pak fjale eshte shterpe se nuk vihet thjesht çohet ne absurd nje teze e gabuar , dhe flitet asgje per ato antikomunistat e gjore . Pastaj ankesa per rrezikun e nje mirditoro-katoliko-centrizem-cripto-komunizem ( me gjithe kombinimet e te zeza te tjera me radhe ) gjthsesi paskesh si antiteze modelin e lavdishem te Portes se Larte dhe tolerancen e myslimaneve. Sa per krishteret e di e gjithe bota se nen perandorine osmane se nuk konsideroheshin nga sistemi juridik si te barabarte me myslimanet , sa per Mirditen jo gjithe bota po te pakten ndonjeri prej jush se autonomia e saj kishte ndonje kusht ne sherbim te sulltanit (pra çfare e kane realizuar te kushtezuar nuk kane pse t’ja dine per ndere askujt) . Sa per myslimanet shqiptar / shumice 70 perqindeshe ( duke i perfshire pa te drejte apeli te gjithe, edhe ato jo-praktikante apo qe injorojne fene ) si tolerant , pse kjo vlere paska frymezim fetar dhe jo thjesht nje sjellje e arsyeshme ( per ç’fare arsye , qofte edhe praktike , ti bezdisim vellezerit e besimeve te tjera ). E mbyll me kaq dhe ju uroj te gjithe te mirat!

  • Çelo Hoxha e Co te me thone sa katolikë kishte ne pushtetin komunist ne vitet ’90 kur filloi permbysja e tij.?! Vertete, katoliket e sollen komunizmin nepermjet grupeve si ishte Zef Malo etj. ,por shpejt u eliminuen fizikisht ose u burgosen e internuen, sepse e kuptuen gabimin dhe vlerat antinjerezore te klikes komuniste qe i eleminoi fizikisht sidomos kleriket katolike. PERFUNDIMI: Komunizmin e sollen katoliket, po e mbrojten e i zgiaten jeten per 50-vjet myslimanet.
    Megjithate jemi bashkevuejtes.
    _ Zot mos na len pa myslimanë,- shkruente Gj. Fishta,- se me ta kemi nda te mirat e te keqiat.

  • Vertete e kam te veshtire te kuptoj se si do te donte ndokush qe kristianizmi te jete i vertete,pasi vete gjuha e Shkrimit thote se njerzit qe nuk besojne, gje qe perfshin babane tim, vellane tim dhe pothuaj krejt miqte e mi te ngushte, do te denohen. Kjo eshte nje doktrine e neveritshme. CHARLES DARWIN

    • Me vjen keq Drin , problemi eshte se bashke me prinderit e tij ( pse jobesimtare ), Darwin e shume te tjere si ai te denuar si ne doktrine krishtere si ne doktrine islame , se ky tregon mosvertetesine e Bibel/Kuranit per krijimin e Adam/Ademit .. ( krishteret pas shume rezistencash te kota e kane kapercyer pak problemin me klauzolen e “frymezimit ” te shkrimeve , pra jo fjale per fjale duhen kuptuar si reale , ndersa myslianet e kane pak me keq pune se e kane te zbritur tekstin , keshtu qe nuk mund te kete as probleme gramatike , le pastaj pasaktesite narrative ) . Sidoqofte mesa duket dita dites teoria e darwiniane po evolon e plotesohet me prova , ndersa teoria e krijimit po perforcon te vetmin argument te saj, qe sidoqofte pasardhesi i majmunit ka nje frike te tmerrshme nga vdekja )

      • je i sigurte per kete qe thua? se me duket se dita dites po shkohet tek versioni i krijimit, dhe ka nje largim nga darvinizmi, po te marrim parasysh se ne bote sot gjithnje me shume njerez besojne ne Zot se sa qemoti… te pakten sipas Pewberry Search… apo, s’ka rendesi kjo??!!!

  • Me thuaj zotrote proven per krijimin e Adamit , dhe do tregoj dhjetra prova per ekzistencen e teorise se evolucionit ? pastaj krijimi ka gabimin llogjik ne vehtvete , sepse per te thene qe ka krijim , duhet te tregosh qe ka Krijues… je i zoti ti te shfaqesh ne menyre te pakundershtueshme Zotin ? Sa per argumentin qe ka gjithnji e me shume besimtar , nuk do te thote asgje mbi vertetesine e darwinizmit .. kjo tregon Bukurine e argumentimit tend 😀 rrofsh plako per kete perlen e fundit dhe bravo, vazhdo te kesh frike nga Zoti se keshtu do jesh ne mes te hyrieve ne boten tjeter 😀

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *