Mbi Intelektin dhe Tekstin në Islam





fig16Besnik Sinani

Qartazi dhurata më e madhe që Zoti i ka dhënë njerëzimit është intelekti, sepse është i vetmi instrument nëpërmjet të cilit Zoti i Madhëruar njihet dhe i vetmi nëpërmjet të cilit realizohet besimi tek Profeti. Meqënëse intelekti nuk mund të mbart përgjegjsinë për çdo nevojë njerëzore, u dërguan profetët dhe u shpallën librat e shenjtë; që do të thotë se Ligji Hyjnor është si drita e diellit, dhe intelekti është si syri që sheh dritën e diellit, kjo atëherë kur syri është i hapur dhe i shëndetshëm.

 Ibn el Xhauzi (1114-1201), Tablis Iblis.

Këtë fragment mendova ta postoj fillimisht si koment ndaj shkrimit të Rezart Bekës,  ‘Shkrimi i shenjtë, intelekti dhe zemra në disiplinat e fikhut, etikës dhe sufizmit,’ por më pas mendova se mund të vlente si një zgjatim që synon të zgjerojë diskutimin e temave qendrore të këtij artikulli. Me këtë rast më duhet të sqaroj se sa po shkruaj nuk synon të qëndrojë si një artikull më vete, pasi do kërkonte një tjetër impenjim e shfletim literature, por kërkon të sygjerojë disa lexime e të nxisë këtë diskutim që reflektohet në forma të ndryshme në bashkësi fetare të të gjitha feve e në të katër anët e botës.

Citimi i mësipërm synon të jetë provokues, ndoshta edhe për faktin se Ibn el Xhauzi ishte një nga figurat më të rëndësishme të shkollës hanbelite, shkollë e cila asociohet me një skepticizëm të thellë ndaj rolit të intelektit në qasjen e kuptimin e mesazhit hyjnor dhe me insistimin e varësisë së kuptimit të fesë vetëm në tekste të transmetuara të haditheve.

Ky kuptim mbi hanbelitë dhe qasjen e tyre metodologjike theksohet dhe më tej edhe nga botime selektive të literaturës tradicionale të hanbelitëve, nga disa prej trashëguesve të tyre modernë: selefitë dhe vehabitë.

Në librin e tij brilant mbi teodicitetin (pyetja se pse Zoti lejon të ligën), Islam and the question of black suffering, Sherman Jackson na kujton se një premisë e tillë do kishte kuptim vetëm nëse do anashkalonim, a) faktin se përballja e një situate reale aktuale me një tekst nga e kaluara është në vetvete një akt interpretativ, e për rjedhim produkt i intelektit njerëzor dhe b) se literalizmi si qasje ndaj tekstit është një prej metodave interpretative ndër metoda të tjera, gjithashtu interpretative.  

Një element i rëndësishëm që duhet të kihet parasysh në çdo diskutim rreth intelektit dhe teksteve fetare në Islam është se qysh nga Imam Shafiu e këtej, Islami suni njeh katër burime të ligjit fetar: Kuranin, traditën profetike, kijasin (analogjinë) dhe ixhmanë (konsensusin skolastik).

Analogjia, në veçanti, (por edhe ixhmaja) është shprehje e dy preukopimeve të juristëve që formuluan disiplinën e fikhut në traditën e Islamit suni (që ndikoi thellësisht edhe zhvillimet mes shiave):

Së pari, pa institucionin e analogjisë në fikh, tradita juridike e Islamit nuk do kish patur mundësinë e pretendimit të të qenit gjithëpërfshirëse në aspektet e jetës së besimtarit. Së dyti, analogjia ul shkallën e sigurisë duke qenë se është konsideratë njerëzore dhe jo tekst i shenjtë.

Kjo fjali kërkon qartësim të mëtejshëm. Së pari kjo sjell pyetje mbi natyrën e dijes – ilm. A është dija mbi të shenjtën një e vërtetë absolute e bazuar mbi shpalljet e shenjta, apo ka një shkallë relativiteti bazuar mbi përpjekjet më të mira të juristit?

Le të kujtojmë këtu që formuluesit e jurisprundencës islame pranuan mundësinë që qëndrimet e tyre mund të ishin të gabuara pikërisht si shprehje e faktit se ligji – siç e njohim, – është përpjekje njerëzore për të kuptuar mesazhin hyjnor, e për rjedhojë produkt i intelektit.

Sigurisht, kuptimi për analogjinë (kijasin) thekson se ajo nuk krijon ligj të ri, por zbulon atë egzistues. Nëse ky proces zbulues është kryer nga gjenerata besimtarësh në të kaluarën, atëherë gjeneratat që vijnë më vonë duhet ta vazhdojnë këtë proces zbulues në mënyrë që shpallja të adresojë besimtarët tani dhe këtu e jo vetëm dje dhe diku tej.

Ky proces rizbulimi në kohët moderne është kuptuar shpesh si një thyerje revolucionare nga e kaluara, debat që e kam trajtuar dhe më parë. Por siç na kujtojnë griotët e Malit, bota është e lashtë, por e ardhmja buron nga e kaluara. Dijetari musliman amerikan, Sherman Jackson na kujton në diskutimin e tij mbi taklidin se në vend që të ri-shpiket rota, sfida është të ndërtohet makina mbi rotat e shpikura më parë.

Në përfundim të këtij komenti të gjatë mbi shkrimin e Rezart Bekës, doja të adresoj përsëri shkurtimisht dsikutimin rreth intelektit dhe teksteve të shenjta në Islam, sidomos në shkollën hanbelite. Mendoj që ideja se egziston një konflikt i tillë vjen, jo vetëm nga disa qëndrime të trashëguesve modernë të hanbelizmit, por edhe nga fakti se qëndrimet e hanbelitëve nuk janë vendosur në kontekstin e debateve që prodhuan këto qëndrime. Kjo temë kërkon trajtim më të thelluar, sidomos për rëndësinë që ka për mendimin musliman bashkohor. Por si nxitje për vazhdimësinë e këtij debati në këtë faqe, do sugjeroja librin shumë të mirë të Kevin Reinhart, Before Revelation, që vendos qëndrimet e hanbelitëve në histori dhe tregon se çfarë shqetësimesh i dhanë shkas këtyre qëndrimeve.

Në një shkallë të lartë këto ishin reagime ndaj atyre shkollave që kanë pretenduar se Zoti e etika morale mund të njihen nëpërmjet  intelektit, edhe pa ndihmën e teksteve të shenjta. Islami suni, përfaqësuar edhe nga kontribues brilantë të botë intelktuale si Xhuuejni nga esharitë, nuk e ka pranuar këtë premisë, që qëndron në fakt në thelb të debateve që vazhdojnë në të gjitha fetë sot e kësaj dite. Kjo nuk është shprehje e një mohimi të intelektit nga hanbelitë, apo esharitë, por është një qëndrim në lidhje me rolin e shpalljes në njohjen e Zotit. Ashtu si na kujton Ibn el Xhauzi, intelekti është syri që sheh diellin e shpalljes.

Comments

  • Ibn Kajjim me rastin e kritikes ndaj vellimeve voluminoze ” ihhja ulumid-din” tha ” e gjeta sufizmin ne Kur`an dhe sunnet ( hadith ) “…. dihet qe ai ka qene kritik i forte ndaj botimit te Gazzaliut ” ihja….” aq sa e mori e pastroi nga tregimet fallco dhe hadithet e shpikura te cilat zinin nje pjese te madhe te librit, e rishkroi nga e para duke vene histori dhe hadithe te sakta..

        • cfare mbrojtje e cfare sulmi? Kush u sulmua e kush u mbrojt? Imam Ghazaliu, rahmet i paste shpirti, as nuk u permend ne artikull dhe ‘iman’ sjell nje koment se si eshte shqetesuar ibn Kajim nga ‘ihja’. Mos eshte ngaterruar adrese dhe eshte sjelle komenti ketu kur ishte nisur per ndonje faqe tjeter? Mos po lexon komentuesi nentekste qe nuk po i shohim ne te tjeret? Mos leshohen komentet pa lexuar hic fare cfare eshte shkruar tek artikulli qe po komentojme? Se fundmi, dhe me e rendesishmja, a mos valle eshte e tepert te kerkohet nje forme normale komunikimi qe te na sherbeje ne ritjen personale, ne sfidimin e mendimit personal qe te mendojme me shume e te lexojme me shume?

          • Mos u cudit! Keta kane gjithe jeten qe lexojne nentekste me pretekste literale. Po ne fund fare, si te gjitha sekstet, gjuha e ketij shkrimi (si dhe atij te rezit), cdo artikulim normal dhe i thelluar i fese, prej tyre shihet si kercenim. Keta ushtrojne kudo verdiktin e paditurise si vlere ndaj dhe ndjehen te kercenuar nga cdo dije. Prandaj them se literalizmi i tyre nuk eshte gje tjeter vetem se pretekst i perdorimit politik dhe madje edhe analfabetik te tekstit.

    • meqenese jemi te citimet, Imam Nauaui tha se nese tere librat e Islamit do humbisnin e do mbetej ‘ihja’, do ishte e mjaftueshme.

    • (Jashte teme) Ky nuk eshte Ibn Kajjimi, por Ibn el-Xheuzi. Ishte ai qe e kritikoi Ihjane per hadithet e trilluara e te dobta qe permbante, por edhe per ndonje ide tjeter sufiste. Ibn el-Xheuzi e shihte me habi se si nje racionalist si Gazaliu te binte ne pozitat e sufizmit, te cilin Ibn el-Xheuzi e kritikonte shume si nga pozitat e hanbelizmit, ashtu dhe nga pozitat e kelamistit skolastik. Dhe me pas Ibn el-Xheuzi e perpunoi Ihjane, duke i hequr hadithet e trilluara dhe te dobeta. Me pas erdhi Ibn Kudame Makdisiu, dijetari i madh hanbeli i Mesjetes, i cili e shkurtoi me tej ripunimin e Ibn el-Xheuzit dhe e nxori ne nje botim me titull “Minhaxh el-Kasidin”. Hanbelinjte, sado tradicionaliste qe ishin, kane bere disa nga veprat me madheshtore ne fushen e tesavufit (Abdullah el-Harauij, Ibn Kudame el-Makdisij, Ibn Tejmijja, Ibn Kajjim), ne disiplinen e kelamit (Ibn Akil, Ibn el-Xheuzi, Ibn Tejmijja, Ibn Kajjim etj.), si dhe ne displinien e fikhut krahasues (Ibn Kudame, Ibn Tejmijje dhe Ibn Kajjim). El-Izz Ibn Abdisselam i konsideron veprat e Ibn Hazmit (El-Muhal-la bil athar) dhe te Ibn Kudames (El-Mugni) si veprat me te medha ne Islam.

  • Po e ndjek me kenaqesi biseden rreth ketyre temave dhe i falenderoj Beken dhe Sinanin per keto qasje.
    Nje pyetje te vogel per autorin, kujt i referohet “griotët e Malit”? Thjesht kurioz…

  • Vërtetë intelekti është syri që sheh dritën e shpalljes, por do konsiderohej thjesht i verbër pa shpalljen e dritës.
    Besoj se po të trajtohet ky diskutim nga ky këndvështrim, premisa që të dalim në një përfundim unifikues do të jetë e madhe.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *