Blushi dhe pamundësia e përshkrimit





Ben_BlushiFitim Zekthi

 

Pak ditë pas botimit të librit “100 vitet e ardhshme” të George Friedman,  një nga gazetat më të mëdha të Kalifornisë, San Francisco Chronicle,  shkruante se “qëndrimet provinciale të autorit i shëmbëllejnë frikërave të një pagjumi që nuk mund të ndalë së luajturi “Koha e perandorive”, sepse ai ka dëshpërimisht nevojë të fitojë para se të zbardhë”. Friedman-i është një analist i çështjeve të sigurisë në SHBA, që merret kryesisht me parashikime mbi të ardhmen. Ai ka shkruar disa libra, mes tyre edhe “100 vitet e ardhshme”, në të cilin  flet për trajektoren dhe rolin e Kinës, Rusisë, Polonisë, Meksikës, SHBA-ve etj. në këtë shekull. Ai flet për rënien e numrit të lindjeve, rritjen e emigrantëve në botën perëndimore dhe në SHBA, bën ravgime mbi dobësimin apo fuqizimin e një shteti, rajoni, politike, ideje apo populli etj.

Libri i Ben Blushit “Hëna e Shqipërisë”, është një plagjiaturë e plotë, të paktën si ide, e librit të George Friedman-it. “Hëna e Shqipërisë” flet për 100 vitet e ardhshme, për  politikën tonë, fenë, sekularizmin, demografinë, marrëdhëniet me BE-në, bashkimin me Kosovën, ngrohjen globale etj. Friedman, mes autoriteteve të mendimit mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat e sigurisë, nuk është ndër seriozët, megjithëse ai nuk e tepron duke hyrë në qëmtime dhe përkufizime sociologjike, antropologjike apo filozofike, siç bën në një mënyrë krejt qesharake Ben Blushi.

Në krye duhet të themi se libri i Blushit është nën pushtetin e arsyes instrumentale, një qëndrimi racional që përpiqet ta kuptojë jetën njerëzore totalisht në terma të kategorisë së mekanikës. Kategoria e qëllimit, synimit, teleologjisë e kështu me radhë, janë të paqena në mënyrën se si ai mendon. Që këtu kuptohet se mundi dhe letra janë çuar dëm, pasi një njohje e tillë është e rrejshme.

Pikëpamja mekanike dhe instrumentalizmi i pastër shkojnë shumë mirë bashkë, të paktën që prej revolucionit francez. Ajo është ende shkencë e efektit shkakësor, e lidhur ideologjikisht me kontrollin mbi natyrën. Mark Horkheimer e ka shpjeguar në mënyrë të hatashme nevojën për dominim që prodhon arsyeja instrumentale në “Kritikë e arsyes instrumentale”. Gjithë libri i Blushit rrotullohet tek dominimi. Alasdair MacIntyre thotë se njerëzit që përdorin arsyen instrumentale janë materialistë dhe mendojnë se edhe problemet psikologjike mund të kurohen duke ndryshuar kiminë e trupit, me anë të ilaçeve.

 

Kaq për  mënyrën se si mendon Blushi. Tani të shohim disa detaje nga libri për ta bërë më të kthjellët të gjithën.

Pjesa që ka ngjallur debatin më të madh është ajo ku ai flet për nevojën për defetarizm, deislamizim, dekristianizmim etj. Blushi merr veçmas në shqyrtim Islamin dhe veçmas Krishtërimin. Në krye duhet thënë se ai e shfaq padijen e tij të thellë mbi fenë dhe qytetërimin duke mos dalluar dot termat. Në diskurin perëndimor, për qytetërimin islam përdoret fjala “Islam” (me i të madhe) dhe për fenë islame përdoret fjala “islam” (me  i të vogël) ndërsa për qytetërimin e krishterë përdoret fjala Krishtërim (Christendom) dhe për fenë fjala kristianizëm (Christianity). Këto dallime ne duhet ti marrim me mend vetë se ku e si i përdor Blushi. Në lidhje me Islamin, Blushi thotë se ai e ka bërë Shqipërinë një vend që ngjan me Palestinën, kaotik, me qepena, me njerëz me shapka që rrinë në trotuar etj: Edhe sot, kur pyes veten si ka mundësi që dy vende të cilët s’kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin të ngjajnë kaq shumë, kam vetëm një përgjigje: tradita islame…”. Kjo është saktësisht arsyeja instrumentale që ka interes vetëm për arritjen e një qëllimi dhe jo gjetjen e të vërtetës.

Blushi përdor si argument një shkrimtar italian Edmond De Amicis kur thotë:

“Italiani Edmondo de Amiçis e ka përshkruar më bukur se kushdo raportin e islamit me punën… Koha për turqit ka kuptim tjetër nga ai që ka për ne. Në Evropë, pushimi është ndërprerja e punës, ndërsa në Stamboll, puna është ndërprerja e pushimit.”

Pra për një shpjegim sociologjik të ngërthyer me dije mbi kulturën, antropologjinë dhe logjikën, fenë etj, Blushi përdor një shkrimtar të rreth 100 viteve më parë, i bërë i famshëm me një libër për fëmijë “Zemra”. Kjo është lemeri logjike, por Blushi është rob i arsyes instrumentale dhe i nevojës për dominim. Fred Hutchinson, një filozof amerikan, këtë e quan dëshpërim epistemologjik.

Më tej Blushi thotë se kjo gjendje duhet të ndryshojë dhe shkruan:

“prandaj deislamizim, sipas meje, është ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe jo ndarja nga islami. Ndarja nga normat fetare që përcaktojnë marrëdhënien e njeriut me punën, me martesën, me Zotin dhe me natyrën është një proces që gjithë Evropa e ka kaluar, ose po e kalon…”.

feja_shkencaKëtu nuk kuptohet se ç’kupton ai me “islam”, por kur thotë ”ndarje nga normat fetare” duket se kupton fenë. Pra jemi para një paradoksi logjik: flet për islamin si qytetërim dhe më pas kërkon që të ndahen njerëzit nga normat e fesë islame, d.m.th të braktisin islamin si fe. Në qoftë se një besimtar mysliman, i krishterë apo çfarëdo qoftë braktis normat fetare “që përcaktojnë marrëdhënien e njeriut me punën, me martesën, me Zotin dhe me natyrën”, atëherë ai është shndërruar në ateist ose së paku në agnostik. 

Blushi bën një analogji me atë që sipas tij ka ndodhur në Europë. Europa për të është një vend i dekristianizuar. Ky është një term i shpikur nga Blushi. Asnjë studiues serioz i fesë, sociologjisë së fesë apo shkencave të tjera sociale nuk dihet ta ketëpërdorur këtë  term.  Blushi thotë: “një deputete franceze, më tha se Franca është një vend i dekristianizuar” dhe për të mjafton ajo që ka thënë deputetja për të shenjuar një proces transformues, në të cilin njeriu heq dorë nga “normat fetare që përcaktojnë marrëdhënien e tij me punën, me martesën, me Zotin dhe me natyrën” dhe shoqëria defetarizohet. Nuk thotë cila është deputetja, ç’peshë ka në studime të tilla dhe mbi çfarë studimi ajo ka arritur në këtë përfundim. Sot autorë të mëdhenj, edhe francezë, si Rami Brague flasin për një gjallërim të krishtërimit në Francë dhe në fakt në gjithë perëndimin. Po ashtu ata flasin edhe për rritje të islamit në këto vende. Një matematikan dhe astrofizikan i njohur amerikan Adam Frank , profesor në Rochester,  shkruante gushtin e kaluar në New York Times se numri i njerëzve që besojnë se Zoti e ka krijuar njeriun është rritur me 2 pikë përqindje nga viti 1982 në 2012. Frank shprehet i dëshpëruar (është ateist) që dijet shkencore të shtuara pa fund këto 30 vite nuk kanë bërë të mundur, siç besojnë ateistët, uljen numrit të besimtarëve.

Pra, studimet vërtetojnë se deputetja franceze dhe Blushi e kanë gabim me dekristianizimin dhe defetarizmin që po ndodhka apo paska ndodhur. N.q.s Blushi e ka fjalën për sekularizimin, kjo është një gjë tjetër, por ai nuk shprehet mbi të. Sekularizimi nuk është heqje dorë e njerëzve nga “normat fetare që përcaktojnë marrëdhënien e njeriut me punën, me martesën, me Zotin dhe me natyrën”. Një prej filozofëve më të rëndësishëm sot në botë, Charles Taylor, thotë se sekularizimi nxit spiritualitetin dhe besimin fetar. Këtu nuk mund të zgjatemi pa fund megjithatë po citojmë pak gjë nga libri madhështor i Taylor-it,  “Epoka sekulare”:

“Ne nuk po lëvizim drejt një shkretëtire të vdekur shpirtërisht. Shume njerëz janë të paaftë për të qenë indiferentë ndaj perandorisë së trashedentales. Ne nuk jemi duke rrëshqitur drejt një materializmi të pastër, përkundrazi”.

Këtë logjikë, instrumentale, mekanike të përzier me padije Blushi e përdor edhe kur flet për kishën:

“A ka ndihmuar dot ajo që jeta e njeriut të zgjatet, siç ka bërë mjekësia? Jo. Sepse Kisha është marrë gjithë jetën, me jetën pas vdekjes. A ka ndihmuar Kisha që shoqëritë të jenë më të hapura dhe njerëzit më të barabartë. A e ka ndihmuar Kisha njerëzimin të luftojë varfërinë, urinë dhe etjen? Jo, sepse megjithëse keq dhe me shumë vonesa, këtë detyrë e kanë bërë shtetet”.

Vihet re se është e pamundur  të merresh detajisht me gjithçka thotë Blushi, sepse flet me aforizma, me postulate, me fjalë që nuk i mbështet askund, me përkufizime popullore. Megjithatë Rodney Stark e ka shpjeguar në mënyrë të shkëlqyer në “Ngritja e Krishtërimit kontributin e pafund të krishtërimit në mendimin perëndimor dhe rolin e tij në zhvillimin e  shkencës, filozofisë dhe artit. Po ta njohësh mendimin perëndimor e kupton që suksesi i perëndimit, përfshirë shkencën, qëndron mbi themele të krishtera dhe në njerëz që kanë qenë të krishterë të devotshëm, siç qëndron tërë shkenca dhe dija e madhe e qyetërimit islam për shumë shekuj mbi themele të Islamit dhe njerëzve të devotshëm myslimanë.

Edhe autorë monumentalë të studimeve në këto fusha si: Reinold Niebuhr, Paul Tillich, George Marsden janë në të njëjtën linjë me Stark-un. Qëndrime antifetare, madje që promovojnë ateizmin  gjenden edhe në perëndim sot, por ndryshe nga Blushi atje artikulohen nga studiues dhe filozofë të njohur, të cilët, gjitshesi, nuk flasin me fjalë popullore apo postulate e citime shkrimtarësh dhe deputetësh. Sam Harris, Daniel Dennet, i ndjeri Cris Hitchens, Richard Dawkins etj, nuk bëjnë ese me parashikime për 100 vite të shkruara për 1 muaj. Hëna e Shqipërisë, përdor në mënyrë cinike padijen, materializmin, qasjen marksiste, logjikën instrumentale dhe kulturën e dominimit për të qenë kristianofobe dhe sidomos islamofobe Në radhë të parë është një libër islamofob.

Në botën perëndimore,  islamofobia përfshin një spektër ligjërimi dhe veprimi nga diskriminimi deri tek shfaqja e opinioneve se “Islami ka vlera jo të përbashkëta me kulturën tonë, se është inferior ndaj kulturës perëndimore etj”. Ministri i  brendshëm britanik, Jack Straw, më pas ka shërbyer edhe si ministër i jashtëm, në vitin 1997 publikoi raportin Runnymede Trust për të drejtat e njeriut dhe tha se: “shfaqja e opinioneve se Islami ka vlera jo të përbashkëta me kulturën tonë, që është inferior ndaj kulturës perëndimore, është islamofobi dhe është e dënueshme”. Ky përkufizim për islamofobinë është sot i pranuar gjerësisht dhe nuk ka nevojë të numërojmë autorë apo studiues si argument. Libri i Blushit është fund e krye një libër që e sheh Islamin si fe që ka vlera jo të përbashkëta me kulturën dhe aspiratën tonë perëndimore, është një libër jo vetëm i dobët e qesharak, por edhe i mbushur me islamofobi.

Për këtë arsye përshkrimi i San Francisko Chronicle për George Friedman-in është i zbehtë në rastin e autorit të Hëna e Shqipërisë.  

Comments

  • Analize tmerresisht e ceket. Duket se autori eshte pickuar keq nga mbiemri i tij… Nuk ka pse ju vjen hidhur o pseudo shkencetaro islamodashes.

    Ja te ta them une nje shembull: dil ne trafik ne Tirane, dhe me gjej nje popull tjeter qe leviz ne menyre kaq anarshike… Nuk gjen dot, po nuk vajte te pakten deri ne Turqi!

    • @Renis
      Si ekspert i zonave te cekta qe qenke, na jep ndonje opinion mbi shkakun e pare, potpurine kapse te BB. Mbase qellon qe te kesh te drejte, por mesa shoh, pasi qenke dhe ekspert trafiku, opinioni yt do te jete ne nje gjatesi vale me islamofobet e radhes.

    • Me teper sesa problem islamofobie libri i Blushit eshte problem mediokriteti. Liber i dobet qe tregon injorance. Autori nuk njeh as Islamin, as Krishterimin, as fete ne pergjithesi, as laicizmin dhe as qe i njeh termat qe perdor ne keto fusha. Gjerat qe thote jane tavolina kafesh ne nivel njerezish me lexime te percipta. natyrisht prandaj dhe Renisi me siper e pelqen, sepse eshte ne nivelin e tij.
      Problemet me trafikun jane idiotesite banale qe kane te gjithe njerezit me lakra te tilla orientaliste ne koke. Nese do te kishin lexuar literature mbi orientalizmin, (Said, Todorova etj.) do te kuptonin sesa qesharake eshte ta ndash boten ne kategori te tilla.
      Ne menyre qesharake, ne librin e tij Blushi kerkon ngjashmeri midis Gazas dhe Shqiperise, pa c’ka se Gaza eshte nje vend ne lufte, ku nuk ka shtet, nuk ka industri, nuk ka institucione funksional, qe bombardohet sistematikisht nga nje superushtri, ku popullsia jeton e izoluar si nje ishull ne mes te izraelit, e ndare nga pjesa tjeter e Palestines, e ku dendesia e popullsise shkon ne kater banore per meter katror. Te pakten te krahasonte Shqiperine me Turqine (qofte edhe per nga trafiku), per te kuptuar se njerezit jane shume me orientale, bie fjala ne Italine e jugut, apo ne vendet e Amerikes Latine. 😛

    • Po mund te shkosh edhe ne Brazil per shembull, apo Meksike, vende thellesisht katolike dhe eja me trego trafikun pastaj.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *