Një kritikë shtetit dhe pushtetit





Erdogan

Pas zhvillimeve dramatike të verës që kaloi, krizës që pasoi protestat e Parkut Gezi, dhe sidomos pas konfliktit paraelektoral mes qeverisë dhe Lëvizjes Gylen, Islami politik turk është futur në një fazë të re. Pas më shumë se një dekade në pushtet, sfida e islamistëve është sjellja e tyre me pushtetin, me një pushtet që edhe pas shumë kritikash, duket se gëzon mjaftueshëm mbështetje popullore. Oponentë të rinj, me begraund islamik i janë shtuar kritikave të mëparshme të liberalëve dhe laikëve. Mirëpo kritikat e tyre janë të një karakteri tjetër, ato duke u nisur nga interprtime filozofike islamike, kritikojnë një ish aleat të djeshëm për “tradhëti” nga fryma e qeverisjes islamike. Kemi sjellë një shkrim të politologut Ali Bulaç, njëkohësisht kolumnist në Today Zaman, si një zë interesant i këtij spektri këndvështrimi, me bindjen se përplasja ideologjike mes islamistëve turq ka impakt edhe tek ne shqiptarët. Megjithatë, duke shpresuar që debati të mos prodhojnë konfliktualitete, këto pikëpamje ndihmojnë publikun, sidomos studiuesit e rinj, që të kenë qasje të ndryshme mbi fenomene që bashkëshoqërojnë realitetin e Islamit.

 

Ali Bulaç

Në shoqëritë tradicionale, një qeveri për t’u legjitimuar, do mbështetej në një person të veçantë ose në një dinasti. Mbreti do rrëmonte për një bazament të shenjtë, por kërkimi ishte në të vërtetë për njerëz konkretë. Perandori japonez, i cili prezantohej të ish biri i diellit, sunduesi persian Kisra i cili besohej se në venat e tij kishte gjak hyjnor, Perandori romak Jul Cezar ose faraonet e Egjiptit të cilët pretendonin të ishin hyjni, apo dhe monarkët evropianë, trupat dhe shpirtërat e të cilëve ishin të shenjtëruar, të gjithë ishin qenie njerëzore. Bazuar në të tilla pohime, ata mund të thoshnin, “L État, c’est moi.”

I vetmi përjashtim nga ky rregull është koncepti i Islamit për politikën, i cili nuk vesh pushtetarët me ndonjë rrobë shenjtërie. Sidoqoftë, të inspiruar nga bizantinët, Umajadët trupëzuan konceptin e Kalifatit të Zotit në sistemin e tyre. Duke ndjekur gjurmët e tyre, Osmanët adoptuan për sulltanët formulimin “Hija e Zotit mbi Tokë”, një epitet ky i Justinianit. Mbi këtë titull, sakaq ka një numër historish të fabrikuara. Fakti që kishte një ligj më të epërm, i pavarur nga kalifët dhe sulltanët, shpëtoi qeverisjet historike islame nga të qenit absolutiste ose monarkike. Padyshim, kjo nuk do të thotë se këta sundimtarë vendet e tyre i qeverisën gjithmonë në pajtim të plotë me Sheriatin.

Në zemër të një administrimi absolutist përherë janë njerëz konkretë. Koncepti modern i shtetit e ka shndërruar administrimin të papërcaktuar, duke i dhënë jetë idesë së shtetit të papërcaktuar. Në të vërtetë shteti modern është një version i sekularizuar i teologjisë së krishterë. Sipas supozimeve teologjike, Zoti është mishëruar në Krishtin dhe Kisha është trupi i Krishtit. Filozofët të cilët kërkuan t’i marrin pushtetin Kishës së rënë në absolutizëm, dhe ata të cilët u përpoqën të zhveshin sundimtarët e pushtetit absolutist, theksin e vunë tek parlamenti. Por sidoqoftë karakteri jopersonal i shtetit mbizotëroi. Hegeli e pa shtetin si vullnetin e Zotit në Tokë dhe qëllimin e brendshëm të historisë. Sipas tij, shpëtimi ishte i mundur jo përmes çështjeve civile, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me transcendencën spirituale, por përmes përpjekjes personale në misionin transcendent dhe përmbajtësor të shtetit.

Siç importuan formën perëndimore të shtetit, ithtarët e Tanzimatit, monarkisë kushtetuese dhe republikës, lehtësisht e përkthyen këtë model në idealin e “ruajtjes së përjetshme të shtetit” dhe të qenies së sulltanit “Hija e Zotit në Tokë”. Në përpjekjen e tyre për pushtet, islamistët dështuan ta peshojnë drejt dhe ta kritikojnë këtë koncept modern të shtetit që rrjedh nga Perëndimi, koncept i pajisur me përmbajtje hyjnore, së cilës disa përbërës i janë shtuar nga historia jonë. Ata e shohin shtetin si shpëtimtar. Xhemal al Din Afgani, konceptin modern të shtetit-komb pothuajse e përktheu në një mit shpëtimtar mesianik. Ashtu si të krishterët e hershëm, të cilët luftuan për gati 300 vjet kundër tiranisë së Perandorisë Romake, por që në fakt sollën Romën në besimin e krishter duke jetësuar Vatikanin si “Roma religjoze” në prag të rënies së “Perandorisë Romake të Perëndimit”, islamistët e bënë shtetin-komb modern pjesë të filozofisë politike të Islamit. Në aventurën e tij historike dhe politike, shteti modern sfidon Zotin. Ashtu siç Zoti nuk pranon ortakë, edhe shteti modern nuk pranon të tillë. Kjo është saktësisht çfarë pohoi së fundmi Bekir Bozdağ, i cili vjen nga një backround religjoz. Kur është e nevojshme, shteti tregon fuqinë e tij dhe pastron rivalët e tij duke i vrarë me justifikim politik.

Kur shteti pranohet ashtu siç është, pa u peshuar kundrejt filozofisë dhe trashëgimisë juridike islame, nuk është e mundur t’i bashkangjitet atij asnjë atribut, nëse nuk është e mundur që t’ia bashkangjitësh atë Zotit. Shtetit i nevojitemi që ai të vetëmbrohet. Ai paraqitet në atë mënyrë që të përkrahet lehtësisht. Dhë kur beson se ke kontroll të plotë mbi shtetin, ai tashmë ka arritur kontroll të plotë mbi ty, duke të nacionalizuar dhe duke trupëzuar mbi ty frymën e tij. Është si në legjendën antike kineze: Një hero hyn në shpellë për të shpëtuar nga dragoi një thesar që i përket çdokujt në fshat. Përpara tij qindra të tjerë kanë hyrë në shpellë, por askush nuk është kthyer. Ndërsa vret dragoin, sapo prek thesarin, trupi i tij fillon të ndryshojë. Sakaq ai shndërrohet në dragua për të ruajtur thesarin. Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) është ky hero.

Përktheu A. Cara

Comments

  • Ergys, me lejo te te korrigjoj pak ne hyrjen qe ke bere ti tek thua: “as zhvillimeve dramatike të verës që kaloi, krizës që pasoi protestat e Parkut Gezi, dhe sidomos pas konfliktit paraelektoral mes qeverisë dhe Lëvizjes Gylen” .
    E gjithe kjo qe ka ndodhur keto muaj ne Turqi holle holle nuk ka qene nje konflikt Erdogan-Levizje Gylen por nje konflikt shume me i gjere.

    Te dyja palet e gjeten veten ne kurth duke u detyruar te hidhnin vallen pa mundur te dalin nga ajo.

    Erdogan filloi levizjet nen rrogos kunder Levizjes Gylen qe ne vitin 2004 dhe ne 2013 u vendos mbyllja e kurseve, kur ceshtja nxorri koken. Gje e cila u ashpersua me shume me ceshtjen e korrupsionit ne dhjetor 2013.

    I gjendur perballe presionit te opinionit publik, Erdogani gjeti si te vetmin target “te ngrenshem” nga publiku, Levizjen Gylen, pasi i kishte mbaruar te gjithe armiqte ejashtem.
    Perballe ketij presioni, Levizja u detyrua qe te reagonte me te vetmen mundesi qe kishte, median.

    Konflikti eshte shume me i gjere, kete duhet ta dijne ata qe jane te interesuar per kete gje, pavaresisht se kujt i japin te drejte.

    Gjithe te mirat!

    • Erdo

      Ti mund te kesh te drejte ne gjithcka qe thua, por nuk e kuptoj ku e gjen sigurine te ma atribuosh mua citimin e mesiperm!
      Tani, kur ke shkujdesjen t’ia fusesh kot per gjera kaq flagrante, te tjerat normalisht nuk i ke per gje!

      Ergysi

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *