lazaratfoto

E-zani

“Nuk kemi parë plantacione me kanabis”, pohoi Sokol Bizhga, zëvendësdrejtori i Policisë për Krimet e Rënda, i sapo kthyer së bashku me Altin Qaton (zëvendësdrejtor i Policisë për Sigurinë Publike) nga vizita në Lazarat, pasi kishin takuar “njerëz në rrugë” dhe kishin pirë “një kafe në qendër të fshatit”. Na u kujtua menjëherë deklarata e një senatori italian, i cili, i kthyer nga një udhëtim zyrtar në Korenë e Veriut, deklaroi se “nuk besoj që mungojnë të drejtat e njeriut” në atë vend. Kur lexon ose dëgjon pohime të tilla vështirë të mos vësh në dyshim bindjen se Naim Frashëri nuk ishte kitaristi i Pink Floyd.

Retorikë e tepërt të themi se këto paramecë, që drejtojnë institucionet e Sigurisë, janë të rilindurit e asaj kënete të zgjedhur me njëzetmijë-lekësha ose me bonuset LSI, thënë ndryshe ‘Letra të Sigurta Investimi’ 4×1, 4 votat e familjes për 1 vend pune në administratë. Ka vetëm diçka të vogël. Një reportazh i RAI 1 për emisionin Porta a Porta përcjell intervistën me krye-komunarin Dashnor Aliko, i cili thotë se në “fshatin tim ka shumë marjuanë”, ndërsa ministri Tahiri deklaron se “Lazarati nuk duhet luftuar, por shpëtuar”. Ka reportazhe nga rajoni, të tjera nga Franca e me radhë, mbi të njëjtin problem. Tani, ose Aliko ngatërron naftën jeshile me majdanozin, ose Tahiri e ka llafin për shpëtimin nga dyndja e karkalecave, ose Bizhga-Qato kanë pirë kafe në një lokal ku nuk ndalohej tymi.

Mbase arsyeja është një tjetër, më e thjeshtë: mos vallë pranvera përkon me periudhën e mbjelljes? Po a mund të krijohet një ide e saktë institucionale, bie llafi, për frekuentimin e plazheve të Rivierës duke i vizituar ata në janar? Nuk kemi shqetësim tjetër përveç kohës që kryeministri duhet të sakrifikojë duke dërguar mesazhe telefonike, në vend që ta shohim në workshope ku të punësuarit e vetëm janë fotografët.

Gjithsesi, është stinë interesante. Teksa kanabis-i pret të soditet nga Policia, në Gjadër kanë mbirë ca bimë prej betoni, pikërisht për të mos lejuar transportin e atyre bimëve që zëvendësdrejtorët nuk kanë i kanëGjadri vënë re. Me ngadalësim: ushtria ngre pengesa për atë që sipas policisë nuk! Kjo na kujton atë anekdodën e magjistarit që shfaroste minjtë nga shtëpia e dikujt. Pyetjes së të zotit të shtëpisë, nëse duhej ta flinte mendjen dhe se tashmë nuk do të kishte më minj në shtëpi, magjistari iu përgjigj: Tani nuk do të kesh më kokërr miu, por gjithsesi, se e mban një mace, nuk bën keq.

Fillimisht eprorët e politikës deklaruan me kompetencë se “nuk ka pasur transport droge nga Gjadri”, pastaj se “nuk mund të ngrihen avionë në atë pistë”, se ato që opozita ka parë “janë mushkonja”, e madje për këtë zyrtarët e qeverisë na qetësuan duke treguar se qiejt tanë monitorohen rreptësisht nga NATO, gjë që dukej se do të ulte gjakrat. Duke i besuar shtetarëve, dhe sigurisht NATO-s, mbetet të mendojmë se blloqet prej betoni janë hedhur në Gjadrër për të penguar uljen e mushkonjave në pistë?

Sidoqoftë, e pamohueshme mbetet sensi i humorit që na fal policia e shtetit dhe ushtria, që përfaqësojnë dy zanate në një konkurencë primordiale për të gajasur miletin. Tregohet se njëherë ushtria u angazhua seriozisht për t’ia kaluar policisë (e cila historikisht ka qenë burimi më i madh i barcaletave) dhe ideja gjeniale ishte që të ndërtonin një urë në mes të shkretëtirës. Pas disa muajsh punë e cila kish fituar interesin dhe azdisjen e njerëzisë vjen lajmi i keq se plani kish dështuar. Policët kishin dalë të gjuanin peshk. Edhe kësaj rradhe policia triumfoi dhe Bizhga është heroi i rradhës.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *