architectural-monotony-robert-ullmannBruna Zadeja

Tendenca e të qenit një hap përpara duke u bërë përherë e më shumë qëllim në vetvete sjell për pasojë ndryshime të panevojshme dhe këndvështrime pa perspektivë, që do të thotë se momenti  i risisë zgjat shumë pak. Kjo nënkupton praninë e monotonisë si gjendje, e cila shpjegohet me trishtimin që shkaktohet nga përsëritja e të njëjtit realitet, në mënyrë thuajse identike, cdo ditë, që do të thotë se pjesë e kësaj monotonie është madje edhe vetë kjo tendenca e risisë e cila duke u shndërruar si qëllim në vetvete, si mjet për të anashkaluar stresin emocional dhe psikologjik, e ka humbur funksionin e saj të natyrshëm për të ofruar vërtetë dicka të dobishme në favor të ndryshimit. Dhe ndryshimet e vërteta vijnë si rezultat i shfrytëzimit të  të gjithë potencialieve  humane qoftë në nivel shpirtëror apo fizik.

Konkretisht ne e dimë se demokracia (shqiptare dhe europiane lindore ne disa vende, pasi nuk mund të themi të njëjtën gjë për demokracinë amerikane fjala vjen) është fytyra tjetër e komunizmit për të cilin besojmë naivisht se e kemi lënë pas. Kjo është mjaft e vërtetë, duke u nisur nga një tregues fare i thjeshtë; përkufizimi i fjalës atëherë(në komunizëm) dhe sot(në demokraci), – sidomos për atë kategori kuptimesh e cila sqaron anën shpirtërore të njeriut, e konkretisht e fjalës monotoni – nuk ka ndryshuar thelbësisht. Edhe sot e kësaj dite përkufizimi i saj lidhet kryesisht me përsëritjen e të njëjtave veprime, duke harruar në këtë mënyrë se atë e shkakton edhe përsëritja e së njëjtës metodë të të menduarit, konceptuarit e perceptuarit të realitetit që sjell për pasojë edhe përsëritjen e të njëjtave veprime . Ne vazhdojmë të përjetojmë gjendje monotonie të fuqishme pavarësisht prurjeve teknologjike të epokës moderne, sepse nuk i lejojmë vetes të ushqehemi së brendshmi dhe se akoma nuk e kemi kuptuar se zanafilla e monotonisë është mendja e mbyllur.

Prioriteti i saj fanatik është zhvillimi human sipas modelit robot e duke qenë se të dy sistemet (të cilët në fakt janë e njëjta gjë) e përmendura më lart kanë më shumë tipare të cilat i bashkojnë, më tepër se sa i ndajnë është e lehtë të besosh se edhe fjala pavarësisht sofistikimit të saj në dukje, pasqyron të njëjtën varfëri ndryshimesh në thelb për veten dhe realitetin që dëshmon.

Njëra nga mënyrat se si pasurohet një gjuhë është ndër të tjera edhe ridimensionimi i koncepteve aktuale, zgjerimi semantik i fjalës, si pasojë e koncepteve të reja që lindin. Ne vazhdojmë të jemi robotë komunistë, zgjuarsia jonë gjithnjë e në rritje nuk i shërben asgjëje, vecse forcimit të këtij “identiteti robotic.” E frymëzuar nga tendenca e risisë  prania e kuriozitetit shfaqet si shumë e një dëshire të fortë për të qenë kuriozë dhe fill pas kësaj një kurioziteti që shuhet përpara se të ndizet. Kështu zgjatja në kohë e kuriozitetit fakton rëndësinë e risisë dhe vlerën e saj. E gjitha kjo ka kuptim brenda një sistemi vlerash i cili gjykon gjithcka, qoftë pozitivisht apo negativisht, pa vlersuar asgjë, që do të thotë se  ka një mungesë serioziteti në vlerësimin e gjërave, që vjen si pasojë e konsiderimit të mendjes njerzore si pikë referimi për të bërë dallimet. E kjo pa kuptuar se pika e referimit është e tillë, pikërisht sepse shkon përtej kapaciteteve njerzore për të shpikur një sistem gjykimi te aftë që t’i pasqyrojë ata pa as më të voglin shtrembërim. Pikërisht në këtë kontekst përherë e më shumë po ndërton historikun e tij zhvillimi human i cili e ka të pamundur ta njohë qënien përmes qënies pa një Fuqi Supreme prej së cilës buron potenciali intelektual, njerzor, sepse sado inteligjent të jetë njeriu, zgjuarsia e tij merr fund pikërisht në pamundësinë e tij për t’a prodhuar vetë atë. Kjo do të thotë se intelekti buron nga jashtë natyrës humane si dicka e dhuruar, sigurisht për t’i shërbyer asaj.

Ne jemi të projektuar me aftësinë për të kuptuar. Mbi këtë bazë kemi ndërtuar dhe vazhdojmë të ndërtojmë historikun tonë, bazuar në mekanizmat tanë njohës të perceptimit të realitetit herë me teori të mirëargumentuara e herë jo. Në fakt kjo larmi përplasjesh mes atyre gjërave që vlerësohen si të pavërteta mes vetesh të ofron mundësinë për të vërtetuar aftësinë për të qenë tolerantë e për ta zgjeruar optikën e këndvështrimit perceptues më tej. Përvec kësaj larmia e shkaktuar nga prania e dimensionit të dyfishtë jetësor si ai shpirtëror e po ashtu edhe material tregon për potencialin intelektual që posedojmë, në rradhë të parë, e së dyti i gjithë ky potencial dhe përdorimi i tij shmang rrezikun e rënies në monotoni e kjo sepse është e padrejtë ndarja antagoniste e dy botëve si njëra materiale e tjetra shpirtërore.

Ndërkohë që në fakt të dyja bashkë shërbejnë për të zbërthyer e përkthyer në një gjuhë sa më të qartë misterin human. Meqenëse njeriu e ka të pamundur të dalë jashtë cfarëdolloj gjykimi i cili hedh dritë mbi të, e vërteta mbi njeriun del të jetë produkt i një tufe perceptimesh individuale apo kolektive që bën t’i mbrojnë qëndrimet përkatëse mbi teori të mirëargumentuara, të mbështetura në interesin për njohjen e thellë të natyrës humane. Sigurisht që shkarjet më të mëdha konceptuale vijnë si pasojë e mungesave të mirëfillta të pikave të referimit, por edhe përplasjeve perceptuese të cilat më tepër si mundësi për zhvillim shihen si bllokuese të njëra-tjetrës. Prioritet mahnitës i është dhënë zvillimit njohës të qënies mbi ekzistencën (realitetit material) më tepër se sa të qënies mbi qënien (relitetit shpirtëror) a thua se qënia është në funksion të ekzistencës dhe jo e kundërta, që do të thotë se pika e referimit në këtë rast, si gjëja më madhështore që posedon përgjigjet për gjithcka, konsiderohet të jetë natyra.

Por natyra nuk është “Zoti” i vetëm, “Zoti” gjithashtu mund të jetë njeriu vetë me lirinë dhe mendjen e tij për të projektuar realitetin e tij, etj etj. Megjithatë përtej keqardhjes se Zoti i Vërtetë nuk është aspak në rastet më lartë, vihet re dëshira dhe nevoja njerëzore për Zot nga njëra anë dhe naiviteti për ta kërkuar Atë si produkt të vullnetit njerzor nga ana tjetër, ndërkohë që është përjetësia si cilësi Hyjnore ekstrakti prej të cilit krijohet përkohësia njerzore. Nuk mund të tregohemi aq të mbrapshtë dhe qesharakë, sa të pretendojmë se kemi krijuar përjetësinë, Zotin vetë, sa kohë që jetojmë në kohë e jemi të vdekshëm!

Për  logjika kaq të thjeshta mendja kryenece njerzore ka shpikur shkencën, e cila rikonfirmon në fakt vazhdimisht këtë kryenecësi sa herë që vërteton për praninë e Fuqisë Hyjnore dhe paralelisht me këtë refuzimin që i bëhet asaj sepse njeriut i pëlqen t’i japë të drejtë vetes, sidomos kur e ka gabim, e me këtë pashmangshmërisht të mos mundet dot t’i shpëtojë rrugës pa krye ku e shpie vullneti i  lirë për tu qorruar.

Ateizmi si përligjës i urisë materiale dhe përmbushjes njerzore brenda këtij dimensioni, nuk është i vetmi përgjegjës i cili e ngushton, e varfëron optikën perceptuese të njeriut mbi njohjen në përgjithësi. Si rrezik duhet trajtuar edhe rasti kur religjionin e shohim si dicka të shkëputur e palidhje me botën që na rrethon, ndërkohë që përmes saj frymon ekzistenca jonë si besimtarë. Konsiderimi i dynjasë si një gjë e cila duhet refuzuar në të mirë të besimit, nuk mund të konsiderohet si interpretim absolut, maksimumi mund të jetë njëri prej tyre, por jo më i miri dhe as i vetmi, madje ky lloj interpretimi religjioz është një potencial i mundshëm për t’i dhënë dorë ateizmit, si përfaqsues i njeriut modern plot energji e fantazi,  të cilin e kap shumë shpejtë gjendja e monotonisë dhe dëshira për risi për të dalë prej saj.

Ndërkohë religjioni në vetvete mund të shërbejë mjaft mirë si një propozim brilant e balancues perfekt mes arsyes dhe ndjenjës, lirisë dhe disiplinës, jetës dhe vdekjes, kënaqsisë e përmbajtjes. Sipas transmetimeve profetike Islami është feja e ndjekësve të mesit. Njeriu ka aq shumë për të mësuar mbi veten dhe Krijuesin e tij, sa e ka të pamundur të mërzitet e të krijojë pafund formate të reja për të modeluar jetën. Mjafton të njohë formatin religjioz e të vlerësojë hapësirat pakufi e plot finesë që ofron ai në mundësinë e tij për t’u shpërfaqur, mbi të gjitha duke e lënë të paprekur thelbin human.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *