Abetarja sfidon laicitetin e shkollës





Nene TerezaE-zani

“Shkolla shqiptare dhe arsimi në përgjithësi janë laike dhe duhet të mbeten laike. Duhet të konsiderojmë jo vetëm faktin që duhet të mbeten laike […] por, në radhë të parë, faktin që po flasim për arsimin parauniversitar, i cili ka të bëjë me një grup moshe që nuk është në gjendje të marrë vetë vendime. […] Edhe në raport me simbolet, që u diskutuan këtu, duhet të kemi parasysh laicitetin e shkollës”. *

[Procesverbal parlamentar, 25.04.2012]

Kështu shprehej Valentina Leskaj dy vite më parë në Komisionin e Edukimit, kur diskutohej rreth trajtimit të simboleve fetare nëpër shkollat publike. Teksa Komisioni (Leskaj, Marku, Hoxha, Toçi, Gjonaj, Papa, Çipi, Kadilli, Bulku, Leka, Dalipi, Shkreli, Ylli, Xhuvani, P. Hoxha) mbronte laicitetin e shkollës kundrejt ekspozimit të fëmijëve ndaj propagandave fetare, në shkollat tona publike-shtetërore qarkullonte, atë vit, ashtu si në vitin shkollor aktual, Abetarja e hartuar nga Mimoza Gjokutaj dhe Shezai Rrokaj, botuar nga shtëpia ‘Shkronjë pas Shkronje’ me botues Roland Çano. Mes Borëbardhës (viktimizmi), ariut klasik (parazitizmi), Plakut të Vitit të Ri (pragmatizmi), Gjergj Elez Alisë (forca) etj, alfabeti ilustrohet edhe me Nënë Terezën.

Botuesit janë treguar të kujdesshëm të ekspozojnë kryqin dhe shaminë e Nënë Terezës, që të dy simbole të mirëfillta të identitetit fetar dhe misionit të personazhit, madje shamia, siç shprehej vetë Nënë Tereza gjatë projektimit të Misionit, duhej të pasqyronte realitetin indian, si mjet në suksesin e objektivit final: “futja e Krishtit në ‘vrimat’ e trishta të Kalkutës” (Kolodiejchuk, 2008: 84-85). Bëhet fjalë jo për veshjen e një mësueseje apo nxënëseje, aq të skandalizuar nga shtypi shqiptar, por për simbolika tipike fetare të një mjeti ilustrues të gërmave të alfabetit, ose, thënë ndryshe për material didaktik.

Pastaj libri vijon me specifikimin e identitetin katolik të Nënë Terezës përmes termit shenjtore: “Babi i tregon Zamirit për shenjtoren shqiptare”. Kategoria është ekskluzivisht kishtare, ashtu siç fenomeni merr kuptim vetëm për kontekstin fetar të krishterë, që, përkthyer me shqetësimet e sipërcituara, do të thotë se fëmija shqiptar mëson që në klasë të parë modelin e vlerësimit të Kishës së bashku me karakteristikat e shenjtorit/shenjtores (e dashur, e papërtuar, e shpejtë, e urtë, e dhembshur, e mirë, e kujdesshme, e qetë, shpirtmirë, zemërmirë, zemërbardhë, zemërbutë: faqja e ushtrimeve). Shumë mirë autorët mund të kishin vendosur t’i jepnin përparësi identitetit shqiptar të Nënë Terezës, thjesht duke ndryshuar renditjen nga shenjtore shqiptareshqiptare shenjtore.

Nëse shkolla synon ruajtjen e laicitetit dhe edukimin e nënshtetasve me vlera që tejkalojnë një fe specifike, është e tepërt të themi se në rastin konkret nuk i përmbush detyrat e saj. Të ishte një lëndë fetare ose një mësim që ka për objektiv fenë, mund të pranohet, por është libri i Abetares dhe mësimi synon shpjegimin e një germe specifike, për me tepër të germës Z që me Nënë Terezën lidhet në mënyrë krejtësisht të sforcuar. Nuk ruhet as një minimum ekuilibri fetar, sepse i vetmi personazh me emër mysliman është një farë Qemali, dhe ky nuk është Ismail Beu i Pavarësisë, por një “rojtar i qershive” (germa Q, f. 62-63), teksa paradoksalisht mungojnë Heroi Kombëtar, rilindës, komb dhe shtet-formues, pra në thelb simbolet e edukimit laik.

Ilustrimi bart edhe problemet e keqinformimit dhe të iluzionit. Së pari, Nënë Tereza nuk është shenjtore por e lumturuar dhe “gjithë jetën” ia kushtoi Zotit e institucionit Kishë, në funksion të të cilëve vinte përkushtimi ndaj të varfërve, si mjet për objektivin hyjnor.

Së dyti, autorët shkruajnë: “sa e sa fëmijë ka shëruar ajo me zërin e saj të ëmbël”. Kështu fëmija krijon idenë se mund të ketë shërim (edhe) vetëm nëpërmjet zërit, mjafton të jetë i ëmbël, edhe kur ka uri, kur është i sëmurë kronik apo në agoni, po kështu edhe të rriturit përreth tij. Natyrisht që kjo fjali është e denjë për një habitat përralle, ndërsa këtu propozohet si fenomen racional. Jemi përballë një rasti tipik të përfaqësimit mendor të deformuar të realitetit: në realitet e dimë që fëmijët në Indi nuk shërohen me anë të zërit. Duke qenë se fëmija mund ta vërtetojë lehtësisht me eksperiencën e tij se nuk mjafton zëri, atëherë do të bindet se mrekullia ndodh nga të qenurit shenjtor/e ose nga pasimi i udhës së tij/saj. Vetëm për një mënyrë të menduari/vepruari fetar mund të marrë kuptim dorëzimi ndaj zërave.

Kësisoj funksioni i ilustrimit të germës Z përmes Nënë Terezës ka të gjitha karakteristikat e shfrytëzimit të hapësirave shkollore laike për publicitet të pastër fetar, të cilit nuk i njihen sponsorët, por mund t’i parashikohen pasojat. Më shumë se diskriminim fetar (për këtë do të mjaftonte vetëm analiza antroponimike e librit), kjo është mospërfillje e ligjeve të shtetit, shkelje e kontratës së laicitetit. Pushtetet duhet të ndërhyjnë përpara se mosbesimi zhvlerësues ndaj tyre të arrijë në përmasa komunitare që dritën në fund të tunelit e gjejnë vetëm tek integrimi i fesë në politikë.

 

 

Comments

  • Dikush u ankua se ministri Velia kishte abuzuar me konceptin e tolerances se myslimaneve, por do te kisha qene kurioz per tolerancen e institucioneve te pakicave sikur te zevendesoheshin pozicionet, sikur, per shembull, ndonje germe e Abetares te ilustrohej me simbolika e personazhe islame. Nese kjo nuk eshte tolerance!

    Keshtu diskriminohen myslimanet sot ne sferen publike laike te kontrolluar, teorikisht, nga shteti i tyre. Pastaj diskutohet per islam radikal e myslimane agresive, si antagoniste te nje islami shqiptar. Po cili na qenka ky islam shqiptar? Ai qe duhet te toleroje dhunimin nga te barabartet?

    Kesaj i thone: jemi vellezer, por ju nuk keni vend tek Abetarja, Matematika dhe Historia.

  • Ndoshta do duhej nje studim shterues i krejt librave shkollore per te zbuluar se deri ku arrin ky problem i identifikuar prej jush. Nuk do habitesha nese do gjendeshin edhe mjaft surpriza te tilla

  • Kjo Pune nuk duhet lene me kaq ( pa minimizuar fare, perkundrazi duke bere lutje per faqen dhe autorin e shkrimit ), organizmat e ndryshme te muslimaneve, forum, lidhje, KMSH duhet te reagojne edhe me ndjekje penale

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *