430417561_640 T J Winter*

Këto tonat janë kohë të ndërlikuara dhe shpesh çoroditëse, kohë përparimi dhe tkurrjeje. Nga ana materiale po eksplorojmë yjet dhe ADN-në tonë, por në të njëjtën kohë teknologjia jonë kërcënon ekosferën dhe praktikat tona shoqërore të reja përftojnë mënyra jetese që dobësojnë familjen dhe në afatin e gjatë mund të rezultojnë të papërballueshme. Janë kohë të të drejtave të njeriut dhe divorceve në shkallë të gjerë, të zotësive teknike dhe të një biosistemi që na kërcënon.

Feja, në kësi kohësh, vështirë t’i shpëtojë përfshirjes në turbullira. Njerëzimi – me fare pak përjashtime në skaje të largëta – përfshihet nga rrjedha e shkaktuar prej vetë mendjemprehtësisë dhe lakmisë së vet; dhe feja, e cila mbi të gjitha ka të bëjë me njerëzimin, zor se mund t’i bëjë bisht simptomave të së njëjtës turbullirë. Aty ku në kohë më të hershme jetët njerëzore kanë qenë të qeta, tani janë të mbushura me hutime. Dëshirat, të cilat dikur ishin të parat që duheshin mbajtur nën kontroll të rreptë, përdoren sot prej një sistemi kapitalist për të prodhuar para për një oligarki, teksa hendeku i pasurisë midis të kamurve dhe të skamurve vazhdon të zgjerohet. Dëshirat tona janë potencialisht të pakufishme; mirëpo burimet e planetit – dhe tonat – janë padyshim të kufizuara. Do të vijë një pikë ku lakmia jonë do të ketë nevojë për një ideologji përmbajtëse dhe me dinjitet. Në atë pikë, lloji njerëzor do të kuptojë se humbja e besimit fetar mund të kërcënojë vetë ekzistencën e tij.

Njerëzit inteligjentë janë përsosmërisht të vetëdijshëm për këtë. Filozofë sekularë, si John Gray, na paralajmërojnë për defiçitin e urtësisë, për një rritje të zgjuarsisë, por pa një vizion të përbashkët për një jetë të mirë. Ata na paralajmërojnë për këtë mbitheksim tek të drejtat e njeriut, por pa një filozofi të kthjellët, e cila të shpjegojë përse këto ide universale do të mund të qëndronin. Po ngrihet një superstrukturë madhështore dhe e guximshme, por mbi themele tepër të lëkundura. Totalitarizmat post-fetare të shekullit XX, qofshin të majta apo të djathta, na tregojnë se ku mund të shpjerë kjo rrugë. Darvinizmi e ka më të vështirë se çdo fe tjetër historike të na japë një sistem etike.

Pas eksperimenteve naziste dhe komuniste në utopi darviniste, të shumtë kanë folur, si filozofi Heidegger në vitet e tij të fundit, për një periudhë “të shkrehur”. Njerëzimi është i lodhur prej eksperimenteve të veta për vetëpërsosje; e ndërkaq, demokracia liberale premton “jetë, liri dhe kërkimin për lumturi”, në një hapësirë ku siguria e askujt nuk është e privilegjuar dhe në të cilën indulgjenca është e lavdërueshme. Ky libertarianizëm shumëve u duket kërcënues për rendin shoqëror; por në aspektet e veta më të mira, nuk mund të thuhet se ai ka dështuar nga pikëpamja etike. Liberalizmi bashkëkohor i ka rrënjët në Traktatin e dytë të John Locke-ut, ndaj dhe nuk është krejt i huaj për myslimanët. Kujtoni që Locke-u, në kohë të tij, akuzohej për mysliman nga armiqtë e tij tradicionalistë e teokratikë, që pandehnin se kundërshtimi që ai i bënte Trinisë dhe mishërimit, si dhe hierarkisë së Kishës, ishte me burim mysliman. Të njëjtët kishtarë pohonin, gjithashtu, se besimi i tij tek liria i kishte rrënjët në praktikën islame dhe osmane; ngase në atë kohë, anglezët e shihnin Perandorinë Osmane si shtet shumëfetar ku, paçka privilegjeve zyrtare që kishin myslimanët, ishte e mundur të ishte subjekt i udhëheqësit, pa ndjekur fenë e tij. Dhe ishte pikërisht ky kontributi i madh i Locke-s në filozofinë politike perëndimore.[1]

Kur vendi im ishte nën darën e një sigurie shekullore, sipas të cilës vetëm feja e mbretit mund të tolerohej, Shqipëria e largët ishte shtëpi e të gjitha feve abrahamike. Nënshtrati i saj kulturor, shpirti i saj, ishte padyshim islam, siç mundën të vërejnë edhe Bajroni dhe Liri; porse një dimension përbërës i identietit të saj islam ishte mikëpritja ndaj diversitetit fetar. Shqipëria ishte po aq plurale, sa ç’ishte Anglia totalitare.

Një prej prapakthimeve që i trandin më shumë myslimanët e sotëm është rrëshkitja e kësaj paradigme tradicionale. Krishterimi ishte absolutist; toka e inkuizicionit; ndërsa tokat myslimane ishtin shtëpi e një varieteti të madh minoritetesh. Tani, sidoqoftë, pjesërisht falë agjendave “islamiste” e pjesërisht falë kolapsit të ideve të vjetra të krishtera të mbretërimit në Europë, na duket sikur rendi i natyrshëm është përmbysur.

Gjithsesi, kjo s’mund të jetë absolute; dhe myslimanët duhet të mirëpresin shumë aspekte të shoqërisë civile bashkëkohore, e cila e njeh e madje edhe e feston diversitetin. Kjo për shkak edhe të premisë sonë të vjetër të natyrshmërisë së të qenit ndryshe, të rrënjosur në një teologji, e cila pohon se kjo shumësi vjen për hesap të vetë diversitetit në krijim nga Zoti dhe, më e rëndësishmja, nga fakti se shpëtimi nuk është bërë i njohur në vetëm një mënyrë, një mënyrë përfundimtare, por në shumë plane. Padyshim, një prej karakteristikave më dalluese të vizionit kuranor për historinë, është këmbëngulja e tij mbi atë se shpëtimi i plotë është ndërmjetësuar në mënyrë të vazhdueshme. Natyrisht, kulturat njerëzore mund ta gjymtojnë të vërtetën origjinale. Por “Çdo popull pati udhëzues (pejgamberë)” (Kuran, 13:7)”. Islami është thellësisht optimist për sa i takon njerëzimit, ngase jemë të gjithë, pa asnjë përjashtim, jo vetëm trashëgimtarë të monoteizmit dhe dijes adamike, por edhe të urtësisë profetike. Këtu Abrahami është figurë kyçe: Ishaku dhe Ismaili janë që të dy profetë të Zotit dhe që të dy janë patriarkë popujsh të cilëve Providenca ende pret t’u bëjë dhurata të panumërta. Prandaj dhe paçka mosmarrëveshjeve, ne nuk jemi krejtësisht armiqësorë ndaj projektit shoqëror bashkëkohor: ndajmë me të refuzimin ndaj pesimizmit mesjetar të krishter mbi natyrën njerëzore dhe mirëpresim një model plural dhe multikulturor të lulëzimit njerëzor. Është pikërisht në këtë kontekst mbivendosjeje të pjesshme që myslimanët duhet ta nisin angazhimin e tyre me modernitetin.

Shqipëria islame, mikëpritëse ndaj dallimeve në një mënyrë që Europa jo-otomane nuk mundi të jetë, është sot objekt interesi të madh për komunitetet myslimane në rritje kudo në kontinent, të cilat, pas rënies në shek. XVIII të paradigmës së vjetër teokratike kishtare, po përpiqen të përkufizohen si përnjëmend myslimane dhe njëkohësisht përnjëmend europiane. Kërkimi i origjinës për këtë vlerësim që ka moderniteti për diversitetin e modelit osman, një praktikë e zakonshme mes studiuesve si Noel Malcolm, si dhe për “Europën tjetër myslimane – botën e humbur të Spanjën maure – është detyrë për ne; dhe duke pasur parasysh historinë tonë, është edhe burim domethënës krenarie. Por e gjitha kjo po ndodh përmidis një sfondi kulturor që, për myslimanët, është shumë i ri; mainstream-i në Europën perëndimore nuk është më i krishterë, por mysliman. Për ne kjo paraqet një sfidë, mbi të cilën nuk e kemi vrarë mendjen sa duhet.

Në Britani, parashikime disi më të vjetra që thoshin se myslimanët praktikantë do t’i kapërcejnë në numër të krishterët në vitin 2035, që pranoheshin në masë të gjerë mbi bazën e sondazheve dhe të dhënave të censusit, tashmë janë vënë në diskutim prej studimesh më të reja dhe prej censusit të vitit 2011, të cilat flasin për një kapërcim numerik që tashmë mund të ketë ndodhur. Disa përllogaritje të gazetës Daily Telegraph në fillim të 2011, flasin për një numër britanikësh frekuentues të xhamive, që tashmë është i njëjtë, ose disi më i vogël, se numri i atyre që frekuentojnë kishat.[2] Numri i myslimanëve u rrit me 75% në dekadën 2001-2011, pjesërisht si rezultat i konvertimeve. Kërkime të Universitetit Swansea tregojnë se konvertimet janë dyfishuar gjatë së njëjtës periudhë, me përfundimin se sot një në 600 britanikë është i konvertuer në Islam. [3]

Ky është edhe sfondi i këtij libri: realiteti i jashtëzakonshëm i Britanisë moderne, ku paçka armiqësisë së shfaqur nga media dhe organizimit të dobët të bashkësive, islami vazhdon të ruajë nivele të larta, përkundër një sfondi shekullarizimi të shpejtë në pjesën tjetër të shoqërisë. Mes censuseve të viteve 2001 dhe 2011, numri i britanikëve që vetidentifikoheshin si të krishterë ra me 14%, një rënie pa precedentë historikë. [4] Në pasqyrim të kësaj prijeje, massmedia përherë e më tepër i kthen sytë nga liderët myslimanë për të komentuar çështjet bashkëkohore. Teksa një ateizëm agresiv sulmon egërsisht të gjitha format e besimit, duke pretenduar se morali mund të përcaktohet pa iu referuar fesë, publiku duket se e sheh përherë e më tepër tek islami dhe liderët e tij zërin më domethënës në mbrojtje të vlerave historike.

E megjithatë, duhet pranuar se bashkësia është në formë jo të mirë për të marrë përsipër këtë rol historik. Ne ende na mungojnë mendimtarë të stërvitur, eticistë, gazetarë dhe analistë. Ka përjashtime: për shembull Aaqil Ahmad, i cili është drejtori i ri i transmetimeve fetare në BBC, si dhe Mehdi Hasan, redaktor kryesor i revistës së rëndësishme New Statesman. Që të dy janë njerëz me përkatësi të fortë myslimane. Prapë se prapë, nëse islami është përherë e më tepër feja kryesore në Britani, është e vërtetë se bashkësia jonë nuk është e mirëdrejtuar. Ne kemi afërsisht njëzet e pesë medrese dhe universitete islame për përgatitjen e liderëve fetarë, kryesisht në Anglinë veriore. Gjithsesi, prapë mungon ndjenja e teologjisë lokale, urtësia e thellë e angazhimit islam me botën moderne dhe rolit të saj në marrjen përsipër të shumë pozitave të mbajtura më parë në Angli prej krishterimit.

Esetë e këtij libri vijnë si rrjedhojë e këtij ndërgjegjësimi. Liderët e rinj myslimanë nevojitet të pajisen me një të menduar të përparuar, që do t’i mundësojë të luajnë një rol drejtues në udhëzimin e kësaj bashkësie në një shekull që është ndërkaq përplot me sfida. Kërcënimet vijnë nga shumë drejtime. Është rreziku i selefizmit, me refuzimin që ky i bën intelektualizmit, në favor në një leximi hiper-literalist të teksteve, bazuar mbi teoritë e Muhamed Ibn Abdulvehabit. Prirja e selefizmit për të prodhuar fenomene terroriste tashmë është parë në rrugët e Londrës: çdo i dyshuar për terrorizëm që është arrestuar nga shërbimet e sigurisë britanike, ka qenë selefi.

Sidoqoftë, standardet e larta të edukimit në shkollat britanike e bëjnë të zorrshëm kthimin e selefizmit në ideologji dominuese. Në vend të kësaj, të rinjtë nëpër xhami janë duke kërkuar një islam që i mundëson ata të gjejnë arsye për të besuar, në vend të një islami që është thjesht një kritikë agresive e pikëpamjeve dhe stilit të jetesës së atyre që dallojnë nga pikëpamjet dhe jetesa e kritizerëve. Në një kontekst ateizmi të shfrenuar, neve na nevojitet një islam i mendjes; dhe selefizmi këtë nuk mund ta ofrojë. Argumentet e tij përballë një sulmi intelektual serioz janë tepër të dobëta dhe të pasuksesshme dhe pasojat e kësaj mund vërehen lehtë mes studentëve.

Ajo çka nevojitet është diçka që mobilizon burimet më të sofistikuara të qytetërimit tonë. Brezi i ri i mendimtarëve myslimanë, përfshi këtu edhe ata imamë të rinj që po trajnohen në institutin tim në Kembrixh, duhet të jenë plotësisht të pajisur me një njohje të metodave dhe argumenteve të kelamit klasik dhe të dinë si t’i shpalosin me sukses këto argumente në një kontekst modern shkencor dhe filozofik. E megjithëse krishterimi është numerikisht në rënie, me shumë kisha brenda qyteteve që po kthehen në xhami, interesi i tij intelektual mbetet i konsiderueshëm. Teologjia e krishterë mund të ofrojë mënyra të dobishme për t’iu qasur problemeve bashkëkohore, veçanërisht në metafizikë, etikë dhe në kozmologji. Është, gjithashtu, e dukshme se strategjia selefiste e refuzimit të bashkëpunimit me bashkësitë e tjera fetare është njëkohësisht fetarisht e panevojshme dhe veçanërisht e rrezikshme. Në kontekstin tonë, neve na nevojiten aleatë; dhe aty ku mund t’i bashkojmë qëllimet tona me mendimtarët nëpër kisha, atëherë ky është për ne një detyrim.

Kësisoj, esetë në këtë përmbledhje janë shkruar me një frymë të matur. Pavarësisht spektaklit të jashtëm të rritjes së shpejtë të islamit, neve na duhet të mësojmë shumë nëse duam që bashkësitë tona të kuptojnë trashëgiminë intelektuale dhe shoqërore të vendit ku jetojnë. Me lejen e Zotit, kjo detyrë do të ecë përpara me sukses; qoftë mendimtarët vendas e qoftë të konvertuarit në islam, po rriten me të shpejtë në universitetet tona kryesore, ashtu si edhe në bashkësitë e xhamive dhe unë jam përherë i ngazëllyer nga energjia dhe urtësia e burrave dhe grave të reja myslimane, teksa ata përpiqen të luajnë rolin e tyre historik si shërbëtorë të së Vërtetës në një kohë ndryshimesh të rrëmbyera.

Më në fund, unë i jam jashtëzakonisht mirënjohës botimeve Erasmus për projektin e tyre të përkthimit të shkrimeve të mia në vendin e shqiponjave; nuk jam në gjendje të them nëse këto ide do të jenë relevante, por është përherë nder për çdo mysliman t’u shërbejë atyre që kanë qenë roje të kufirit (ahl al-thaghr), për aq shumë shekuj; Allahu u dhëntë vendit të tyre çdo sukses, fuqi dhe prosperitet.

 

*(Abdal Hakim Murad)

Profesor i Studimeve Islame

Fakulteti i Teologjisë

University of Cambridge

24.12.2012

 

 

 

 

 

[1] John Marshall, John Locke, Toleration and Early Enlightenment Culture (Cambridge, 2010), p.392

[2] Damian Thompson, ‘Practicing Muslims will very soon overtake weekly churchgoers in Britain’, Daily Telegraph blog, January 27, 2011.

[3] ‘Surge in Britons converting to Islam’ The Daily Telegraph, January 4, 2011.

[4] ‘Census reveals decline in Christianity,’ The Guardian, December 11, 2011.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *