MILO PS

H. Omari

Ne shqiptarët jemi dëshmi e gjallë e vegjetimit si kavie në laboratorin e përjetshëm të krijimit të memories kolektive nga pushtetet politike, ekonomike e deri edhe tek ato shpirtërore. Këto, sigurisht, realizohen përmes komisioneve, instituteve e institucioneve që prodhojnë e falcifikojnë memorie nëpërmjet mjeteve të komunikimit, edukimit e instituioneve publike. Mendësinë e kemi përjetuar që herët: historia është parë gjithmonë si mjet në politikën shqiptare, sidomos gjatë periudhës totalitare të regjimit komunist, por nuk po i shpëtojmë dot as në dekadat e fundit të karikaturës demokratike. Me pilotim politik është ndërruar data e çlirimit dy herë, emrat e rrugëve e shesheve, tekstet shkollore e me radhë. Edhe vetë heroi kombëtar ka pësuar transformime e retushime në përputhje me interesat politike, ideologjike apo edhe fetare të momentit.

Nga njëra anë autoritetet shtetërore kanë ndërhyrë në adresimin e historianëve në fusha kërkimore të caktuara, ndërsa nga ana tjetër kanë braktisur në harresë të pjesshme historiografike periudhën enveriste, e cila vazhdon të mbetet prerogativë gazetarësh, madje deri në atë masë sa ingranazhe në funksion të atij regjimi – rasti Fahri Balliu – shfrytëzojnë historinë si mjet legjitimues në modën e radhës. Qeveria rilindëse nuk ka ndryshuar raportin e politikës me historinë, por vetëm ka zhvendosur epokën e referimit, që, siç mund të pritej, është ajo e periudhës enveriste. Ironia është se forca politike më idealiste në vlerësimin e të shkuarës paraqitet LSI-ja, sipërmarrja politike më e përfolur në zhvatjen e pasurisë publike të atij populli që pretendon t’ia promovojë vlerat. Kjo evidenton sërish nevojën e pushtetit për legjitimitet nga e kaluara.

E meqenëse ministra e deputetë nuk mjaftojnë në promovimin e së kaluarës enveriste, është ngritur një komision shkencor specifik prej disa ekspertesh të cilët do të na ofrojnë histori në tavolinë. Komisioni është i përbërë nga disa emra anonimë dhe nga A. Krasniqi, që nuk është as historian – puna e tij është fokusuar tek ngjarjet e ’90 -, Pëllumb Xhufi, Paskal Milo dhe Bernd Fischer – të cilin gazeta e ka përcjellë si Bernard. Përjashto këtë të fundit, përfshirja e Milos dhe Xhufit në komision, të cilët sipas të gjitha gjasave do t’i japin orientimin kësaj sipërmarrjeje, tregon qartë se çfarë produkti pritet prej këtej. Këta njerëz tashmë do të kenë në dorë formimin e brezave të rinj duke vijuar në kushte lirie projektin që ata kanë nisur në kohën e Enverit.

Interesante është të vëresh qëndrimet kontroverse të Milos në lidhje me rishkrimin e historisë. Kur u publikua peticioni i disa intelektualëve, i kryesuar nga Kadare (i pasuar nga shpura e pragmatistëve dhe e investimeve kishtare në këtë vend), ai deklaronte se “konjukturat politike asnjëherë nuk duhet të ndikojnë në interpretimin dhe në shkrimin e historisë, pasi ajo do të humbiste atë vlerë të madhe që ka në formimin e identitetit kombëtar”. Ndërsa tani, ai vetë, si politikan e si historian, merr pjesë në nismat e politikës rilindëse për të rindërtuar historinë, e rrjedhimisht edhe për të riformuar identitetin kombëtar të vendit. Mesa duket për Milon historia është e depolitizuar nga politika që nuk kontrollon vetë, ndërsa politizimi neo-enverist i forcave që vetë Milo përfaqëson nuk e cënon aspak integritetin e fushës dhe as rrjedhojat e saj identitare.

Në fakt, për një historian kjo shkencë nuk duhej të kishte funksione të diktuara nga ideologjia dhe nevojat identitare, por duket një luks për ta pretenduar në realitetin shqiptar. Kjo do të ishte e keqja më e vogël përballë qasjes që Milo ka për historinë dhe shoqërinë. Milo është enverist me bindje dhe këtë e reflekton nga qasjet që ka mbi zanatin e tij, e deri tek detaje shumë përfaqësuese të mentalitetit që ai përfaqëson në konceptimin e mësimdhënies në universitet, ku i detyron studentët të ngrihen në këmbë kur hyn në klase (gjë që nuk ndodh sot në asnjë universitet perëndimor). I vetmi emancipim që profesori ka arritur të përftojë në adaptim me kushtet e reja të kapitalizmit shqiptar shfaqet kur i detyron studentët t’ia blejnë librin me pahir.

Prania e Milos dhe të gjithë milove të tjerë në atë komision ka një qëllim të vetëm. Të ofrojë një qasje të zbutur e të zbukuruar për periudhën komuniste duke nxirë e përafruar të gjitha periudhat pararendëse si ajo e mbretërimit të Zogut apo sundimit osman (që në fakt duken parajsë në krahasim me atë të babait të tij shpirtëror Enver Hoxhës), në mënyrë që të legjitimojë kriminalitetin dhe terrorin e regjimit që e ka pjellë. Duket se tragjedia shqiptare nuk ka të sosur. Ish-funksionarë të regjimit jo vetëm nuk kërkojnë falje për çka ndodhi, sepse, normalisht, do t’u duhej të largoheshin nga skena publike, por kanë guximin ta promovojnë dhe ta imponojnë atë si interpretim uniform për shkollat shqiptare.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *