jahjaga

 

 

Anton Cara

 

Presidetja e Kosovës Atifete Jahjaga ka folur kundër asaj që ajo e quan imponimin e mbajtjes së shamisë nga vajzat minorene, në një intervistë dhënë për RTK. Ajo e konsideron këtë shkelje të të drejtave të njeriut: “Pse a mendoni ju se nuk është shkelje e të drejtave të njeriut imponimi dhe mbartja e shamijës nga një fëmijë pa hy në moshën madhore?”. Ndërsa, në lidhje me frekuentimin e shkollave nga vajazat me shami, Jahjaga tha ajo si presidente ka shprehur qendrimin e saj në përkrahje të shtetit sekular të themeluar me kushtetutën e Kosovës, «një shtet që garanton dhe promovon tolerancën ndërfetare dhe një shtet që jep përkrahje […] ambjenteve të shkollave publike, që janë ambjente neutrale, që garantojnë për fëmijët tanë».

Vërejmë me keqardhje se Presidentja nuk kryen siç duhet detyrën e saj, perveç se nuk kupton as kushtetutën e as termat që përdor, siç është rasti me sekularizmin. Duhet thënë se roli më i qenësishëm i Presidentit të Republikës është ai i garantit të kushtetutës, por edhe ai i mbrojtësit të unitetit dhe solidaritetit shoqëror, duke u ngritur mbi palët edhe në politikë lëre më për dukuri kaq sensitive si feja. Përkundër kësaj, presidente Jahjaga paraqet vazhdimisht një diskurs atakues ndaj një grupi qytetarësh që i përkasin grupit fetar më të mëadh në vend. Duke sulmuar grupe të tillë për zgjedhje të tyret personale ajo i ndihmon konfliktualitetit e jo solidaritetit shoqëror, krejt në kundërshtim me rolin që ka kryetari i shtetit.

Kjo nuk është hera e parë që znj. Jahjaga pozon me uniformë militanteje dhe me një diskurs konfliktual e diskriminues. Në një sërë rastesh qendrimet e saj kanë qenë atakuese ndaj këtij komuniteti duke tërhequr edhe mërinë e shumë besimtarëve – aq sa madje është bërë edhe personazh i një kënge të reperit Gold Ag – e cila i kundërvihet në mënyrë demantuese kësaj klime të mbjellë nga një pjesë e mirë e elitave politike e intelektuale në Kosovë. Justifikimi se atakimet e saj janë vetëm për ekstremistët e jo për të gjithë besimtarët nuk qendrojnë, sepse nuk ka asnjë arsye të pretendosh se je dashamirës i një komuniteti, duke folur gjithmonë kundër pak individëve ekstremistë brenda tij. Ndërkohë që gjithashtu presidentja e ka zgjeruar aq shumë rrethin e përcaktimit të ekstremizmit sa ekstremist mbetet të jetë gati çdo besimtar praktikant.

E drejta anapulla

Pikë së pari, mbajtja e shamisë është një fenomen shumë më i gjerë se ç’ka qef ta shohë znj. Jahjaga dhe reduktimi i diskutimit tek raste hipotetike ku presupozohet se dikush mund t’ia imponojë fëmijës këtë është pak të thuhet tendencioz. Jahjaga refuzon të gjejë fjalë për të shprehur të drejtën legjitime të çdo gruaje në një shoqëri të lirë e demokratike për të mbajtur shami, por gjen pretekst të drejtojë vëmendjen ndaj supozimeve që nuk kanë asnjë pikë rëndësie për debatin që hap kjo temë.

Por edhe këtu Jahjaga gabon. Fillimisht duhet thënë se nuk kemi të bëjmë tamam me fëmijë, por me atë grupmoshë që, ndonëse ende nuk është maxhorene, ka hyrë në pubertet. Edhe nga vetë pikëpamja fetare fëmijët nuk kanë detyrim të mbajnë shami dhe diskutimi nuk prek këtë kategori.

Nuk ka asnjë ligj dhe asnjë parim të konventave ndërkombëtare që e konsideron shkelje të të drejtave të njeriut mbajtjen e shamisë nga fëmijët. Jahjaga e mendon si shkelje edhe rastin kur shamia mbahet me vullnet nga adoleshentët, pasi në fjalinë e saj ajo përcakton qartë: «imponimi dhe mbartja e shamijës nga një fëmijë pa hy në moshën madhore». Nëse një prind e edukon fëmijën e tij në frymë fetare nuk kemi të bëjmë me asnjë shkelje të të drejtave të njeriut, për sa kohë feja që prindi praktikon është krejtësisht legjitime dhe nuk i përket ndonjë dogme të dënueshme me ligj. Përkundrazi, imponimi që Jahjaga kërkon të bëjë në këtë rast, duke u mohuar minoreneve të ushtrojnë vullnetin e tyre për të mbajtur shaminë, përbën shkelje me të dyja këmbët ndaj të drejtave të njeriut.

Jahjaga me kufjeNë fakt Jahjaga nuk arrin të ndajë nocionin e laicitetit nga ai i sekularizmit, duke i shkartisur të dy. Sipas kushtetutës Kosva është shtet laik e jo sekular. Neni 8 i kësaj kushtetute thotë: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.” Laiciteti është një term që tregon parimin e ndarjes së shtetit nga feja, ndërsa sekularizimi është një proces i modernitetit ku shoqëritë shfaqin njëfarë ç’interesimi për besimet, praktikat dhe institucionet fetare. Sekularizmi është një ideologji që priret shpesh të kultivojë indiferencë ndaj fesë duke i kundërvënë asaj mendimin shkencor, ndërsa laiciteti është një term që definon fushën e të drejtës dhe marrëdhënien e shtetit me fenë.

Në të vërtetë kjo kundërvënie midis fesë dhe shkencës që bën sekularizmi është kritikuar si diçka e gabuar sot, ndërkohë që, nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se sekularizmi e ka gabim, trendi i praktikimit të fesë nuk pësoi rënie por rritje nga fundi i shek. XX e deri më sot, dhe moderniteti nuk po sjell aspak spostimin e fesë nga jeta publike.

Laiciteti mund të kuptohet në disa mënyra dhe znj. Presidente reflekton padituri në këtë fushë. Kemi modelin amerikan të laicitetit, i sanksionuar në kushtetutën amerikane e i pandryshuar deri më sot, si dhe modelin francez, që rrjedh nga zjarri i revolucionit.

Sipas modelit amerikan me laicitet kuptohet vendosja e një muri ndarës midis fesë dhe shtetit, i cili garanton mosndërhyrjen e shtetit në punët e fesë. Ky model nuk i pengon aspak fetë të integrohen në politikë, por pengesa është me një korsi, kufizimi vlen vetëm për shtetin. Për këtë arsye në SHBA dhe Britani, por edhe në shumë vende të tjera perëndimore, kisha ka një rol aktiv në jetën publike, në institucionet qeverisëse si edhe në ato arsimore dhe kjo nuk është parë kurrë si problem. Ndërkohë modeli francez njihet si ai i laicizmit militant, i cili priret t’i shtojë kësaj edhe mbajtjen e fesë larg punëve të shtetit. Në të vërtetë modeli amerikan ka rezultuar i suksesshëm, duke ruajtur më së miri ekuilibrat shoqërorë, gjë që nuk e shohim në modelin francez, i cili ka prodhuar jopak polarizim.

Tolerancë konfliktuale

Megjithatë, duke toleruar identifikimin e sekularizmit me laicizmin, duhet të kuptojmë se laiciteti i shkollës, qoftë edhe i marrë në kuptimin më militant (si ai si Jahjagës), nuk mund të prevalojë mbi të drejtat e njeriut, të sanksionuara gjithashtu në kushtetutë. Në thelb laiciteti ka kuptim për të mbrojtur një të drejtë, jo për të shkelur të tilla. Ai ekziston jo për të luftuar e përjashtuar fetë, por për të garantuar barazlargimin e shtetit prej tyre, duke bërë të mundur që askush prej pjestarëve të tyre të mos ndjehet i privilegjuar apo edhe i diskriminuar. Nëpërmjet laicitetit shteti thjesht refuzon të bëhet palë midis feve. Prej këtej neutraliteti ndaj feve i përket shtetit, jo individit që merr pjesë në institucionet shtetërore. Bashkë me të drejtat e njeriut Presidentja e Republikës shkel gjithashtu kushtetutën e vendit të saj, garante e të cilës është.

Por më interesantja është shprehja se shteti garanton tolerancën fetare. Janë fetë ato që tregohen ose jo tolerante ndaj njëra-tjetrës dhe nuk di ndonjë ligj që shteti të detyrojë me forcë një komunitet të tolerojë një tjetër. Në fakt, megjithëse absurde, kjo po ndodh realisht në Kosovë, pasi muslimanët po detyrohen të tolerojnë diskriminimin fetar që iu bëhet. Mesa duket toleranca që garantohet/imponohet nga shteti këtu, sipas asaj që thotë presidentja, është toleranca ndaj përjashtimit nga shkolla për shkak të mbajtjes së fesë.

Në fakt Jahjaga është vetë shkelëse e laicitetit kur, teksa atakon rregullisht një komunitet fetar me një retorikë jopak konfliktuale, nuk ngurron të shfaqë publikisht, në mjaft raste, simpatinë e saj ndaj një komuniteti tjetër, atij katolik, madje duke frekuentuar në mënyrë të mediatizuar edhe objektet e kultit gjatë ceremonive fetare. Natyrisht, sipas konceptimit tonë të laicitetit ajo ka të drejtë ta bëjë këtë – ndonëse sipas konceptimit të saj, jo – por nuk ka të drejtë të shprehë nga pozita e kryetarit të shtetit një diferencim të tillë, që prodhon, në rastin më të pakët, rivalitet fetar. Sado që pranojmë dhe promovojmë gjithashtu tolerancën (jo se na e imponon shteti i Jahjagës, por sepse këto vlera i kultuvon vetë feja jonë), nuk mund të tregohemi aq cinikë me veten sa të bëjmë sikur nuk e vërejmë që ky shtet «laik» na trajton si fëmijë të njerkës, teksa një tjetër komunitet e përkëdhel si djalë të vetëm. Znj. Jahjaga është promovuese e këtij modeli të keq të laicitetit militant dhe paralelisht edhe të laicizmit aparencial të shkelur fillimisht nga vetë shteti dhe është cinike të marrësh leksione laicizmi nga kjo politikë.

 

 

Comments

  • Pse eshte normale qe ta fshijne? Une nuk i shava apo ofendova. Thjesht postova linkun e ketij shkrimi dhe u kerkova nje pergjigje. Mendoj se faqja zyrtare e nje politikani serioz nuk ka pse ti trembet kritikes, madje duhet ta angazhoje ate. Aq me pak qe ata duhet te kalojne ne censure e automatikisht te bllokojne kedo qe mendon ndryshe.
    Obektivi i kerkeses mendoj se eshte qe te merret vesh se ky shkrim ekziston, te angazhohen ndjekesit e asaj faqe me kete shkrim, ti tregohet Presidentes se ka njerez te pakenaqur me deklaratat e saj, se ekzistojne kritika serioze e te mire-artikuluara ndaj qendrimeve te saj dhe mundesisht te arrihet ne nje reagim te saj. Po ashtu ti tregohet admineve te asaj faqe se censura nuk funksionon.
    Nese nuk jeni dakort, atehere ju kerkoj ndjese qe u humba pak minuta kohe duke lexuar kete koment.

    • A ti ke shume te drejte por duhet te dish qe e ndërruara Presidente ka ardhe me zarf ne ate post. Hashim Thacit i eshte dhene zarfi me emrin brenda dhe i eshte thene qe ky emri ketu brenda do jete persidenti i Kosoves. Pra ajo ka ardhur te mbroje dhe zbatoje nje axhende.

    • Selam… Eshte normale po ta gjykosh nga kendveshtrimi i kujtdo qe ka per detyre te ‘mirembaje’ ate faqe qe ekziston sa per formalitetin qe do puna. Brockullat qe nxjerr nga goja Presidentja, pasqyrojne ose dashakeqesi, ose nivel shume te ulet, ose te dyja se bashku, kur behet fjale per keto tema. Prandaj nuk pritet as reagim demokrat dhe as pergjigje me mend nga adminet qe thjesht nuk duan muhabete te ‘bezdisshme’ aty.

      Pikerisht per respektin ndaj e-zanit, nuk me duket e pershtatshme dhe ne stilin e e-zanit, tu shkohet ne faqen e tyre me nje shkrim kritikues, aq me shume me nje ‘sulm’ linkesh. Eshte ndryshe kur dikush poston psh tek nje blog tjeter, ku ekziston nje fare diskursi serioz, nje shkrim te e-zanit qe shpreh nje kendveshtrim ndryshe rreth temes qe po diskutohet.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *