Homofonë dhe homofobë





homofobia1
Ilir Haxhiaj

Finok duhet të ketë qenë ai që ka sajuar hibridin ‘homoseksual’, duke bashkuar arbitrarisht dy fjalë me prejardhje krejt të ndryshme nga njëra tjetra: homo-n greqishtes së vjetër, që vjen me kuptimin ‘i njëjtë’, dhe seksus-in e latinishtes.

Prej këtij hibridi mekanik është frymëzuar edhe ndërtuesi i termit më modern ‘homofobi’.

Në dëgjim të parë, kush ka mësuar diçka për ‘homo sapiensin’, ose do ta ndiejë homofobin si armik të racës së vet të mençur, ose do t’i dhimbset ashtu nga shpirti homoseksuali, që s’ka faj tjetër, veçse është një lloj homo-je si të gjithë homosapiens-it e tjerë.

Në fakt, është thjesht një çift homofonesh (s’duhet ngatërruar me homofobët!), pra, me fjalë që kanë të përbashkët veç tingëllimin. Homo-ja i homosapiensit është njeriu, raca më e epërme e krijuar nga Zoti, ndërsa homo-ja i homoseksualit është, gjithashtu, njëfarë homosapiensi, të cilit – ndryshe nga ç’kemi mësuar në fizikë – i ndizet llampa vetëm kur ia bashkon fijet me dy pole të njëjta. Me fjalë të tjera, për ata që s’e kanë shumë qejf lëndën e gjuhës, homoseksuali ka lidhje me homosapiensin aq sa ka pedalimi me pedofilin.

Kështu, le ta dinë të gjithë, se homofobi nuk ka gjë me homosapiensët, siç mund të jetë pështjelluar ndokush, por e ka inatin pikërisht me homoseksualët.

Këtu hyjnë në fushë doktorët, më saktë, ata që studiojnë e trajtojnë inatet dhe frikërat jonormale, domethënë psikiatrët dhe psikologët, që kanë hartuar një listë tepër të gjatë e të çuditshme, listën e fobive. Ajo i ngjan një fjalori më vete, ku për çdo germë, nga A-ja te Z-ja, mund të gjesh pa frikë nja njëzet a më tepër fobira: fobi nga ajri, fobi nga uji, fobi nga dielli, fobi nga hija, fobi nga macet, fobi nga qentë, fobi nga merimangat, fobi nga mushkonjat, fobi nga mizat, etj. Por ka edhe fobira ndaj grupimeve apo kategorive shoqërore: fobi nga çifutët, nga muslimanët, nga të krishterët, nga gjermanët, nga grekët, nga turqit, nga serbët, nga shqiptarët e ku di unë.

Po ç’është kjo fobi-bushtër që paska pjellë gjithë këta këlyshë, me lloj-lloj emrash?! Fobinë e përkthejnë ‘frikë’, por jo thjesht frikë, se çdo rob me mend në kokë ka frikë: frikë nga zjarri, se mos digjet, frikë nga uji, se mos mbytet, frikë nga ujku, se mos e hajë, frikë nga gruaja, se mos i bërtet etj. Fobia është përtej këtyre frikërave të shëndosha. Ajo është frikë e përhershme, e pashpjegueshme, e paarsyeshme, e palogjikshme, domethënë sëmundje më vete, Zoti na ruajt!

Nëse të zëntë ajo, këshillohesh t’ia mbathësh urgjent te psikiatriku ose te psikologu për konsultë, se të tregojnë ata se ç’duhet të bësh. Mendon keq për homoseksualët? Je kundra shprehjes publike e krenare të homoseksualitetit të tyre? Ndoshta ti nuk e kupton, se nuk të dhemb gjë në këto raste, por doktori i mendjes dhe i trurit mund të të hapë kartelë për fobi ndaj homove ose homofobi. Ishte kohë tjetër ajo kur doktori nuk merrej me ty, që s’të pëlqente të shihje dy çuna të putheshin në buzë te stolat në park, kur dilje me fëmijët e gruan, por merrte dy çunat e u thoshte të hapnin sytë, se goca të bukura ka plot.

Sot është krejt ndryshe. Psikologu i sheh më larg gjërat se babai i tij psikolog. Kështu, nëse ke nevojë për një shembull më praktik, jo me çuna e pa goca, shkenca e mendjes thotë që, nëse ke tmerr nga bulldogu i komshies, që desh të ka ngulur dhëmbët nja dy herë, mos e kallëzo komshien në polici, as qenin mos e prek, se nuk ta kanë fajin ato. Faji është te truri yt. Me shumë gjasa, ti vuan nga qenofobia.

Madje, s’është çudi, edhe zbulimet e shpeshta të finokërive që bëhen me homofone, të shoqëruara me mungesë të theksuar dashamirësie ndaj tyre, mund të kategorizohen pa ngurrim si finokofobi!

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *