sheherazade

Artan Sadiku

Mbrëmë ishte hera e parë që mora pjesë në një ngjarje në katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë. Ishte interesante përzgjedhja e pjesës Sheherazade nga Rimsky-Korsakov, që është e inspiruar nga tregimet e Njëmijë e një netëve, për të na sjell emocione të muzikës klasike me pak erëza orientale. Një kombinim interesant për një ngjarje të muzikës klasike në katedralen e re të Prishtinës. Autori, në përshkrim të veprës së tij, thotë se ishte munduar të projektonte një kaleidoskop të imazheve dhe dizajneve përrallore të Orientit. Kjo e shtynte atë në mes dy skajesh: në njërën anë qëndronte vrazhdësia e karakterit kryesor të Një mijë e një netëve dhe burrit të Sheherazades – Sulltan Shahriarit, e cila (sipas autorit) paraqitet në njëfarë mënyre me frazën unison që përcjell veprën; dhe në anën tjetër Princin Kalender (dervishin endacak), i cili paraqet polin e kundërt të ashpërsisë së Shahriarit, pra element që përfaqëson aspektin e personit që ka tejkaluar respektimin e normave shoqërore dhe është depërtim i shpirtit të lirë njerëzor në horizonte që tejkalojnë definimet kulturore. Kështu magjia orientale na pikturohet me vrazhdësinë Shahriarit dhe fluiditetin e Princit Kalender, të futura në njëra-tjetrën, si në të famshmin yin-yang. Në dukje mjaft e qartë…

Megjithatë, ajo që më bëri shumë përshtypje ishte përkthimi i njërës nga katër pjesët e kësaj vepre në programin e ReMusica. The Kalender Prince – i përkthyer si Princi kalendarik(!), rrëfen për mosnjohje totale të termit dhe kështu, së paku për mua, paksa qesharake. Princi kalendarik! Ç’na qenka ky princ kështu – me kalendar në dorë… Një hulumtim i thjeshtë në internet do të na përndriste konceptin, por mendoj se është gabim i rëndësishëm. Sa për sqarim dhe përndritje, Kalender quhet një dervish endacak, i cili nuk qëndron në një vend për më shumë se dyzet ditë, por është në lëvizje të përhershme, si trupësim i ndryshimit të përhershëm të gjendjes shpirtërore njerëzore. Kalenderi jeton në të tashmen e ndryshueshme dhe s’ka kohë të ndërtojë shtëpi, familje, as çkado tjetër të qëndrueshme, sepse në momentin tjetër asaj veç i ka kaluar koha. Rruga e tij është taze, në çdo moment!

Princi “kalendarik” është nga ato gabime që na bëjnë të mendojmë thellë mbi verbërinë tonë karshi vetes. Kjo na rrëfen më shumë për injorancën tonë dhe një anshmërinë e edukimit tonë. Nga orienti ne dimë vetëm për Shahriarët, por nuk do të ishte keq t’iu heqim pak pluhurin qitapeve që heshtin nëpër bibloteka, e të zbulojmë edhe pak nga Kalenderët (meqë ra fjala, në Kosovë, në rajonin e Prizrenit ekziston edhe mbiemri Kalenderi). Kjo do të duhej të na shërbente të reflektojmë edhe mbi konsumin tonë kulturor e medial; se sa të panjohur jemi edhe me anën e Kalenderit në kulturën tonë, e kështu e gjykojmë atë me sy të tjetrit, por jo cilitdo tjetër, por tjetrit injorant. Sepse vetëm këtë tjetër mund ta përdorim si projektim të injorancës sonë. Kur Slavoj Zhizhek fliste në Prishtinë për Librin e shpallur Hazreti Ejubit (The Book of Job), si pika fillestare e materializmit, shumica dërmuese mendonin se e ka fjalën për ndonjë libër mbi punësimin – por kjo është temë në vete.

 

Comments

  • Shume falemnderit per kete shenim me vlera!

    E-zani duhet te kete nje rubrike me vete per gabimet e pafalshme qe behen perdite kur permenden tema te Islamit apo kulturave muslimane, por edhe me gjere, tema te fese e sekularizmit. Ndoshta ketu mund te kishte vend per qartesime e korrigjime ndricuese si ky i z. Sadiku.

  • Ne nje liber tjeter te perkthyer nga italishtja, perkthyesja thoshte musulmanet e Europes, plus dhe sa e sa gabime te tjera qe t’i ngrinin nervat.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *