FHomoitim Zekthi

Në 24 të muajit që iku, Gjykata e Lartë në Britani vendosi t’ua japë (adoptojë) dy fëmijë romë, dy dhe katër vjeç, një çifti homoseksualësh. Ky vendim ka shkaktuar një debat shumë të madh. Personalitete të rëndësishme e kanë quajtur atë një histori oruelliane. Prindërve biologjikë, dy sllovakë katolikë romë, iu ishin marrë vogëlushët nga shërbimi social një vit më parë, pasi ata kishin vënë re që fëmijët jetonin në varfëri, në kushte të vështira dhe në mungesë kujdesi. Në gjykatë prindërit kërkuan me forcë që, të paktën, fëmijët të mos i jepeshin një çifti gay, por një familjeje tjetër, katolike, pasi kështu fëmijët kur të përpiqeshin të gjenin, motrat, vëllezërit, rrënjët e tyre, nuk do të tronditeshin kur të shihnin diferencën e thellë kulturore. Po ashtu rregullat dhe ligjet e vendit kërkojnë që të respektohet trashëgimia kulturore, prejardhja, etnia etj. Prindërit dhe avokatja e fëmijëve e quajtën këtë një inxhiniering social shkatërrimtar.

Këtë rast, një avokat i çështjes gay në Shqipëri, e përmendi shkarazi në një debat televiziv, si argument mbi të drejtën e homoseksualëve për tu martuar. Po këto ditë u lajmërua se ministri i çështjeve sociale Erion Veliaj ka dërguar në ministri të drejtësisë ndryshimet e ligjit mbi familjen, ku do i njihet e drejta e martesës çifteve homoseksuale. Shqipëria po përballet me këto sfida të cilat do të vijnë duke u bërë edhe më të mëdha, duke qenë se pas tyre qëndron një lëvizje e gjerë, e cila tek ne thjesht zgjatet në formën e vet totalitare. Fillimisht po përpiqemi të kuptojmë diçka mbi rrashtin kulturor të këtyre zhvillimeve.

Christofer Dowson një nga historianët më të njohur perëndimorë të qytetërimit, i parapriu në vitin 1930 trajektores së sotme kur tha se “të gjitha shoqëritë në të kaluarën i kanë ndryshuar institucionet sociale dhe besimin fetar nën influencën e ndikimimeve të jashtme apo nga ngadalësimi i rritjes së brendshme; sot ne përballemi vetëdijshëm me një ndryshim fundamental të besimit dhe institucioneve në të cilat qëndron tërë fabrika e jetës shoqërore”. Dowson kishte para sysh atë që po ndodhte në Europë në atë kohë.

Rreth 20 vjet më herët (në 1909) Sigmund Freud, shkruajti, në përpjekje për të kuptuar seksin, se ai ka një shfaqje të plotë që në fëmijëri. Ai e quajti atë perversiteti polimorf dhe ajo që e bën të ndryshëm nga seksualiteti i periudhave të tjera është se fëmija demonstron çdo lloj sjelljeje me kënaqësi, pa asnjë lloj ndrydhjeje. Freud shpjegon se qytetërimi ngrihet vetëm pasi ky perversitet polimorf, i brendshëm, shtypet nga zakonet, normat dhe forma të tjera shoqërore e morale. Këtë shtypje Freud e quan të pashmangshme dhe të domosdoshme pasi qytetërimi vdes pa prokrijim dhe pa çiftim heteroseksual.

Freud ishte materialist në gjithë këtë dhe më vonë u pa se ai kishte qenë gabim, por pavarësiht kësaj, Herbert Marcuse, një filozof me ndikim pa fund, iu rikthye atij në librin Erosi dhe qytetërimi gjysëm shekulli më vonë. Ai përzieu Marksin me Freudin, foli për çlirim seksual dhe e bëri atë teori. Sipas tij i tërë problemi ishte tek ajo që Freud e quante të pashmangshme dhe të domosdoshme, pra tek shtypja e perversitetit polimorf që shfaqet në fëmijëri. Kjo shtypje duhej zhbërë sipas Marcuse. Revolucioni i emancipimit seksual, siç njihet, i viteve 60-të u krye nën flladin e këtyre ideve.

Dekadat e fundit disa nga kategoritë bazë të njerëzimit si gjinia, familja dhe martesa janë shënjestër e pikëpamjeve të tilla që janë kthyer në ideologji. Gjinia shihet si konstruksion social plastik, madje gjithë realiteti apo realitetet janë konstruksione plastike dhe parimet janë likuide. E vërteta është relative ose e gjithë e vërteta mund të konstruktohet socialisht dhe gjithçka që është konstruktuar mund të dekonstruktohet me qëllim që të çlirohet. Kësisoj martesa shihet si shtypje dhe si një produkt i evolucionit social, institucion që është zhvilluar sepse qytetërimi ka dashur një mënyrë për të mbrojtur dhe rritur fëmijët. Sërish duke evoluar familja mund të ndryshojë dhe tani mund të dalim të gjithë jashtë saj.

Në këtë rrokullimë mes divorcesh, fëmijësh që rriten me një prind e shumë plagësh të tjera vjen edhe martesa mes njerëzve me të njëjtin seks, vjen edhe kërkesa e ministrit Veliaj për të ndryshuar ligjin. Në botë debati është shumë i etshëm sidomos mbi fëmijët që rriten nga prindër gay dhe studimet më serioze janë të njëzëshëm në faktin se këta fëmijë shfaqin shumë dobësi, probleme dhe vështirësi. Për të kuptuar diçka nga kjo e vërtetë e frikshme, sidomos për fëmijët po shohim disa nga këto studime.

Profesor Mark Regnerus i universitetit të Austin-it, Texas, në një studim monumental “Sa të ndryshëm janë fëmijët që rriten nga prindër homoseksualë” të publikuar në Social Science Research 41(2012) ka marrë në shqyrtim të rritur nga mosha 18 në 39 vjeç. Ai vëren se 43% e atyre që janë rritur nga prindër heteroseksulë janë të martuar ndërsa nga ata që kanë nënën lesbike janë të martuar 36% dhe nga ata që kanë babanë gay janë të martuar 35%. Marrin ndihmë sociale 10% e atyre që vijnë nga familje heteroseksuale, 38% e atyre që kanë nënën lesbike dhe 23% e atyre që kanë babanë gay. Janë të papunë vetëm 8% e atyre që kanë prindërit heteroseksualë ndërsa nga ata që kanë nënën lesbike kjo shifër është 28% dhe ata me babanë gay janë në masën 20% të paunë. Kanë menduar për vetvrasje vetëm 5% e atyre që kanë prindër heterosekslualë dhe 12% e atyre që kanë nënën lesbike dhe 24% e atyre që kanë babanë gay. Janë heteroseksualë mbi 90% e atyre që kanë prindër heteroseksualë ndërsa ata që kanë nëën lesbike janë në masën 40% homoseksualë dhe ata që kanë babanë homoseksual janë në masën 71% homoseksualë.

Shihet kthjellët se fëmijët që rriten nga prindër homoseksualë shafqin probleme pa fund: mafrtohen më pak, gjejnë punë më pak, marrin ndihmë sociale më shumë, bëhen homosekslualë në masë të madhe, mendojnë më shumë për vetvrasje etj. etj. Po ashtu Timothy Dailey një kërkues i rëndësishëm i Qendrës për studime mbi familjen dhe martesën krahason çiftet homoseksuale me ato heterorseksuale në disa kategori. Ai vëren se 50% e martesave heteroseksuale zgjasin më shumë se 20 vjet ndërsa vetëm 15% e homoseksuëve thonë se kanë një marrëdhënie të qëndrueshme.

Po ashtu angazhimi mes partnerëve në martesë është pakrahasimisht i ndryshëm. Kjo për shkak se siç thonë Alan Bell dhe Martin Weinberg në ndoshta studimin më të rëndësisshëm mbi marrëdhëniet mes homoseksualëve botuar në “Journal of Sex research”, numri i partnerëve në këto marrëdhenie varion nga 100 në 500. Pra një jetë seksuale shumë e shthurur. Zyra e statistikave e departamentit amerikan të drejtësisë, (2002) thoshte se 11,4% e femrave lesbike dhunoheshin në një marrëdhënie ndërsa shkalla e dhunës në marëdhënie mes dy meshkujsh homoseksulaë ishte në 15,4% të tyre. Tek gratë në marrëdhënie heteroseksuale dhuna ishte në 0,26% të tyre dhe tek burrat kjo shkallë ishte në 0,05%.

Numri i studimeve në këtë lami është shumë i madh për shkak edhe të debatit të ashpër por edhe sepse është një lami e re. Veç kësaj duke qenë se kemi të bëjmë me nje lëvizje me karakter totalitar ajo rreket, dhe në shumë raste ia ka arritur, ti bëjë të hështin kundërshtarët. Vetë shoqata amerikane e psikologjisë një nga më të mëdhatë në botë kundërshton idenë se fëmijët që rriten nga prindër të të njëjtit seks kanë ndonjë dallim me të tjerët.

Shoqata në vitet ’70 drejtohej nga një autoritet si Leona Tyler e cila vendosi një parim që njihet në shkenca sociale si parimi Leona Tyler. Sipas tij asnjë pozicion i shoqatës nuk do ishte i pambështetur në prova shkencore. Sot shoqata e ka rrëzuar këtë parim dhe i mban qëndrimet mbi baza ideologjike. Një grup sociologësh të njohur i dërguan një amicus curia e Gjykatës Supreme në SHBA gjatë shqyrtimit të çështjes “Hollingsworth vs Perry” ku i kërkonin të mos i merrte në konsideratë qëndrimet e Shoqatës së Psikologjisë pasi ishin jo shkencore. Kryetari i mëpasëm i shoqatës, Nicolas Cummings, i cili ndihmoi në avancimin e çështjes së homoseksualëve dhe e hoqi atë nga lista e sëmundjeve pa asnjë gjetje shkencore, thotë se shoqata kontrollohet nga lëvizja homoseksuale dhe ka rrëzuar parimin Tyler. Ai ka dhënë dorëheqjen si shenjë proteste.

Këtë qasje totalitare e vëmë re në Shqipëri ku shkohet drejt vendimesh të tilla madhore si martesa e homoseksualëve pa patur asfare shqetësim nëse ka apo jo të drejta fëmijësh. Ky është një debat që do të vazhdojë por nuk mund të thuhet kurrë që fëmijët nuk preken dhe që familja nuk preket. Ministri Veliaj, meqë shfaqet si në krah të fëmijëve duhet ta tërheqë ligjin përndryshe është duke bërë teatër edhe në kurriz të fëmijëve. Skena oruelliane si ajo me fëmijët sllovakë do ti kemi këtu dhe nuk do të kemi fare familje.

 

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *