Shqipëria, kjo parajsë e pakicave





 veteqeverise_per_shqiptaretV. Popaj

Që në momentin e lindjes së Shtetit shqiptar është ngjizur një mekanizëm pushteti i cili mbijeton duke plotësuar kërkesat e pakicave duke ndrydhur shumicat thjesht në numra statistikor. Ismail Qemali, Fan Noli, Ahmet Zogu, të ashtuquajturit kolaboracionistë, Enver Hoxha e deri të pushtetshmit e sotëm, në mos kanë përfaqësuar pakica specifike, pa dyshim kanë toleruar sfida e revanshe në kurriz të shumicave. Sigurisht që demokracia ngrihet mbi barazinë e lirive, mirëpo duke mos qenë sistem i cilësisë por i sasisë, vlen rregulli i numrave, pikërisht rregulli më i nëpërkëmbur në eksperiencën tonë demokratike. Edhe në rastin e shumicave politike plebishitare, siç ishte faza e shkurtër dhe e vetme 1992-96, grupet minoritare të interesit kanë akumuluar pushtet dhe hapësira në mënyrë të pandalshme, ndërkohë që shumicat kanë fjetur nën hijen ngushëlluese të pranisë së përfaqësuesve të tyre të babëzitur.

Shembujt më të prekshëm i takojnë politikës. Vlen të kujtohet, nganjëherë, hasmëria gati gjenetike e përfaqësuesve politikë të minoritetit grek në Shqipëri gjatë fazës presidenciale të Berishës. Konflikti i kushtoi jo pak vendit sepse, ndonëse i shprehur përmes minoritetit, buronte nga interesat e Greqisë, dhe 1997-a është dëshmi prej të cilës akoma sot vriten njerëz për shkak të atyre armëve që u shpërndanë për të sjellë në pushtet sipërmarrjen Nano. Berisha i ringjallur integroi sa e sa nga gjeneralët e atij shkëmbimi sipërmarrjesh, madje në qershorin e kaluar asistuam tentativat e një aleance të PD-së me politikën minoritare, që nënkuptonte pazarllëqe favoresh në imitim të flirtit me LSI-në. Edhe sot, minoriteti i Dropullit kërkon forca policore minoritare në luftën kundër lëndëve narkotike deri në masën 50% të efektivit të postës së re, pra një polici edhe greke brenda shtetit shqiptar. Bollano nga ana e tij kërcënon maxhorancën nëse ndarja e re administrative nuk siguron një enklavë administrative në Himarë.

Vetë LSI-ja mishëron raportin e zhdrejtë sasi-peshë. Pasi e mbajti peng shumicën e djathtë me 4 deputetë, ngaqë kontribuoi të funksiononte deri në atë masë sa u riciklua edhe hedhja e pasurisë publike në ankande zyrash, pa konkurrencë, me defter, video, e madje me të vrarë protestash, sipërmarrësi i kësaj pakice të pompuar me shitblerjen e karrigeve administrative me 23 qershor u bë prijësi i dytë për nga rëndësia institucionale në vend. Katër të vrarë për katër vota. Kjo po që është peshë. Dhe morali është amoraliteti publik: i atyre që votën e shesin direkt, jo më thjesht me një makinë asfalt permanent tek gropat e lagjes, që është një e mirë, mbase e bërë keq, por gjithsesi me efekt publik – dështimi i politikës berishiane të bazuar në vepra publike, me gjithë publicitetin mediatik, nxjerr në pah dominimin e individualizmit të xhunglës; i atyre që e blejnë, që braktisin ngjyrat, por jo poltronat e interesit, që riciklohen me dieta, me zbutje tonesh dhe me një patriotizëm patetik; i atij sojit mediatik që këta zhonglierë i masivizon të grimuar me nofkën ‘pragmatistë’.

Imponimi më anormal ndaj shumicave vërehet nga shndërrimi i disa homoseksualëve, ca full-time e ca më shumë të kontraktuar, në njësi matëse të tolerancës sonë kolektive, për të mos thënë i pjekurisë shoqërore me të cilën tani, sipas Avokatit të Popullit, “Shqipëria është gati të shkojë në Europë”. Duket sikur shumica nuk vlen pa këtë pakicë, pa çka se prirjet seksuale mbrohen tashmë në legjislacionin shqiptar. Nuk e di të ketë ndonjë vend demokratik ku një pakicë kaq e papërfillshme numerikisht të arrijë deri në atë pikë sa t’i imponohet masës në një prej themeleve të paradigmave shoqërore, aq sa edhe disa mbrojtës publikë të familjes heteroseksuale gurëzohen mediatikisht si barbarë.

Po sikur të bëhej një referendum e të vendoste sovrani? Ka ndodhur në një vend demokratik dhe europian si Kroacia, sa për të qëndruar në temën e integrimit europian. Me siguri do të kishim bum kërkesash për strehim në Holandë (në mos u pushtofshim nga ish-kaskat blu të Srebrenicës) dhe do të rritej papunësia. I pari Avokati i Popullit. Ç’do të nevojitej më? Mos vallë është angazhuar me po kaq patos, bie fjale, për të drejtat e qytetarëve punëtorë? Nga një vëzhgim i thjesht i faqes zyrtare, për vitin 2014, rezulton se Puna, në kuptimin e përgjithshëm, si aktivitet jetik (në funksion ose në eksperiencë) që grupon kategorinë më vëllimore, citohet dy herë kundrejt trefishit të LGBT-së. E pra kjo kategori i është nënshtruar abuzivizmit të shfrenuar që e dhunon punëmarrësin: orari i zgjatur dhe i çrregullt; jo rrallëherë java me shtatë ditë pune; pasiguria e theksuar e vendit të punës ndaj arbitraritetit të eprorëve; mospagimi i kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, thënë ndryshe ‘puna në të zezë’; shantazhet e llojeve të ndryshme, përfshi ato seksuale; dara e mjerimit etj. Këto janë disa nga shprehjet jo më thjesht të diskriminimit por të dhunimit të punëmarrësit shqiptar, që është edhe motori i ekonomisë së këtij vendi, ndryshe nga të angazhuarit në liritë e qejfit.

Vijim i një tradite të mirëkonsoliduar është përplasja e fundit institucionale mes Ministrisë së Jashtme dhe Presidencës për kandidaturën e Ardian Ndrecës në përfaqësinë tonë diplomatike në Selinë e Shenjtë. Presidenti e refuzoi, Ministri e dekretoi. Kandidatura e Ndrecës u kritikua edhe në Komision, për gjuhën sigurisht, për atë standard që Kryeministri Rama u ankua së fundmi se është nëpërkëmbur nga institucionet e mëparshme shtetërore, përfshi format dialektale. Kur dy institucione kaq të rëndësishme zhvlerësojnë njeri-tjetrin minimumi duhet të ekzistojë një motivacion i fortë. Ndreca nuk është aset kombëtar, madje një pjesë të kombit ai e quan fajtore në persekutimin e grigjës së tij, as ndonjë diplomat i ekuilibruar, për këtë mjafton të kujtojmë qëndrimin rreth pranverë-vjeshtës egjiptiane, e as ndonjë pasqyrë e dialogut. Si mund të justifikohet pra zhbalancimi institucional për këtë kandidaturë dhe jo për raste të tjera? Përgjigja vjen më se e lexueshme në ato përçapjet e Romeo Gurakuqit për t’i dhënë hapësira pushteti tarafit të vet. Asgjë për t’u skandalizuar, përveç shijes së hidhur që përçojnë nëpërkëmbje të tilla të institucioneve shtetërore të 90% të qytetarëve shqiptarë, laikë dhe jo, për hir të një tarafi. Bingo: tarafi doli mbi vetë institucionet shtetërore duke injektuar një investim të kahershëm.

E meritojmë një çokollatë nga Europa si vendi ku çdo pakicë – me para ose me shtete nga pas – ka zbuluar eldoradon e vërtetë. Ka të drejtë Gjergj Meta kur përdor të shkuarën: “nëse ka një logjikë suportimi, durimi, kjo ka ndodhur shpesh në kurriz të atyre enklavave katolike (flas për ato se për pakicat e tjera nuk kam tagër)”. Sot ama mjafton statusi i enklavës dhe durimtarët janë paradoksalisht shumicat.

 

 

Comments

  • Kjo eshte demokracia miq, perdorim i vullnetit te shumices kunder vullnetit te shumices. Ne fund shumica kujton se eshte pakice. 😛

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *