Selfije me Papën





Papa_dhe_Rama

A. Cara

Vendimi i Papa Françeskut për një vizitë në Shqipëri gjatë muajit shtator ka ndezur epshin provincial të garës së politikanëve dhe të mjaft intelektualëve për të bërë investime ditore në bursën e demagogjisë patetike shqiptare. Një mori syresh janë vënë në garë kush e kush të shfaqet më meritori për vizitën e Papës, ndërkohë që intelektualë katolikocentrikë – mes tyre spikat pasioni i antagonizmit sektarist të Gjekmarkajt – po përpiqen ta përdorin këtë vizitë si një asist për të shënuar gol në portën e “kundërshtarit”. Në thelb del sërish në pah se përdorimi pa skrupull i gjithçkaje është e vetmja gjellë tipike e kulinarizmit tonë elitar, politik e mediatik, duke vërtetuar paaftësinë e çlirimit, qoftë edhe për një rast të vetëm kaq domethënës, nga konfliktualitetet. Mjerisht, përtej madhështisë që synojmë t’i japim vizitës së Papës, duhet thënë se po e presim atë si ateistë pragmatistë e materialistë të pandreqshëm, në kuptimin më vulgar të fjalës.

Të parët që nxituan ta instrumentalizojnë këtë vizitë janë pa dyshim dy shefat e kampeve politike, Rama dhe Berisha. I pari nxitoi të pohojë se vizita e Françeskut I erdhi si pasojë e kërkesës së tij, duke i shtuar kësaj edhe retorikën e rëndomtë të klisheve eurocentriste, që e shohin këtë vizitë sishpresë dhe inkurajim për Shqipërinë që të vazhdojë në rrugën e vështirë, por të mbarë, të rilindjes dhe të ribashkimit me Europën”. Pra, në këndvështrimin e Ramës, Papa vjen në Shqipëri për të bekuar “rilindjen” e për të ndihmuar politikën e qeverisë të marrë statusin për në BE.

Nuk ka vonuar edhe Berisha të bëjë të njëjtën gjë, duke e konsideruar vendimin e Papës si përgjigje ndaj ftesës së tij të bërë që në vitin 2013: «në një akt të veçantë miqësor, respekti dhe dashurie për shqiptarët, 18 muaj pas inaugurimit, më 19 mars 2013, si shenjtëria e tij Papa Françesku dhe ftesës që pata kënaqësinë t’i bëj ditën e inaugurimit, Ati i Shenjtë do të vizitojë Shqipërinë». Berisha në fakt nuk e ka për herë të parë përdorimin e Papës për qëllime elektorale. Menjëherë pas këtij takimi, ai pat deklaruar se ka marrë bekimin e tij për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, fitore që në fakt rezultoi një disfatë e turpshme. Po kështu veproi Rama i zgjedhur, duke u prezantuar familjarisht pranë zyrave të shenjta, me prekje që do t’i kishin zili edhe më të famshmit mbretër taumaturgë të Marc Bloch-ut. Akoma më qesharak vjen togfjalëshi i kryeministrit që etiketon vizitën papnore si “ogur i mirë”. Nga e para vizitë papnore në Shqipëri (Gjon Pali II) kanë kaluar plot 21 vite, ndërsa vegjetimi ynë në korrupsionin, në shndërrimin e politikës në biznesin më të sigurt, në vërshimin e krimit të organizuar, në zhvatjen e pasurisë publike, në nepotizmin militantist, në mediokritetin elitar, në kapitalizmin më agresiv, në globalizimin më të shfrenuar të vlerave, duhet t’i kishin sugjeruar Ramës se Shqipëria nuk varet nga oguret, ëndërrat apo macja e zezë që na pret rrugën para Brukselit, por nga vullneti qytetar i shqiptarëve dhe sidomos i kategorisë së rilindësve në qeverisje.

Në fakt, vizita e Papës, siç janë shprehur krerët e Kishës Katolike, ka në radhë të parë qëllime të mirëfillta fetare: “për të forcuar vëllezërit e vet, për të takuar Kishën tonë, për tu lutur me ne dhe për ne, për të na dhënë porositë që vijnë nga ungjilli”. Siç u shpreh Kreu i Kishës Katolike Rrok Mirdita, “vizita e Papa Françeskut bën pjesë në atë akt që quhet udhëtim apostolik”. Natyrisht, vizita e tij ka edhe dimensione të tjera, por që nuk kanë gjetur kurrfarë reflektimi tek klasa politike shqiptare. Shtysa të rëndësishme të vizitës së tij janë “inkurajimi dhe thellimi i raporteve të mira tashmë ekzistuese në fushën ekumenike dhe ndërfetare në këtë vend”. Sipas vetë fjalëve të tij ai vjen “për të dhënë inkurajimin” e tij “për një vend që ka vuajtur gjatë si rezultat i ideologjive të së kaluarës”.

E teksa vizita e Papës ka një mesazh në raport me dekadat komuniste, ne shohim se maxhoranca qeverisëse rehabiliton me zell patologjik diktaturën e kaluar, nëpërmjet kremtimeve të njëpasnjëshme të çdo date historike për enverizmin, nëpërmjet mbështetjes së dhënë ndaj tezave historike që e paraqesin diktaturën me nota të zbutura dhe vetë aktivitetin e Partisë Komuniste me nota pozitive. Rilindja qeverisëse gjithmonë e më shpesh pozon në kremtime e mitingje me portrete të Enver Hoxhës, duke evokuar zgjimin e nostalgjisë për regjimin më famëkeq në Europë, përkundër mesazheve të Papës.

Ndërkohë që Papa do të vijë për të promovuar liritë fetare dhe ekumenizmin ndërfetar, siç shprehen krerët e Kishës, qeveria shqiptare ka kohë që diskriminon maxhorancën fetare nëpërmjet vendimeve apo mosvendimeve të saj. Pengimi i ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë, problemet e lidhura me shaminë, çekuilibrimi i festave fetare, shkelja institucionale e laicitetit, deklaratat e shpeshta që i kundërvihen trashëgimisë dhe kulturës islame në vend, emërimi në strukturat diplomatike të personave si Ardian Ndreca që nxisin haptazi urrejtjen ndaj myslimanëve dhe fesë së tyre, sigurisht që nuk dëshmojnë ndonjë frymë gjithëpërfshirëse.

Këto tregojnë se askush nga ata që brohorasin vizitën e kreut botëror të katolicizmit nuk i merr seriozisht mesazhet e tij. Shumë-shumë të gjithë shpresojnë të arrijnë të bëjnë ndonjë selfije me Papën për ta përdorur si kredit politik e mediatik, si certifikatë e të qenit perëndimor. Në fakt, pikërisht për shkak të asaj që ata neglizhojnë, e shohim të rëndësishme dhe me vlerë këtë vizitë, por pa ndonjë shpresë se do të ndikojë vërtetë mbi elita të mësuara në shpërfillje, në mos në përdhosjen e çdo vlerë shpirtërore, e që shpirtëroren e kanë kthyer në mjet përjashtimi fizik.

Drejtuesit e Kishës sqarojnë se arsyet pse Papa Françsku zgjodhi Shqipërinë si vendi i parë në Evropë janë: Për shkak se nevojitej një vend i varfër, një vend që gjithashtu ka vuajtur komunizmin, ndërsa nevojitej një vend nga ku merr kuptim mesazhi i dialogut ndërfetar. Kjo vjen sepse vetë Papa e sheh veten si pasues i Shën Francesku, i cili njihet për këto dy gjëra: Solidaritet me të varfërit dhe promovim i gjuhës së mirëkuptimit ndërfetar. Nga kjo perspektivë mund të themi se e vetmja meritë e politikanëve shqiptarë për këtë vizitë është se e kanë lënë vendin e tyre të varfër e të mjeruar.

Comments

  • “…ka ndezur epshin provincial të garës së politikanëve dhe të mjaft intelektualëve për të bërë investime ditore në bursën e demagogjisë patetike shqiptare.”

    O Zot, çfarë gjuhe! Që në rreshtat e parë! S’ia vlen të lexosh asnjë fjalë më tutje. Me sa po shoh, fjalët e fundit qenkan “vendin e tyre të varfër e të mjeruar”. (“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi”, – shkruante një marksist dikur për të demaskuar regjimin e “satrapit” Zog).

    Edhe pse Edi Ramën (që me sa shoh nga fotoja, duket të ketë goditur ky shkrim) e kam më inat se e-zanin, më duhet të them se gjuha e e-zanit lë shpesh më shumë për të dëshiruar se gjuha e tij dhe e të gjithë “rilindasve” së bashku.

    Për hatër të Zotit, korrigjoni diçka në këtë drejtim dhe as mos shkruani ç’tjua hajë mendja e as mos lini të shkruajnë këtu ç’t’ia hajë mendja gjithkutj, se muslimanit i takon të vetëpërmbahet e jo t’ia mëshojë sharjes sipas nefsit.

    • ?????? ku kerkon te dalesh?

      shiko… e di ca te besh, lexoje dhe njehere tjeter kete shkrim, apo madje edhe te gjitha shkrimet e blogut, se ndoshta e kupton me mire si shkrim… ose ose na sqaro ku ka share sipas nefsit, ose togfjaleshin ‘cfare gjuhe’, ose edhe marksizmen e supozuar te shkrimit, ose edhe gjuhen e krahasueshme me ‘rilindjen e ed rames’. Aman, ore LSD, lexoje dhe njehere shkrimin, dhe pastaj flit me fakte, ose analize teksti, se perndryshe na del se je thjesht nga ata te lenduarit e efendikoit.
      selam

      • Qyqa ta vleresoj mundimin po pse i sugjeron tjetrit ta lexoje dhe nje here shkrimin apo kerkon ti shtosh agonine? Pak me shume meshire per njerezit…

        • Jo, nuk i kerkohet “ta lexoje dhe njehere”, por i kerkohet ta lexoje njehere para se ta gjykoje, sepse ky mjeshtri e thote vete qe nuk e ka lexuar dhe megjithate kjo nuk e pengon per ta analizuar mire e mire.
          Nuk eshte aq keq sa mendon ti admin. Eshte shume me keq. Eshte tmerr katastrofe!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *