Imamët, televizioni dhe media (I)





Rezart BekaTV-shutterstock_23301313

 

Vitet e fundit prania e imamëve në media, radio, televizion, internet etj, është rritur gjithnjë e më shumë. Përvetësimi i teknologjive të reja për qëllime fetare nga hoxhallarët dhe imamët shqiptarë është pothuajse i plotë. Përgjithësisht, imamët dhe hoxhallarët shqiptarë besojnë se nuk ekziston asnjë konflikt apo tension ndërmjet medias dhe fesë, përkundrazi, për ta media mund të përdoret si një mjet për të përçuar dhe përhapur vlera fetare. Ata besojnë fuqimisht në dobinë dhe efikasitetin e medias për përhapjen e fesë në shoqëri dhe në domosdoshmërinë e myslimanëve për të qenë aktivë mediatikisht. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të përvetësojnë teknologjitë e reja dhe të ndërtojnë një diskurs fetar në to. Po sa mirë e njohin ata realitetin e komunikimit mediatik, sa të përgatitur janë ata për të kuptuar dimensionet e shumta dhe mënyrat e ndryshme të funksionimit të mjetit mediatik që përdorin? Sa të vetëdijshëm janë ata për pasojat dhe rreziqet që integrimi i teknologjive të reja mediatike mund të sjellë për formën dhe përmbajtjen e mesazhit fetar? Sa të ndërgjegjshëm janë ata për sfidat dhe transformimet që sjell në botëkuptimin dhe mesazhin fetar integrimi i teknologjive të reja në këtë diskurs?

Teza që dëshirojmë të mbrojmë në këtë ese është se imamët shqiptarë, në pjesën dërmuese të tyre, kanë përqafuar dhe përvetësuar format e reja teknologjike duke u bazuar në një vizion instrumental të medias, i cili është tanimë i vjetëruar dhe i tejkaluar nga konceptime më moderne, të cilat nxjerrin në pah dimensione më të thella dhe ngjyresa më të plota të mënyrës se si aktualizohet komunikimi mediatik. Po ashtu, imamët shqiptarë në pjesën më të madhe të tyre janë të pavetëdijshëm për pasojat që mund të ketë përvetësimi i një teknologjie të caktuar për formën, përmbajtjen dhe komunikimin e mesazhit fetar. Për rrjedhojë, shpesh ata janë bërë aktorë të pandërgjegjshëm për ndryshime në gjuhën dhe stilin fetar, për transformime në metodat tradicionale të përçimit të mesazhit fetar dhe për infiltrimin në jetën fetare të estetikës, vlerave dhe strukturave të formave të ndryshme të mediave. Prandaj, qëllimi ynë në këtë ese është të paraqesim disa prej teorive më të fundit në lidhje me procesin e komunikimit mediatik, si edhe të evidentojmë disa prej rasteve kur mesazhi fetar mund të pësojë transformime ose të pësojë ndryshime strukturore si pasojë e akomodimit të tij në teknologjitë mediatike.

Qasja instrumentale

Qasja mbizotëruese e imamëve ndaj medias, veçanërisht ndaj televizionit dhe internetit, duket se është ajo e cila e koncepton median si një instrument. Në këtë qasje komunikimi mediatik konceptohet si linear, ku në fillim të tij gjendet dërguesi i mesazhit, i cili e vendos mesazhin në teknologjinë mediatike (kamera, upload në internet etj.) dhe e shpërndan atë në një masë të madhe audience, duke pasur si synim përfundimtar ndikimin tek popullsia dhe shoqëria. Kjo qasje i njeh rol të madh dërguesit të mesazhit, i cili shihet si përcaktuesii përmbajtjes së mesazhit dhe përçuesi kryesor i tij. Teknologjia mediatike shihet si një instrument neutral, i cili, nëse përdoret siç duhet nga dërguesi i mesazhit, do të japë rezultatin e dëshiruar. Ndërkohë, audienca konceptohet si pasive, e cila thjesht e merr dhe e percepton mesazhin e dërguar dhe, nëse ai është sjellë tek ajo në mënyrë cilësore, atëherë ajo ndikohet prej tij dhe e përvetëson atë. Kësisoj, imamët e shohin veten e tyre si përpunuesit kryesorë të mesazhit fetar që duhet përçuar dhe e konceptojnë teknologjinë mediatike thjesht si një instrument ose kanal neutral, që do të bëjë të mundur shumëfishimin dhe përçimin e mesazhit tek audienca e cila synohet të bindet.

Një qasje e tillë ka qenë për shumë vite mbizotëruese në studimet mbi median, për shkak se ajo është pragmatike, e thjeshtë, e kuptueshme për masën e gjerë dhe lehtësisht e përdorshme nga institucione të ndryshme shtetërore ose private për të matur efektin e mesazhit mediatik mbi audiencën. Ajo krijon përshtypjen e një objektiviteti shkencor, ku mendohet se ajo çka nevojitet për të kuptuar procesin mediatik është thjesht matja e ndikimit të mesazhit tek marrësit (audienca)[1].

Megjithatë, pas viteve shtatëdhjetë një qasje e tillë u vu nën syrin e kritikës dhe u zëvendësua nga shumë qasje të tjera, të cilat ofrojnë një vizion më të thellë dhe me më shumë ngjyresa. Studimet rreth mediave bënë gjithnjë e më shumë të qartë se teknologjia mediatike nuk është aq neutrale dhe “e pafajshme” sa ç’mendohej me parë, por ajo ndikon në mesazhin e përçuar dhe e transformon atë sipas struktures së saj të qenësishme. Po ashtu edhe audienca nuk është aq pasive sa ç’besohej më parë, por ajo e përvetëson dhe e rindërton në mënyrë krijuese mesazhin e marrë. Ndoshta rezultati më i rëndësishëm për ne ka qenë zbulimi se mesazhi dhe gjuha fetare pësojnë ndryshime të rëndësishme, kur futen në procesin teknologjik të komunikimit mediatik. Teknologjitë e reja zotërojnë një strukturë të tyren të qenësishme (atë që Hirschkind e ka quajtur” forma e qenësishme arkitekturore” e mediumit[2]), e cila e detyron çdo mesazh që kalon përmes saj që të përshtatet dhe të përvetësojë gjuhën, formën, përmbajtjen dhe strukturën e teknologjisë së përdorur.

Në këtë mënyrë, studimet e fundit mbi median dhe religjionin fokusohen dhe nxjerrin në pah ndryshimin që pëson mesazhi fetar, në formë dhe përmbajtje, kur përvetëson dhe përdor një formë të caktuar teknologjie. Siç e ka bërë të qartë edhe Meyer, çdo religjion ka disa forma ndërmjetësimi (mediume), me anë të të cilave bën të mundur lidhjen e besimtarëve me njëri-tjetrin në një bashkësi, si edhe kontaktin midis tokësores dhe hyjnores, besimtarëve dhe Zotit. Këto forma ndërmjetësimi, të cilat ajo i quan forma ndjesore (sensual forms), kanë stilin, estetikën, simbolikën dhe strukturën e tyre të veçantë.[3] Kur ato vendosin të shprehen përmes teknologjive të reja, të cilat në vetvete kanë një strukturë, formë dhe estetikë të tyren, atëherë formohet një tension dhe këto forma tradicionale mund të veniten ose të pësojnë ndryshime në strukturën e tyre të qenësishme.[4]

Qasja kulturore-diskursive

Një konceptim i përhapur në studimet mbi median është ai që e sheh atë si një proces kulturor-diskursiv. Në këtë qasje media nuk studiohet në mënyrë të izoluar, por si pjesë e një procesi më të madh ndërmjetësimi social, në të cilin përfshihen të gjitha institucionet kulturore. Në fakt, një qasje e tillë niset nga një konceptim specifik i kulturës, i cili e sheh atë jo si diçka objektive, fikse, unike dhe të panegociueshme, por si diçka të shumëllojshme, fluide dhe gjithnjë objekt i negocimit dhe ndryshimit. Po ashtu, ky konceptim specifik mbi kulturën refuzon idenë që realiteti mund të shpjegohet në mënyrë objektive, përkundrazi, çdo përshkrim i realitetit është i ndërmjetësuar nga grupe të ndryshme interesi, të cilët janë në konkurrencë me njëri-tjetrin për t’u afirmuar dhe për të mbizotëruar në sferën kulturore dhe shoqërore.[5] Konceptimi i kulturës si diçka e ndryshueshme dhe fluide, e cila negociohet dhe riformulohet vazhdimisht është bërë mbizotërues në kohët tona. Sipas këtij këndvështrimi, televizioni, ose media në përgjithësi, nuk shihet si një hapësirë ku mund të përçohet një mesazh fiks (siç besohet shpesh nga imamët); ai shihet si një arenë ku grupet e ndryshme të interesit ose përshkrimet rivale të “realitetit”, konkurojnë për mbizotërim, dhe ku, gjatë procesit, vlerat dhe kuptimet ndërtohen, ndryshohen dhe riformulohen vazhdimisht.[6]

Një qasje e tillë ka pasoja domethënëse për konceptimin fetar, sepse në të feja, si çdo element tjetër kulturor, shihet si i ndërmjetësuar nga grupe të caktuara interesi (liderët fetar), që dëshirojnë të afirmojnë dhe imponojnë vizionin e tyre për realitetin tek bashkësia e tyre fetare dhe tek shoqëria në përgjithësi. Prania e liderëve fetarë në një media të konceptuar në mënyrë të tillë nënkupton vetvetiu se ideja e vlerave fetare objektive dhe të pandryshueshme, që ruhen dhe përçohen nga hierarkia fetare, është e pasaktë. Përfaqësuesit e fesë, hoxhallarët dhe imamët, shihen thjesht si disa prej aktorëve në lojë dhe si përfaqësues të një prej opinioneve rivale të mundshme. Prandaj, sipas këtij këndvështrimi, askush nuk mund të flasë me autoritet për fenë apo të jetë i privilegjuar, por çdokush është i barabartë. Ky konceptim kulturor-diskursiv i medias ka sjellë si pasojë atë që quhet “demokratizimi” i ligjërimit fetar, i cili është në thelb të krizës së autorietit fetar në botën moderne. Kjo është arsyeja përse zëri autoritativ i dijetarëve myslimanë humbet fuqi dhe peshë në momentin kur integrohet në një media e cila në bazë të saj ka konceptimin diskursiv të kulturës.[7]

Vijon…

 

__________________________________________________

[1] Për më shumë rreth qasjes së medias si një instrument shih Peter Horsfield “Media”, in Key Words in Religion, Media and Culture, f. 11-114. Teksti i Horsfield do të shërbej si guide për ne, gjatë shpjegimit të teorive të ndryshme ndaj mediave.

[2] Inherent architectural form, shih Charles Hirschkind Experiments in Devotion Online: The Youtube Khut’ba,  f. 6.

[3] Forma të tilla ndërmjetësimi në Islam janë gjuha dhe terminologjia fetare, hytbet, vazat dhe sidomos adhurimet si namazi, agjërimi, zekati, haxhi, duatë, dhikri etj. Secila prej këtyre formave të adhurimit është në vetvete një strukturë ku bëhet i mundur ndërmjetësimi i vlerave fetare dhe marrëdhënia me hyjnoren dhe secila ka formën dhe estetikën e saj unike.

[4] Birgit Meyer në Aesthetic Formations: Media, Religion, and the Senses, Hyja, f. 13-17.

[5] Për më shumë shih Hall, Stuart Cultural Studies: Two Paradigms, f. 57–72 si edhe James W. Carey Communication as Culture: Essays on Media and Society, cituar nga Horsfield në Media, f. 115.

[6] Siç është shprehur edhe Horsfield, në këtë koceptim të kulturës media është një arenë ku “ndërtimi, negocimi dhe rindërtimi i kuptimeve kulturore ndodh në një process të vazhdueshëm të mirëmbajtjes dhe ndryshimit të strukturave kulturore, marrëdhënieve, kuptimeve dhe vlerave”, Horsfield, Media, f. 113.

[7] Për më tepër rreth kësaj qasjeje shih Horsfield, Media, në Key Words in Religion, Media and Culture, f.114-116.

 

Comments

  • Te njejtin efekt me duket se kane edhe tendat ne raste ramazani apo shperndarje Kurani, reklamat dhe posterat e ndryshme(media prapeseprape), deri edhe te ndertimi i xhamijave pa kriter.
    kudo bombardim dhe tregim force, aspak urtesie.
    Pergezime per shkrimin

  • ky makhlukati qe perdor llagapin e tjeterkujt, o admin, qe paska aq intimitet me Rezart Begen sa t’i keshilloje te mbaje kembet ne tpke, mos eshte i njejti diversant qe ngrinte konspiracione per PD-islamike poshte nje shkrimi para nja dy javesh. mos po na numerojne dhe kane nderruar stilin duke perdorur llagapet e te tjereve keta te lenduarit e bosforit?

    • Vllai ti hake kaq grushta ne internet saqe nuk dike te ndash me shapin nga sheqeri. Nje keshille si musliman, mos nxito ne paragjykime por perpiqu te lexosh midis rrjeshtave e te jesh objektiv… Kjo eshte cfare pritet ngacmo nje besimtar (nese je i tille) e jo te besh te tjeret te dihen te ofenduar ne nje site qe hyjme te lexojme gjera per te kuptuar/mesuar / kontribuar per hir te Zotit.
      Nese sheh pse ne nje artikull kaq te gjate nuk ka fare komente ka dicka qe nuk shkon me lexuesit. Zoti e shperblefte Rezin per mundimin, une thjesht desha te ve ne dukje qe kishte nevoje per pershtatje dhe hyrje me te shpejte ne teme… dmth artikulli ishte mjaft me i qarte me publikimin e pjeses 2, gjithsesi mendoj se duhej permbledhur dhe thjeshtuar njecik nese synon te zgjeroje numrin e lexuesve. Sepse besoj qellimi i Rezit nuk eshte te lexohet por te reflektohet e diskutohet mbi fenomenin

      • S’duket se behet fjale per nje problem qe duhet te kaloje ne rrafshin e demokratizimit te njohurive. Perkundrazi artikulli, ne gjykimin tim, meton te qemtoje pikerisht demet qe sjell fenomeni i demokratizimit te njohurive fetare kur ky pervetesohet nga hoxhallaret dhe daite, te cileve ky shkrim u drejtohet si manual ndihmes, apo keshillues, ne daljet e tyre ne mediat tradicionale dhe ne perdorimin e mediave sociale. Thene ndryshe, shkrimi rreh te perthithe vemendjen e nje lexuesi cilesor dhe jo sasior.

        Ps: s’ta kisha me te keq ceshtjen e llagapit, por gjej nje qe ta kesh personal, sepse ketu zakonisht perdoren llagape fikse
        selam

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *