Statusi dhe Konferenca Islamike





statusi

E-zani

Kaluan gjashtë muaj nga ngelja në provimin e dhjetorit të shkuar për statusin e vendit kandidat dhe më në fund ia dolëm të jemi të meritueshëm për të vazhduar më tej në rrugën e reformave drejt Bashkimit Europian. Lajmi u shoqërua me festime, urime dhe sigurisht debate se kush ka meritat më të mëdha për këtë arritje. Si kudo politika dhe shtypi nxituan të nxjerrin përfitimet e ditës. Natyrisht marrja e statusit është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së vendit në një komunitet vendesh me standarde të larta zhvillimi, por duket se pak njerëz shqetësohen vërtetë për këtë. Shumica e aktorëve që orientojnë politikat dhe opinionin shqiptar i shohin më ngushtë interesat e këtij vendi, duke vënë në plan të parë gjithmonë hesapet personale apo të forcës politike e klanore.

Nuk munguan as tezat hantingtoniane cila e shohin këtë ngjarje si moment historik të shkëputjes nga Lindja: “tani hapi i mohuar nga orienti shqiptar u bë”, – shkruan Spartak Ngjela në profilin e tij social, i paaftë ta kuptojë një fitore në vetvete, pa e konsideruar humbje për dikë tjetër. Në fakt ka pasur gjithmonë një përpjekje për ta parë procesin e integrimit europian në një kontekst konfliktual midis Lindjes dhe Perëndimit. Nën këtë frymëzim është shpejguar shpesh se arsyet e zgjatjes së këtij procesi për Shqipërinë vijnë pikërisht për shkak të traditës islame të shumicës së popullsisë, madje ka pasur vazhdimisht zëra që e kanë përdorur Europën si mjet shantazhi kombëtar për qëllime të mirëfillta misionariste fetare, me synim rikonvertimin e shqiptarëve në “fenë e të parëve”, fenë e Europës.

Të njëjtën retorikë përdori gjashtë muaj më parë edhe Nënkryetari i Parlamentit, Ilir Meta, i cili u justifikua për mosmarrjen e statusit me faktin se jemi anëtarë në Konferencën Islamike. Meta u përpoq kështu t’ia hedh fajin Berishës për anëtarësimin në këtë konferencë, që sipas Metës e shtyn Europën të na konsiderojë të rreshtuar në vendet islamike, pra në kampin kundërshtar të Europës dhe qytetërimit. Sipas tij forca kryesore opozitare në Holandë e etiketonte Shqipërinë si islamike dhe kësisoj të padenjë për t’u përfshirë në Europë.

Ndërsa tani Meta u shpreh:

“Dua të falënderoj posaçërisht gjithë kontributorët e arritjes së kësaj dite, brenda dhe jashtë vendit, duke nisur me qytetarin tonë më të thjeshtë që aspiron prej kohësh anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian e duke përfunduar tek të gjithë aktorët e rëndësishëm të vendimmarrjes sonë, që nga qeveria e kryeministrit Rama, opozita dhe të gjithë aktorët e tjerë të rëndësishëm që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë arritje”.

Asnjë shpjegim për perceptimin e Europës ndaj anëtarësisë sonë në Konferencën Islamike. E pra gjatë këtyre muajve nuk dolëm nga kjo konferencë, por statusin e morëm. Duket e vështirë të besojmë se ekstremizmi holandez i kultivuar që nga 1992, siç pretendon Meta, ndryshoi në gjashtë muaj me disa vizita “lobimi”, aq më tepër nga individë të dalë të kulluar nga sistemi ynë i drejtësisë, pikërisht ai për të cilin BE-ja na fshikullon prej kohësh.

Siç e kemi theksuar edhe më parë, ndonëse nuk na intereson aspak anëtarësia e Shqipërisë në OKI, dhe nuk e shohim atë aspak në funksion të Islamit e myslimanëve, kjo retorikë mbetet e rëndomtë, produkt i një mendësie të mbrapshtë konfliktuale e provinciale. Marrja e statusit tregoi se sa larg është Europa prej komplekseve dhe mendësive të tyre dhe se sa jo-europian është ky mentalitet. Statusi vjen, për ironi, kur në vendet kryesore evropiane, me përjashtim të Italisë dhe Gjermanisë, kanë avancuar kolegët e Geert Wilders-it, liderit të asaj partie që sipas Metës e kushtëzoi Holandën në kundërshtimin e statusit ndaj Shqipërisë në dhjetor.

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *