Xhihad me statujat





aleksander-cipa

A. Cara

I motivuar nga një ngjarje e ndodhur në Kaçanik, Aleksandër Çipa analizon rrezikun e ekstremizmit fetar në Shqipëri dhe Kosovë.

“Dy gjeste simbolike përdhosëse të simbolit kombëtar të shqiptarëve, shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, nuk janë të rastësishëm dhe pa domethënie. E kemi fjalën për lënien pa autorësi në periferi të Tiranës para disa muajsh të një skulpture-monstër, në të cilën paraqitej Heroi ynë Kombëtar si një përbindësh. Qartazi ishte lënë të nënkuptohej se kjo ishte vepër e radikalëve islamikë, të cilët ekspozonin antagonizmin e tyre me atë çka përfaqëson Gjergj Kastrioti në historinë, jo vetëm shqiptare, por edhe atë evropiane”.

Pyetja që i shtrojmë kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë është se ku e shikon ai kaq qartazi autorësinë e radikalëve islamikë në “skulpturë-mostrën” e hedhur në periferi të Tiranës? Është groteske pasi vetë Çipa pohon se rasti mbetet pa autor: “Gjithsesi, rasti në Tiranë i pazbardhur dhe ai në Kacanik, janë dy akte […] të cilat lidhen pazgjidhshmërisht me triumfin e doktrinës xhihadiste në ndërgjegjen e militantëve shqiptarë”. Janë të pazbardhur dhe njëkohësisht janë aq të zbardhur sa të identifikohen? Pasi ka pranuar se janë raste të pazbardhura, thënë ndryshe, pasi ka pranuar se nuk ka informacion mbi ngjarjet, Çipa i rendit “këto episode të ngjara në Shqipëri dhe Kosovë” si “pjesë e një historie të re përfshirjeje të një numri të paregjistruar xhihadistësh shqiptarë në ushtrinë globale të xhihadizmit”. Autori përdor kartën e famshme të specialistëve ndërkombëtarë: “një përfshirje e tillë e vënë re prej medias ndërkombëtare dhe e fokusuar në raportimet e medias më të rëndësishme si CNN, BBC, Haftington Post etj., etj., ka alarmuar shumë struktura sigurie dhe shërbimesh inteligjente në BE dhe sidomos në rajonin tonë”. Veprimtaria e xhihadit sigurisht, por jo Skënderbeu i Kasharit apo i Kaçanikut.

Dihet që pronari i tokës (R. Valiasi) ku u gjet kjo skulpturë – e konsideruar si përdhosëse – u shoqërua në polici, por që këtu të arrihet në bindjen e plotë se është vepër e radikalizmit islamik duhet diçka më shumë se fantazi. Në fakt ai çka vërtet përdhoset është profesioni i gazetarit, pasi duket sikur një kryeredaktor dhe analist i vjetër i shtypit shqiptar, njësohet me komente anonime që i quajtën autorët grekë, serbë, minoritarë, çobanë e deri edhe islamik. Pastaj, Shqip-i nuk i ka kushtuar vëmendje kësaj ngjarjeje, as kur ndodhi e as më vonë me ndonjë investigim, siç duhej të bënte një media serioze, për më tepër kaq e alarmuar nga gjurmimi i radikalizmit dhe shkelja e simboleve kombëtare.

Në vijim Çipa bën një paralelizëm me ngjarjen e ndodhur në Kaçanik.

“Javën e shkuar në Kaçanik, rezulton të filmohet për llogari të YouTube një sekuencë e një xhihadisti shqiptar, i cili shuplakon bustin e bronztë të Skënderbeut dhe duke fshehur fytyrën, edhe e pështyn atë. Ky i fundit sipas raportimit të mediave në Kosovë, tashmë do të përballet me gjykatën, e cila pritet ta dënojë deri në 9 vjet burg”.Skenderbeu_i_Percudnuar

Konkluzionet këtu janë më të kuptueshme sepse autorët dallohen ‘qartazi’ dhe dëgjohen disa fjalë të cilat i japin “dhunuesit” ndonjë lustër fetare. Por, edhe në këtë rast, si arrihet në sigurinë e plotë se personi i filmuar është xhihadist? Etiketa xhihadist nënkupton një pjesëmarrje në luftë, të paktën xhihadi që kupton Çipa. Nuk di se ku i gjen autori të dhënat që personi i videos të ketë marrë pjesë ose të jetë aktiv në ndonjë luftë fetare! Ka një fakt të pakontestueshëm: autori është me mjekër. Dhe kjo i mjafton Çipës: “kultura e përfshirjes është e pashfaqur se si dhe deri ku ka mbërritur ndër besimtarë dhe aktivistë që si dukje të parë kanë mjekrat, por si thellësi mbartin heshtjen dhe pazëshmërinë”.

Mund të nënkuptohet se gazetari konsideron luftë edhe «shpullosjen» e bustit të Skënderbeut. Mbase, por titulli që ka zgjedhur për artikullin dhe interpretimi i analizës së Joschka Fischer-it, nuk lënë hapësirë për dyshime. Ai citon nga Fischer-i fragmentin ku nënvizohet rrezikshmëria e ri-kthimit:

“Për Europën, zhvillimet në Lindjen e Mesme paraqesin dy rreziqe madhorë: rikthimi i luftëtarëve xhihadistë që kërcënojnë të sjellin terrorizmin me vete, si dhe përhapja e ideve të tyre ekstremiste në Ballkan”.

Çipa i koncepton këto veprime si shprehje të xhihadizmit të ri-kthyer: “për këtë shkak të ikurit në padijen tonë, mund të kthehen si fatkeqësi dhe pësim për ne”. Pra, sipas tij, “Skënderbeu me bisht” i Kasharit dhe ky “i shpullosuri” i Kaçanikut janë vepra xhihadistësh (!), që pasi kanë luftuar diku (!) janë ri-kthyer (!) në Shqipëri e Kosovë – për të xhihaduar me statuja.

Në vendin tonë mund të dënohesh për përdhosje nëse bën një karikaturë të Skënderbeut, fundja edhe me një ndëshkim mediatik, ashtu siç mund të ndëshkohesh me autokritika e dorëheqje nëse përfshin Papën në ndonjë parodi, por për mrekulli, në ekstremin tjetër, mund të bëhesh edhe Kryetar Parlamenti, kur karikatura paraqet vjedhjen e miletit, apo Kryeredaktor, kur keqinformimi, mungesa e profesionalizmit dhe përhapja e panikut shndërrohen në vlera. Jemi tamam vendi i duhur i ekstremeve dhe i zogjve të radhës.

Comments

  • Chip-i i Gazetarisë

    O çip, o chip, o qoshe e lirë, o zgëq badiahava, o gazetar tralala, që zeher je dhe hiqesh bakllava,

    Çfar’ ishte gjith’ ajo spirrë që kishe lëshuar mbi gazetë ?!

    O chip, hamburgeri bëhet me buk dhe me mish, nuk bëhet me llafe dhe kak’ moraliste në mes.

    Ta them unë çfarë ishte. Ishte shëmbull i shëmtuar i pretendimit të rendimentit më të lartë përmes cilësisë më të ulët. Më erdhi turp kur e pashë. Jo për vete. Për ty. Dhe si i tillë, pra si turp, duhet ruajtur. T’u tregohet studentave të brezave të ardhshëm si shkruanin të paaftët e tashëm.

    Chip, të betohem, Skllavi i Pasionit, shërbëtori i bindur i hovit të Shpirtit, perfeksionisti, murgu i duruar, Përbindëshi i Shenjtë i muzikës, harmonisë, sidomos tekstit, ai që për secilën fjalë që shkroi u mendua jo më pak se disa muaj, Babai yt i lartë pra, po të kishte shtënë sytë mbi pocaqinë tënde ortografike, do rrënqethej për turpin që i biri i bëri.

    Lere që mbajte anën e një rrugaçi të cilin pate paturpësinë ta cilësosh “koleg”. Harroje atë me të cilin them se është e pamundur ti të mos kesh ngatërresa personale. Hallin me ty e kam tjetërkund. Dëgjo këtu, shiko si shkruan ti,

    “Ka kaq kohë që në mediumet tona dhe në shtypin e përditshëm herë pas here riciklohet debati apo mendimdhënia për problemet e thella deontologjike që shfaqen në tregun mediatik dhe në përditshmërinë e këtij profesioni. Rastet enumerohen….” – thua në shkrimin tënd ti.

    Po them unë tani,

    Si ore s’pakemi ditur gjithato gjëra dhe u desh’ të spirrosje ti për të na i bërë të qarta ?! Që “shtypi i përditshëm” nuk qënka pjesë e “mediumeve tona” por diçka tjetër veç ! Që debati (i yti, jo i imi, se unë nuk kam bërë kurrë debat, dha as e kam ndërmënt të bëj) na u “ricikloka” si plehrat ! Që po ai debat (gjithmonë i yti) na qënka vetëm mendimdhënie por jo edhe mendimmarrje apo të dyja bashkë ! Që “problemet e thella deontologjike” i paskemi vetëm “në tregun mediatik” dhe kurrkund tjetër, për shembull nëpër zyra, kafenera, apo shtëpira ! Që “përditshmëria e profesionit (të spirrëtarit besoj, jo e gazetarit) nuk na qënka pjesë e tregut mediatik ! Që rastet nuk u numurokan por na u “enumerokan” !

    O chip, o aman, o derman, o tu bëfsha kurban, o më qafsh me lot, o n’dhe’ m’shtifsh, kështu shkruhet mo’ ?! Për më tepër, kështu fillohet ?! Ta merr mëndja se pas një fillimi të tillë të mund të ketë ndonjë derr që të vazhdojë të lexojë ?!

    Po se mos vetëm kaq,

    “do të doja të ngrija më shumë shqetësimin si punëtor i zellshëm i gazetarisë së sotme në këtë vënd, si një ndër ata që aspiroj se revolucioni etik në profesionin tonë do të shënojë pashmangshmërisht një stad të ri të etikës…”

    Ubububububu…cili shqetsim, cili punëtor, cili zell, cila gazetari’, cili revolucion, cila etikë, e cili stad, o mavri’ ?!

    Po të them me sinqeritetin më të madh duke tu betuar për Tokë e Qiell e ç’ka në mes, me këto forma të neveritëshme foljore kondicionuese “do të doja” që s’kanë asnjë lidhje me Shqipen, dhe me atë vet-mburrje të papërmbajtur, të paskrupullt, të pashëmbëllt, kur e cilëson veten “punëtor i zellshëm i gazetarisë” m’i bërë të pesë litrat e gjakut, plot dhjetë litra fanta me limon, nga ajo e neveritëshmja fare, prodhuar nga distilimi i shuajve të opingave diku andej nga bregu i lumit.

    Të siguroj me kokën time gjithashtu se Xhorxh Oruelli po t’i hidhte një sy paragrafit tënd të mësipërm, për të cilin, duhet thënë edhe kjo, duhet të më falenderosh që ta “riciklova” këtu, duke kontribuar madje që përmes lexuesve të m’i të panumurt të të bëj edhe ty pakëz të famshëm, ato metodat me anë të të cilave ti kujton se unë do vrisja kolegun tënd, atij, të madhit dhe të pa vdekshmit Oruell, i cili lindi dhe u rrit diku tjetër, por nga sa tha e shkroi, zor ta besosh se nuk ka qënë bir’ Skrapari a Shkodre, do t’i dukeshin monstruoziteti më i madh. Dhe, pa lujt fare vendit, atypëraty, do të t’i ngulte thonjtë e tij mu në fyt pa i lëvizur qerpiku. Jo rastësiht. Me siguri në pritje për ndonjë medalje a çmim botëror për kontribut në ruajtjen e pastërisë së tekstit nga mënxyrat ortografike të dikujt që i është mbushur mëndja se është gazetar, domethënë ty.

    “Kjo heshtje dhe ky pranim fatalist na ndëshkon të gjithëve ne që kemi ardhur në këtë profesion nga puna e mundimëshme dhe sakrifikante e reporterit në terren, nga ngritja me mundim në pozicionin e ish-kryeredaktorëve…”

    S’kam pasthirrmë, a klithmë, a grimasë, që ta shprehë sado pak tmerrin tim për këtë shkapërdhim grafologjiko egocentrik të pa parë qyshkur shkrimi është shpikur; Ti dhe shokët e tu, ju që pranoni, dhe heshtni fatalisht, dhe keni ardhur me aq mundim dhe sakrifikantizim -), dhe jeni ngritur me aq mundim në pozicione ish-kryeredaktorësh ! O nëne – nëne ! Po pse erdhët o burrat e dheut ?! Rrinit atje ku, pa vuajtje, mundime, tundime, hamëndje, trushkulje dhe reflektime të tilla ishit më të vlefshëm, në terren.

    A s’më thua o chip; Të shkruash në këtë mënyrë, natyrisht nëqoftëse edhe kjo e jotja mund të quhet “mënyrë”, nëse puna dhe merita maten, jo me spirrosje si këto, por me produkt, a s’më thua, pse lodhesh e shkruan ?! Nuk po të them penën ta thyesh dhe ta flakësh, ruaje penën, ruaje për vete ama. Ta them këtë se për dreq hyra në Internet dhe gjeta diçka tënden. Ja ca dromca nga ato vjershëza,

    Artin e madh të krijimit tënd,

    E nisëm me Puthjen!

    E nise me puthjen dhe mirë bëre o chip. Gabimi ishte pse e vazhdove. Duhej te puthja ta kishe lënë.

    Me syrin e kaltër

    me lotin,

    me lotin që s`thahet

    Dënuar jam përjetë

    mërzi të mos kem

    Çipëëëëëëë, eja në vete. Mua ti, edhepse nuk më dukesh fort’ i lirë, s’më dukesh as i dënuar. Por nëse ndjehesh i tillë, pra i dënuar, dhe për më tepër, mërzi nuk paske, për mërzinë e munguar nuk duhet të fajësosh as syn’ e zi, as atë të kaltrin, as lotin që thahet e s’thahet,  as atë që rrëshqet a i lagësht mbet’ përjet’, por vetëm dhe vetëm broçkullimat që ti vet’ hedh në gazetë, Sepse je chip !

    Chip, teksti yt nuk ka hov shpirti, magji dashurie, frymë mëshire, zell hyjnor. Prandaj nuk është tekst por gromësimë. Ti dhe teksti o chip, i keni rrugët e kithëta, nuk takoheni kurrkund. Të pretendosh ti se ke ndonjë gjë të përbashkët me tekstin, është krejt njëlloj sikur të kërkosh ndonjë ngjajshmëri mes Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe një chip aleksandri tjetër lindur mijëra vite më pas në një çip të humbur të ballkanit jug-perëndimor diku andej nga Bregu.

    Dhe thonë pse nuk lexojnë gazeta shqiptarët. Ja pra o chip ja ! Sepse ti shkruan kështu. Sepse sistemi yt dhe i të ngjajshmëve të tu është bodrum i errët ku po të hysh të zihet fryma. Se i vetmi produkt i vlefshëm që ti dhe ju nxirrni nga gjurulldirat që bëni, janë vetëm dhe vetëm honoraret që ju merrni.

    Chip; Unë, unë nëpërka pika-pika do këndoj sa të më dhembë grika. Ti, ti që nuk ja bën dot kurrë Baaaaaaam por vetëm Lluuuuuuuum, ti që Perëndia nuk të ka bërë për të tilla, duhet urgjentisht të heqësh dorë, nga të shkruarit po e po, por sidomos nga gjoja lodhjet për të shtruar çështje e zgjidhur probleme. Sepse ti je vet’ problemi.

    — 
    http://www.edisonypi.com

  • Edhe fort faj nuk ka Çipa, kur sheh videon e Kaçanikut. Lere pastaj po të lexosh komentet e shumë sidomos besimtarëve kosovarë në facebook, ithtarë të ISIS. Nuk e di a janë vërtet kështu apo ka ndonjë dorë që i manipulon kollaj dhe e nxit përhapjen e kësaj fryme që është krejt e pavend mes myslimanëve.

    Gjithësesi kjo nuk i justifikon hiperbolizimet që bëjnë “gazetarët” shqiptarë dhe paragjykimet e tyre apo mungesën e profesionalizmit, kur trajtojnë diçka në lidhje me Islamin apo myslimanët.

  • Cipa eshte ne ajer. Per te nuk eshte e domosdoshme qe t’ia kete haberin nje gjeje, qe te ulet e te shkruaje per te. Para disa muajsh kishte nje shkrim per ngjarjet ne Turqi dhe thoshte se Presidenti Fetullah Gylen eshte ne sherr me Kryeministrin Erdoan. Merr persiper te beje analize per Turqine kur nuk di as se kush eshte president i Turqise! Ca te thuash me tej?
    Injoranca nuk ka brire, ka kolltuqe e redaksi gazetash!

    “Presidenti Fethullah Gulen po kryeson jo organizativisht, por thjesht përmes mendimit dhe frymës, lëvizjen e re në shërbim të ruajtjes dhe frymëzimit të demokracisë islame.”

    http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/02/05/midis-turqise-berishes-dhe-ukraines/

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *