suarez-bite
Kafshimi i Suarez-it ndaj Chiellini-t gjatë ndeshjes Itali-Uruguai, ishte ndoshta ngjarja që mori vëmendjen më të madhe të këtij botërori, e pasuar edhe me një tufë masash ndëshkimore, komentesh, batutash nga autoritetet e futbollit, mediat dhe mbarë opinioni publik. Ashtu siç pritej dhe siç ndodh gjithnjë me median, ky kafshim tërhoqi vëmendjen më shumë se çdo gol i këtij botërori dhe rrjedhimisht nuk mund të lihej pa u trajtuar seiozisht nga FIFA. Gjesti i Suarez-it u quajt antisportiv, por në fakt, së bashku me gjithçka që e shoqëroi, ai përmbedh shumëçka prej asaj që bën dhe përfaqëson futbolli, madje edhe politika ndërkombëtare në përgjithësi.

Kafshimi i Suarez-it i shkaktoi një indinjatë të madhe dhe po aq hipokrite të FIFA-s. Masat ndëshkimore ishin tepër të rrepta për një gjest të shkaktuar në nerv e sipër gjatë një dueli sportiv. Zemërimi i Zeusit ra mbi talentin uruguajan, duke e pezulluar për 9 ndeshje zyrtare me kombëtaren (gjë që do të thotë të mos luajë për më shumë se një vit) si dhe katër muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik. Nuk mjaftoi kaq, por edhe kompania e veshjeve sportive ADIDAS u indinjua aq shumë sa, jo vetëm që mbështeti plotësisht vendimet e FIFA-s, por ndërmori edhe hapa të tjerë nga ana e saj, duke pezulluar çdo kontratë me futbollistin në botëror.

Marrëzia ka vazhduar edhe në komentet e bëra nga vetë drejtuesit e federatës të cilët nuk ngurruan aspak ta fyejnë lojtarin, duke i thënë se ka nevojë për psikolog. Më tej akoma, dënimi përfshiu edhe konsideratën se gjesti i tij përbën një shembull të keq për fëmijët, të cilët shohin tek sulmuesi i tyre i preferuar modelin e dhunës. Kjo më kujtoi akuzat penale të prokurorëve të nomenklaturës së diktaturës së proletariatit në Shqipëri gjatë gjyqeve ndaj klerikëve, ku priftërinjtë akuzoheshin, ndër të tjera, edhe për krimet e inkuizicionit në mesjetë, duke paguar edhe për gjakun e derdhur ndaj Xhordano Brunos.

E gjithë kjo është natyrisht një falcitet i shtirur, krejt artificial, ndryshe nuk e kuptoj si e sheh federata modelin që marrin fëmijët nga koreografia prono e Xhenifer Lopez-it, në hitin vulgar të ceremonisë së hapjes së botërorit!

E gjithë kjo histeri ndaj një gjesti të nxituar, në gjaknxehtësi e sipër, në një lojë ku dhuna është bashkëshoqëruese gjenetike, – ku edhe lajkatimet e skuadrave nga fansat e tyre evokojnë simbole të tilla si demat, gladiatorët, topçinjtë, gjelat, djajtë e kuq, ujqërit e dëborës… – tregon në fakt për dizekuilibër në gjykimin e federatës dhe aktorëve drejtues të futbollit botëror. Natyrisht që ka arsye të tjera përse federata tregohet kaq e rreptë në të tilla raste.

Përvoja ka treguar që, një institucion i kalbur moralisht dhe ideologjikisht, ka prirjen të tregohet i ashpër kur shfaqen befas ngjarje që mund t’a konpromentojnë sadopak publikisht. Kjo është një prirje e vetvetishme për të ekstremizuar distancimin që shfaqin bashkëfajtorët kur disa gjëra vihen në vëmendjen e publikut. Në këtë mënyrë mund të shpjegohet psh. histeria dhe zelli kolektiv për të dënuar Ylli Pangon, nga një klasë politike e cila përshkruhet shpesh si e krimbur nga vese të tilla. Akuzat e shpeshta për korupsion, shitje ndeshjesh, favorizim skuadrash, prishje të rregullave të lojës etj. e kanë nxirë shumë imazhin e FIFA-s dhe instikti për t’u shfajsuar e bën të shfaqet e devotshme në ekzekutimin e kurbanit më të parë.

Kriza morale e krerëve të futbollit në fakt reflekton një krizë të institucioneve dhe politikës ndërkombëtare në përgjithësi. Edhe blaterët e BE-së dhe OKB-së veprojnë në po të njëjtën mënyrë të çekuilibruar duke u kujdesur vetëm për aparencën. Në ngjarjet e fundit në Maqedoni, Europa dhe SHBA-të dënuan aktet e dhunës gjatë protestave, teksa theksuan ndërkohë të drejtën e gjithkujt për të protestuar. Dhuna është objekti më i dukshëm mediatikisht dhe dënimi i saj është gjëja më e kuptueshme, thjesht një shplarje goje, kur ndërkohë protestat dhe dhuna vijnë si rezultat i një politike të ligë ndaj shqiptarëve në Maqedoni (dhe jo vetëm aty), për të cilën këta ndërkombëtarë të mirë e pacifistë nuk e kanë çelur gojën kurrë. E gjithë kjo, në një retorikë cinike, a thua se dënimi me burgim të përjetshëm i njerëzve të pafajshëm (që ishte edhe shkaku i protestave) nuk qenka dhunë!

Kriza morale i shtyn institucionet ndërkombëtare drejt sjelljeve të motivuara për të qenë politikisht korrekt, gjë që prodhon shterpësi, por edhe indiferencë ndaj të drejtës dhe të vërtetës, duke e shndërruar politikëbërjen në makiazh. Angazhimet e FIFA-s në luftën kundër racizmit, ashtu si edhe ato të BE-së në luftën kundër diskriminimit, racor, gjinor dhe orientimit seksual, janë thjesht angazhim retorik duke ambalazhuar shterpësinë me klishe.

Ironia më domethënëse ndaj kryqëzimit të Suarezit, e cila çel shtegun e kalimit nga futbolli tek politika është oferta që një klub futbolli në Kosovë i bëri sulmuesit uruguajan, duke e ftuar të luajë në Kosovë, si një vend që, gjithashtu nuk njihet nga FIFA (për shkak se nuk njihet si shtet nga institucionet ndërkombëtare). Lajmi tërhoqi vëmendjen e medias ndërkombëtare duke ngjallur jopak humor me autoironinë e vet therëse, por ashtu si ndaj çdo thumbimi inteligjent, institucionet ndërkombëtare do të vazhdojnë të bëjnë sikur nuk kanë ndjerë gjë, teksa do të vazhdojnë të tregohen gjithashtu të rreptë e të pakompromis ndaj çdo akti publik që tejkalon kufinjtë e pozicioneve të tyre politikisht korrekte.

E. M.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *