Rama s’bëhet burrë as me Gruevskin





Gruevski

H. Omari

Pas një heshtjeje të gjatë për zjarrin që është ndezur prej një jave në Maqedoni, Kryeministri Edi Rama u prononcua më në fund gjatë një fjalimi të mbajtur në iftarin e shtruar prej tij me rastin e muajit Ramazan. Mirëpo, ndryshe nga çdo të duhej të shprehej një lider tek i cili janë drejtuar sytë e të gjithë shqiptarëve të shtypur e të vuajtur matanë kufirit, ai u shpreh me fjalë që rëndojnë mbi protestat e shqiptarëve. Kryeministri ka dënuar ekstremizmin fetar në Maqedoni dhe bartjen e flamujve fetarë gjatë protestës.

Çka po ndodh këto ditë në Maqedoni meriton vëmendje, maturi pa dyshim, po reflektim dhe madje të thellë po ashtu. Marrëveshjes së Ohrit nuk i kanë dalë për zot vetëm dy palët që e përbejnë Maqedoninë, maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe garantët e asaj marrëveshjeje, miqtë dhe partnerët e besuar ndërkombëtarë. E nëse maturia u duhet shumë dy palëve tona, reflektimi i thellë nevojitet të jetë trepalësh, pasi as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen.

Por këto janë pasoja të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një humbjeje besimi ndër shqiptarët, për të cilat garantët nuk duhet ti kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së përgjegjësive të tyre. Ashtu sikundër besoj unë edhe flamujt e radikalizmit fetar nuk ngrihen mbi shkopinj, por mbi plagë sociale gërryese, varfërim, papunësi, keqarsimim dhe izolim, të cilat shkaktojnë reaksione nga më agresivet në organizmin shoqëror të  një bashkësie. E për këto duhet menduar me tre palë për Maqedoninë. Për këto duhet menduar me shumë palë për Ballkanin.

Natyrisht, Kryeministri ka bërë mirë që ka theksuar diskriminimin dhe problemet me të cilat haset bashkësia shqiptare në Maqedoni, por është gafë e rëndë politike, e madje qendrim krejtësisht negativ për shqiptarët, të barazosh dënimin me burg të përjetshëm, në mënyrë krejt të pafaktuar të shqiptarëve, me bartjen e një flamuri fetar nga një apo një grup personash në një protestë me mijëra vetë (nëse kjo është e vërtetë, pasi ka zëra se fotot e paraqitura në media janë të një tjetër proteste, të bërë disa vite më parë).

Së pari, është e drejtë e gjithkujt të valëvisë çdo flamur që do, për sa kohë ata janë legjitimë dhe nuk promovojnë ndonjë kauzë urrejtjeje apo dhune, dhe të tillë janë doemos edhe flamujtë fetarë. Duke qenë se të dënuarit nga gjykata maqedonase akuzohen për terrorizëm fetar, duket se ka logjikë të protestohet duke shprehur krenarinë për përkatësinë e tyre fetare, duke pohuar se feja e tyre nuk është terrorizëm, siç po mundohet ta paraqesë shteti maqedonas. Do të ishte mirë që Kryeministri t’i këshillonte protestuesit të mos i japin ngjyra fetare protestës nëpërmjet mjeteve të tilla, por jo t’i dënojë ato, a thua se kanë shkelur të drejtat e njeriut, e aq më keq, t’i barazojë me krimet shtetërore maqedonase, siç është burgimi i njerëzve të pafajshëm.

Së dyti, identifikimi i një flamuri ku shprehet thjesht shehadeti (dëshmia e besimit në një Zot të vetëm) me radikalizmin fetar është krejtësisht arbitrar dhe etiketues për demonstruesit, të cilët konsiderohen radikalë vetëm pse pohojnë përkatësinë e tyre fetare. Kjo është e papranueshme kur e bën Gruevski, lëre më kur e bën vetë Rama.

Së treti, Kryeministri bën pikërisht atë që Maqedonia po kërkon të bëjë me çdo kusht: identifikimin e protestës me radikalizmin fetar. Në shesh kishte mijëra flamuj kuq e zi dhe, nga të pranishmit në protestë, është thënë se nuk kishte asnjë flamur fetar. Megjithatë, edhe nëse ka pasur ndonjë të tillë, ai nuk mud t’i japë emër të gjithë protestës dhe nuk mund ta identifikosh të gjithë turmën vetëm me një apo një grup personash brenda saj. Fakti që Kryeministri ynë e bën këtë tregon se ose është krejtësisht axhami dhe nuk merr vesh se çfarë po ndodh, ose ka qef t’i shërbejë maqedonasve duke mos dashur të marrë përgjegjësitë që i takojnë për çështje jashtë kokëçarjeve të tij, të okupuara vetëm nga politika banale e ditës brenda vendit.

Megjithatë Gruevski po luan bukur në sulm dhe nuk kënaqet me fitore minimale. Ai akuzoi kryeministrin tonë për pjesën ku ky kritikon moszbatimin siç duhet të marrëveshjes së Ohrit. Ai foli me tone të ashpra, teksa bëri edhe notë proteste ndaj ambasadorit tonë atje, gjë që në fakt duhet ta kish bërë Rama më parë ndaj tij për shkeljet e rënda ndaj të drejtave të shqiptarëve, dhunën e vazhdueshme kundër tyre dhe natyrisht, gjyqin e padrejtë të zhvilluar për spektakël politik.

Humbja është dyfish dhe e nxjerr kryeministrin tonë të shkelur me këmbë nga një politikan “xhuxhmaxhuxh” i një shteti prej kartoni siç është Maqedonia. E pra mirë t’i bëhet, për sa kohë nuk e çan kokën për bashkëkombasit e vet dhe nuk ngrihet në lartësinë e pozicionit që ka!

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *