PalestineBruna Zadeja

Sot po triumfon e keqja sepse ata që duan të bëjnë keq janë mbledhur të gjithë bashkë. Frikacakë të strukur, përtej objektit më të madh prej njeriu, femrës seksi. Ajo që e bën botën “të harrojë hallet”, e cila kënaqësinë e pakushtëzuar që të falte dikur futbolli, e kushtëzon sot duke i pranëvënë sinonimikisht sensualitetin. Nëse themi futboll nuk kuptojmë vetëm kaq, por tanimë instiktivisht nënkuptojmë edhe dicka tjetër, pa harruar këtu se kërshëria për një sport kaq të reklamuar nuk përjashton asnjë moshë, madje as fëmijët, por sidomos ata…
Në këto ditë të pikëllueshme për Palestinën, kur vdekja nuk po ndodh vetëm si proces i natyrshëm, por po i serviret perceptimit human si diçka e materializuar, e qëllimtë dhe e padrejtë, nga dhimbja për të vegjëlit e pafajshëm po harrohen gratë, burrat, të rinjtë e pleqtë. Ndërsa ata që vdesin prej shkaqesh që nuk lidhen me përdhunimin izraelit nuk kanë fare rëndësi, ata janë (gjithmonë nëse ka) aq të privilegjuar, sikur të mos kishin ekzsituar kurrë më parë, në atë realitet të pabesueshëm që neve maksimumi na serviret prej videosh apo fotosh gjithsesi eufemistike, por mjaftueshëm tronditëse e të frikshme. Imagjino çfarë ndodh në të vërtetë!
boterori Është një luftë e ndyrë që, si mjet për të arritur zhdukjen e vetëdijes kolektive (sepse nga këtu nis çdo zhdukje tjetër), po përdor vrasjen e fëmijëve dhe foshnjave, me qëllim realizimin e tronditjes psikologjike si arma më e fortë, më destruktive, më e plotë e më e sigurtë për këtë. Ata e dinë shumë mirë që shkatërrimi i njeriut nis nga shpirti i tij. Nuk mundem as ta imagjinoj dot se ku përfundon hipokrizia që nis këtu. Çfarë do të mund t’i bëjnë më pas atyre foshnjave që sot i djegin, i vrasin, i gjymtojnë dhe më e pakta, i lënë jetimë e pa shtëpi?! Çmenduria po zgjerohet apo po ndryshon trajtë?! Po lind një koncept i ri i së këqes, prej kohësh i paralajmëruar a çfarë?! Sa përqind nga njerëzorja jonë ka mbetur ende për t’u shpëtuar?!…
Gjendemi në muajin e Ramazanit që ndodh për çdo vit, e njëkohësisht në muajin e futbollit botëror, një herë në katër vjet, si dhe në muajin e luftës izraelito-palestineze, e cila më së shumti ndodh aq haptazi dhe aq egër pikërisht në Muajin e Ramazanit, por pamundësisht përcjellur pjesës tjetër të botës që është shumë e angazhuar me hallet e futbollit. Për koincidencë, të treja në një, paralelisht, vijnë për t’u përballur me njëra-tjetrën sfida e sakrificës religjioze (si kthim kah vehtja) në kontekstin ekstrem mes kënaqësisë dhe euforisë së futbollit nga njëra anë dhe përdhunimit izraelit nga ana tjetër. Kontekst i cili zbulon në fakt qëndrimet e gjithkujt.
Përpara se të vazhdoj më tej ndjej të nevojshme të theksoj se nuk po përpiqem të përdor konspiracionin si metodë gjykuese, gjithçka është fakt, mund të jetë dhe rastësi. Nuk ka rëndësi se në ç’mënyrë u përftua ajo që po e marrim si të mirëqenë dhe po e quajmë koincidencë faktesh, por rëndësi ka qëndrimi i muslimanit i pozicionuar tashmë në mënyrë të pashmangshme mes pasionit për sportin dhe ushtrimit të spiritualitetit, si dhe ndjenja e keqardhjes për viktimat. Rreziku i të qenurit më tepër tifoz se religjioz e ushqen akoma më tej verbërinë, por jo vetëm për atë se çfarë ndodh në pjesën tjetër të botës, në fakt. Për çudi, halli i turpërimit brazilian (një histori e suksesshme futbolli e shkërrmoqur në një ndeshje të vetme) përkoi me vrasjen e foshnjave të pafajshme në Palestinë.
Është krejt e natyrshme që jo gjithkujt i interesojnë konflikt-lufrat e izoluara nëpër botë, por besimtarit nuk i shkon e as nuk i falet kjo indiferencë. Më e pakta që duhet të bëjë është të paktën ndërgjegjësimi për çka jemi, dhe muaji i Ramazanit është përkujtuesi më i mirë për këtë. Nuk mund të na shpëtojë ky muaj pa kthyer sytë nga vetja si mundësi për të vënë re edhe tjetrin. Sepse duke mësuar të shohësh siç duhet veten, mund të mësosh ta shohësh tjetrin si realiet, si dhe njëkohësisht, duke mësuar të shohësh tjetrin, mund të arrish të kuptosh më mirë vetveten.
Prej këndej, është fare e lehtë pastaj të marrësh me mend shtirjen e dyzimit të besimtarit mes asaj çka duket të jetë dhe asaj çfarë është në të vërtetë, sa herë që tenton të bëjë njeriun që vuan për shkak të fatkeqsisë së tjetrit. Sigurisht si çdo gjë tjetër edhe futbolli, përdoret për qëllime komerciale dhe, në njëfarë mënyre ai duket sikur i shërben vdekjes së ndjeshmërisë sonë. Njeriu vdes në shumë forma: Nëpërjmejt kultit të trupit, (dhunës, forcës, bukurisë, seksit), nëpërmjet harresës, mohimit të dlirësisë (siç ndodh shpesh me gratë apo partneret e futbollistëve) etj. E pra premtimi hyjnor se “ata janë të gjallë tek Zoti i tyre”, zbulohet në këtë pikë tanimë, tepër qartë: vdekja është më e hidhur tek ata që as kanë mundur të lindin ndonjëherë.

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *